“Bekime dhe Mallkime” prezantohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork
Rafaela Prifti
Vlora Nikçi paraqiti librin “Bekime dhe Mallkime” në një mbrëmje të mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork. Ambasadori Blerim Reka, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit si “nikoqir”, i bëri autores urimin “Tu shtofshin librat!” E njohur për karierën e saj si aktore profesioniste e Kosovës, ajo është mbledhëse dhe hulumtuese e apasiouar e trashëgimisë gojore popullore. Për këtë përmbledhje Vlora Nikçi ka filluar të punoj qysh nga viti 2021-2022 duke udhëtuar në Bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ed Hamell nga Fondi Arsimor Kosovë Amerikë (Kosova American Education Fund) Zyra në Nju Jork, vlerësoi kontributin e Vlorës në ruajtjen e trashëgimisë popullore. “Lidhja me atë që ka paraprirë dhe e të kuptuarit të vazhdimësisë e bën Vlorën të jetë e aftë të transmetojë këtë nga profesioni i saj si aktore në kërkimin e saj për të nderuar trashëgiminë gojore për sot dhe për të ardhmen”.
“Vazhdimësia e identitetit kulturor ka qenë shtysa e fillimit të projektit nën udhëzimin e Prof Dok. të ndjerë Sadri Fetihu”, vërejti Nikçi. “Duke qenë se jemi shqiptarë, neve na duhet të bëjmë më tepër se një profesion,” shpjegon ajo. “Në të vërtetë, për librin e parë shtysa ishte ndrojtja e kolegeve aktore për skena erotike”. Vlora nisi hulumtimet për ta zhveshur mitin e erotikës nëpërmjet shprehjeve popullore.
Ajo ju shprehu mirënjohje ekspertëve dhe këshilltarëve si Dr. Shaban Sinani, Prof. Rexhep Qosja, veçanërisht Prof. Isuf Dedushaj. Për ilustrim, Nikçi rrëfeu origjinën e mallkimit “qofsh pjella e dreqit” mbledhur në Malësi, “atje ku njerëzit ose të duan shumë ose përndryshe të vrasin”, tha autorja me buzëqeshje.
Prezantuesja Doruntina Dushi i ftoi të pranishmit të ndiqnin ekzekutimin me klarinetë nga Ylli Zhaveli të disa pjesëve të kompozitorit Thoma Simaku. Më pas, pjesëmarrësit patën mundësinë të bisedonin nga afër me autoren e cila nënshkruante librat dhe i falenderonte për interesimin.
Libri ka dalë nga shtypi para pak kohë dhe ka pasur prezantime në Prishtinë. Vlora me bashkëshortin Armand dhe djalin Ene banojnë në Nju Jork.