Ndue Ukaj: Kaligula emëron kalin për udhëheqës Senati
Kaligula emëron kalin për udhëheqës Senati
*
Dhe arsyetimin e lexon në prani të ligjvënësve kryeulur
Incitatusi imi i dashur emërohet udhëheqës senati
thotë
dhe shikon në mos ndonjëri turfullon
që t’ua hedhë ushqim peshkaqenëve
*
Dhe vazhdon të tregojë
se ai është më i dashuri mes banorëve të qytetit
se është i heshtur si vetë heshtja
se ka pranuar nënshtrimin
se do të shërbejë përherë si një kalë
se lexon vetëm çka i jep lartmadhëria
dhe përtypet fshehurazi, sa herë ndien uri
*
Dhe emërimi i kalit për udhëheqës Senati
nuk ka shqetësuar njeri
*
Dikush megjithatë qesh tinëz me kalin Incitatus
të tjerët ia ledhatojnë krifën
dhe gëzohen se kali nuk vret si perandori
*
Gëzohen sa herë e shohin të qetë e që nuk shkelmon
*
Por kur hedh shkelma mbajnë gojën mbyllur
dhe njollat e gjakut i pastrojnë shpejt
*
Dikush kalëron mbi samarin e tij
se ashtu dyert e Senatit hapen me lehtësi
*
Të zemëruarit jashtë nuk e ndiejnë duhmën e trishtimit
hungërimat e kalit dhe jashtëqitjet e tij
*
Vetëm rojet e Kaligulës ndihen të gëzuar
se njëri pas tjetrit
hipin mbi të dhe futen në shtratin e gruas së tij
*
Kali kur hyn në Senat hungërin
dhe senatorët duartrokasin kur ia shohin dhëmbët
*
Po qesh kali, thonë dhe qeshin me të
*
Kali nuk flet asnjë fjalë të rrezikshme
se veç prania e tij është rrezik
*
Ai e ka mësuar prej të zotit shtypjen
dhe kryen detyrat prej kali me përpikëri
*
Tash plot budallenj kalëron ai
*
Ata që mblidhen në mëngjes në oborrin e perandorit
dhe shohin se si po bie Roma dhe qyteti ynë
dhe nuk bëzajnë
*
Kështu shkruhen kronikat për rënien
dhe trashëgiminë e keqe të qytetit.