Albspirit

Media/News/Publishing

Baia – Parajsa Hedonistike dhe “Turbulencat” e Elitës Romake


Senad Guraziu – Ars Poetica, Maj 2025

(…dihet që Seneka më shumë predikonte rreth moralit, sesa e “praktikonte” moralin vetë – por se mos vetëm Seneka, pakashumë ishte diç si “ves” romak : )

Baia, qytet i lashtë romak, do bëhej vendpushim i preferuar për aristokracinë, vendpushim i perandorëve dhe i elites romake. Sipas Strabonit ishte vendpushim i popullarizuar për shekuj me radhë. Nga romakët e pasur qe konsideruar vendpushim më “favorit” se psh. Pompei apo se Herkulaneumi. Aristorkratët patën ndërtuar vila në Baia që nga v. 100 pes. Dëshmitë e lashta thonë se shumë perandorë ndërtuan në Baia, thuase qe bërë diç si “garë konkurruese” mes tyre.

Perandori Nero e ndërtoi një vilë jashtëzakonisht luksoze në Baia rreth viteve 50-60 es., thuhet se perandori Hadrian do vdiste në vilën e tij (më vonë dmth., kur Hadriani pati vdekur, në v. 138 es.). Sikur që thuhet se dhe Jul Cezari e kishte një vilë atje. Gjithashtu ishte vend i preferuar i perandorit Septimius Severus.

Perandorët, dhe oborret e tyre, qëndronin shpesh atje për pushime e për luksozitet. Baia do bëhej famëkeqe për shthurjet dhe hedonizmat, gjatë shekujve do e përcillnin thashethemet për veset, për korrupsionin e për aferat skandaloze. Baia dmth. do bëhej e njohur për stilin e jetës hedoniste të banorëve të saj.

Seneka (i njohur si Seneka i Riu), në njërën nga letrat e tij për Luciliusin (letra 51), e përshkruan si një “vorbull luksi”, si një “port vesesh të liga”. Letra e 51-të, drejtuar mikut të tij Lucilius, e ka titullin e pazakontë “Baia dhe Morali”. Letra e stoikut Seneka është reflektim rreth kotësisë së zotërimit të vilave, si dhe mbi implikimet morale të luksit. Sidoqoftë, dihet që Seneka më shumë predikonte rreth moralit, sesa e “praktikonte” moralin vetë – por se mos vetëm Seneka, pakashumë ishte diç si “ves” romak : )

Duke qenë ai vetë njëri nga njerëzit më të pasur të perandorisë, natyrisht kishte dhe ai vilë në Baia, tekefundit ishte parajsë hedonistike për elitën e fuqishme të Romës. E vërtetë që pati grumbulluar shumë pasuri, kishte prona dhe vila gjithandej. Gjithsesi, Seneka qe akuzuar për shumçka, për amoralitet, për afera seksuale, për korrupsion e për komplote. Të jetosh në kohën e Kaligulave, Agripinave… ashtu-kështu jeta sikur vërtitet nga ndonjë “tornado” i ngjarjeve, nga “turbulencat eliteske”, nga aferat e ububushme të Romës.

***
Qoftë dhe vetëm për faktin se të ngratit Seneka dy herë i qe kërkuar të kryente vetëvrasje, nga dy perandorë, nga Kaligula dhe nga Nero, sikur ia vlen ta përshkruajmë sadopak “histori-turbulencën romake” : ) Duhet ta kemi parasysh intervalin kohor përafërsisht nga viti 1, e deri afërsisht kah fundi i shek. 1 (dmth. të erës sonë – Seneka vetë pati jetuar mes viteve 4 pes. deri 65 es.)

Në v. 41 es. Klaudiusi u bë perandor, sakaq Seneka u akuzua nga perandoresha Mesalina për korrupsion dhe për aferash seksuale me Julia Livilla (mbesë kjo e perandorit Klaudius, motër e ish-perandorit Kaligula dhe motër e Agripinasë – nënës së perandorit të ardhshëm, Nerosë). Edhe pse çështja në fjalë nga historianët dyshohet t’ketë qenë e vërtetë, Senati e pati shpallur dënimin “me vdekje” (për të ngratin Seneka). Mirëpo perandori Klaudius e ndryshoi dënimin… me “mërgim”, dhe Seneka i kaloi tetë vite i mërguar.

Shpëtoi Seneka (kësaj radhe), ndoshta sepse Klaudiusi i takonte “anës” së tij të fatit, edhe Klaudiusi qe “montuar” si perandor, do “hiqej qafet” Kaligula (vëllai i Agripinasë) dhe Klaudiusi do martohej me motrën “komplotiste”, me mbesën e vet. Për pjesëmarrje në konspiracion kundër të vëllait (perandorit Kaligula), Agripina qe përzënë (ekzilosur) në v. 39, mirëpo dy vite më vonë, në v. 41 iu lejua të kthehej në Romë. Po atë vit (41) perandori Kaligula u vra, si rezultat i komplotit të përbashkët nga oficerët e Gardës Pretoriane, i senatorëve dhe oborrtarëve. Që ditën e vrasjes të perandorit Kaligula, gardistët pretorianë e deklaruan Klaudiusin si perandorin romak të radhës.

I bie se “fitues” Seneka, Agripina, Klaudiusi – “humbës” perandori Kaligula, ky ia pati kërkuar të ngratit Seneka vetëvrasjen, por ja që vdiq… vdekjen e kishte më afër vetë. Seneka qe “falur” vetëm sepse ishte i sëmurë rëndë dhe perandorit i qe thënë se, ashtu-kështu, së shpejti do t’vdiste.

Në v. 49 es. Klaudiusi u martua me mbesën Agripina (motër komplotiste ndaj vëllait të vrarë, Kaligula), e cila ishte rishtas nën dyshimin për helmimin e burrit të saj të dytë, Krispusit. Burri i saj vdiq, rrethanat dhe pse-ja e vdekjes të paqarta, mirëpo që atë vit ajo rishtas u martua, tashmë me perandorin Klaudius (paçka se mbesë e tij, paçka se ky, në mënyrë indirekte, mund t’ishte madje vrasësi i të vëllait, Kaligula – ashtu-kështu një dekadë më herët, ajo vetë si motër pati qenë e dyshuar nga i vëllai, andaj dhe qe përzënë nga Roma).

Agripina e bindi Klaudiusin ta caktonte Neron (djalin e saj) si trashëgimtar të fronit (në vend të djalit që Klaudiusi veç e kishte me gruan e mëparshme, Mesalina, i cili quhej Britanikus).
Vetëm pak vite më vonë, në v. 54 edhe perandori Klaudius vdiq. Rishtas e “dyshuar”, Agripina. Askush s’e di “saktë” si dhe përse pati vdekur perandori Klaudius (ashtu papritmas, njësoj si dhe djali i tij që do vdiste, Britanikusi, më vonë).

Gjithsesi dyshimet i qenë veshur ambiciozes Agripina. Cenimi i vetëm potencial për fronin perandorak të Neros (djalit të saj) mund t’ishte dmth. djali i Klaudiusit, Britanikusi, i cili ishte vetëm 13 vjeç, kur Nero do bëhej perandor pas Klaudiusit të vdekur – mirëpo dhe Britanikusi duhej të vdiste pa kaluar as 1 vit i Nerosë në fron.

Në fillim të v. 55, edhe Britanikusi vdiq papritmas, i helmuar “ndoshta” me urdhrat e Neros. Meqë i ngrati “përfaqësonte” tutje ndonjë rrezik eventual për fronin (ashtu-kështu të fituar me aferat tinëzare “diplomatike” dhe me manipulimet e nënës së tij, Agripinasë). Kur e mori fronin pas Klaudiusit, Nero ishte vetëm 16 vjeç, nëna Agripina fillimisht e luajti rolin e regjentit për perandorin e ri. Gjithsesi, ndikimi i saj në aferat qeverisëse të të birit gradualisht qe dobësuar, pasi Nero tashmë qe bërë “burrë” për ta marrë përgjegjësinë rreth çështjeve të perandorisë.

E megjithatë, dhe vetë Agripina duhej të “largohej”, dhe vetë nëna e Neros duhej të vdiste sepse atij, tashmë perandor, i dukej si “pengesë”. Agripina do t’vritej ndoshta nga ai vetë, nga vetë i biri i vet. Ajo Agripina e pandalshme, e cila i pati bërë pothuaj të pamundurat, s’pati lënë “gjë pa bërë” për ta sjellur Neron në fron. Për shkak të kundërshtimit të saj rreth aferës së Neros me një grua nga Pompei të quajtur Sabina, djalosh-perandori vendosi ta vriste nënën e vet.

Urrejtja e Neros ndaj saj thuase i kalonte të gjitha “përmasat”, sidoqoftë karakteri i Neros nga këndvështrimi psikologjik përshfaqet jashtëzakonisht kompleks. Sipas “Analeve” të Tacitusit, Agripina do t’provonte madje dhe incestin me Neron, duke synuar shpërqendrimin e vëmendjes së tij nga Sabina. Ndërsa Nero do bëhej shkaktari madje dhe i vdekjes së gruas Sabina (qe bërë gruaja e tij). Sabina ishte shtatzënë dhe gjatë një fjalosjeje ky do e godiste me shqelm në stomak. Nga pasojat e goditjes së tij ajo do vdiste…

Mirëpo kur është fjala për nënën Agripina, plani i Neros për ta “hequr qafet” nënën e vet nënkuptonte një lundër të sabotuar për fundosje, dhe mbytja e saj do duhej t’i ngjante fatkeqësisë. Mirëpo ajo nuk qe mbytur, pati shpëtuar disi… duke notuar në breg. Thuhet se përfundimisht qe vrarë në shtëpinë e saj, nga vrastarët e dërguar me urdhër të tij.

Siç e thamë më lart, në v. 49 es. Klaudiusi u martua me mbesën Agripina, dhe nëpërmjet ndikimit të saj Seneka qe kthyer në Romë. Agripina e caktoi atë tutor për djalin e saj, Nero. Nga v. 54 deri në v. 62 Seneka veproi si këshilltar i Nerosë, së bashku me Prefektin e Gardës Pretoriane, Burrusin – ky e pati “vrarë” perandorin Kaligula, për ta “montuar” Klaudiusin. Seneka i shkruante fjalimet e Nerosë (po ashtu dhe eulogjinë mortore për perandorin Klaudius e pati shkruar Seneka – Klaudiusi vdiq në v. 54, e helmuar “ndoshta” nga Agripina – eulogji që tani perandorit Nero i duhej në funeralin e Klaudiusit).

Pas vdekjes së Burrusit në v. 62 (ky tashmë helmuar “ndoshta” nga perandori Nero), autoriteti i Senekasë qe zbehur dukshëm. Tacitusi shkruante se u përpoq të jepte dorëheqje dy herë, por Nero e refuzoi kërkesën e tij në të dy rastet. Anise gjithnjë e më shumë tutje Seneka do ishte “larg” oborrit perandorak.

E megjithatë Seneka u akuzua si komplotist rreth “aferës Piso”, në v. 65, komplot për të vrarë Neron. Komploti ishte diç si pikë-kthesë e madhe në sundimin e perandorit Nero. Komploti i Pisosë e pasqyronte pakënaqësinë në rritje mes klasës sunduese të Romës dhe udhëheqjes gjithnjë e më despotike të Neros. Edhe pse ka gjasa që Seneka nuk ishte pjesë e komplotit, Nero e urdhëroi që ta vriste veten. Seneka e ndoqi traditën e “vetëvrasjeve aristokratike” duke i prerë venat, të njëjtën do tentonte ta bënte dhe gruaja e tij, Pompeia Paulina.

Në Greqinë dhe Romën e lashtë “vetëvrasja e detyruar” ishte mjet i zakonshëm ekzekutimi. Si shenjë respekti, “urdhri për vetëvrasje” ishte i rezervuar për aristokratët, përgjithësisht, për elitarët, për të mëdhenjtë e politikës, për gjeneralët etj. Viktimat ose pinin helm (kukutë), ose i prisnin venat, ose e varnin veten, ose vetënguleshin mbi shpatat. Një nga vetëvrasjet e tilla më të njohura të lashtësisë është ajo e Sokratit.

Në Greqinë e lashtë kukuta përdorej për t’i helmuar të burgosurit e dënuar. Bima e njohur me emrin latinisht “Conium maculatum” është barishtaku vrastar i aq shumë personave të lashtësisë. Sokrati i madh, viktima më e famshme e helmimit me kukutë, qe akuzuar për mosbesim dhe për korruptimin e mendjes së rinisë athinase, në gjyqin e tij u dënua me vdekje. Sokrati vendosi ta merrte një dozë të fuqishme kukute, por dihet se dhe vetëm pak, një sasi e vogël dhe helmi i bimës do ishte fatal.

Vetëvrasje tjera të famshme të detyruara janë dmth. ajo e filozofit Seneka, e Brutusit, e Mark Antonit, e perandorit Oto, e gjeneralit romak Varusit… dhe vetëvrasje të tjera të detyrueshme, gjatë historisë.

***
Seneka i Riu (4 pes. – 65 es.) filozof, dramaturg dhe burrështetas, intelektuali më i madh i Romës gjatë messhekullit të parë të erës sonë, i lindur në Cordoba (Hispania) dhe i rritur në Romë, ku mësoi retorikë dhe filozofi. Ishte tutor dhe më vonë këshilltar i perandorit Nero. Dy herë i qe kërkuar të kryente vetëvrasje, nga dy perandorë, nga Kaligula dhe nga Nero. Sëfundi qe detyruar të kryente vetëvrasje për pjesëmarrje të dyshuar në “komplotin e Pisosë”, komplot për të vrarë perandorin Nero, edhe pse kishte gjasa të ishte i pafajshëm.
Si shkrimtar Seneka është i njohur për veprat e tij filozofike, dhe për dramat (tragjeditë). Si senator Seneka qe vlerësuar për aftësitë oratorike, sipas kronistit Kasius, perandori Kaligula ishte aq i ofenduar nga suksesi oratorik i tij në Senat, sa që nga “inati” e urdhëroi të kryente vetëvrasje.

Please follow and like us: