Emil P. Asdurian: Dhuratë e mjerë!
Shit-blerja, përveç shkëmbimit të vlerave, të barabarta ose jo, mbështetur kryesisht në kohën e harxhuar për ta prodhuar, se çfarë këmbehet nuk arrin të përjashtojë mjeshtërinë e fituar si dhe dijen që lidhet pazgjidhshmërisht me të, është një akt (teatral) shoqëror. Arti para se të jetë “art për art”, ishte diçka e nevojshme për përdorim të përditshëm. Në të dyja rastet, shoqëror, më shumë se një mardhënie e shkëputur midis dy individësh. Ndoshta kjo është arsyeja, që në tregjet e vogla “baazar” ose pazar, bëhej siç bëjnë rëndom jahudijtë edhe sot e kësaj dite “pazar”, një diskutim pafund midis çmimesh dhe justifikumesh për vlerën që humbet në bashkëbisedim të kthehet në një gjykim intelekti apo besnikërie për t’u lidhur më vonë në miqësi. Miqësi ku mirësia e ndërsjelltë gëlon mbi pjesëmarrësit në “pazar”. Thua libri si mall tregu, ku prodhuesi është tërësisht i ndarë nga shitësi ta këtë humbur këtë “pazar” apo është ende kryekëput i zhytur në të? Është arti mall? Çfarë e bën të ndryshem nga të tjerët, ne cilën balance-peshë futet shkëmbimi? Çfarë ka ndryshuar ndër vite, që të mund të kuptojmë bukurinë e tij të egër e të domosdoshme? Po! Libri edhe pse fillimisht “mall” me përdorim të caktuar si gotë vere, enë që mban dije, ta ruajë mos derdhet, është dhuratë. Dhe mbi të gjitha jo përsa i përket idesë së shkëmbim-mirënjohjes, apo ekzaltimit në sytë e atij që e pranon, por e asaj diçkaje fare të vogël ose jashtëzakonisht të madhe e cila qëndron mbi vlerën praktike, mundin për ta bërë të gjallë, gjithmonë shumë më shumë se duket dhe si çmim. Në kohët më të hershme, dhimbjen trupore, uriné, apo përuljen për të ndjekur atë për të cilën autori i detyrohej paguesit, si në rastin e Sokratit trim, një darkë e plotë me verë dhe mish, me djem e vajza të bukura sipas radhës. Aq më tepër që për ato që mendonte në terrin e thellë të vetmisë, ia shkruanin të tjerët! Jo! Nuk është as kjo. As përzgjedhja me kujdes i çdo gonxheje me dëshirë e adhurim që natyra e krijoi me aq përkushtim, nuhatja e aromës së brishtë si dhe prekja me buzë e petaleve, ëndërrimi qe befas ngrihet lart nga rrënja e shpirtit, mbështjellja me duart e djersira pak, sa të mbërrijë atje për ku u pa pak më parë në një si ëndërr. Dhuratë që ndoshta ka më shumë sa duhet dashuri (sidomos po të jetë libër me poezi lirike)! Është premptim, se jam këtu prane e do jem, mermë në dorë, hapmë, kur të mundesh, kur të kesh kohë, që ndoshta nuk e gjen dot në kaq shumë terheqje vemendje (distraction) të pa nevojshme, nga kërkesa dhe barra e punës, dëshira për të pirë diçka të harrosh ç’të shqetëson, ai libri, një tufë mendimesh, ndjenjash, i një historie gjysëm të vërtetë apo përralë lëngimesh të sublimuara është aty që pret si një kotele, dorën që duhet të meret me të se ndryshe nuk jepet ashtu siç duhet, si vera që duhet të sillet për një kohë mbi qiellzë të shijohet.
Ështe në një fare mënyrë, peng, që në fakt ndryshe nga gjithë pengjet e tjerë të jetës, nuk kthehet pas veçse me të njjtën monedhe, me të njejtën ndjesi të pastër, miqësia e vërtetë, por, si për çdo gjë tjetër ka dhe nga ata që bëjnë me hile, që riqarkullojnë dhuratat e dhëna që nuk hynë në punë, ose që nuk pëlqehen, duke i vënë theksin asaj që është mall dhe jo vlerësimit dhe mirënjohjes reciproke, shprishjes dhe jo ndërtimit të një ure të fortë ndërnjerëzore. Njësoj si një like-lajkë apo klikim mëshire diku në mas-mdeia për të thënë se jam edhe unë këtu rreth e qark, dhe natyrisht është më e mirë se asgjeja, heshtja. Faleminderit!
Ndryshe nga shumë kenaqesi, është dhe bëhet pjesë e një mënçurie shoqërore, jo vetëm matja e ndërsjelltë e saj me kutin e së tashmes, apo përdorimi në skena jetësore të ngjashme, si në batuta filmash, apo vargje që sjellin papritmas një botë të tërë jehonash, libri është një muzeum tejet intim. Je pjesë e një grupi të zgjedhur zbuluesish që përdorin mendjen të gjejnë të bukurën-mirën-vërtetën, pa ua vënë veshin çirrmave injorante, por je pjesë e tij, jo aq në rima e trokthe melodie por e një shpirti binjak, që të ngjan dhe të afrohet më shumë. Një përpjekje e dyanëshme për t’u mbajtur tek njeri-tjetri. Një përqafim që pret ndoshta në qetësinë e tij dhe një fjalë të mirë, të ndjerë dhe të besueshme.
Një dhuratë me kaq shumë mund të heshtur nuk duhet të mos i kushtohet pakëz kohë, jo si detyrim, jo si monedhë këmbimi, as për zotërimin e një vlere të çfarëdolloji, por si një përkushtim njerëzor ndaj vetes, se arti i përket atij/atyre që e kundrojnë, hulumtojnë, prekin dhe jetojnë, përkundrejt shumë kotësive që nuk bëjnë tjetër por vjedhin kohë dhe dritë nga ajo që duhet të shohim.
Përmendur shpesh dikur nga Neruda “të jap sytë e mi të shohësh” do t’i shtoja “veten dhe gjithë botën”!