Përfundon edicioni i 29 i festivalit ndërkombëtar “Netët korçare të poezisë”
Fundjava që sapo u mbyll, 24-25 maj 2025, solli në qytetin e Korçës poetë nga e gjitha bota, të cilët u bënë pjesë e festivalit ndërkombëtar “Netët e poezisë”, edicioni i 29. I organizuar me mbështetjen e bashkisë së qytetit, të bibliotekës “Thimi Mitko” dhe Qendra Pen e Shqipërisë, ky festival merr shkas nga vargjet e poetit të shquar kombëtar, Asdreni, shkëputur nga përmbledhja poetike “Rreze drite”. Zanafilla e këtij festivali dhe bashkëthemelues ka qenë poeti Skënder Rusi dhe më vonë ai mbështetet nga bashkia dhe biblioteka e Korçës. Prej fillimit e deri më sot veprimtaria ruan surpriza duke e kthyer qytetit në nëj kryeqendër të promovimit të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj.
Një broshurë e përgatitur enkas për këtë veprimtari mban në krye përshëndetjen e kryebashkiakut Sotiraq Filo, ku ndër të tjera shkruan se “Korça që është qytet i traditës, kulturës dhe artit, do të ketë krijuesit më të spikatur nga vendi dhe bota. Do të jemi të bashkuar dhe të drejtuar nga fuqia e artit sepse fuqia universal e letërsisë përmban vlerat e humanizmit, njerëzimit, pavarësisht gjuhëve dhe kufijve”.
Në këtë edicion përfshihen dhjetra krijues konkurues dhe përshëndetës, mes të cilëve Aida Topalli, Albi Lushi, Albina Roshi, Angela Durazzo, Antonio Babliku, Artur Shkira, Bardhosh Gaçe, Bledar Tafaj, Christina Florou, Çerçiz Loloçi, Dinos Kubatis, Entela Kasi, Gerta Bandilli, Gaqo Apostoli, Helena Halilaj, Jonela Spaho, Julika Prifti, Klaudia Hasanllari, Maklena Nika, Mario Çaçi, Pierr Ech-Ardour, Rajmonda Moisiu, Rakela Zoga, Resul Shabani, Sadik Bejko, Sasha Basholli, Stefania Romito, Tsvika Nir, Valbona Lola, Valmira Rashiti, Vlora Konushevci, Zyhdi Dervishi, etj, të cilët shoqërohen me një biografi të shkurtër në shqip dhe anglisht.
“Të dyja netët e festivalit do të zhvillohen në orën 19:00. Natën e parë do të jetë hapja solemne e festivalit ‘Netët korçare të poezisë’ dhe poetët e ftuar nga Shqipëria, nga diaspora, Kosova, Greqia, personalitete nga Izraeli, Franca dhe Italia do të performojnë poezitë e tyre në gjuhën amë. ‘Rreze drite’ e Asdrenit është një temë e festivalit, ku poezitë konkurruese të gjitha kanë përmbajtjen rreze drite, të cilat do të recitojnë aktorët dhe të rinjtë e talentuar të qytetit të Korçës”, pohoi për mediat Jorida Tollkuçi, drejtore e bibliotekës publike “Thimi Mitko”.
Në ditën e parë autorët dolën para pjesëmarrësve të shumtë duke lexuar krijimet e tyre, ndërsa në dytën e dytë aktorë të njohur të teatrit “Andon Zako Çajupi” sollën një tjetër atmosferë duke intepretuar krijimet e poetëve pjesëmarrës.
Gjithashtu u organizuan katër panele letrare në bibliotekën “Thimi Mitko”, një vizitë në muzeun Gjon Mili dhe një tjetër në galerinë “Guri Madhi”. Emocione të veçanta solli mbjellja e një peme në kopshtin qendror të qytetit nga poeti laurat Sadik Bejko si dhe shpallja e fituesve, mes të cilëve Zyhdi Dervishi, Rakela Zoga, Maklena Nika.
Juria e festivalit përbëhej nga Entela Kasi, presidente e Qendrës Pen për Shqipërinë; Pierre Ech-Ardour, personalitet francez, botues dhe poet dhe Prof. Dr. Jonela Spaho, dekane e Fakultetit të Filologjikut dhe Edukimit./albspirit