Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Shuhet ish-Kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria, zoti Hilmi Saqe

I mbijetuari i masakrave greke solli dëshmi autentike për genocidin në librat dhe intervistat e tij.

Themeluesi i Shoqatës Patriotike dhe Kryetar i kësaj Shoqate në vitet 1997-2000, zoti Hilmi Saqe, ka ndërruar jetë, në moshën 89 vjeçare, në një spital të Nju Jorkut. I qoftw dheu i lehtë, kësaj ikone të Çamërisë!

Hilmi Saqe ishte i mbijetuar i masakrave greke ndaj popullsisë Çame, që e pa dhe përjetoi tragjedinë, me sytë e një fëmije 8 vjeçar. Përmes dëshmive të tij autentike për genocidin, të botuara në disa libra si dhe artikuj, Ai ka prezantuar dhimbjen çame dhe nuk heshti për masakrën deri në frymën e fundit . “Ne ikëm të detyruar nga Çamëria, Çamëria nuk ikën kurrë nga ne! Këto ishin fjalët që shqiptonte gjithmonë gjatë bisedave dhe intervistave.

Zoti Saqe, i cili jetoi prej 17 vitesh në SHBA si shtetas amerikan, apeloi për drejtësi dhe njohje të genocidit nga Greqia, duke deklaruar se “Greqia përpiqet që ta mohojë masakrën, që përbën njollën e turpit për vendin që pretendon qytetërim të lashtë”.

Ëndërroi gjithë jetën të kthehej edhe një herë në vendlindjen e tij, në Grikëhor të Gumenicës, por nuk ia arriti dot. Autoritetet greke nuk e lejuan kurrë, as kur u hapën kufijtë. Por më në fund ai e gjeti zgjidhjen, me pasaportë amerikane në xhep, në qershor të vitit 2021, shkoi në shtëpinë e tij.

Hilmi Saqe lindi në Grikëhor – Gumenicë – Çamëri në në vitin1936.

Grikëhori është një nga fshatrat më të mëdha të Çamërisë. Ishte vetëm tetë vjec ku, së bashku me familjen, ushtria greke e dëboi me dhunë e barbari nga shtëpia, së bashku me mijëra shqiptarë të Camërisë.

Megjithëse ishte i vogël, Hilmi Saqe në librat e tij Genocidi grek kundër Camërisë vazhdon-2006) “Rrënjët tona çame -Tiranë ,2024”, përshkruan shumë skena tmerri dhe dhimbjeje: “Ende ne, të mbijetuarit e masakrimeve greke, ndjejmë erën e shtëpive tona që digjen! Ende shohim dhe ndjejmë erën e tymit dhe zjarrin e pushkëve dhe topave që binin mbi ne, mbi shtëpitë e pasuritë tona! Ende shohim dhe dëgjojmë çdo natë klithmat e grave fatzeza, që ushtria kriminale e shtetit grek u nxirrte fëmijtë nga barqet! Ende ndjejmë erën e mishit të djegur nëpër furra të grave dhe fëmijëve tanë, që me aq kënaqësi shtazarake e kanibaleske i ekzekutonin kryekriminelët zervistë të shtet-kishës greke! Ende shoh trupa grash, burrash dhe fëmijësh të shtrirë përdhe, me barqe të çarë dhe gjymtyrë e koka të prera! Ende çdo ditë dëgjoj ulërimat dhe thirrjet për ndihmë të të masakruarve të pafajshëm! Ende shoh dhe përjetoj maskrimin dhe torturat e mia, të prindërve e vëllezërve të mi, të motrës sime dhe të gjithë fëmijëve të Çamërisë.

Luftrat, masakrat, dëbimin nga vendlindja, nën tytat e armëve dhe grykave të topave të një ushtrie gjakatare- terroristo-pushtuese, nuk ka gjë që i shlyen nga kujtesat tona. Ato janë memorizuar në gjithë qënien tonë. Memorizim që është gdhendur në gjenet tona dhe të pasardhësve tanë”, shprehej Zoti Saqe në një intervistë për gazetën “Dielli” (12 korrik 2024).

Në 34 vjetorin e krijimit të Shoqatës Patriotike Çamëria, Hilmi Saqe, botoi një promemorie ku, mes të tjerash shkruan: “Është momenti që jo vetëm të besojmë në fuqinë tonë si trashëgimtarë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të vlerësojmë mençurinë e burrave që e deshën shumë Çamërinë dhe sakrifikuan gjithcka për të. Krijimi i Shoqërisë Politike Atdhetare Çamëria (Sot Shoqata patriotike Çamëria), në 10 janar të vitit 1991, është një ngjarje historike në historinë e kombit shqiptar, pasi shënon fundin e heshtjes së madhe për këtë problem të madh kombëtar.

Politika izoluese e regjimit komunist jo vetëm që e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar, por i privoi refugjatët camë në Shqipëri nga shumë të drejta njerëzore e kombëtare, duke i trajtuar si njerëz të kategorisë së dytë, jo si gjithë qytetarët e tjerë. Madje në vitin 1953 u hoqi shtetësinë greke arbirtrarisht, me një dekret të posaçëm antikushtetues, të njëanshëm, duke e ndërlikuar edhe më shumë çështjen përpara drejtësisë.

Lufta kundër çamëve dhe shpresat për rikthimin tonë në Çamëri po veniteshin nga heshtja dhe mospërfillja e zgjidhjes së çështjes sonë nga shteti komunist shqiptar, gjë që na kishte revoltuar të gjithëve, por diktatura ndaj gjithë shqiptarëve kishte gati Shpatën e Demokleut. Shembujt e kokave që iknin ishin mijëra dhe të pafajshëm. Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “Grupit të Teme Sejkos”. Por, me shpalljen e pluralizmit politik, ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare.

Nga Dhjetori i vitit 1990 dhe në vazhdimësi u aktivizuam së bashku me shumë të tjerë në themelimin e SHPA ”Çamëria”, dhe në luftën për zgjidhjen e cështjes sonë për kthimin sa më të shpejtë që të ishte e mundur në vendin tonë – në Çamëri, e cila ishte mohuar, luftuar e denigruar nga diktatura moniste shqiptare. Nuk ishte rreshtuar një numër i kufizuarish atdhetarësh, por të gjithë shqiptarët e Çamërisë që jetonin në Shqipëri, që nga Konispoli dhe deri në Shkodër. Për këtë gjë është shkruar shumë dhe një kontribut të madh dha edhe gazeta “Çamëria – Vatra Amëtare”.

“Nëqoftëse kemi pasur ndonjë herë kënaqësi të madhe shpirtërore, ka qenë pikërisht koha kur gjithçka fizike, shpirtërore dhe ekonomike ia kemi kushtuar çështjes çame, jo vetëm gjatë drejtimit të Shoqërisë, por që para themelimit të saj, në dhjetor 1990, së bashku me shumë bashkëatdhetarë të tjerë.

Plagët tona rrjedhin gjak akoma, ndaj ne nuk mund të heshtim! Askush nuk e vë ujin në zjarr për ne. Shteti shqiptar, partitë politike shqiptare, me sa duket do të vazhdojnë të luajnë politikën e Strucit, si gjithmonë, duke injoruar problemin çam dhe të Çamërisë. Çamëria është shpirti i gjithë çamëve. Ajo ka qenë dhe do të mbetet përjetë, derisa pasardhësit tanë ta gëzojnë atë”.

Please follow and like us: