Merz: Gjermania do të financojë prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë
Gjermania do të ndihmojë Ukrainën në prodhimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz, ndërsa priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin – për herë të parë që nga marrja e detyrës, në fillim të këtij muaji.
“Ne duam të mundësojmë armë me rreze të gjatë veprimi. Ne gjithashtu duam të mundësojmë prodhimin e përbashkët”, tha Merz në një konferencë për shtyp në kryeqytetin gjerman – duke premtuar mbështetje të mëtejshme për Kievin, ndërsa përpjekjet për të siguruar një armëpushim duket se po dështojnë.
Merz tha se ministrat e Mbrojtjes gjermanë dhe ukrainas do të nënshkruanin një letër qëllimi mbi prokurimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi nga prodhimi ukrainas.
“Ky vendim përfaqëson fillimin e një forme të re të bashkëpunimit ushtarako-industrial midis Gjermanisë dhe Ukrainës – i cili ka potencial të madh”, tha kancelari gjerman.
Ukraina, e cila ka luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se tre vjet, ka nevojë për raketa që mund të sulmojnë aeroportet ruse dhe linjat e furnizimit brenda territorit rus.
Çështja nëse aleatët e Ukrainës duhet ta furnizojnë Kievin me armë me rreze të gjatë veprimi ka qenë shumë e diskutueshme në vitet e fundit.
Paraardhësi i Merz – ish-kancelari Olaf Scholz – ka kundërshtuar vazhdimisht dërgesat e raketave “Taurus” të prodhuara në Gjermani, mes paralajmërimeve se ky veprim do të përshkallëzonte tensionet me Moskën.
Merz përsëriti qëndrimin e tij se të gjitha kufizimet për përdorimin e armëve gjermane nga forcat ukrainase ishin hequr.
Megjithatë, Merz refuzoi të përgjigjej nëse njoftimi i përpjekjeve për të prodhuar së bashku armë me rreze të gjatë veprimi – nënkuptonte se ai nuk do të autorizonte transferimin e raketave “Taurus” në Kiev, siç premtoi gjatë fushatës zgjedhore gjermane, këtë vit./atsh