Arben Iliazi: Poezia kozmogonike e Niko Kacalidhës
Shumë kritikë dhe studiues letrarë janë shprehur se në gjeneratën e viteve ’70 të shekullit të kaluar spikatën tre poetë surrealistë: Fatos Arapi, Sadik Bejko dhe Niko Kacalidha. Tre miqtë e mi të vyer, me të cilët kemi ndarë momente të rëndësishme jete dhe krijimtarie. Poezitë e tyre tingëllojnë të freskëta, plot hije pasionesh, fatesh njerëzore, iluzionesh, shpresash dhe mundimesh.
Për F. Arapin kam shkruar disa herë, pasi ishte i pari mentor, që më orientoi drejt krijimtarisë poetike dhe më krijoi mundësinë e botimit në gazetat dhe revistat letrare të kohës, që kur isha maturant në gjimnaz. Madje për Arapin po përgatis një monografi letrare të plotë, pas asaj që u botua së fundi për Qamil Buxhelin. Kam filluar të hedh refleksionet e mia edhe për poezinë e S. Bejkos, e cila më krijon ndjesi të veçanta. Niko Kacalidhën e kam njohur në Sarandë, në fund të viteve ’80, kur u krijua Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve. Nikoja punonte në atë kohë si mësues letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini” të qytetit, ndërsa unë në Teatër. Kalonim orë të tëra në diskutime letrare. Nikoja kishte një kulturë të jashtëzakonshme, jo vetëm letrare, por edhe biblike apo linguistike. Njihte ngjarjet e ndryshme, historinë biblike dhe mitologjinë. Poezia e tij, në pamje të parë, dukej hermetike dhe e padeshifrueshme. Por shumë shpejt, duke u zhytur thellë brenda tyre, dilemat dhe hamendësitë merrnin fund. Ne miqtë e tij, që kishim marrë një formim letrar në universitet, e ndienim se ai ishte një poet i famshëm, ndër më të mëdhenjtë dhe të befasueshmit, ndër më kompleksët dhe imagjinarët, ndër më të dëshpëruarit liriko-tragjikë. Ai i ishte futur një lundrimi të vështirë në ujërat e të panjohurave, me imazhe të fuqishme dhe metafora që ndriçonin në qiellin gri të kohës. Për ne ishte diçka e paimagjinueshme ky lloj guximi i një njeriu aq të urtë dhe të përkorë. Kacalidha dukej, në pamje të parë, një tip i druajtur dhe i hutuar, me njëlloj naiviteti në fytyrë, por me sy të gjallë, që rrëzëllenin mirësi e paqe. Vargjet e tij kishin shumë pak ngjarje nga jeta e përditshme. Me tufën e flokëve të shpupurisura dukej sikur poeti ishte banor i një universi tjetër jonian, i ngjizur me ngasje poetike të fuqishme dhe imazhe qiellore. Kishte një alkimi të çuditshme mes vargjeve, me intonacione tingujsh e ngjyrash të magjishme, që trazonin jo vetëm shpirtin, por edhe fantazinë dhe ëndërrat. Megjithëse ishte me busull të humbur, i detyruar të bënte, për shumë vite, një jetë “asketi” të mbyllur dhe të trishtë, duke vuajtur në heshtje fatin e tij si mësues i thjeshtë në fshatin e tij të lindjes në Leshnicë, Kacalidha nuk i referohej pothuajse fare bashkëkohësisë dhe rregullave të ngurta të socrealizmit, por dukej sikur shkruante për një kohë tjetër, me një imagjinatë dhe kredo lirike të pazakontë dhe gati të frikshme:
Rri ndanë detit t’i hap zemrën
Rri ndanë detit t’i hap zemrën për brengat
e mia.
Rri ndanë detit dhe i flas se ai m’i ka kuptuar
të tëra.
Kësaj radhe deti m’u largua me një zbaticë.
Dhe:
“Unë, i kaltri gjer në rropullitë e mia, tha,
unë i gjelbri gjer në vetësakrifikim, kam halle,
kam dhe unë halle.
Tani do të rend me një baticë tmerrësisht
shtrigane,
të përpij një lumë të përskuqur që do të më
turbullojë madhështinë.
Më shikoni mua kështu dhe thoni se deti
s’paska halle?!…”
Dhe thashë me vete: halle paskan dhe detet
e si të mos kenë të gjallët?
E si të mos kenë halle poetët?
Poezia e tij kishte dalë jashtë reve të fatit, e ndiçuar nga rrezet e diellit të mëngjesit shpirtëror, brenda një bote gati hyjnore. Misionin e tij poetik e mbronte të pacënuar, e mbante të fshehtë me dëlirësi, pothuaj me ndrojtje. Askush nuk e mendonte se ai njeri i dalldisur do i blatonte poezisë dhe origjinës hyjnore të saj gjithë jetën dhe përdëllimin krijues, duke e vënë shpirtin mes perëndive e njerëzve, duke krijuar përjetësinë e çdo dite në jetën tokësore dhe duke e kthyer veten në një misionar.
Niko Kacalidha ka shkruar shumë, gjatë gjithë jetës. Një poezi kozmogonike, nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj. Poeti e përforcoi shumë talentin e tij të lindur, në drejtim të perceptueshmërisë, pasurimit figurativ e shqisor. Në shumë krijime të tij u vunë re pretendime për t’i shërbyer artit dhe perëndive. Sepse vetëm perëndive u lejohet të sillen me pastërti absolute, pa përzierje.
Jam i mendimit se vepra e tij duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe dhe asaj greke, por i republikës së letrarëve përgjithësisht.
Kacalidha është një krijues bilingual (dygjuhësh) me tridhjetegjashtë vëllime të botuara, nga të cilat përmendim: Libri i parë “Fjalë të thëna në pranverë’”, me të cilin fitoi edhe një çmim kombëtar. Për të vazhduar më pas me ”Flugeri’”, ”Shtëpitë tona në jug”, (çmim kombëtar); “Shtrati i lumit tim”, “Zërat e vendlindjes”, “Anëdet”, “Kor tragjik i përgjakur”, “Bibla e të vrarëve”, “Shtëpia e erërave”, “Rrënjët e drurëve”, “Letër urgjente nënës”, “Baladë e përzishme”, “Vaj i malit të vrejtur”, “Dhe sfinksi foli”, “Njëqind trëndafila të agullimit” (çmim ballkanik); “Loti i ciklamini”, “Profecitë e drurëve”, ”Bashi i yjeve”, ”Fati i amarandusit”, “Shala e hënës”, “Heraldikët e mullibardhës”, “Shenjat e hidhërimit”, “Orë diellore”, “Pagëzimi i zogjve”, “Heraldikët e borës” e të tjerë që nuk më kujtohen.
Kacalidha, jo vetëm shkruan paralelisht në dy gjuhë të ndryshme, shqip dhe greqisht, por jep ndihmesën e vet origjinale në dy kultura, një poet dhe prozator me dy identitete që e shfaq talentin e vet jo vetëm duke shkruar vetë në poezi dhe prozë, po njëkohësisht, duke vendosur ura midis dy kulturave të cilave u përket nëpërmjet përkthimit nga secila gjuhë në tjetrën, nga shqipja në greqisht dhe nga greqishtja në shqip.
Disa personalitete të larta të letërsisë shqipe janë shprehur për poezinë e ti: “Një poezi metaforike surrealiste brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis, herë me dritësinë e Elitisit… dhe herë me detaje shqiptare të gurit, të malit, të dritës dhe të detit, të pranishme këto në pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij”, do të shkruante Ismail Kadare. Ndërsa Dritëro Agolli është shprehur: “Ai nuk është poet vetëm i Shqipërisë apo i Greqisë, është një poet ballkanas dhe më gjerë, një poet europian, një poet modern me kuptimin e gjerë të kësaj fjale”.
Poeti Sadik Bejko shkruan se “Niko Kacalidha është një poet madhor në letërsinë shqipe dhe në letërsinë greke. Ai është vërtet me fat që mundi ta shfaqë kaq madhërisht artin e vet. Nga brezi i tij, nga gjithë ç’e filluan poezinë bashkë me të në vitet ‘70, të paktë, as sa gishtat e njërës dorë, janë tani në vitet 2000 poetët që e rinovuan verbin poetik shqip ashtu si ai, si Niko Kacalidha”.
Komentet dhe opinionet për krijimtarinë e Niko Kacalidhës nuk kanë mungur edhe në opinionin letrar grek.
Nikos Tendas shkruan: “Niko Kacalidha është poet me frymëzim homerik, shprehës i pulsit kontemporan grek”.
Leta Kucohera: “Si poet vjen dhe bën betimin te poeti i poetëve, te stërgjyshi ynë i madh, Homeri, që të mos ndërpritet obligimi poetik”.
Dhimitris Iatropoulos: “U njoha me veprën e poetit më të shquar grek të Shqipërisë. Poezia e tij mban aromën e traditës akritike, format e tij janë të kultivuara, thesari gjuhësor i shkëlqyer, i peshuar midis dramatikes dhe tragjikes pa rënë kurrë në melo, kurse shpërthimi i tij ekzistencial takon dendur majat dhe kulmet e agonisë aktuale të botës. Origjinaliteti i tij është theksuar te stili, që herë duket se Rigas Velenstilis tërheq një perde, herë sikur Solomosi çel një dritare të befasishme dhe herë sikur aedi anonim bizantin shkon shaluar mbi kalin e tij para teje”.