VASO PATA SHKRUAN PËR PIKTORIN NESTOR JONUZI, PËR DRITËN DHE SHPIRTIN E VLORËS
nga Albert HABAZAJ
– Parathënie e monografisë “Nestor Jonuzi” së Vaso Patës –
Vaso Pata shkruan për Nestor Jonuzin. Në fakt shkruan miku për mikun, intelektuali për intelektualin, vlera për vlerën. Shkruan njeriu i shkencave të natyrës, të cilit i ka peshë specifike fjala për mjeshtrin e tonaliteve ngjyrore të peizazhit, të zotin e penelit të detit dhe qiellit. Në fakt, këtë monografi nuk do ta quaja ngushtësisht një libër të Vasos për Nestorin. Vaso Pata shkruan për dritën dhe shpirtin e Vlorës.
Kështu që, pa drojë, mund të themi se lexuesi mund të ndihet i kënaqur, pasi ka në dorë një libër të mirë, të shkruar me dashuri e vërtetësi, thjeshtë e mençurisht, bukur e pastër, me mesazhe e fjalor të pasur, me fjalë të zgjedhura e në respektim të kriterit hyjnor të respektimit të fjalës, sepse e njeh, e peshon, e vlerëson dhe e nderon lakonizmin dhe shenjtërinë e fjalës.
Vaso Pata ka lindur në vitin 1945 (një vit mbas Nestorit), është i njohur në qytet dhe gëzon mirënjohjen qytetare, fituar me jetën dhe veprën e tij në edukimin e sa e sa brezave. Ai është nder i arsimit në Vlorë, mësues, inspektor arsimi, pedagog i lëndës së fizikës në Universitetin “Ismail Qemali”, autor tekstesh mësimore, i monografive shkencore, një metodist model, njohës i shkëlqyer i pedagogjisë dhe psikologjisë shkollore. Përveç punës së dobishme që ka bërë me tekstet mësimore të fushës dhe librat metodologjikë, ai spikat edhe me tekste informative për nobelistët apo “Sekretet bërthamore”etj., me heronj të shkencës e viktima të dijes. Është mjeshtëria e autorit, që dobinë e shkencës na e bie bukur, sa të na ngjallë emocione e të na sjellë kënaqësi. Ai është burrë zotni e mendjehapur, që guxon e futet në detin e gjerë e të thellë të diturisë me stilin e tij të preferuar të “notit”. Vaso Pata punoi për vite e vite të tëra në një ndërmarrje të vështirë por lakmuese, legjendare por torturuese, me një këndvështrim krahasimtar por lavdërues, siç janë “Simbolet e Vlorë në pikturë”. Dhe ia doli mbanë e faqebardhë, falë edhe mundësisë si koleksionist i veprave të artit, si mik i artistëve, si intelektual guximtar me intuitën profesionale të vëzhgimit, si dhe duke qenë një studiues i vëmendshëm, i pasionuar dhe këmbëngulës ndaj vlerave qytetare dhe kulturore që na dhurojnë piktorët me koleksionet e tyre të bukura, aq mbresëlënëse.
Vaso Pata e do shumë vendlindjen, ndjenjë kjo që e shpreh natyrshëm dhe me një krenari fisnike. Ai ndjek me vëmendje dhe falënderime ata që bëjnë për Nartën, ku ka lindur. Nuk ka se si t’i shpëtojë Vasos fakti që “Nestori ishte edhe piktori i parë vlonjat që zbuloi dhe shijoi magjinë e rrugicave të Nartës”, ndërkohë, që Vaso Pata ka mbi 150 koleksione të punëve të Piktorit tonë.
Edhe unë, sikurse Vasoja, i shpreh mirënjohje të thellë Nestorit, sepse ndër shumë motive që merr nga Labëria dhe Lumi i Vlorës, ai trajton edhe natyrën e Tërbaçit tim me ata njerëz të mirë, me historinë, kulturën e personazhet, që kanë lënë gjurmë. E kush nuk i është mirënjohës Nestorit!?
Vaso Pata dhe Nestor Jonuzi janë dy burra të lartë me kulturë qytetare, që i bëjnë mirë Vlorës dhe shoqërisë shqiptare.
Vaso Pata është një aristokrat shqiptar i fizikës, njeri me fat dhe fatlumturisht mirënjohës ndaj Nestor Jonuzit, të parit piktor vlonjat që ka njohur, i cili është i mbarënjohur si një personalitet i shquar jo vetëm i pikturës shqiptare, që ka merituar titullin më të lartë “Piktor i Popullit”, por i spikatur si kulturolog me autoritet në thjeshtësinë e tij madhështore. Dashamirësit e Nestorit e dinë që kompozimi është dashuria e tij në penel, ku kërleshet bukurisht fort trinia: portret, peizazh, natyrë e qetë, në marrëdhënie aq të ngrohta midis vajit dhe akuarelit. Këtë të vërtetë artistike na e thotë autori: “Detet e Nestorit në akuarel janë po aq të bukur sa edhe ato në vaj”. Vetë jeta e Nestorit ka qenë si deti, po det dimri me dallgë, të cilat përplaseshin pamëshirshëm me egërsi në shkëmbin e karakterit të paepur të Piktorit. As kur qe ende i brishtë dhe ende i ri, nuk e thyen dot, nuk e rrëzuan 23 vjeçarin e talentuar. As me vërshimin e ashpër prej lubie të kritizerëve lipiputë, të atyre palo censorëve eunukë ndaj “Zgjimit të aksionistes” – njërës nga më të mrekullueshmet piktura të ëmbla të N. Jonuzit tejshikues, që monografisti Pata e quan Sirena e Nestorit. Ata s’kishin ç’t’i bënin talentit të tij të jashtëzakonshëm dhe, duke shfrytëzuar “kartën e biografisë”, i tundnin me ngërdheshje tinzare “cenet biografike”… Të mbaruarit lumëzes të harruar koha në llumin e neverisë i vërviti, se vetë u fëlliqën…
…Kemi dëgjuar që “rastësia është mbreti i botës”. Dhe nuk thonë kot. Rasti e solli që këta çuna Vlore, 25-26 vjeçarë, të njiheshin në një mjedis jashtë qytetit të tyre, tutje, në Xibrakën e largët në zonën e Labinotit – Elbasan në vitin 1970…
Pikërisht atje nisi udhëtimi i gjatë i miqësisë të Fizikanit artist me Piktorin e ditur. Dhe jo vetëm me fjalë, me veprime, shkëmbime mendimesh, idesh, mbështetjesh, por domosdoshmërisht edhe me një “dokument” të posaçëm, siç i përshkuan me dashuri e humor ato çaste aq të dëlira me familjen e vëllezërve bujarë Mentor e Nestor Jonuzi. Vaso Pata u bekua nga nënë Lakja dinjitoze, e bija e atdhetarit Ibrahim Abullahu, i cili njihej si Rilindasi i Vlorës. Qe pikërisht nënë Lakja, ajo që e nderoi Vason me certifikatën “Mik shtëpie i familjes Jonuzi, Vlorë”. Po ç’i ka hije Vasos ky përshkrim si “lezet me kripë”!… Këto marrëdhënie kaq të mira e këtë lidhje sivëllazërore të Vasos me dy djemtë e asaj nëne kapedane, vijoi aq harmonishëm edhe nga bashkëshortja e Vasos – Eli me dy kunatat motra – Nolen e Dianën. Po ashtu, Vasoja e mbajti miqësinë edhe me fëmijët e shtëpisë Jonuzi: Rubenin, Andin, Rudinën, Aulonën dhe Simin (shkurtim i emrit të gjyshit, që mban nipi). Sinqerisht, këtë lloj lidhjeje të veçantë dhe aq të admirueshme, mund ta quaj Miqësi familjare në përmasat e Shenjtërimit njerëzor.
Nestorin e njohin shumë, por Vasoja është i pari monografist i Nestorit apo i një piktori të përmasave të Nestorit. Në këtë libër kemi Nestorin e njohur, sidomos atë të panjohurin, por me aq vlera qytetare, kulturore, atdhetare.
Fizikën dhe pikturën, dmth, Vason dhe Nestorin i bashkojnë edhe ngjyrat, të cilat Vasoja i zotëron shkencërisht, ndërsa Nestori i përdor mjeshtërisht, duke njohur mirë dhe shijuar sipas rastit (motivit, gjinisë) “gradacionin” e ngjyrave.
Punimet e Nestorit dallojnë që përtej, që janë të tij, edhe sikur mos ta kenë të shënuar emrin a firmën, sepse njihet dora e Nestorit. Ai ka stilin e tij, ka fizionominë e tij të lartë morale, shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, që i ka dhënë vulën artistike, qysh në vitin 1967 a më parë…
Nestori është piktor i identitetit të qytetarit vlonjat. Sikurse në jetë, edhe në pikturë, tek ai vëren harmoninë e qytetarit me atdhetarin, të njeriut besnik e fjalëmbajtës, po qe nevoja edhe me sakrifica, sepse atë edukatë mori nga prindërit, nga gjimnazi, nga liceu, nga arti, nga jeta.
Rikthehemi tek libri i Vasos për Nestorin. Libri më duket si një ndërtesë 5 katëshe, me themel të forta shkrimore, me një lëndë cilësore, ndërtuar për bukuri nga Ustai i Ndërtimit Bukurshkrimor Vaso Pata. Unë nuk do të zbërthej librin e Vasos, se s’është misioni im, por 2-3 mbresa do t’i shpreh.
Vasoja, qysh në fillim na jep pemën gjenealogjike, atë kulturore – shkencore dhe atdhetare e bujare të familjes Jonuzi në Vlorë, atë që i nevojitet lexuesit të sotëm dhe kohës. E njeh dhe e vlerëson gjithë Vlora dhe bota shkencore e vendit babain e Torit dhe Nestorit, dr.Tahsin Jonusin, një intelektual i shquar, qytetar i lirisë dhe antifashist nga ata të vërtetët, që u lidh me Lëvizjen. Ai rridhte nga një familje tregtare, i biri i të mirënjohurit Musa Jonuzi dhe kishte lindur në Elbasan më 10 Mars 1912. Ky normalist i Elbasanit, jetoi në Vlorë, ku krijoi dhe familjen. Në moshën 20 qe universitar i Innsbruck, Austri dhe në vitin 1937, po në universitetin “Leopoldina Fransiscea”, Fakulteti i Filozofisë, Innsbruck, pasi vlerësohet lavdërueshëm në Histori dhe Arkeologji, fiton gradën shkencore “Doktor në filozofi” me disertacionin “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”. Ai punoi mësues, drejtor i Institutit Tregtar, Vlorë, drejtor i Apollonisë, … por nuk e lanë bishat naziste studiuesin të ndizte dritë për shkencën e brishtë shqiptare. E internuan dhe e ekzekutuan në kampin famëkeq nazist të shfarosjen së masë, Mauthausen, më 1 Gusht 1944, në moshën 32-vjeçare. Kujtojmë, që nën kujdesin e mbesës Aulona Nestor Jonuzi, të shtunën e 13 nëntorit 2021, në Ujë të Ftohtë, Vlorë u bë një përurim serioz dhe i merituar i librit “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra” (270 f., me referenca, bibliografi, indekse, harta, faksimile, etj.), punimit shkencor me të cilin Tahsin Jonusi, mbrojti doktoraturën në Austri, botuar në shqip si libër mbas 84 vjetësh nga Onufri përkthyer nga origjinali nga Frida Vokopola dhe Albert Gjoka, me parathënie nga prof. Përparim Kabo. E ku e gjen më kumbueshëm se në këtë rast domethënien fjala e të parëve “Jeni mjalti i mjaltit tim”?!
Në këtë monografi kemi një paraqitje jo thjesht njohëse që rrjedh sipas kriterit kronologjik, veçse kemi të bëjmë me një libër të gjallë, të zhdërvjellët e dinamik, ku na duket sikur çdo gërmë e fjalë merr frymë dhe unë e ndjej atë frymë ngrohtësisht të pastër.
Kjo monografi i thyen ca klishe shkrimore të lodhshme e i shpërfill bindshëm ato frazat shabllone, pa frymë njerëzore e pa pikë gjaku. Pra, libri është i ndërtuar me 5 kre. Pas hyrjes përnjohëse që bën autori, kreu i parë na njeh me: “Hapat e parë të një piktori”, i dyti na shpalos pamje mahnitëse nga “Piktura vlonjate dhe Nestor Jonuzi”, ku falë Mësuesit të Parë Human Vasil Talo, spikatën piktorët Skënder Kamberi, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, Nestor Jonuzi, Skënder Milori, Rakip Shabani, Petrit Ceno, Ovanes Rrapi, Bujar Kapo, Lefter Shtëmbari e “floriri i vogël”Agron Dine. Pra, Nestori është një nga nismëtarët e themelimit të shkollës artistike në Vlorë e sidomos, një nga krijuesit e “Shkollës Vlonjate” të pikturës, siç e cilësoi kritiku i Artit Kudret Velça këtë grupim talentesh të penelit në vitet Gjashtëdhjetë, që dha ndihmesën e tij edhe në emancipimin konceptual dhe kulturor të pikturës shqiptare. Unë mendoj se si Poeti i Fizikës, edhe Piktori i Mendimit ndihen mirë, që Stafeta e Shkollës Vlonjate të Pikturës ndihet mirë e sigurt në penelin e Agim Sulajt, Arben Meksit, Edi Kojanit, Artan Shabanit, Roland Runaj.
Ndërkohë, mund të themi se nuk mund të kuptohet Nestor Jonuzi pa “Gëzimin e fitores”. Piktura shqiptare do të ishte e cunguar pa këtë tablo. Kështu që tek kreu i tretë është tërësisht i kompozimit të madh “Gëzimi i fitores”, i lidhjeve të tij me punimet pararendëse të Piktorit tonë, i simbolikës së fuqishme të “Kështjellës”, që mbart simbole më domethënëse dhe përtej çdo kohe e përtej çdo hapësire, sepse Kështjella na mbron dhe na lejon të jetojmë ashtu siç duam të jetojmë, edhe sipas këndvështrimit të Poetit të Fizikës, që është shumë i qartë, i plotë e mbushmendës.
Kreu i katërt merret me “Nimfat e ujit” apo akuarelet. Ato janë të brishta, me shumë naze e teka. Për to nuk jepen shumë nota. Ka vetëm 2: ose dysh, ose dhjetë me yll. Nuk ka notë katër,që ta përsëritësh në vjeshtë për ta marrë. Dhe këtu Nestori shkëlqeu.
Kreu i sipërm, ai i pesti paraqet një përmbledheje përmbyllëse shumë të bukur mbi “60 vjet krijimtari artistike” të Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi.
Duke shkruar këto shënime të vogla për këtë libër lakonik me gjerësi shpirti e thellësi mendimi, mu kujtua, ajo shprehja, që sa sa bukur e thotë Vasoja, qysh në nisje të këtij nderimi të merituar shkrimor: “Nestori më mësoi alfabetin e pikturës”.
Kujtoj tablonë “Vjelja e qershive”, që erdhi 10 vjet mbas “Zgjimit…” të 1973-shit, punë të cilën autori e analizon me vëmendjen që meriton.
Në këtë monografi na vjen Nestori që njohim dhe ai që nuk kemi mundur ta njohim si njeri, si gjimnazist, si liceist, si sportist, altet e notar kampion i detit në gara noti e kampion në magjinë e ngjyrave, që përdorte Nestori si artist. Njihemi me Nestorin si ndikues formësimin në Shkollën Vlonjate të Pikturës, me Nestorin dhe risitë që solli në pikturën shqiptare, si dhe me raportin talent punë i Piktorit tonë.
Përveç talentit, Nestor Jonuzi pati fat për pedagogët piktorët e shquar Abdurahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhemdin Zajmi, Vilson Kilicën. Me një veprimtari krijuese shumëplanëshme, me ekspozita të shumta në vend e jashtë shtetit, me vepra në fondin e Galerisë Kombëtare, Vlorë, muze e tek shtëpitë e miqve dhe dashamirësve të pikturës, me disa portrete, kompozime,që ka në epiqendër Themeluesin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalin, Piktori ynë është një firmë autoritare në pikturën shqiptare.
Është rastësi e mrekullueshme që, pikturat e Nestorit, sikurse emri, janë të këndshme, madhështore, të bukura, me fuqi magjepse të imazhit. Edhe sipas Vasos, tek Nestor Jonuzi piktura ka filozofi brenda. Në pikturën e tij lëvizja vjen mendueshëm me lojën mistike të dritë-hijeve, me befasitë mrekullore të nuancave të ngjyrave dhe na shfaqet si zonjëz e bukur, elegante, që të bën për vete, na rrëmben në thellësi të veprës. Në pikturat e Nestorit kuptojmë dhe shijojmë unitetin e ngushtë si piktor sa i ndjenjës aq dhe si piktor i mendimit.
“Ai ulet në nivelin e bashkëbiseduesit, jo për të qëndruar me të, por për t’u ngritur bashkë me të”, shkruan Poeti i Fizikës për Piktorin tonë.
Në një vështrim sipërfaqësor, shkencëtari dhe artisti, më ngushtë, fizikani dhe piktori duket sikur nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, sikur janë larg sho-shoqit. E kam fjalën sidomos për lartësi të tilla njerëzore të klasit Vaso e Nestor. Përveç se ngjyrave (fizika i studion hollësisht, piktura i përzgjedh në tonet e duhura) ata kanë tipare përbashkuese në logjikën e kohës së angazhuar me të tjerët, si dhe në logjikën e punës vetmore në studio, laborator, bibliotekë, terren, sipas rastit. Pikërisht këtë shqetësim shpreh dhe autori i kësaj monografie shembullore: “…jo të gjithë e jo gjithnjë e kuptojnë kur duhet ta lënë të lirë për të punuar”.
Punën nderimtare dhe kaq fisnike të profesor Vasos për Piktorin e Vlorës do ta përcaktoja me një thënie të mençur të Nënë Terezës, e cila, siç e vë në dukje me vërtetësi aq elegante Vaso Pata, është “e vetmja shenjtore midis shumë nobelistëve dhe e vetmja nobeliste”. Shenjtorja ka dhe një shprehje frymëzuese: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Vaso Pata është elitar në miqësi të ngushtë me shoqërinë elitare të Vlorës, një pjesë të së cilës e kam njohur fatmirësisht edhe unë.
Autori ngre një shqetësim për humbjen e vlerave autentike të trashëgimisë kulturore, sidoms të kulturës materiale dhe jo vetëm me banesat e vjetra, aq karakteristike. Jo vetëm në Nartë, “Sot shtëpitë e vjetra po shëmben. Vendin e tyre po e zënë shtëpi të reja shumëkatëshe. Rrugicat po zhduken njëra pas tjetrës. Pas disa vitesh s’ka për të mbetur më asnjë prej tyre. Ato do të mbijetojnë vetëm në tablotë e Nestorit dhe piktorëve të tjerë vlonjatë duke fituar në këtë mënyrë vlerën e dokumenteve të pazëvendësueshme. Një fakt, të cilin na e përmend Vaso Pata në këtë monografi dhe që na bën krenarë dhe na plotëson konceptualisht në rrafshin e antropologjisë kulturore, në staturën e lartësive psikologjike e sociale në shoqërinë shqiptare, rajonale apo kontinentale e më gjerë: “Nestor Jonuzi është një zë i veçantë në pikturën shqiptare. Sipas ligjeve të kohës titulli i lartë e i lakmueshëm “Piktor i Popullit” është dhënë nga viti 1960 deri në vitin 1991 dhe atë e kanë merituar vetëm 14 piktorë shqiptarë: “më të shquar, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të cilët kane krijuar vepra me vlera të larta ideo-artistike në fushën e pikturës e kanë merita të veçanta në zhvillimin e arteve pamore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Dy prej tyre janë vlonjatë, Nestor Jonuzi dhe Skënder Kamberi. Nuk është pak për Vlorën, as për Nestorin po të kujtojmë se 12 titujt e tjerë i kanë merituar piktorët Vangjush Mio, Kolë Idromedo, Abdurahman Buza, Guri Madhi, Zef Kolombi, Sali Shijaku, Vilson Kilica, Foto Stamo, Danish Jukniu, Ismail Lulani, Agim Zajmi, Nexhmedin Zajmi.
Nuk mund të harroj një këshillë të vyer të mikut tim të paharruar piktorit të njohur dhe kritikut të artit Ilmi Bani, që ma thoshte sa me merak e besim, aq natyrshëm dhe me dashamirësi përpara se të shkonim në çelje ekspozitash të piktorëve vlonjatë apo të piktorëve nga qytete të tjera si Pogradeci, Berati, Fieri etj tek Galeria e Artit e Saimir Çuçit. Sipas protokollit të programit të asaj shoqërie të organizuar të shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës, unë kisha fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes dhe një urim miqësor midis krijuesish (në ato kohë, deri ditën që iku aksidentalisht nga jeta, Ilmiu qe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Vlorën, ndërsa unë sekretar). “Berti – më porosiste Ilmiu me zë të ulët e të qetë – ti e njeh artin e komunikimit e di të lozësh me fjalën, s’ta kam merakun, por pa u futur në teknikalitete, se mund të ngatërrohesh tek gjuha teknike dhe profesionale dhe…”. Dhe unë ruhem nga zona e zjarrit…
Përveç kënaqësisë së madhe në lexim, (në fakt më dukej sikur unë i këndoja fjalët, fjalitë, paragrafët, faqet, gjithë këtë libërth, që më erdhi si një vizatim poetik), tani, që mbylla dhe faqen e fundit të librit, unë do ta shpreh një mërzi që ndjeva kam ndaj Vasos: “Po pse kaq qe libri?! Si mbaroi kaq shpejt? Pse nuk zgjati dhe pak?! Po unë, e lexova apo e këndova librin?! A, more Vaso, a! Sa i mirë je! Sa i mirë je, o Nestor! U pastë Vlora me jetë sa dy detet e sa mali i Çikës!