EKREM BARDHA, NJË MISIONAR I VLERAVE DHE SHPRESAVE KOMBËTARE!
Baba Eliton Pashaj
Në historinë e Shqipërisë të pas vitit 1944, do të mbeten gjatë në memorie pikërisht ato përndjekje obskurantiste, fizike, psikike dhe shpirtërore që regjimi “fitimtar” ndërmori në shkallë të gjerë ndaj kundërshtarëve të vet politikë. Siç është dëshmuar tanimë. Kjo përndjekje nuk ishte as e rastësishme dhe as e përkohshme. Përkundrazi, duke studiuar me imtësi, e organizuar me “logjikën” më të ftohtë, sipas modeleve staliniste, në substancë të së cilës ishte lufta e klasave, e thënë ndryshe: fitimtarë dhe të mundur! Kjo luftë do të shtrihej e pamëshirshme në ato familje që nuk u rreshtuan përkrah nacionalçlirimtarëve në vitet 1943 – 1944, duke mos kursyer as pleq, as gra, as fëmijë të pafajshëm.
Ekrem Bardha, i përket pikërisht këtyre familjeve nacionaliste kolonjarëve, të cilat përgjatë shekujve dhe në mënyrë të veçantë në kohën e lëvizjeve autonomiste, dhanë gjithçka që kishin në realizimin e aspiratës së shqiptarëve për lirinë e bekuar. Burrat e mençur të këtyre familjeve, duke dashur të ruanin traditat më të vyera të kombit të tyre, sidomos në vitet e Luftës së Dytë Botërore, nuk u pajtuan në asnjë mënyrë me ideologjitë e kohës, ngado që ato vinin, qofshin fashiste, qofshin komuniste.
Në mënyrë intuitave ata kishin mundur të kuptonin se liria e vërtetë nuk ka asgjë të përbashkët me ideologjitë dhe aq më shumë me veglat e verbëra të tyre. Kështu në vitet 1945 – 1946 dhe më pas, familja Bardha u gjend tragjikisht në radhët e gjata të familjeve që regjimi kish nisur të persekutonte, për shkaqe nga më absurdet. Në librin e parë me kujtime të tij, ne jemi njohur me këtë kalvar të gjatë e të dhimbsur, ndërkohë edhe me krijimin e një modeli që këto familje të persekutuara, po ndërtonin në ato vite. Edhe pse provuan internimet, përbuzjen politike dhe njerëzore, burgjet e egra dhe torturat, pjesëtarët e këtyre familjeve, çuditërisht askurrë nuk fajësuan atdheun, fshatin, krahinën, përkundrazi, me mall e drithërime, ata i lanë këto troje për vetë egzistencën njerëzore.
Unë mendoj se sikundër bashkëkombësit e tjerë, të detyruar të mërgojnë prej regjimit komunist në Shqipëri, Ekrem Bardha, bën pjesë në atë plejadë burrash, që muarën mbi supe misionin e madh, atë të rrëfimit të gjithë të këqijave që i bëheshin kombit tonë, përpara kombeve të ndritur dhe të qytetëruar nga dimensioni i lirisë. Dhe jo vetëm të thonin të vërtetën lakuriq për dramën Shqiptare, por njëherazi të mbanin të pafikur ëndrrën e lirisë për shqiptarët e robëruar. Në këtë kuptim, misioni i Ekrem Bardhës si edhe dhjetëra burrave të tjerë nga Shqipëria, Çamëria, Kosova, Maqedonia Veriore apo Mali i Zi, të cilët erdhën në SHBA dhe luftuan me çdo sakrificë për lirinë kombëtare, është sublim dhe i merituar të jetojë gjatë në memorien tonë kombëtare.
Sigurisht atdhetarët shqiptarë të ardhur këtu në vitet 50-të të shekullit të kaluar, nuk ecën në shtigje të pashkelura. Ata vijuan me patos e shpirt kombëtarë, në ato shtigje drite që patën çelur burra të tillë si: Faik Konica, Fan Noli, Vasil Tromara, Mid’hat Frashëri, Qerim Panariti, Mihal Grameno, Petro Nini Luarasi, Baba Rexhebi, Imam Vehbi Ismaili e dhjetëra patriot të tjerë, zemra e të cilëve rrahu deri në çastin e fundit për mëmëdheun e tyre. Merita e këtij brezi, ishte se dijti të respektojë deri në fund mundin dhe sakrificat e paraardhësve të tyre dhe të eci gjithmonë përpara, duke mbajtur si busull të pagabueshme interesat e një Shqipërie të lirë dhe demokratike.
Nëse lexon me vëmendje kujtimet e z.Ekrem Bardha në të dy librat e tij, e para bindje që vetëdijësohet është pikërisht ndjesia kombëtare, ajo frymë e mrekullueshme që shqiptarët kanë ushqyer dhe përcjellë për fatin e çdo treve të tyre, pavarësisht dimensionit gjeografik apo politik. Por me rastin e librit që po përurojmë sot: “E vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora” sigurisht që ndërgjegjja kombëtare e tij, priret nga ato troje ku plagët kanë qenë kurdoherë më të mëdha, për shkak edhe të ngjarjeve historike. Është e mrekullueshme të shohësh se si personazhe të Kolonjës së largët, fshati Radanj, burra të shquar nga familja Butka, por edhe nëna, babai, vëllezër të Ekremit, lidhen përmes imazheve tejet njerëzore me tragjedinë e vëllezërve në Kosovë. Dhe kjo frymë nuk është gjë tjetër veçse: Shqiptarizëm i përcjellë nga brezi në brez. Së fundmi, ajo që unë personalisht nuk mund të lija sot në heshtje, është edhe kontributi që z.Ekrem Bardha, me personalitetin e veçantë të tij, i ka dhënë traditës dhe mozaikut fetar këtu në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mik me shpirt dhe donator për të gjitha objektet e adhurimit tonë, Ekrem Bardha ka dëshmuar kurdoherë parimin profetik se “Pa atdhe nuk ka fe!” Ai ka për të patur një harmoni të plotë midis besimtarëve shqiptarë nga të gjitha trevat dhe për të qenë në unison me zhvillimet fetare në këtë vend që jetojmë. Veçmas, kontributi i tij për teqenë bektashiane dhe afrimi shpirtëror me klerikët e kësaj teqeje, mbeten dëshmi e plotë e shpirtit atdhetar. Ju falënderoj z.Bardha në emër të besimtarëve bektashianë të SHBA, Kanadasë dhe Australisë! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!