Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Barrikadat

Një ditë barrikadat hiqen,

maskat bien,

derrat e lumtur dëbohen prej pallatit të zotit Xhons

dhe futen në torishtën e tyre.

Të parët pas derrave ikin qentë besnikë,

ata që nuk dinë të jetojnë pa zinxhirë

dhe të frikësuar fshihën në mol të madh

e shndërrohen në lukuni,

derisa të mësohen të jetojnë pa u tërhequr zvarrë.

*

Në aktin e ndërmjetmë, kori këndon obobonë e ankthit.

Shikuesit e dërrmuar çojnë kryet përpjetë

dhe marrin frymë si pas një shtrëngate.

*

Mbasandaj zhvillohet pjesa e tjetër e tragjedisë.

Pa epilog.

Kërkohen flijime të reja, revolucione të reja,

si shteg për mashtrime të reja,

se këtu, është perfeksionuar arti i mashtrimit.

*

Është natë. Ajri është i dendur me mërzi.

Bien rrufe. Vetëm vetëtimat e frikshme ndriçojnë

në këto udhë të gjata nate, plot gropa, barrikada

dhe njerëz të hutuar që përplasen në to.

*

Prijësi është i vetmuar, thotë një aktor,

që përplas maskën përtokë dhe vazhdon:

nuk ka kush t’ia matë terrin

as t’ia heqë maskat te këmbët e tij.

*

Sa peshon errësira?

A mund të krahasohet ajo

me një errësirë tjetër?

*

Sa pyetje të marra bëhen për errësirën.

Natën.

Ajri këtu kundërmon prej duhmës së keqe,

në këtë shtegtim të gjatë,

kur askush nuk e sheh si troshitet lavdia

e pushtetit të atyre që kanë veshë teshat e zotit Xhons

dhe shtrihen rehat në shtratin e tij

dhe mendojnë se nuk kundërmojnë.