Albspirit

Media/News/Publishing

Konkursi i parë bukurisë për fëmijë në Shqipëri, një ngjarje e veçantë në 1931

Hasan Bello

Në historinë botërore konkursi i parë i bukurisë për fëmijë është organizuar në vitin 1921 në Atlantic City ku morën pjesë fëmijë të vegjël që përfaqësonin qytete të ndryshme të ShBA-së. Në Shqipëri një konkurs i ngjashëm u organizua në kryeqytet më 2 gusht 1931, i cili zyrtarisht u quajt “Konkursi i Bukurisë Foshnjore Shqiptare”.

Në këtë konkurs u vlerësuan fotografitë e 14 vajzave të vogla. Komisioni përbëhej nga Inspektori i Arsimit Osman Myderrizi, Skënder Luarasi dhe Aleks Lubonja. Pjesë e tij ishte edhe znj. Elena Trajan dhe prof. Andrea Thanasi, por për arsye personale, nuk ishin të pranishëm në këtë proces.

Në parim komisioni konstatoi se fotografitë e paraqitura kishin rezolucion të dobët. Megjithatë, ai i vlerësoi duke u mbështetur në tiparet dhe ekspresionet foshnjore të fizionomisë së vajzave. Komisioni përzgjodhi tre prej tyre:

1) Albin Tefiku e moshës dy vjeçare e gjysmë, e bija e doktorit të njohur Sabri Tefiku;

2) Behixhe Libohova e moshës dymbëdhjetëvjeçare, e bija e Maliq Libohovës, i Ngarkuari me Punë në Londër;

3) Eta Bimbli e moshës katër vjeç e gjysmë, e bija e Thoma Bimblit, anëtar i Bandës Mbretërore.

Në vend të parë siç shihet u zgjodh Albin Tefiku. Vendimi u dha në zyrat e gazetës “Ora”, e cila do t`u dhuronte prindërve të këtyre vajzave nga një fotografi të madhe artistike.

Ky konkurs mbetet një shembull i hershëm i përpjekjeve për të sjellë modele të reja kulturore në Shqipërinë e viteve `30, në një kohë kur vendi po hidhte hapat parë drejt modernitetit. 

Please follow and like us: