Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Hysen Toda që ngeli në këngë
Fisi Toda në Çermenakë
Hysen Toda lindi rreth viteve ‘50 të shek. XIX në fshatin Neshtë të Çermenikës. Mjedisi patriotik ndikoi fuqishëm në rritjen e ndjenjës së dashurisë ndaj atdheut, kështu që qysh në fëmijëri u familjarizua me krismat e pushkëve dhe me erën e barotit. Ai pati dhe shokë besnikë, më të mirët e vendlindjes dhe të krahinës si Lam Balla, Hasan Alia, Sule Xhabolli, Ymer Tusha, Maksut Kënga, Selman Lleshi, Vëllezërit Ymer e Liman Alcani me shokë, trima që sipas shprehjes popullore të merrnin gjak në vetull. Vitet kalonin dhe lufta për të zbatuar reformat e herë pas hershme të Perandorisë Osmane në këto treva nuk po gjenin zbatim të plotë…
Fisi Toda ishte i njohur në Çermenikë, por lufta e Hysen Todës bashkë me kunatën kundër osmanëve në vitin 1875 në shek. XIX, bëri jehon të madhe në kazanë e Elbasanit. Fisi Toda ka qenë vendosur në Drizë, në qafë të Shkëmbit Todës. Në fillim të shek. XIX fisi Toda zhvendoset nga Driza dhe vendoset në lagjen Katund, në qendër të Neshtës, poshtë xhamisë së vjetër. Ndërtesa ishte madhështore, kullë me dy kate të lartë, ndërtuar me mure guri të tashë si kala dhe mbuluar me rrasa guri. Kati i dyte kishte tepër frëngji. Të gjithë anëtarët e fisit Toda ishin njerëz punëtorë, trima, fisnikë, të besës, bujarë, mikpritës dhe patriotë. Në saj të punës tyre kishin krijuar një ekonomi të bollshme dhe përballonin nevojat e tyre të jetesës. Fisi Toda kishte krijuar mjaft miqësi në zonën e Çermenikës, por më të shumtat i kishte në Neshtë dhe në Prevallë.
Gjatë gjithë shek. XIX Perandoria Osmani ka qenë përfshirë nga një krizë e përgjithshme, duke zbatuar reform pas reforme, e cila synonte të krijonte një administratë të centralizuar në të gjithë Perandorinë, në forcimin e ushtrisë dhe të administratës, etj.
Në fillimin e shek. XIX fshatarësia e mbarë Çermenikës, ashtu si gjithë fshatarësia e malësisë shqiptare nuk kanë qenë plotësisht të nënshtruara nga sundimi osman, sepse sistemi shoqëror dhe organizimi i krahinës bëhej në bazë të ligjeve kanunore të “Kanunit të Çermenikës”. Kanuni ishte produkt i kuvendit të burrave përfaqësues të çdo fshati që quneshin Dheu dhe këta të gjithë zgjidhnin një kryetare që kishte atributet të një qeveritari.
Kryengritjet në zonën e Çermenakës
Në luftë kundër tanzimatit dhe pushtetit osman zona e Çermenikës ka bërë disa kryengritje të mëdha popullore në vitet 1839, 1856 dhe 1876. Pakënaqësia ndaj Tanzimatit në mbarë popullin shqiptarë, ishte ndjerë në Kazanë e Elbasanit dhe kishte përfshirë dhe zonat e Shpatit, Çermenikës dhe të Krastës. Kryengritjet e organizuara në Çermenikë kishin nxjerrë dhe prijësa popullorë që i drejtuan në këto luftëra. Kryengritjet e ndodhura në Çermenikë dhe në çdo fshat të zonës janë pasqyruar gjerësisht në foklorin çermenikas, ku popull i ka përjetësua në këngë luftërat dhe prijësat e tyre popullorë. Karakteristikë e të gjithë këtyre këngëve janë ngjarjet që ka përjetuar populli çermenikas, aty gjenden shkaqet e kryengritjes, personazhet që kanë marrë pjesë dhe ata që i kanë udhëhequr.
Kryengritja e parë përfshiu gjithë fshatrat e Çermenikës dhe Martaneshit dhe u përqëndrua në luftëb e Qafë-Thanës kundër osmanëve. Beteja përfundimtare u bë për lirimin e kryepleqëve të fshatrave, të cilët Kajmekani i Elbasanit i kishte arrestuar, për faktin se nuk zbatonin detyrimet ndaj Tanzimatit. Ata të gjithë i kishin nisur për në Manastir. Këtë kryengritje ku bënin pjesë të gjithë burrat e fshatrave, drejtohej nga Selman Lleshi prej fshatit Kuturman. Kryengritja e dytë u bë në fshatin Neshtë. Ekspedita osmane me në krye komandant Satabek shkoi për të nënshtruar Neshtën. Të gjithë neshtanët ishin rebeluar nga taksat e larta, si dhe mos dërgimin e djemeve në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Rezistencën e Neshtës udhëhiqnin vëllezërit Liman e Ymer Cani. Qëndresën e neshtanëve dhe të udhëheqësve të tyre populli e sjell në vargjet: “Jalla, Zot, kush e kthei benë / Limo Cani me Imerë”.
Në vitet ‘60 të shek. XIX një ekspeditë turke u nis për në fshatin Kuturman për regjistrimin e popullsisë, për të prezantuar taksat e reja dhe për të marrë djemtë në ushtrinë osmane. Fshatarët e Kuturmanit të drejtuar nga Isuf Bahiti, i zunë pritë ekspeditës te Shkalla e Mirakës dhe e asgjësuan. Populli kësaj qëndrese i përgjigjet me vargjet e këngës: “Sali Miraka ty t’raft pika, / Nuk del vaj nga Çermenika”.
Një ekspeditë tjetër osmane rreth viteve ’70 të shek. XIX mbriti në Neshtë. Aty u përball me rezistencën e gjithë fshatit dhe të prijsit Hysen Toda. U tregua heroizëm dhe trimëri. Në këto viet Hysen Toda del një figurë historike e fshatit Neshtë dhe mbarë Çermenikës. Neshtanët të mbledhur bashkë nën drejtimin e prijsit Hysen Toda kishin marrë vendim të mos paguanin taksat qeverisë dhe të mos dërgonin djemtë nizamë. Ky vendim u mirëprit dhe nga fshatrat Funarë, Kuturman, Zdrajsh, Orenj dhe Shmil. Vendimi solli shqetësim te autoritetet e Kazasë së Elbasanit, për arsye se një fenomen i tillë mund të përhapej dhe në zona të tjera si në Krastë, Shpat dhe në mbarë Çermenikën. Për të izoluar këtë fenomen autoritetet osmane nisën drejt Neshtës një ekspeditë ushtarake të madhe me në krye një vezir. Kënga që i kushtohet Todës: “Ani, n’Çermenikë na erdhi një vezir, / bjeri re Tode, bjeri re birë”!
Lufta në kullën e Todës
Ekspedita e nisur nga Elbasani përshkoi rrugën Mirakë, Babje, Librazhd, Zgosht, Lunik, mori zallin e Prevallit dhe u fut në Neshtë. Ajo qëndroi në qendër të fshatit te xhamia. Komandanti i ekspeditës takimin e parë e bëri me kryeplakun e fshatit, Mulla Isaku. Veziri urdhëroi të njofohej gjithë fshati nga një burrë për shtëpi të mblidheshin te xhamia. Nga Todajt shkoi Rexhepi Toda, vëllai i Hysen Todës. Mbledhja filloi kur u mblodhën gjithë burrat e fshatit. Familja Toda ishte nga ato familje që nuk kishte paguar taksat për disa vite. Taksidari, nën hijen e vezirit u kërkonte llogari burrave të fshatit se përse nuk i paguanin taksat dhe nuk i dërgonin djemtë ushtarë. Të parit ju drejtua Rexhepit dhe i kërkoi të ngrihej në këmbë duke i thënë:
-Përse nuk i paguan taksat. Rexhepi u ngrit në këmbë. Pa ju dridhur qerpiku i thotë taksidarit:
-As nuk i kam pagur dhe as do i paguaj. Nuk i kam kërkuj borxh. Kam punuar dhe do të punoj për familjen time.
Me këtë përgjigje i qëndroi besnik vendimit të marrë mes neshtanëve. Pasi përfundoi fjalën Rexhepi, komandanti jep urdhër ushtarëve të arrestohet. Rexhepi çon dorën në brez për të nxirrë armën, por oficeri që ishte në krah të vezirit e qëllon.
Hysen Toda që ndodhej në kullë, vërejti se ushtarët osmanë po rrethonin shtëpinë. Pasi siguroi portën e madhe të oborrit, merr municionin, pushkë dhe së bashku me kunatën Zelije, ngjiten në katin e dytë të kullës. Aty vendosi në çdo frengji nga një pushkë dhe filloi luftën përballë ushtarëvë osmanë. Kënga e përshkruan ngjarje: “Ani vikan turqit rrema, rrema, / Dil re Tode, se t’dogjën mrena”. Përgjigja e Todës jepet: “Ani s’tundet Toda, o me shtatë zemra”.
Luftonte Hysen Toda me kunatën, dy kundër dhjetra ushtarëve osmanë. Kulla e Todës po kthehej në fushë beteje, në kala të pamposhtur. Kënga vazhdon: “Ani’ Hisen Toda’i burrë, o i rrallë; / Ani u dul turqet, o ball, o për ball”.
Hysen Toda i vetëm përballë ushtarëve osmanë bashkë me kunatën e tij, pas shumë orë luftimesh, plagoset. Ai i kërkon kunatës që të dalë nga kulla, por luftëtarja nuk pranon. Kënga e përcjell: “Ani moj kunatë, o mos rri o këtu e / Ani dil e ik, o mos u digj, o me mue / Ani unë prej Todash, o s’jam o tuj shkue / deri sa turqit, o janë o farue, / Bjeri re Tode, bjeri re bire”.
Kështu përfundoi jeta e trimit dhe udhëheqësit popullor Hysen Toda së bashku me vëllanë Rexhepin dhe kunatën Zelije. Kënga vazhdoi rrugën e saj duke u kënduar në odat e burrave të Çermenikës, të Elbasanit, Librazhdit e deri në Dibrën e Madhe.
Historia që vijon me këngë
Dhe erdhi koha që historia e luftës së Neshtës me osmanët të udhëhequr Hysen Toda të zërë një vend të dukshëm në historinë tonë kombëtare. Ishte prof. Rrok Zonjësi së bashku me Andromaqi Gjergjin që në vitin 1949, mblodhën informacione për ngjarjen. Ata u njohën me përpjekjet e popullit të Neshtës, por veçanërisht me luftën e bërë nga kapedani Hysen Toda.
Kështu akti heroik i Hysen Todës nga kënga u ngrit në histori dhe u shkrua në baladë “Kënga e Hysen Todës”. Kështu Hysen Toda si trim i rrallë, u doli osmanëve ballë për ballë, sepse s’tundej Toda me shtatë zemra.
Ky trim atdhetarë veshur me kostumin e bukur dhe të bardhë të Çermenikës, si burrat e Dheut të mbledhur në kuvende, shkroi histori që mbeti në këngën e popullit. Lufta e Neshtës dhe heroi kryesor Hysen Toda, qëndroi stoik, e ktheu shtëpinë e tij, në kala si Oso Kuka në kështjellën e Vraninës që për të mos rënë në dorë të osmanëve, u hodh në erë bashkë me trimat e tij. Në këtë luftë të pabarabartë trimëreshë ishte dhe kunata e tij, Zelija, e cila luftoi si kapedane deri sa ra bashkë me shtëpinë kala.
Figura e Hysen Todës ishte madhështore. Kënga për Hysen Todën jehoi dhe në kalanë shekullore të Gjirokastrës në vitin 1978, si dhe në këngën më të re për Hysen Todën “S’tundet Toda me shtatë zemra” të kënduar me fillimin e shek. XXI.
Po madhështore paraqitet figura e këtij trimi popullor dhe në pikturën e Çlirim Çollakut për “Hysen Toda” të realizuar në vitin 1983. Shoqata kulturore atdhetare e fshatit Neshtë ka marrë emrin e “Hysen Toda”. Historia e tij është e veçantë në Shqipëri, pasi familja Toda nuk la pasardhës, por la këngë, la heroizëm, la besë dhe trimëri…