Behar Metohu: Ishulli i palmave
Novelë
Pjesa e parë
Muret e ftohta të Londrës
E bukura, – i tha plaka e mbështetur në murin e një shtëpie,- nuk ka fat, ajo ka vetëm pengje dhe zhgënjime…
Kur i dëgjoi këto fjalë për herë të parë në rrugët e Londrës, ajo plakë i ngjau si një shtrigë, e cila i doli në mbrëmjen e largët dhe të ftohtë të atij nëntori, në një nga rrugicat ku banonte me të dashurin. Pastaj, plaka ishte larguar si hije nëpër rrugicën e errët, ndërsa ajo kishte ngjitur shkallët në banesë. E ndërsa ngjiste shkallët, ajo ndjeu sikur ishte diçka në trupin e saj. Doktori i kishte sjell përgjigjen e shtatazanisë. Ajo kishte një konfirmim se së shpejti do të bëhej nënë. Brenda saj ndodhej qenia më e dashur në botë, që e priste me padurim. Prandaj, e gëzuar duke harruar fjalët e tmershme të plakës në rrugë, ajo filloi të mbështillej me fantazinë e së ardhmes së ëndrrave të saja në Londër. Doktori në takimin me të e kishte konfirmuar shtatzaninë dhe gëzimi i shpërtheu përbrenda. Genta kishte ulur sytë dhe nuk kishte folur.
E gjatë, me elegancën e lëvizjeve gati të matura në çdo hap dhe e hollë me bel admirues për syrin e meshkujve, askush nuk do ta besonte se Genta ishte duke krijuar ndoshta një kopje të saj.
Ajo ndodhej me të dashurin në Londër dhe aty u njoh me të vërtetën e dëshiruar. Ai, babai i fëmijës, ishte biznesmen dhe do të kujdesej për të, që nga çasti kur do ta mësonte këtë të vërtetë. Do të shihte rritjen dhe gjithë rrugëtimin e jetës në një vend të huaj. Këto ëndrra e plane ajo ia kishte shprehur vazhdimisht atij.
Dhe pikërisht atë ditën e marrjes së lajmit nga kontrolli mjekësor do të ndryshonte gjithçka në jetën e saj. Atë natë ai nuk erdhi në apartamentin me qera. Ligështimi shtohej orë pas ore dhe ajo nuk mori asnjë njoftim, megjithëse i bëri thirrje telefonike atij me dhjetra herë.
Mendja i shkonte kudo, ndoshta ishte i vrarë, i rrëmbyer apo i mbajtur peng? Ankthi i shtohej nga ora në orë dhe nga minuti në minutë. Sytë nuk ja ndante telefonit me shpresën se në një çast do të mësonte diçka.
Në ora dy të natës një numër telefoni i panjohur u shfaq në ekranin e celularit të saj. Zëri përtej telefonit ishte femëror, i cili shprehu dy fjali : “Juliani është në burgun e policisë së Londrës dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë”. Më pas ju dërgua dhe një mesazh ku tregonte vendndodhjen, datën e orën kur mund të bënte një takim pesëmbëdhjetë minuta.
Ajo u shkreh në vaj dhe sytë ngjyrë ulliri iu errën duke iu bashkuar errësirës së dhomës. Qetësia e natës u vra nga ngashërimat dhe thirrjet lutëse pakuptim të saj.
* * *
Sytë e përlotura të saj fshihnin vështrimin vuajtës e vajtues. Ai u shkëmbye me vështrimin e hutuar dhe pa ngjyrë të Julianit, i cili tashmë ndodhej përballë saj. Policia kishte njoftuar se takimi nuk mund të vazhdonte më shumë se pesëmbëdhjetë minuta. Ata e dinin që ishin nën vëzhgimin e rreptë të policëve aty pranë. Kamerat elektronike vështronin dhe regjistronin gjithçka. Ai uli sytë, të cilat nuk shprehnin asgjë. Ndërsa ajo i shtriu dorën për të kapur dorën e tij, ai mërmëriu nëpër dhëmbë!
– Eh këta ja fusin kot! – tha ai duke i kapur dorën, por dora e tij ishte e ftohtë, e ngrirë si një dorë manekini pa shprehje. Ajo nuk tregonte asgjë, pavarësisht se ishte e shtrirë në drejtimin e saj.
– Për çfarë je këtu? – pyeti Genta.
Ai nuk foli, por ngriti sytë dhe vështroi faqet e saj që ishin njomur diku poshtë syve nga përlotja. Ndjeu keqardhje për të dhe i shtrëngoi dorën.
– Gjithçka do të sqarohet, – tha me zërin e rënduar dhe pa emocion,pa ëmbëlsinë që i tregonte asaj kur dilnin në parqet e qytetit apo në plazhet e jugut në Shqipëri, kur ishin takuar për herë të parë atëhere, kur ata patën dëshirën për të qenë bashkë dhe njohur njeri-tjetrin. Zëri i tij ishte transformuar tërësisht. Ajo kuptoi se diçka e rëndë ka ndodhur, që ai ishte nën pranga. Por, çfarë kishte bërë?
– Çfarë ka ndodhur? Çfarë ke bërë Juli? – i tha ajo e tmerruar me zë të mbytur nga konfirmimi i këtij transformimi kaq të beftë të tij.
– Asgjë, asgjë kot më ngatërrojnë me të tjerë që merren me drogë, sikur…
– Çfarë?! – gati thërriti ajo – çfarë? Polici pranë lëvizi pak trupin dhe hija e tij u zgjat në hapësirën mes të dyve. Ai vështronte vajzën e përlotur me sytë e habitur dhe të çoroditur si dhe djalin me kokën gati të ulur me vështrim të ftohtë.
– Çfarë ke bërë dreqi e mori? – bërtiti ajo pa u ndrojtur.
Por, ai nuk foli, heshti gjatë dhe vështronte vetëm sytë e saj të përlotur. Sytë e tij ishin të ftohtë të akullt si muret e lagështa e të acarta të kështjellave mbretërore të Londrës. Akujt e ngrirë të Detit të Veriut hynë në shpirtin e trazuar të saj. Dora e tij ishte tërhequr dhe papritmas një zile njoftonte se takimi duhej të mbyllej. Ai nuk foli më, por vetëm uli kokën dhe nguli vështrimin mbi këpucët llustrafine të policit që ishte pranë tij.
– Takimi përfundoi, – foli në anglisht polici dhe Juliani u ngrit, gjithashtu edhe ajo. Ndriçimi i prozhektorit lante dy fytyrat e tyre të transformuara dhe të huaja tashmë për njeri-tjetrin.
– Më mirë mos takohemi më, – tha ai shkurt dhe ftohtë. – Nuk të meritoj dhe i ktheu kurrizin. Ajo mbeti edhe më e shtangur dhe gati për të bërtitur:
– Pse?… Pse?… Pse?…
Ajo zbriti e vetmuar shkallët dhe eci nëpër korridorët e burgut e humbur pa kuptuar se ku po shkonte dhe çfarë duhet të bënte! Ajo ndali një moment në qoshen e korridorit dhe papritur ju morrën mend dhe sa nuk i ra të fikët. Ajo u mbështet tek muri dhe papritmas hija e polices ju transformua si hija e plakës që kishte takuar tek rrugica poshtë apartamentit ku banonte dhe që i tha: “E bukura nuk ka fat… ajo ka vetëm pengje dhe zhgënjime”… dhe asaj i erdhi për të vjellë. Policja në krah e mbërtheu fort dhe i tha: – Jeni më mirë?!
Ajo nuk foli po gjunjtë nuk e mbajtën dhe u shemb përdhe në tapetin e korridorit pa ndjenja! Trupi i saj i brisht dhe flokët e zezë krijuan një ndjenjë keqardhje për personelin e shërbimit në polici. Dikush solli një barelë dhe e ngritën në një karrocë.
* * *
Kur u përmend ajo pa vetëm një dhomë bosh me një karrige pranë. Ishte në dhomën e emergjencës shëndetësore të burgut. Dy aparate të lidhura me disa tuba dhe fije kontrollonin gjendjen e shëndetit të saj. Dhoma kishte një ndriçim të zbehtë. Dhe vetëm hija e karriges pranë zgjatej nëpër murin e dhomës. Krahët e karriges ishin mbuluar nga një robë e infermierëve me kapuçon dhe hijet që shfaqeshin ju dukën sikur lëvizën dhe u kacavirën nëpër mur. Asaj filluan t’i vinin të dridhura dhe hijet sikur shtangën, por ajo futi menjëherë kokën nën kuvertën e hedhur për të. Qetësia në dhomë e tmerroi dhe hija e rrobës me krahët e hapura që shtriheshin mbi mur, i rikujtoi hijen e plakës dhe fjalët e saj në atë mbrëmje të ftohtë nëntori. Ajo nxorri edhe njëherë kokën për t’u siguruar nëse ishte dikush aty, por jo sytë e trembur i mbetën tek hija. Ajo sikur lëvizi në përfytyrimin e saj duke ndjerë një tundje të lehtë.
– Aaaaaa… – thirri ajo e tmerruar.
Ajo ishte mbledhur nën kuvertë dhe mbuloi përsëri kokën e bukur. Pas pak u hap dera. U shfaq një grua e re, e cila e zbuloi Gentën dhe pa trupin e saj elegant të mbledhur dhe rrokur nga fijet e aparturës. Ajo ishte infermjerja e burgut, Laura.
– Duhet të qetësoheni zonjë, – i tha ajo me një zë të qetë dhe gati intim.
Genta hapi sytë dhe e habitur i tha infermieres:- Iku ajo… ajo… ajo që nuk më ndahet?
Infermierja u ul në karrige dhe e fërkoi atë nga balli i saj i bukur. – Këtu nuk ka njeri tjetër përveç meje. Asnjë person nuk ka hyrë këtu. Ju do të rregulloheni dhe do t’ju përcjellim nesër në mëngjes. Sonte do të flini këtu tek ne.
– Ku jam këtu, ju lutem? – tha Genta e habitur.
– Jeni në spitalin e burgut zonjë. Ju jeni nga Shqipëria dhe ne kemi gjithë informacionin tuaj të duhur për ju. Të rrini e qetë, nesër do të ktheheni në banesën tuaj!
– Jo…. jo… jo, – bërtiti me jehonë dhimbëse ajo. – Jo, të lutem nuk dua të shkoj më aty. Aty është futur djalli, – tha ajo dhe qau papritmas. Lotët i rrëshqitën dhe fytyra ju shtrembërua, por çuditërsht ajo bëhej edhe më interesante, e vaçantë dhe mjaft e bukur. Kjo gjë e hutoi infermieren, e cila u ngrit në këmbë dhe tha me zë të butë. – Po ku do të shkoni vajzë?
Sytë e tyre u shkëmbyen dhe papritmas Genta i mbylli ato gati e mposhtur përfundimisht. – Nuk e di zonjë,- tha ajo me zë gati të shuar.
Nga larg u dëgjuan dobët këmbanat e një kishe aty pranë. Ishte ora gjashtë e pasdites. Gruaja e spitalit të burgut vazhdonte të shihte profilin e bukur të vajzës bardhoshe, të ardhur nga Shqipëria. Ajo krijesë, aq e butë, elegante dhe mjaft e brisht nuk e meritonte të ndodhej aty, mendoi ndërkohë që e shikonte më afër dhe me më vëmendje. Ajo i mbuloi kurrizin e saj me mbulesë dhe me keqardhje u largua nga dhoma duke e lënë pak derën të hapur. Genta kishte humbur në pafuqinë e saj.
* * *
– Unë dua të kthehem në Shqipëri, – tha ajo!
Në ajrin e dhomës sikur kërciti diçka e papritur duke ndërprerë bisedën e tyre. Heshtja sikur kërkonte në sytë e tyre një pikë, ku duhej mbështetur arsyetimi. Pse duhej ta bënte me kaq nxitim largimin? Gruaja e spitalit dukej e mërzitur nga ky fakt që sapo dëgjoi. Ajo dukej sikur i thoshte se duhej të qëndronte, dhe se po bënte një gabim me këtë nxitim. Po afronte lindja e diellit dhe e gjithë nata kishte kaluar në shërbim. Rasti i vajzës nga Shqipëria e kishte befasuar.
– Ju, jeni shumë e bukur, – i tha ajo papritmas.
Vështrimi i tyre u mbërthye diku në hapsirën e dhomës, ndoshta atje ku u ndje kërcitja e ajrit.
– Ti mund të ishe diku në sallat e bukurisë femërore dhe shumë sy mund të lakmonin dhe do të donin të të kishin pranë.
– U ngopa me premtime, ato mbetën vetëm ëndrra, – tha papritur Genta. Sytë e saj ishin më të qetë dhe shihnin më kthjellët.
– Ju flisni një anglishte të përsosur vajzë, duhet ta provoni veten diku. Shoqëria jonë ka nevojë për ju.
– Jo, – ja ktheu me nxitim Genta, – nuk është e vërtetë. Mjaft emigrantë që vijnë nga Shqipëria duan t’i largojnë pa u futur në Mbretërinë e Madhe, ju e dini mjaft mirë këtë gjë.
– Po ju jeni ndryshe vajzë… E kompletuar në dokumenta dhe anglishtja juaj do të mahniste këdo! Ju jeni në fillimet e kësaj jete dhe gjithçka do të duket e vështirë, por unë do të jepja kurajo. Sot ju do të dilni që këndej dhe do të mendoheni më qetë në shtëpinë tuaj. Unë kam shumë njerëz që kanë pozitë dhe mund të ndihmojnë. Mendoheni njëherë vajzë. Rasti me të dashurin tuaj është një moment që duhet të shërbej për të reflektuar për t’u bërë më e mirë dhe për të gjetur fatin tënd. Unë jam infermiere, por diplomimin e kam për psikologji dhe psikoterapia është specialiteti i mbrojtur, duke shërbyer në këto dy drejtime. Gjithçka që kam lexuar nga akuza për të dashurin tënd ju jeni e paimplikuar dhe nuk keni të bëni me historinë kriminale të tij.Tani duhet të shikoni jetën tuaj.
Genta kishte mbërthyer sytë diku midis derës së dhomës dhe fytyrës së gruas infermiere e spitalit të burgut. Ajo kërkoi celuarin e saj. Ja sollën bashkë me disa nga sendet e saja në një çantë.
– Çfarëdo që mund të ketë bërë Juli, tani për mua nuk ka më kuptim zonjë. Unë besoj në drejtësinë tuaj. Nuk e kam njohur sa duhet atë. Kisha momente që dyshoja për aktivitetin e tij, por fasada e njeriut që merret me biznes justifikonte shpenzimet e shumta. Tani për mua nuk kanë rëndësi ato. Drejtësia le të gjykoj. Unë e vuaj mungesën e tij padyshim sidomos tani që kam një fëmijë me të.- Ajo ndali pak dhe e vështroi në sy infermerien e spitalit. – Pardje më erdhi një përgjigje nga kontrolli i mjekut. Nuk dua që të vuaj bashkë me mua fëmija. Ai nuk e di akoma dhe ju lutem, kisha një kërkesë nga ana ime, ju lutem.
Tani vështrimet e tyre ishin të mbërthyera fort, sikur do të shponin njëra-tjetrën.
– Ju lutem mos ja përcillni atij këtë informacion. Ai tashmë është jashtë jetës sime. Unë jam e bija e një shkencëtari e studiuesi të njohur në vendin tim dhe kam edukatën e karakterin e tim eti. Ju lutem unë e di që të vërtetën për fëmijën ai do ta marr vesh një ditë. Por jo tani! Krijesa ime nuk dua të shqetësohet nga ky fakt.
Inferemerja mbeti me gojë hapur dhe nuk po i besonte fjalëve. Por, shpejt u përmblodh me vetveten dhe i tha:
– Ju po bëni një krim. Nuk duhet të veproni kështu. Ështe e drejta e të atit biologjik të gëzojë edhe ai fëmijën e tij. Zoti mëshiron dhe fal të gjithë bijtë e tij dhe u jep mundësinë për t’u ndrequr. Ai mund të pendohet për çfarë ka bërë. Ju duhet të jeni më tolerante dhe zemërgjerë, zonjë.
Diell mes reve
Kur avioni po bënte zbritjen për në aeroportin e Tiranës, dielli ishte në rënie. Ajo pa nga dritarja e avionit shkëlqimin e tij, i cili i bëri përshtypje pasi kishte kohë pa e parë në vendlindjen e saj duke ndjerë mall. Dielli i kuqërremtë sapo kishte dalë nga disa re të errta dhe rrezet e tij të shndrtshëm kontrastonin dukshëm një pamje tropikale marramendëse, e cila mrekullonte këdo që e shihte. Ajo ndjeu për herë të parë një dhimbje të fortë në kraharor dhe zemra filloi t’i rrah fuqishëm. Truri i lodhur nga ditët e fundit dhe takimi në burgun e ftohtë të Londrës e kishin tretur dhe zbehur shkëlqimin e natyrshëm të fytyrës së saj engjëllore. Shkëlqimi i diellit mbi këtë fytyrë, duke ravijëzuar qartë flokët e zezë mbi faqet e bardha, dalloi edhe një varg piklash që shkëlqyen papritur duke i dhënë pamjen e një hyjneshe në dhimbjen e saj tragjike! Kush vallë do të kuptonte se çfarë fshihej pas atyre syve që shkëlqenin edhe nga njomështia e lotëve? Ajo fshiu mollëzat me një pecetë letër, që nxorri nga çanta e saj e vogël dhe hodhi sytë mbi asfaltin që po i rrëshqiste me rrëmbimin marramendës të zbritjes. Ajo dëgjoi në tymin e vrarë të ndërgjegjes duartrokitjet e njerëzve. Avioni kishte prekur tokën shqiptare.
* * *
Kaluan disa muaj dhe që nga dita parë e kthimit ajo zhveshi nga ndërgjegja e saj gjithë kujtimet e Londrës dhe mundësitë e kontakteve me të dhe njerëzit që ndodheshin atje. Ajo ndërroi edhe numrin e celularit dhe çdo kontakt tjetër duke u larguar përfundimisht nga rrjetet sociale, ku kishte mjaft miq. Zhdukja e saj nga fansat e shumtë ishte e dhimbshme për ata që e donin dhe e kishin njohur. Fytyrën e saj e kishin lakmuar si një model në disa reklama, kur ishte studente dhe ajo akoma mund të qarkullonte diku nëper website të ndryshme. Ajo po i trembej të vërtetës së ndodhur sa që edhe lëvizjet në Tiranë në muajt e parë do të ishin shumë të kufizuara. Ajo u përqëndrua tek foshnja që po rritej. Mjekja e spitalit një shoqe e rinisë, të cilës i kishte besuar fatin e jetës së foshnjes kujdesej për të dhe në muajin e tretë të shtatzanisë ajo zbuloi seksin.
– Është vajzë, – i tha Rina e buzëqeshur, – kushedi sa bukuroshe do të bëhet zemra e vogël,- vazhdoi doktoresha, e cila nuk ishte informuar plotësisht me historinë e Gentës. Muajt kaluan shpejt dhe ajo lindi në gusht në një ditë të nxehtë vere. Gjyshi i saj, historiani i njohur e puthi në ball, kur ajo hyri në shtëpinë e tyre. Ata ishin në një pallat, por kishin apartamente të ndarë. Prindërit e Gentës tashmë të moshuar në pension jetonin përballë hyrjes së saj.
E mbetur pa të ardhura Genta filloi të mendoj për të gjetur punë. Një ditë takon në hotel ‘Rogner’ një shoqen e saj studentore. Ajo punonte në agjencinë e udhëtimeve dhe e thërret për kafe. Të ulura pranë njera-tjetrës u çmallën dhe filluan të kujtonin kohën e viteve studentore. Në tavolinat aty pranë në pjesën e hollit erdhën edhe dy burra, të cilët porositën kafe. Genta u ndodh përballë një burri të ri elegant me kostum zyrtar të veshur, i cili duke vështruar përreth u ndesh me shikimin e saj thjesht kurioz. Ai ndali lëvizjen e syve, që tashmë i mbetën tek portreti i saj. Ajo uli sytë menjëherë dhe një pështjellim emocional e mbërtheu tek ndjeu se ai vazhdonte ta shikonte me këmbëngulje. Këtë lloj vështrimi të meshkujve ajo e njihte mirë që kur ishte gjimnaziste. Ata nuk e ruajnë veten dhe përkundrazi në momente të caktuara ndjejnë një krenari tek shfaqin haptazi vëmendjen e tyre ndaj një femre të bukur. Ajo hodhi sytë shkarazi nga tavolina përballë dhe vuri re se burri elegant me kostumin blu të errët po fliste në telefon me dikë, por fytyra e tij vazhdonte të ishte në të njejtin pozicion, por me vëmendje diku larg dhe jashtë asaj salle. Kaloi pothuaj gati tridhjet minuta dhe biseda e saj me shoqen e fakultetit ishte në mbarim. Ato po bëheshin gati për të paguar, kur erdhi kamarieri për të marrë filxhanët e kafeve dhe ai ndërkohë la pranë Gentës një pusullë të bardhë me mbishkrimin “Fansi yt i FB- A.K.”. Ajo e lexoi dhe pa në sy kamarierin. Ai duke pastruar tavolinën tha: – Porosia juaj është e paguar zonjushe, nga tavolina përballë. Ato kthyen sytë tek tavolina ngjitur por nuk panë njeri. Burri me kostumin blu dhe shoku i tij ishin larguar. Ato qeshën të habitura. – Të dalësh me ty është vërtet… – i tha shoqja Gentës.
Takimi në hotel “Rogner” i mbeti gjatë në kujtesë deri në mbrëmje vonë megjithese me vajzën ngjarjet e ditës sfumoheshin për këdo dhe çfarëdo që kishte ndodhur. Çuditërisht atë mbrëmje nuk po e zinte gjumi. Sytë e atij njeriu me vështrimin këmbëngulës i shfaqeshin nëpër muret e dhomës, e cila megjithëse e errët ishin si dy njolla të bardhë. Asaj për një moment hijet e ndriçuesit të rrugës, poshtë ndërtesës së saj kur kalonin makinat, lëviznin duke krijuar konfigurime nga më të ndryshme. Për një moment hija ndaloi dhe ajo dalloi pamjen e një siluete me kapuçon. Ajo rindjeu frymën mbytëse të asaj nate, të asaj plakës që dikur e kishte hasur në rrugicën e apartamentit në Londër. Dhe veshët sikur dëgjuan: “E bukura nuk ka fat… Ajo ka vetëm zhgënjime dhe pengje” – Aaaauuuuu, – thirri ajo e tmerruar dhe ndezi dritën e dhomës. Vajza u zgjua dhe filloi të qajë…
Guximi
Ajo guxoi më së fundi të rihap facebook pas katër vjetësh pas kthimit nga Anglia. Po a ishte momenti që do t’i shërbente për diçka, për zgjidhjen e problemeve që kishte? E zuri koka dhe menjëherë e hodhi telefonin e nervozuar mbi kolltuk. Vajza duhej marr nga kopshti prandaj nxitoi të vishej. Tre ditë në javë ajo e dërgonte në mëngjes dhe nga dreka e merrte ashtu me mall sikur kishte ditë pa e parë. Vajza u rrit dhe sa kishte mbushur katër vjeç. Tiparet e saja anonin më shumë nga e ëma, por në hije dhe temperament dukej se anonte nga Juli. Atë ditë të bukur gushti, tek po kthehej, ajo u ndal tek një dyqan afër pallatit ku jetonte për t’i blerë një akullore. Ato u ndalën pranë një stoli buzë rrugës dhe ajo nuk ngopej së pari vajzën që po rritej nga dita në ditë. Ajo kënaqej tek hante akulloren, kur papritur aty pranë kaloi një çift që mbanin një fëmijë prej dore. Nga njeri krah qëndronte i ati dhe nga krahu tjetër shtrihej dora e mamase… Arzana po shikonte duke ngrënë akulloren fëmijën që i gëzohej prindërve. Kur ajo papritur e pyeti Gentën.
– Mami po unë ku e kam babin tim?
Buzëqeshja dhe humori i saj ngriu kur veshët i dëgjuan ato fjalë. Dhe tek mbeti ashtu e papërgatitur për të kthyer një përgjigje, ajo riktheu buzëqeshjen e saj jonatyrale tek pa ankim në sytë e vajzës. Ajo nuk e kishte përmendur kur fjalën babi. Dhe nuk dinte çfarë ti thoshte, por vetëm buzëqeshi e sforcuar. Ajo i tha ashtu e pamenduar.
– Të pëlqeu akullorja? – Të blej mami edhe një tjetër? Ummmm sa e mirë apo jo?
Por Arzana nuk e vrau mendjen shumë për akulloren. Ajo hodhi sytë nga fëmija me prindërit që po merrnin edhe ata akullore tek dyqani.
– Mami ku është babi im?… se unë nuk kam babi?… Të gjithë kalamajtë në kopësht i marrin mami ose babi i tyre. Po unë ku e kam babin mami?- bëri ajo një të zgjatur, që asaj i mbeti si një uturimë e ulurimës së një sirene alarmi, një fishkëllim që kumboi papritur në atë ditë me diell. Gentës po i vinte për të qarë dhe një nervozizëm i ngërthyer me ngashërima të thella dhe të brendshme si atë natë në burgun e Londrës. Befas iu kujtuan fjalët e infermieres. “Ju po bëni një krim”. Në vesh po i jehonte tashmë fjala krim, krimmmmmmm,
– Mami, mami, mami iiiii – dëgjoi zërin e ëmbël të së bijës. Babi im mos është tek zoti dhe ai e mban? Kur do të kthehet babi im?
Ajo i fërkoi faqet që ishin bërë me akullore dhe pasi ia fshiu, duke i buzëqeshur, ja puthi fort duke i thënë pranë veshit:
– Po është tek zoti.
– Po, kur do të vij ai, që ta njoh, të më marri tek kopshti dhe të shëtis si kalamajt e tjerë?
Asaj iu lidh goja përsëri!
* * *
Atë mbrëmje donte të pinte një cigare. Mori paketën dhe ndezi një. E thithi fort dhe ndjeu se ligështia e hidhërimit po tretej në tymin thithës të cigares. E thithi me rrëmbim dy-tri herë, por më pas e zuri kolla dhe sytë ju mbushën me lot. Kishte lëshuar trupin gati gjysëm të zhveshur nën dyshemen e ballkonit të ngrohtë, pasi dielli i perëndimit ndjehej deri vonë në darkë. Ajo pa se vajzën sapo e kishte zënë gjumi me lepurushin shtrënguar në duart e saja. Yjet e asaj nate gushti i kujtuan netët e nxehta të pritjes për lindjen e vajzës! Ajo atë natë mes shkëlqimit të hënës dhe yjeve ishte betuar se nuk do t’ja krijonte kurrë mundësinë ta njihte Julin babain e vërtetë. Ky betim i vetvetes, po kuptonte në atë çast se ishte bërë i kot dhe se nga koha në kohë po kuptonte se kjo ishte e pamundur. Ky betim do të shkelej një ditë. Vajza do të rritej e do të kuptonte se babai i saj ishte dikush që ajo do të kishte një dëshirë vërtetë të madhe për ta njohur. Por, vallë do ti kuptonte ajo, shqetësimet që i kishte sjell jetës së saj?! Shkatrrimi dhe përmbysja e ëndrrave të saj ishte kthyer në urrejtjen e pashmangshme për këtë njeri, që e bija kërkonte ta njihte. Po ç’të bënte vallë?! Duhej ta kriminonte me tej situatën?! Një ditë do të ulej përballë vajzës dhe do ti tregonte asaj gjithçka. Pa vlerë për të, por, po aq e ethshme e kureshtare do të sillej padyshim vajza.
* * *
Përkthyesja
Avioni do të nisej për rreth tridhjetë minuta. E veshur me një kostum zyrtar blu të errët do të ngjallte për të pranishmit e delegacionit shqiptar një kureshtje dhe habi prania e saj. Turma njerzish vinin e shkonin me valixhe dhe çanta me nxitim për të kapur avionin e tyre. Me sytë nga xhami blu i aeroportit priste sinjalin për të shkuar me anëtaret e tjerë të delegacionit. Por ajo në fakt nuk ishte askund e përqendruar në ndonjë mendim konkret. E vetmja gjë që po e habiste ishte se si ajo po ndodhej me njerëz të rinj, që dy muaj më parë kurrë nuk i kishte takuar?
Por, vetëm silueta e tij, e cila ishte shfaqur përsëri në ‘Rogner’ ishte ai burri manjetik që e thithi duke u dorëzuar tërësisht tek qenia e tij. Ai e kishte pyetur ashtu rrëmbimthi:
– Ju keni studjuar për gjuhën angleze?!
– Po, – i ishte përgjigjur ajo dhe i kishte buzëqeshur padashje si një vajzë adoleshente, që të qeshurën e kishte në buzë në çdo çast. Ata, pastaj ishin ulur në të njejtën tavolinë, ku ai e kishte paguar kafen, që kishte pirë me shoqen e fakultetit shumë muaj më parë.…
– Ti do të fillosh punë në ministri, – i kishte thënë ai papritmas…
…Ajo bisedë dhe shoqërim kafeje në mjedisin e qetë të asaj buzëmbrëmjeje kishte qenë mjaft e shkurtër dhe e kishte troshitur, por i kishte zgjuar shumë ëndrra të harruara. Librat në anglisht i përkthente lehtas. Dhe ajo tashme kishte marrë emërimin përkthyese në Ministrinë e Politikave Ekonomike. Ai ishte drejtori i saj.
U dëgjua thirrja në altoparlant për pasagjerët e avionit, që do të nisej për në Athinë. Ajo bëri hapat e parë dhe papritmas dëgjoi telefonin t’i tingëllonte. Sytë i kishte në drejtim të avionit dhe e hapi pa e parë fare telefonin. – Mami… mami… – dëgjoi zërin e vajzës, të cilën e kishte lënë në gjumë tek e ëma. Ajo befas ndaloi dhe dëgjoi: – “Më ke premtuar mami se do të gjesh babin tim”. Ajo u pre e tëra dhe nuk dinte çfarë ti thoshte. E mblodhi pak veten dhe morri frymë thellë. – Po zemër ai do të… – por sinjali u ndërpre dhe fjala e saj mbeti e ngrirë. Dikush e thërriti në emër dhe ajo nxitoi drejt automjetit që do t’i dërgonte tek avioni.
Ai ishte udhëtimi i parë i saj pas gati gjashtë vjetësh që kur ishte kthyer nga Londra. Ajo ndjeu një pështjellim marramendës, ndërkohë që po ngriheshin në lartësitë pranë reve. Në çast ndjeu një boshllëk dhe një kumbim tingujsh të përzierë hapash e takash, që kërcisnin në korridor dhe me sy gjysëm të hapur ajo shikonte retë e grumbulluara, ca të zeza e ca gri, të cilat merrnin forma nga më të çuditëshme si kalorës të hypur në kuaj që garonin me avionin. Diku më larg ajo dalloi formën e një kapuçoni që valvitej në pelerinën vurbulluese dhe ajo u tkurr nën veten e saj. Pamja i kujtoi hijen e plakës që e ndiqte dikur në Londër. Ajo u zverdh në fytyrë dhe të rrahurat e zemrës filluan të ishin më të shpeshta. Ajo për pak sa nuk ulurriti, por instiktivisht mbylli dritarën e avionit me rrëmbim dhe pshehrëtiu thellë.
– A je mirë, – i tha kolegia pranë.
Ajo u ngrit dhe shkoi me nxitim në banjon e avionit. Duke u parë në pasqyrë vuri re për herë të parë ca rrudha të lehta në cepat e syve, qe po i përloteshin.
* * *
Në dhomën e hotelit, që ndodhej diku në qendër të Athinës ajo ishte zgjuar herët dhe meraku për mbarëvajtjen e takimit e emocionoi. Pavarësisht se nuk kishte përvojë në takimet zyrtare jashtë, në Tiranë gjatë dy muajve, të parë kishte shkëlqyer me përkthimet e drejtpërdrejta. Takti dhe kujdesi i lindur kishte ngjallur një respekt tek drejtuesit dhe specialistët. Ndërsa në takimin e sotëm ajo për herë të parë do të ishte në takimin e Minisitrave të Tregtisë të vendeve europiane, ku do të ishte në një kabinë për përkthimin për të gjithë anëtarët e delegacionit.
Megjithëse ishte shumë herët, ajo doli nga dhoma, se ndjeu po atë boshllëk, i cili e mbërtheu kur ishte mbi re. Në hollin e poshtëm të hotelit u ul në kolltukët pranë barit të hapur duke porositur një kafe. Ishte ora gjashtë dhe mendja i vajit tek vajza. Ajo ndoshta flinte. Ishte nata e parë që ajo flinte pa të. Fjalët e saj i shponin drejtpërdrejtë në tru duke turbulluar mendimet. Ajo kishte mësuar, se do të udhëtonte me avion që shkonte drejt reve dhe pas tyre ajo përfytyronte të atin. “Aty është babi im” – i kishte thënë ajo me zërin e hollë dhe lutës! Ajo befas rrëmbeu telefonin dhe u mat ta hapte, por ndërroi mendje. Ajo kujtoi fjalët e saj me një tingull këmbues sikur vinin nga jehonat qiellore. Ajo u kënaq vetëm me fotografinë e saj, e cila shfaqej sa herë që e prekte ekranin. Dikush erdhi nga shërbimi i hotelit dhe i solli kafenë e porositur. Disa zëra dëgjoi në këndin përballë hollit. Ajo uli sytë dhe afroi në buzë filxhanin e kafesë, kur pas pak çastesh pa pranë këpucet llustrafine dhe pantallonat blu të kostumit të drejtorit. Ajo ngriti sytë dhe personi përballë ishte tashmë shumë i njohur. Sytë u shkëmbyen në vështrimin rrënqethes. Ishte hera e parë që mund të ishin kaq pranë njeri-tjetrit pa patur njerëz të tjerë rreth e rrotull dhe në një rrethanë të tillë.
– Mirëmëngjesi, – tha ai me një zë krejt ndryshe nga ai që fliste nëpër mbledhje e takime zyrtare. Asaj i erdhën të rrënqethura në trup dhe seç ndjeu turbullirën e paqartësinë e shumë gjërave. Pikëpyetje dhe pikëçuditëse formuloi në kokën e saj në ato momente, të cilat i vinin dhe i iknin duke krijuar një cikël vurbullues mendimesh. Ajo tërhoqi filxhanin e kafesë dhe e mbajti prane gjoksit si një mburojë magjike, që do ti shërbente si mburojë nga ndonjë sulm. Po nga kush vallë dhe pse?
– Mirëmëngjesi, – përsëriti Aleko drejtori duke zënë gjysmë i përulur ndriçimin e llamburitjeve të shandanëve të hollit,- dukeni e shqetësuar? – Keni ndonjë problem që jeni zgjuar kaq herët?
– Mirëmengjes shef, – tha ajo menjëherë dhe dërgoi buzëqeshjen e parë në drejtim të tij. Situata u zhbllokua. Ai u gjallërua menjëherë dhe i tha:
– Do të dëshiroja të pija kafen me ju. Por më duhet të iki. Shoferi më pret jashtë po nisem për në aeroport. Ka ndryshime në protokoll sepse vjen ai i madhi, – vazhdoi ai duke drejtuar trupin dhe nxorri celularin nga xhepi i pantallonave. Ai pa diçka në ekran dhe vështroi portretin e saj, sytë e saj të bukur dhe gjithçka nga bukuria e saj mahnitëse, që po ndriçohej aq dukshëm. Dikush hapi drita të tjera të hollit oval duke i dhënë gjithë mjedisit një llamburitje ndriçuese të mahnitëshme nga ornamentet, pikturat, skulpturat, dyshemeja e mermertë dhe objektet e veçanta. Ajo me atë shallin e hollë gati transparent në ngjyrë çiklamin në blu, ngjante si një kukull dhe pjesë e gjithë atij ansambli magjepës. Ai mbeti si i ngrirë për një çast çfarë po i shikonin sytë dhe ajo me gishtrinjtë elegante preku shallin e saj mbi gjoks, që po i rrihte papritur. Të dy ngrinë vështrimin e tyre në ajrin antik të hollit. Por… ajo ndjeu hapat dhe kërcitjen e takave të këpucve të tij dhe kur ktheu kokën pa se silueta e tij u largua, u tret e u zhduk në drejtim të korridoreve të daljes së hotelit.
* * *
Seancat e takimeve ishin drejt përfundimit. Bisedime pa fund, replika dhe duar që kapnin mikrofonët, vendosnin kufje, rrëmbenin gota e shishe e pinin ujë dhe aperitivë. Ajo shikonte pa fund atë tavolinë të madhe, ku ministrat me portrete të çuditshme shpesh herë ngjallnin pikëpyetje dhe krijonin atmosfere pasigurie. Për të kjo atmosferë e gjallë diskutimi i la një mbresë dhe një ndijesi tensionimi. Çfarë po ndodhte? Ajo për herë të parë po dëgjonte mjaft interpretime politike, të cilat po e fusnin në një botë vërtet të madhe, ku po ndjente se fate njerzish dhe histori ishin në prag. Ajo rikujtoi sakrificat e emigrantëve kudo që kërkonin të kapnin Europën perëndimore. Ajo kishte përjetuar jetën e emigrantit dhe kur dëgjonte nga tavolinat lluksoze fjalë dhe premtime apo propozime për marrje vendimesh, ndjeu zhgënjimin e njeriut që kërkonte të rregullonte fatin e vet. Po sa larg qëndronin këta njerëz me kostume dhe kollare me fytyrat e tyre të qeshura plot hipokrizi dhe përgatitje kurthesh e intrigash, me ata që kalonin me gomone duke paguar shuma të mëdha dhe rrezikuar jetën? Ju zu fryma dhe kërkoi të pinte pak ujë, kur papritmas një mesazh erdhi në telefonin e saj. Ishte moment pushimi dhe i lejohej të përdorte telefonin. Ishte nje mesazh rutinë mendoi nga ato që vinin nga institucionet e tjera të Shqipërisë. Kishte filluar të orientohesh me dhjetra e dhjetra mesazhesh kryesisht informative, por ky i tërhoqi vëmendjen se kishte edhe flamurin e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Përtoi ta hap, por pastaj ngulmoi dhe e hapi. “E dashur e Genta! Më ka marrë malli t’ju shoh. Kam mësuar se keni filluar punë në një nga ministritë e rëndësishme dhe për këtë gjë jam e gëzuar. Uroj suksese në punën tuaj fisnike. Ndoshta një ditë do të takohemi. Sinqerisht Laura”!
* * *
Ajo kishte lexuar edhe një mesazh në mëngjesin e ditës para largimit nga Athina. U befasua para pasqyrës dhe krehëri në dorë, i ngriu mes flokëve kur lexoi më poshtë: “…duhet të rrijmë edhe disa ditë këtu. Hollësirat do të shpjegohen kur të takohemi”. Më poshtë emri i tij i drejtorit. Ajo pa fytyrën e flokët dhe ndjeu se ishte pak e lodhur me sytë që kishin humbur shkëlqimin.
“Po pse duhet të qëndronin edhe disa ditë”?
Tek u grumbulluan në mengjesin e asaj dite plot diell e freski prilli ajo po priste të mësonte arësyen e shtyrjes së kthimit në Shqipëri. Një mikrobuz u gjend në portën e hyrjes së hotelit. Dikush, i tha se duhej të futej në të. Ekipi i tërë ishte brenda, përveç drejtorit, i cili kishte hipur në një veturë me ministrin dhe ishin larguar. Mikrobuzi u nis dhe bëri disa minuta udhëtim, ku ata u gjendën në sheshin pranë një stadiumi të lojrave me dorë, ku ishin mbledhur mjaft njerëz. Ata flisnin shqip dhe dëgjoheshin edhe duartrokitje. Dikush brohoriste ndërsa një grup njerzish më i vogël, të rrethuar nga disa policë, po bërtisnin dhe shanin në shqip dhe greqisht. Ajo nuk po kuptonte çfarë po ndodhte, por kolegia i tha tek veshi: “Është kryeministri ynë. Ai po zhvillon një takim me emigrantët”. Ajo ndjeu një bezdi nga kjo rrethanë që iu krijua apo iu imponua. Kolegia i buzëqeshi dhe i tha me një entuziazëm të papërmbajtur: “Nuk është interesante?! Sa çudi kaq shqiptarë që kanë vuajtur në vite për të mbijetuar, tani ata gëzojnë e mbajnë flamurin kombëtar dhe duartrokasin. Nuk është vërtet bukur”?! – vazhdoi kolegia pranë. Duhet të futemi brenda dhë të dëgjojmë çfarë do të bëhet. Dikush tjetër i tha grupit të ekipit nga Tirana, se ata kishin vëndet e rezervuara diku nga fillimi dhe kështu do të dëgjonin e shikonin më shumë. Genta vuri re mes disa autoriteteve të sigurisë greke edhe drejtorin, i cili po komunikonte me ta. Ai e dalloi nga larg grupin e ekipit të ministrisë dhe u afrua pasi u shkëput nga autoritetet greke. Ata papritur u ndodhën pranë dhe gati sa nuk prekën trupat e tyre, se vështrimin e kishin mbërthyer prej disa sekondash që nga larg. Ai e pyeti kur ndjenin gati frymën e njeri-tjetrit: – Si ndjehesh?
– Mirë bukur. Kjo ishte surprizë, – tha ajo dhe buzëqeshi pa ndonjë interes, por me një ndjesi të hollë indiferentizmi.
– Ti ke qenë emigrante dhe duhet t’i kuptosh më mirë këta njerëz, – i tha ai.
– Po e vërtet, – ja ktheu ajo dhe i buzëqeshi për herë të dytë.
– Kur të mbarojmë nga ora tetë pranon të jemi në një darkë bashkë tek hoteli? – i tha ai aq shpejt fjalët sa që as ajo nuk i priste të dilnin në atë çast. Ajo uli sytë dhe nuk po dinte çfarë përgjigje ti jepte. Sapo u bë gati t’i thoshte diçka, ai ishte larguar mes turmës në drejtim të tribunës, ku pas pak do të fillonte aktiviteti, duke u shfaqur kryeministri.
Genta nuk e priste që ajo ditë të ishte aq intesive. Ajo mezi priste të kthehej në Tiranë e të takonte të bijën. E kishte marrë malli kaq shumë, sa më tepër mendonte për të, se sa për çfarë po ndodhte aty.
* * *
Ajo e ndjeu lodhjen në drekë, kur u shtri në krevatin e hotelit pas disa orësh. Kishte bërë një dush dhe ndjeu një shplarje nga gjithçka e ngarkuar ndjesisht çfarë kishte ndodhur gjatë ditës. Vetëm ora tetë e mbrëmjes i kishte mbetur si një çengel i varur me shumë pikëpyetje.
– Si është e mundur? – pyeti veten. Ai është… ka familje. A mund të kem një lidhje me këtë njeri që shumë e kishte afruar, i kishte gjetur vendin e punës, ishte kujdesur dhe i vëmendshëm e…? Pyetje dhe kurioziteti e shtynin të realizonte takimin. Ai dëshironte ta kishte të dashur? Ajo e kishte kuptuar tronditjen e tij, që në takimin e parë, në kafen e pirë në ‘Rogner’ me shoqen e fakultetit. Ajo ishte mësuar me qëndrimet e meshkujve, që në shkollën e mesme kur dikush një shok e kishte ndalur tek korridori dhe e kishte prekur. Por, ai kishte ikur me vrap. Instikti femëror kishte orientuar e forcuar nuhatjet dhe qëndrimet vetëmbrojtëse që duhet të mbante. Prandaj nuk nxitonte…
Ajo nuk kishte kuptuar as vetë se si tashmë ndodhej vetëm për vetëm me drejtorin. Në një kënd të sallës së madhe të ngrënies në hotelin kur qëndruan disa ditë, ku ndriçimi i përgjysmuar dhe hijet e siluetave të busteve dhe ikonave të antikitetit grek përçuan tej mendimet duke ndërthurur të kaluarën e largët të Homerit e pasuesit e tij me historitë dhe thëniet e famshme filozofike të tyre.
– Ti ke vuajtur, – i tha ai.
Ajo nuk foli, por uli kokën dhe vështroi cepin e tavolinës me heshtjen dhe vështrimin e përhumbur. Pirueta melodike e një vjolinë filloi papritur shoqëruar nga një zë burri në greqisht të këndonte. Ishin valë tingujsh që vinin lehte si dallgët e qeta të detit në një buzëmbrëmjeje gushti. Mes fjalëve të këngëtarit ajo u përgjigj:
– Po, shumë.
– Nuk e meritoje, – vazhdoi ai dhe vështrimet u kryqëzuan duke u munduar për të kapur idetë që do t’i tregonin njeri-tjetrit.
– Nuk e di, – vijoj ajo. – Kam bërë gabime, por nuk dua t’i përsëris ato.
– Thoni ju gabime,- ngriti pak zërin më i vendosur dhe ktheu nga boçja pranë pak verë duke i shërbyer asaj.
– Nuk e di, – përsëriti ajo. – Sot, po mendoj vetëm për vajzën. Ajo po rritet dhe do të kërkoj një ditë të vërtetën.
– Çfarë të vërtete? – uli tashmë zërin ai, por vjolina përcolli tingujt e ëmbël dhe ata rivështruan ngultazi njeri-tjetrin.
– Ajo do të kërkojë të atin e saj. Por, unë nuk dua kurrë ta njoh atë.
– E pamundur, ajo do të mësoj një ditë të vërtetën. Ajo do ta mësoj nga dikush apo do të kërkoj ta zbuloj. Ju duhet t’ja tregoni në një moshë të caktuar.
Genta uli kokën dhe nuk donte të vazhdonte më tej bisedën, por ai këmbënguli të dëgjonte më tej.
– Kam menduar diçka për ju, – tha ai papritmas.
– Çfarë? – pyeti ajo e trembur.
– Do të duket absurde, – por e nevojshme për ju dhe vajzën tuaj. – Do të marrësh nje vilë në një ishull dhe disa kohë gjatë vitit duhet të shkoni atje.
– Në cilin ishull dhe?… – ajo u turbullua dhe sytë ju errën, si atë natë kur ndodhej në burgun e Londrës. Ajo ndjeu pështjellimin e marramendjes së asaj nate, që i kishte përmbysur ëndrrat, që i kishte shkatrruar jetën dhe që po e vuante edhe sot e kësaj dite. Hodhi sytë nga statujat, të cilat qëndronin të heshtura dhe sikur dëgjonin gjithçka ndodhte aty. Violinisti këngëtar po i afrohej tavolinës së tyre, por ajo nuk mund të përballonte hijet që lëviznin duke krijuar përfytyrimet e hijeve si të asaj natës me muret e ftohta të Londrës. Violinisti ishte tashmë pranë tyre. Ai buzëqeshte dhe këndonte. Kënga ishte këngë dashurie dhe ndoshta momenti kërkonte edhe vallëzimin që do ti shkonte, por ajo nuk e mendonte kurrë një gjë të tillë. Violinisti këngëtar ishte këmbëngulës dhe imponoi të dy duke kapur dorën e Gentës për ta ngritur nga tavolina. Hija e mureve të Londrës në kokën e saj e kishte mbërthyer fort dhe dukej sikur nuk donte ta lëshonte, ndërsa melodia dhe fjalët e ëmbla të këngëtarit e tërhoqën fort duke e shkulur nga hijet e errta dhe duke e ngritur në këmbë. Ai ja bëri me shenjë drejtorit të ngrihej dhe ai të kërcente me Gentën. Dhe papritmas të dy takuan duart dhe ai vuri njerën dorë në belin e saj të hollë elegant. Ajo e hutuar i hodhi këmbët sipas ritmit të melodive të një valsi. Rritmi i kërcimit erdhi në rritje dhe rrotullimet ishin befas edhe më të shpejta. Ata po shiheshin në sy të njeri-tjetrit. Ai serioz dhe ajo e hutuar. Ai me kostum të zi dhe ajo me një fustan që i rrinte ngushtë pas trupit.
* * *
Atë mbëmje nuk fjeti. Megjithëse kishte pirë edhe verë për të larguar mendimet ajo dëshironte cigare. Donte të pinte cigaret e shoqes së dhomës ngjitur. Vajti me nxitim tek dhoma e saj duke trokitur tek dera. Pas pak u hap dera dhe ajo pa një burrë të shëndoshë, i cili me këmishë nate kur pa fytyrën e bukur të Gentës u turbullua mjaft.
– Çfarë dëshironi zonjë t’ju ndihmoj? – tha në anglisht burri gati i befasuar nga kjo bukuri, që ju shfaq në atë orë.
Ajo u turbullua fare dhe mendoi se mos kishte ngatërruar dhomën e shoqes. Por, pa numrin 202 dhe tha: – Këtu ka fjetur një shoqja ime dhe doja t’i merrja disa cigare.
Burri i dhjamosur qeshi dhe i tha:
– Për ju unë kam një paketë që mund t’jua dhuroj.
Dhe befas shkoi brenda dhe u kthye pas pak me një paketë duhani: – Merreni bukuroshe!
Ajo ia rrëmbeu dhe e falenderoi me një buzëqeshje të shtirë. Por, kur u fut në dhomën e saj mendoi. “Ç’ne ku është Fjoralba”? Dhe ndezi cigaren plot epsh. Kërkoi numrin e shoqes dhe u bë gati t’i telefononte, por kur pa orën ishte vonë. Atëhere i shkruajti: “Fjora ku ndodhesh? Pse nuk të gjeta në dhome”?
Ajo doli më pas në ballkonin e dhomës së hotelit dhe vështroi yjet e asaj nate. Koka i zjente nga mendimet. Darka me drejtorin iu duk sa absurde, po aq edhe interesante. Ajo kujtonte shtrëngimin e dorës së tij pas belit të saj gjatë kërcimit, seriozitetin në bisedë dhe buzëqeshjen prej fisniku. Po pse ai donte ta ndihmonte atë? Kur befas i erdhi mesazhi nga Fjoralba. “Të shkruaj nga Tirana. Po ti ku je akoma në Athinë”?
– Uauuuuu bërtiti ajo e befasuar! Biseda e tyre u ndërpre.
* * *
Arratia
– Ne jemi grupi i zgjedhur, për të qëndruar edhe disa ditë këtu, – i tha ai të nesërmen në mëngjez kur u takuan tek kafja.
– Nuk kuptoj asgjë çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të bëjmë, – i tha e ajo e prishur në fytyrë dhe e shqetësuar.
– Më mirë është që të mos pyesësh shumë. Jemi për një detyrë sa fisnike dhe në sherbim të interesit tonë qeverisës. Keshtu e ka puna në administratë. Por, ti s’ke pse thellohesh kaq shumë për këtë gjë.
– Jam mjaft konfuze dhe nuk e kuptoj pse nuk më thatë më parë që të dija edhe unë se isha e përzgjedhur.
Ai ktheu kafen me një frymë, pa orën dhe i buzëqeshi asaj sa sinqersht aq edhe me një tension të brendshëm. Pastaj shtoi: – Kemi surpiza të tjera pas Genta. Ato janë veçse të bukura, – dhe u ngrit nga tavolina me nxitim duke e lënë Ergentën me sy të hapur dhe të habitur. Ajo rrëmbeu paketën e duhanit të falur nga babloku i mbrëmshëm dhe tërhoqi një cigare. Ajo nuk e preferonte pirjen e duhanit që në mëngjes, por atë ditë ajo po e kërkonte atë si një shok që i mungonte për t’i qarë hallet.
Telefoni i saj çuditerisht tingëlloi fort ndërsa ajo sytë i kishte ngulur në portretin e Homerit të skalitur në bustin përballë saj dhe tymi i duhanit e mbulonte si një perde e hollë, por mendjen e kishte edhe më të paqartë. Zilja e telefonit e shkundi kur ajo pa edhe fytyrën e mamase. Ishte në linjë duke pritur. Ajo e hapi menjëhere dhe dalloi Arzanën, e cila i thërriti fort “Mami mami…” dhe ndërkohë e ëma e moshuar i foli e shqetësuar:
“Po ku je moj bij se po na bën merak? Dëgjuam lajmet dhe takimi i Athinës ka përfunduar thonë ato. Kur vjen nesër apo sot”?
Genta fiku cigaren dhe fshiu, teksa fshehurazi, njomështimin e syve të saj që po përloteshin.
– Mama, – i tha ajo me një zë të ulur dhe të qetë, – nuk e di kur do të vij se këtu po ndodhin disa gjëra.
– Çfarë, – tha e ëma edhe më e shqetësuar.
– Jam e përzgjedhur nga ekipi qeveritar që të asistoj në disa takime këtu… – ajo heshti për një moment dhe dëgjoi teksa vajza filloi të qajë.
– Mami ti u vonove shumë…. mua më ka marrë malli. Ti më premtove se do të më sillje babin. Ajo filloj të qaj me ngashërim…
U krijua një heshtje e pakuptim e paqartë dhe mjaft misterioze. Nga të dy anët e telefonit nuk po fliste më askush. Ato shiheshin vetëm në fytyrë. Genta buzëqeshi artificialisht. E ëma e shikonte plot shqetësim dhe kuptoi diçka që po ndodhte me të bijën. Kështu shpesh i ndodhte, kur ajo i fliste edhe nga Londra duke kuptuar se diçka e fshehtë ekzistonte midis të dyjave.
– Bijë, – i tha ajo me zë të mekur,- mundohu te mos bësh më gabime si dikur…
Në ekran u shfaq mesazhi nga drejtori: “Ora dhjetë duhet të jemi gati për të udhëtuar”.
– Mirë mama mos u shqetëso se çdo gjë është në rregull. Tani më duhet të iki. Ma nxirr pak vajzën ta puth fort.
* * *
Aventura drejt ishullit…
Ai u duk i veshur me rroba sportive, një bluzë te bukur ngjyrë kremi dhe pantallona blu xhins si dhe atlete të bardha që tregonin se udhëtimi nuk kishte të bënte për një takim zyrtar serioz. Gjithçka po i shkëlqente plot dritë e kristaltë nën lotët e lehtë si pas një xhami të bardhë, ku ngjyrat kontrastonin nën rrezet e forta të atij dielli të ngrohtë. Ajo nuk po i besonte syve, atij mëngjesi aq tërheqës, por me një parandjenjë të çuditëshme, ku të papriturat mund të ndodhnin, ku çdo gjë të pamenduar apo menduar shkarazi si vetëtimë mund të bëhej një realitet i prekshëm i ri. Prandaj ajo ndjeu frikë nga gjithë kjo që po shihte dhe instiktivisht u mblodh brenda trupit të saj të imtë duke u kthyer në një masë ngjyrash ku dalloheshin gjunjët e saj lakuriqe dhe fytyra e bardhë me flokët e zinj ngjitur pranë njera tjetrës. As Vicente Van Gogh, ndoshta, nuk do të kishte krijuar një portret kaq intrigues njeherësh, ku frika përleshej me kuriozitetin, ëndrrën apo dëshirën. Sytë e magjishëm shikonin duke përpëlitur qepallat e njoma mes lotësh, ku ajo vuri re se ai po vinte drejt saj. Ishte një hap sportiv dhe jo zyrtar, gjëja e parë që dalloi tek ai. Ndërsa sytë e tij inteligjentë blu dhe krenarë ishte hera e parë, që po i shikonte kaq kureshtarë dhe të merakosur. Trupi i tij elegant me këtë veshje i turbulloi mendjen.
– Mirëmëngjes Genta! – ai në këmbë po i qëndronte pranë, ndërsa ajo nuk lëvizi, por u mblodh edhe më shume nën vete.
– Çfarë ka ndodhur? – pyeti ai shumë më i butë dhe më intim. – Ti po qan?
Ajo uli kokën duke e mbështetur mbi gjunjtë e bardhë ndërsa krahët e hollë kishin mbërthyer këmbët gjysëm të mbuluara me shallin blu gjysmëtransparent, të hedhur për të fshehur e mbajtur ngrohtë qenien e saj më të brisht!
– Po, – tha ajo pa zë. Ai pa vetëm buzët e saj të kuqe, të cilat lëvizën pranë gjunjëve të saj rrezatues. Ajo kishte ngritur kokën befas dhe po e shihte në sy.
– Pse? – pyeti edhe ai pa zë, por me një gjest ku fytyra dhe sytë flisnin më shumë se sa zërat.
– Si pse? – ja ktheu ajo tashmë me zërin e qetë nënshtrues, si një perëndi, që po zotronte mbi një mashkull, i cili ishte i gatshëm të bënte gjithçka vetëm ajo mos të zemërohej.
– Nuk më pyetët, nuk më përfillët për çfarë keni ndër mend të bëni?
Ai befas u bë serioz dhe morri pamjen zyrtare brenda fjalisë befasuese.
– Është një përzgjedhje e bërë me urdhër nga lart. Ju shkëlqyet në seancat e takimit ndërkombëtar.
Ajo ktheu kokën nga dritarja pranë e mbuluar nga perdet e rënda të hollit të hotelit. Ndriçimi i fortë i diellit reflektonte gëzim dhe ai sikur thërriste për paqe dhe hare mes njerzëve.
– Ju fituat një status të veçantë dhe për këtë do të keni detyrime më të mëdha, por edhe shpërblime dhe favore…- një grup njerëzish dolën nga ashensori që ndodhej në krah të tyre duke i nderprerë bisedën. Ata u larguan të qeshur duke biseduar. Dallohej qartë me çanta e kapele dielli, që mbanin nëpër duar, se ata po nxitonin për të shkuar diku, ndoshta në plazh, dhe as që i vunë re të dy që po bisedonin.
– Sot është e dielë dhe do të shkojmë aty ku të kam premtuar, – vazhdoi ai me fjalët, të cilat i dolën me nxitim. Ra një heshtje. Ajo ktheu kokën nga ai dhe e vështroi gati e zemëruar.
Nga pas u dëgjuan përsëri të qeshurat e familjes së gëzuar që po dilnin duke nxituar. Jashtë dielli po nxehte fort dhe afshi i ngrohtë u ndje edhe në hollin ku ata po qëndronin.
– Nuk më beson? Duhet të nisemi.
Ai foli, ai miratoi, ndërsa ajo vetëm dëgjoi!
– Ku do të shkojmë? – tha ajo.
– Dua ta lë surpizë.
– Kush do të jetë tjetër me ne?
– Sot është ditë pushimi dhe dalja është e lirë. Nuk do të jemi në grup,- tha ai.
Ajo për herë të parë ndjeu se nuk ishte vetvetja. Ajo kishte ndjerë një dyzim botësh, ajo e saja e vendosur për të mbrojtur çdo gjë të shenjtë të jetës së saj duke luftuar me gjithçka për të mos devijuar nga principet morale të edukuara nga familja dhe bota tjetër e dikujt tjetri, që nuk e njihte, që kishte shumë mistere, por që e tërhiqte nga dita në ditë dhe me të cilën ajo bisedonte si një personazh që po krijohej nga koha në kohë. A ishte ky modeli që duhej në këto kohëra për të cilin duhej sakrifikuar? A ishte inerci e një vullneti të pashpjegueshëm, që gjërat rreth e rrotull nuk duhen marrë kaq seriozisht? A nuk është e gjithë bota në çdo kohë dhe do të jetë gjithmonë në lëvizje, në ndryshim?! Pse vallë ajo duhej të ishte statike dhe e vendosur në gjërat tabu që thonin dikur?! A ka tabu?! A ka tabu?
– A ka tabu?! – foli me zë. Por, vetëm kur ndjeu dorën e tij të vendosur mbi supin e saj, kuptoi se kishte rënë në mendimet e saj!
– Për çfarë tabu je duke folur? – i tha ai.
Ajo e pa në sy dhe çuditërisht ndjeu lot të ftohtë, të qetë dhe mjaft paqësor!
Ai u ul pranë saj në kolltukun e madh të hollit dhe vështroi, se ajo vazhdonte e mbledhur skrupull me këmbët mbi të dhe diku meditonte! Për ta kthyer në realitet ai i tha:
– Vajza juaj kërkon babain?! Po a mund ta gjej?! – ai uli kokën dhe heshti.
Ndërsa ajo sa nuk bërtiti në sallën e hollit që ishte tashmë e zbrazur dhe e qetë.
– Po po po! Por si?…
– Unë mund të ndihmoj, – vazhdoi ai. Ajo ktheu kokën dhe vuri re bluzën sportive dhe pantallonat blu krijuan një atmosferë vërtet tjetër nga veshja me kostumin zyrtar blu.
– Por, sot duhet të shkojmë diku! Kam dëshirë të ta lë surpizë, – tha ai dhe qeshi, ndërsa ajo përpëliti sytë me qerpikët e njomur.
Pjesa e dytë
Fantazia e shfrenuar e personazhit të dyzuar…
Gjithçka po shkonte si nëpër filma. Ajo dëshironte të kthehej në personazhin e krijuar prej vet asaj. Ajo nuk kuptonte dhe nuk donte të hynte në labirinthet e arësyetimit, e shkak-pasojës së veprimeve të personazhit të krijuar nga vet ajo. Ajo mbylli sytë dhe i tha me zë të ulët:
– Le të shkojmë, i dashur Aleko.
Ai u trondit nga fjala i dashur sa nuk po i besonte veshëve. E pa i habitur për kthesën e papritur të qëndrimeve të saja. Ajo qeshi dhe i futi krahun lehtazi pranë xhepit të pantallonave. Ata humbën në turmën e madhe të njerzëve pranë. Ai nxorri telefonin dhe kërkoi dikë. Pas pak minutash një benz i zi u shfaq në parkun ku ndodheshin tashmë. Rrugët e Athinës ju dukën të kaltra, plot shkëlqim diellor dhe objektet e ndërtesave sikur fluturonin krah tyre. Ai kishte vënë syze të errta, ndërsa ajo një kapele të bardhë, e cila mbulonte fytyrën e bukur, ku flokët e zeza përhapeshin në kolltukun e pasëm duke prekur fytyrën e tij. Xhamat e hapura fusnin ajrin e freskët dhe gjithë aroma ndjellëse provokoi tek të dy një ngazëllim, një hare. Ai pak me habi, por tashmë i ç’tensionuar buzëqeshte dhe nga pasqyra e shoferit shikonte kapelen e bardhë të saj. Ndërsa ajo tashme e surprizuar, sidomos me vetveten, pasi po kuptonte se më shumë ishte futur në nje rol të paparë kurrë më parë, se sa ishte në një eufori natyrale. Ajo e ndjente se nuk ishte vetvetja. Fundja çfarë po bënte personazhi i saj? Ata të dy ishin një ekstazë të paparishikueshme. Ndoshta edhe ai po provonte një rol të veçantë ndryshe nga vetvetja?
Shoferi një djal i ri, emigrant, i cili kishte njohje me drejtorin frenoi pranë një kryqëzimi dhe tha: – Për tre minuta do të jemi në aeroport.
Fushat në të dy anët e rrugës e rritën intimitetin e tyre dhe ata ndjen të nevojshme se duhet të ishin më pranë njeri tjetrit. Ajo për një moment nuk i vlerësoi fjalët e shoferit, por pastaj tha:
– Me aeroplan përsëri?
Ai qeshi dhe duke e prekur lehtë tek shpina i tha:
– Po, do të fluturojmë.
Benxi i zi hyri me shpejtësi në aeroportin privat dhe ata u gjendën pranë një hangari helikopterësh. Ai ngriti telefonin dhe foli në greqisht me dikë. Pastaj ai buzëqeshi dhe dora u shtri më tej në shpinën e Gentës. Ajo u hutua, por ndjenja e krijuar, se do të hipte në një helikopter e frikësoi pasi ajo kurrë në jetën e saj nuk kishte udhëtuar me një të tillë. Ajo ndjente një panik prandaj e pa në sy drejtorin dhe kërkonte një mbështetje dhe siguri.
– Mos u shqetëso, e dashur, – ia ktheu ai në anglisht çdo gjë është në rregull. Janë miqtë e mi, që po më ndihmojnë. Shumë shpejt do të jemi pas njëzet minutash në ishullin e bukur.
Benzi ndaloi fare afër hangarit, ku pak më tutje tij ishte një helikopter, i cili po bëhej gati. Ai ishte i vogël sa për tre vetë në bord. Ajo ndërsa po shtronte flokët që i tundeshin nga era, telefoni i saj tingëlloi fort. Ajo nuk e dëgjoi pasi zhurma e helikopterit e pengonte. Ajo ndjeu dridhjen dhe vuri re se telefonata kishte prefiksin e Londrës. Ajo nuk arriti ta hap. Pas pak ata u sistemuan në kabinën e helikopterit të vogël privat. Ajo mbahej pas tij dhe kur u ulën në sediljet, ajo nuk ja shkëputi dorën drejtorit. Ai e shikonte në sy duke i dhënë kurajo. Ata u ngrtën lart. Ajo po shihte një ëndërr me sy hapur. Kurrë nuk e kishte imangjinuar një udhëtim të tillë. Ajo herë qeshte me naivitetin e një adoleshenteje dhe herë tendoste fytyrën kaq engjëllore, sa që një moment piloti grek nuk e kishte mendjen tek butonat dhe levat e drejtimit, por tek pasqyra ku shfaqej portreti i Gentës.
Sytë e saj po shikonin vetëm kaltërsi në qiell ndërsa toka nuk dukej më. Ajo ishte zëvendësuar nga deti i kaltërt. Zemra i rrahu fort ku papritmas helikopteri morri një kthesë të papritur dhe një zbritje si në pikiatë. Ajo u tremb vërtet seriozisht prandaj ja shtrëngoi më fort dorën drejtorit. (Ajo ndjeu se kishte hyrë tërësisht në rolin e personazhit që ëndërronte. Ndjeu se ishte mirë dhe po i pëlqente ai rol…). Ai ishte i vëmendshëm dhe me dy gishta i tha asaj se për dy minuta ata do të ishin në tokë. Dhe vërtet helikopteri, pasi bëri një rrotullim në ulje ata dalluan tokë mes detit të kaltërt. Ishte ishulli i palmave. Ata zbritën pranë një fushe tenisi ku disa të rinj të veshur me kostume të bardha po luanin. Ardhja e helikopterit i ndërpreu lojën sepse elika krijoi stuhinë tropikale artificiale. Ata zbritën dhe me një çantë në kurriz drejtori ju afrua një veture të bardhë që po priste. Ajo i shkoi pas. Pasi foli me shoferin në greqisht dhe i tregoi dokumentin, ata të dy hypën në veturën e bardhë të hapur verore, lluksoze kadillak. Ajo buzëqeshi dhe u qetësua disi. Kur u ulën në kolltukët e pasëm e ndjeu veten si një heroinë bukurie, që kishte rrëmbyer zemrën e një mashkulli, të cilin pak e njihte, por që në fakt as që donte të dinte prej tij asgjë. E kaluara dhe e tashmja nuk i hynin në sy, ajo po ndjente se kishte humbur mjaft nga mungesa e gjatë e një marrëdhënieje me një mashkull që interesohej për të. Kjo ishte më e rëndësishmja për të. Ajo donte të sfidonte kohën e humbur dhe atë që mund të vinte pas. Prandaj nuk e vriste shumë mendjen se a ishte e drejtë të hynte kaq thëllësisht në ndjenjat e mendimet e një mashkulli, që kishte treguar mjaft interes për të që në shikimin e parë tek “Rogner”?
Heshtja mes të dyve ndërkohë, që dëgjohej vetëm zhurma e lehtë e motorrit kadillak nëpër rrugët e shtruara me asfalt dhe të gjelbëruara nga dy krahët, ishte një bisedë magjike ku vështrimet e tyre përplaseshin me njeri-tjetrin, ku flokët e saj fluturues miksoheshin nën diellin ndriçues me deget e mëdha te palmave dhe përkëdhelnin fytyrën e tij. Palmat e larta ndërprisnin ndriçimin diellor dhe kalonin me shpejtësi në sytë e tyre si ushtarë të bukur që i përshëndesnin me degët e mëdha duke u përkulur. Ajo vetëm po buzëqeshte dhe nga sytë e mbuluara me syzet e errta, ai ndjente vështrimin e saj. Cepat e buzëve të saj i ngjanin skajeve të varkave shëtitëse veneciane, ku dashnorët nën urat e shumta shkëmbenin puthjet e ethshme. Por, ajo e ndërpreu këtë buzëqeshje të zgjatur pikërisht, kur rrotat e bardha të veturës ndaluan dhe shoferi ktheu kokën nga ata duke thënë në greqisht:
– Mbrritëm!
Ata përpara kishin lëndinën plot luledele, të cilat kishin çelur petalet dhe flladi i tundte fletëzat ndërsa më tutje trëndafilët pranë disa gëmushave të dekoruara me forma artistike përcillnin vështrimin pranë mureve të bardha të një shtëpie dykatëshe me tjegulla të kuqe nga ku vareshin rripa gjelbërues gjethesh dhe që krijonin ndjesinë e një shtëpie disi të veçantë, madje misterioze. Ajo sapo e pa kujtoi një nga novelat e njohura të Balzakut, “Shtëpia Misterioze”. Ata u panë sy më sy me njeri-tjetrin ndërsa shoferi priste një përgjigje:
– Pagesën ua kam dërguar në llogarinë tuaj të shërbimit në online! – foli drejtori.
– Po, – tha shoferi, – rrugës më erdhi mesazhi. Faleminderit dhe pushime të mbara. Të dy i thanë shoferit faleminderit ajo në anglisht, ndërsa ai në greqisht.
Ata mbetën vetëm të dy. Nga larg u dëgjua frenimi i lehtë i kadillakut, në një kthesë të rrugicave të mbushura me lule plot ngjyra. Më pas ra heshtje e thellë. Ndjehej vetëm era e brigjeve pranë, që sillte aromën e detit dhe cicërimat e zogjve. Ajo qeshi hoqi syzet dhe i kapi duart e tij të zënë me çantat e tyre. Çantat rane mbi bar ndërsa duart u mbërthyen. Ajo ju afrua e para dhe e pa në sytë e tij të qielltë, që po shkëlqenin nga një gëzim i brendshëm. Ai ktheu pak kokën nga shtëpia ndërsa ajo nga xhadeja nga ishte zhdukur kadillaku, por rreth e rrotull kishte vetëm cicërima zogjsh. Ai e afroi pranë dhe dy cepat e varkave veneciane i preku lehtë me buzët e tij që po dridheshin. Sytë e saj humbën shkëlqimin e diellit verbues pasi koka e tij i bëri hijen e shumëdëshiruar. Ajo u lëshua në krahët e tij dhe të dy u shembën në barin jeshil plot lule.
Tingëllima e fort e celularit i trembi të dy. Ishte celulari i saj. Ajo pa fytyrën e bukur të infermieres së burgut të Londrës në ekran. Genta e hodhi celularin mbi bar ndërkohë, që drejtori pa bjonden që mbulohej fragmentarisht nga fijet e barit. Ajo thirri papritmas: “- larg larg larg shtrigë…” por heshti një moment dhe i buzëqeshi atij, i cili nuk po kuptonte asgjë. (Ajo papritmas kishte dalë nga roli i personazhit të imagjinuar, por mblodhi mendjen dhe iu kthye atij ashtu brenda kornizës së personazhit të përfytyruar e të shtrirë në bar).
– Një shoqe që kam njohur në Londër, – e gënjeu ashtu pa u menduar gjatë.
Ndërkohë thirrja e drejtpërdrejtë telefonike vazhdonte duke përpjekur ta shkëpuste atë nga kudo qoftë. Genta filloi të përpëlitej midis ëndrrës, që po realizonte dhe realitetit që po tingëllonte aq fort. Ata ashtu të shtrirë shikonin pas fijeve të barit tek shfaqej nga ekrani i telefonit buzëqeshja e londinezes, por pas një pritjeje të stërmundimshme heshtja ra në lëndinë. Ata qeshën me të madhe aq shumë, sa që nuk e kuptuan pse qeshën aq fort. Pastaj ata humbën në krahët e njeri-tjetrit.
Pas dy orësh ata u gjendën në shtëpi brenda. Ajo nuk fliste, por vetëm qeshte, qeshte në harenë e triumfit brenda vetes së saj. Ajo vetëm kërkonte të harronte gjithçka kishte ndodhur para ardhjes në ishull. Ajo donte vetëm të ndjente frymëmarrjen e mashkullit që i kishte munguar dhe duke përjetuar këtë në rolin e fantazisë shfrenuese nuk donte asnjë bisedë, asnjë fjalë, asnjë mendim të hedhur. Kërkonte vetëm të shijonte çastet e munguara në vite. Ajo ishte zhveshur nga çdo gjë paragjykuese apo gjykimi i relacionit me drejtorin e saj. Ajo as që donte të dinte se kë kishte në krah, një drejtor, apo ish drejtor, një të panjohur, qe i kishte dalë ashtu si në ëndrrat vajzërore, një kalorës i legjendave të Nibelungëve apo Princi i kaltërt, që e kishte rrethuar me dashurinë e mashkullit fisnik, apo e një askushi? Arsyetimi i veprimeve të saj nuk kishte asnjë shpjegim. Madje për vetë atë drejtorin e saj raporti seksual i kryer aq lehtësisht atë mbrëmje nuk i jepte dot shpjegim asnjë përgjigje brenda pyetjeve intriguese apo jo. Ajo kishte hyrë në jetën e tij në një moment të vështirë të marrëdhënies me gruan e tij, që kishte kaluar në një problem shëndetësor psiqik. Ai po vuante në familjen e tij dhe lumturia ishte larguar, që kur u morr gjatë me nënën e fëmijës së tij tashmë të humbur, të vdekur, që në ditët e para të lindjes. Ai këto i kishte mbajtur të fshehta për Gentën dhe nuk donte as vet t’i përmendëte. Jeta e tij kishte marrë tatpjetën që atë ditë, kur e njoftuan se fëmija e tyre kishte vdekur dhe se e ëma po kalonte një krizë të rëndë mendore psiqike nga kjo ngjarje. Më vonë tronditja ishte shtuar duke kaluar në një fatalitet të plotë, kur mësoi se e shoqja nuk do të lindëte kurrë më. Ato ditë të errta plot shi dhe vranësina, do të mbeteshin si një kujtim i largët dhe i hidhur, pasi që nga ajo kohë, raporti me gruan ishte kthyer në një raport mbështetur në mëshirën e prejardhur nga dashuria. Por, ajo periudhë e shkurtër dashurie me të kishte kaluar njëherë e përgjithmonë dhe jeta e tij nuk po merrte një stabilitet kurrë, që të ndjente lumturinë. Marrja e detyrës si drejtor në ministri vetëm sa i bëri një hap të mëtejshëm për krenarinë e tij në vlerësimin e kryerjes së detyrave partiake. Por, lumturinë e vërtet ai nuk po e gjente.
– Pse e quajte shtrigë shoqen tënde? – e pyeti ai ndërsa ajo vazhdonte të mbante kokën e saj mbi gjoksin e tij të zhveshur.
Dritarja e dhomës e hapur tregonte një qiell të pastërt plot yje dhe hënën që po largohej. Fytyrat e tyre tashmë të qetësuara dhe të kënaqura nga relacioni i kryer ndriçoheshin nga kjo hënë ledhatare.
Ajo bëri sikur nuk dëgjoi fjalët e tij, apo nuk donte ta shkëpuste shijimin e atyre çasteve aq intime dhe duke iu kthyer përballë, ku ndjeu poshtë mjekrës së saj, gjoksin e tij që hëna ia vinte në dukje pjesët më të lakmuara. Ajo e puthi dhe mbeshteti faqen e saj në gjoksin e tij.
– Ke frikë nga shtrigat? – pyeti ai këmbëngulës.
Ndërsa ajo vetëm shikonte me bisht të syrit, tashmë gjithçka të tijën nga trupi i tij,që hëna ja ndriçonte me bujari.
– Jo, – tha ajo papritmas, – kur jam me ty Aleko, jo kurrë,- i rrëshqitën fjalët pa një mendim të lidhur apo të mbështetur diku.
Ai qeshi dhe e shtrëngoi fort. “Unë nuk pyes më për asnjë njeri,- vazhdoi ajo, – dhe as që dua t’ia di se çfarë ka ndodhur, çfarë kemi hequr ti apo unë. Bota e djeshme për mua është vetëm e zezë e harrueshme, e papërcaktueshme. Ajo, nuk është më bota ime, ajo ka marrë fund njëherë e mirë. Për mua ka më shumë rëndësi e sotmja, çfarë po bëj, çfarë po ndjej, çfarë po ëndërroj, çfarë kam për të përmbushur. E kaluara ime ka vdekur, ka vdekur, ah! Më kupton? Unë jam nga një familje e shkëlqyer e nderuar nga shoqëria. Unë nuk mund të përhumbja në duart e kriminelëve. Unë sot kam vetëm një…” – ajo heshti. Ajo nuk foli, por pa se hëna ishte larguar nga kuadrati i dritares dhe yjet qetësonin përfytyrimin e saj. Ajo ndjeu flladin e erës që vinte nga deti… Ndërsa ai nuk foli, jo vetëm dëgjonte, por nuk i besonte fjalëve. Ai u tremb se mos ajo kishte mësuar nga historia e jetës së tij. Ndoshta kolegët në ministri ia kishin treguar, që ajo fliste në atë mënyrë. Ai nuk po e kuptonte, se ajo nuk ishte vetë ajo, e cila njihej edhe nga të tjerët, por edhe ajo vetë nuk po kuptonte se ku po e çonte fantazia e saj, krijesën e personazhit të saj. Ajo vetëm shfrente. Ajo vetëm donte të shikonte përpara sipas ëndrrave, që kishte thurrur me të dashurin në Londër. As nuk ishte edhe ky i dashuri i saj i dytë, por tashmë ndryshe nga i pari, i martuar? Dhe ajo ja nisi përsëri duke përkëdhelur gjithçka të tijën.
– Më dëgjon? – i tha ajo tek veshi lehtë, sikur kishte frikë të dëgjonte kush, – unë nuk dua t’ia dij për askënd. Bota për mua po lëviz pranë krahëve dhe qenies tënde. Nuk dua t’ja dij se çfarë mendon, çfarë do të bësh, çfarë të mundon, çfarë do të krijosh, kudo që të jesh. Nuk dua t’ja dij më për asgjë, asgjë, asgjë. Më kupton?.. Unë nuk jam dorëzuar nga vetmia dhe vuajtja, nuk kam mëshirë më për veten time. Do të desha vetëm të jem e lirë, e duhur në vendin e duhur, e denjë, për çfarë kam aftësi dhe e dashur për një dashuri, që më ka munguar, që nuk e kam patur kurrë, që nuk e di çfarë është dashuria e vërtetë. Unë dua ta rijetoj jetën time. Unë nuk e di dhe as nuk e kuptoj pse dhe si u ndodha këtu. Unë nuk jam unë. Unë jam ajo që u krijua nga fantazia ime. Unë po bëj atë që mund të bëjnë të gjitha gratë që kanë pasione, që kanë dëshira, që duan ta jetojnë jetën. A e kanë një liri pa pranga artificiale apo të kamufluara? Nuk e di…”.
Dhe befas, ajo qau lehtë si fëshërima e ujrave të detit pranë. Ajo ra në gjumin e lodhjes së mendimit për veten. Ajo u shkëput nga personazhi i krijuar nëpërmjet gjumit me trupin e saj të zhveshur pranë një mashkulli, që nuk e kishte njohur kurrë, por që po e kërkonte. Ai ndjeu frymarrjen e saj që ishte shumë pranë frymarrjes së tij, që ishte e shpeshtuar dhe e çorientuar.
Nata ra e qetë duke lënë pas vetëm oshetimën e dallgëve të detit Mesdhe. Ishulli i palmave kishte strehuar atë natë dy turistë të panjohur, që vete ata nuk njihnin njeri-tjetrin si duhej.
* * *
Cicërima e zogjve dhe ndriçimi i beftë pranë dritares e përmendi dhe duke hapur gojën ajo shtriu krahun mbi shtrat për të prekur atë me dorë, por ai nuk ndodhej aty. Ajo hapi sytë me rrëmbim për të parë. Dëgjoheshin vetëm cicërimat e zogjëve në dritaren e ndriçuar nga rrezet e para të diellit. Ajo u shtriq dhe mbështeti kokën mbi jastek duke rimbullur sytë. Pas pak ndjeu gishtrinjtë e tij mbi shpinë. Ajo buzëqeshi duke kthyer trupin e brisht dhe ëmbëlsisht i tërhoqi krahun duke e zhytur mbi vete. Ajo ndjeu nën peshën e tij se personazhi i krijuar prej saj, tashmë ishte rizgjuar dhe duhej t’a ushqente mashkullin e ëndërruar vetëm me dashuri. Dashuri ekzotike në përmasa që as ajo vetë nuk e kishte menduar se si do të vinte dhe do të zhvillohej. Ajo nuk donte t’ia dinte për asnjë gjë në ato çaste, por e etur për të zbuluar gjithçka nga qenia e këtij mashkulli, ajo po kthehej në një përbindësh ndjenjash dashurie, që kërkonte të përpinte gjithçka nga ky mashkull. Pse vallë kaq e pakursyer? Mos donte ende të justifikonte veten se nuk ishte ajo, por personazhi i krijuar prej saj, për t’ja shitur këtij mashkulli si një objekt që duhet ta tërhiqte ose të tërhiqnin të dy njeri-tjetrin? Por, në fakt ajo nuk po kuptonte se krijimi i personazhit të fantazuar nuk ishte gjë tjetër, veçse ajo vet. Ajo sikur nuk donte t’a pranonte këtë situatë të re, që po ndërgjegjësohej nga momenti në moment. Ajo ishte tashmë e verbuar plotesisht si Genta dhe jo si krijesa imagjinate e fantazisë së saj. Dhe ashtu e lëshuar tërësisht nën trupin e tij të fuqishëm atë e zunë të dridhurat dhe papritmas, kur po kuptonte se ishte vetë ajo dhe jo personazhi imagjinar.
– Po, po unë jam, – belbëzoi ajo pa kuptim midis buzëve të tyre të ngjitura fort. Ai ndali së puthuri dhe u kthye brinjazi gati i habitur nga kjo shprehje e saj.
– Nuk ka tjetër njeri këtu përveç teje, – tha ai duke qeshur. – Mos je duke fjetur dhe bën dashuri me mua nëpërmjet ëndrrave? Qeshi përsëri ai.
– E di që më doje që kur më qerase me atë shoqen te “Rogneri”. Po më habit diçka se si nuk u takuam më që nga ajo kohë. Sa gjëra kam humbur me ty, kur zoti ma solli në dorë që nga ajo ditë. Apo ke patur tjetër të dashur?
Ai nuk foli dhe as qeshi më. Ajo atëhere hapi sytë kur ndjeu vetëm cicerimat e zogjve të hynin deri në shtratin e tyre. Heshtja dhe vështrimi i tyre sy më sy flisnin tashmë qartë. A do të ritakoheshin përsëri në këto rrethana? Kjo ishte pyetja e atij çasti.
– Ti ke një vajzë, – tha ai papritmas.
– Po.
– Unë jo edhe pse i martuar nuk kam fëmijë prej vitesh.
– Unë kam një fëmijë, që nuk ka një baba dhe vetë e pamartuar, – tha ajo duke e parë e qeshur në sy.
– E di.
– Vajza kërkon të atin dhe pret nga dita në ditë të trokasi në derën e ballkonit të saj. Është një fantazi fëmije nga përrallat, që i kam treguar.
– Gruaja ime nuk mund të lind më dhe ajo ka probleme psiqike. Është e tronditur.
Ajo u shtang dhe instiktivisht ngriu çdo lëvizje me të. Ai uli sytë si një fajtor.
– Çfarë mendoni të bëni? – tha ajo dhe i përkedheli lehtë me gishtat e hollë flokët e tij të zezë.
– Që kur ju kam parë atë ditë në ‘Rogner’ mjaft mendime më kanë ardhur në çast. Sepse kisha mësuar për ty dhe fatin tënd në Angli.
Ra heshtje. Zogjtë ishin larguar. Nga larg dëgjoheshin zëra fëmijësh që shkonin në plazh. Ata vendosën të hanin mëngjesin në një restorant jo shumë larg nga vila. Kur vajtën në plazh palmat buzë detit bënin hije mbi poltronat prej kashte. Ajo me një këmishe të bardhë veshur mbi rrobat e holla blu të plazhit dhe kapele të madhe të bardhë e syze dielli u shtri në një nga poltronat. Ndërsa ai me pantallona të shkurtra ngjyrë bezhë dhe kapelen sportive blu qëndroi pranë saj i ulur në poltronin ngjitur. Ai shikonte këmbët e bukura të bardha të saj dhe pas syzeve që nuk të lejonin të shikoje se ku e kishte mendjen . Dielli ishte ngritur lart dhe temperatura po kështu. Nga larg dukeshin skafet e bardhë për shëtitjet në det. A mund të kishin kohë për një shëtitje me skafe?
– Ke dëshirë të bëjmë një shëtitje me skaf?
Ajo sytë i kishte vërtet tek skafet sepse ato ishin objektet e bardha, që binin në sy mbi kaltërsinë e detit.
– Po me shumë qejf, – u përgjigj ajo dhe ngriti trupin e saj elegant. Ajo zgjati dorën drejt tij dhe i hoqi syzet për të parë sytë e tij. Ai qeshi i pari dhe më pas ajo.
…Ajo u habit kur pa se drejtori i saj, Aleko dinte të drejtonte skaf të madh. Ai kërkoi që skafin ta drejtonte vet. Ata morën skaf me qera.
– Nuk po e beson që mund të drejtoj vet skafin? – i tha ai.
Ajo vetëm buzëqeshi dhe shtriu flokët pas për të parë lëvizjet e tij mbi timonin e skafit. Ishte ndezur motorri dhe gjithçka ishte gati për nisje. Sytë e saj ishin përqëndruar nga krahët dhe duart mbi timon, tek fytyra e tij simpatike që në ato çaste buzëqeshte me habinë e saj. Ai i bënte lëvizjet e shpejta rritmike dhe të përpikta. Ndërkohë që dolën në det të hapur, hapësira përreth vetëm kaltërsi dhe dallgë të vogla të krijuara nga lëvizja e skafit.
Genta nuk po i besonte syve. Hutimi ishte aq i fortë dhe skenat befasuese, ku shpejtësia e skafit ndryshonte pamjet në mënyre aq ritmike sa ajo nuk dëgjoi thirrjen telefonike. Ajo ndjeu dridhjen e telefonit. U shfaq në ekran përsëri fytyra e infermieres nga Anglia. Ajo u bë menjëhere serioze pasi pa fytyrën e londinezes. Ai e ndjeu ndryshimin e fytyrës dhe në moment uli shpejtësinë e skafit duke lejuar lëvizjen inercike deri sa skafi ndaloi.
– Çfarë po ndodh? – tha ai.
Ajo nuk foli, nuk donte ta shqetësonte me fytyrën e bjondes me kapele infermierie. Prandaj ajo buzëqeshi dhe hapi krahët, duke pritur ardhjen e tij të shqetësuar duke e përqafuar rreth qafës së tij me krahët lakuriqe. Ajo e puthi menjëherë në buzë duke mos e lejuar të vazhdonte të pyeste. Skafi i bardhë tashmë i qetë ndodhej mes detit të kaltërt dhe rrezet e diellit shkëlqenin fort duke ngrohur dy trupat tashmë të ngjitur fort me njeri- tjetrin. Një erë e lehtë ledhatonte këtë çmënduri pasionante duke shkrirë lëvizjet e tyre me pshehrëtimat e shpirtrave. Ajo e harroi vërtet thirrjen telefonike dhe i tha atij pasi ndërpreu puthjen e zgjatur:
– Më keni befasuar se sa mirë dhe shpejt e drejton gjithë këtë skaf.
Ata ishin larguar mjaft nga bregu i ishullit sa që toka e saj pothuaj nuk dukej fare. Ajo ndjeu pak frikë kur mendoi se sa larg ishin nga ishulli. Disa pulëbardha filluan të vijnë rrotull. Ato shikonin dy trupat, të cilët të mbështetur pas kabinës ngjallnin vërtet kureshtje. Një tuf delfinësh kërceu mbi ujë dhe ajo i pa ata duke ndjerë një gëzim të veçantë. Ajo u shkëput nga ai dhe u zgjat tek parmaku i skafit të shikonte me tutje delfinët. Ata u ulën në kiçin e skafit të madh dhe shikonin hapësirën e kaltërt të detit në pikat ku bashkohej me qiellin.
– Si të duket këtu? – pyeti ai
– Mrekulli fare, – qeshi përsëri ajo e çorientuar fare me një hare të paparë. Ajo kurrë nuk e kishte menduar se ardhja në Athinë me detyrë zyrtare do të kthehej në një aventurë të paimagjinueshme.
– Unë e njoh mirë këtë ishull, – tha ai. Ka vende mjaft interesante, të cilat ndoshta i shohim herë tjetër.
Ai filloi të fliste papushim, ndërsa ajo po dëgjonte dhe nuk kuptonte nëse ishte në një ëndërr apo realiteti i saj kishte marrë këto ngjyra, këto hapësira, këta tinguj dhe buzëqeshje njerzore kaq tërheqëse? Është si një ëndërr me sy hapur i tha vetes. Dielli po anonte nga perëndimi. Ata i mbaruan ato pak biskota dhe pije freskuese që kishin marrë me vete në jaht.
Darka i zuri në vilën e rrethuar me gjelbërim.
– Kjo shtëpi do të bëhet e jotja, – tha ai. Ne do të vijmë vazhdimisht e do të takohemi këtu. Kur të krijohen kushtet do të shpallim dhe lidhjen tonë. Vajza do të bëhet me baba dhe unë me femijë. Zoti na ndihmoftë.
Ajo e shikonte në brimë të syrit duke parashikuar se kur mund të ndodhte kjo gjë. Ata ishin pranë vatrës së zjarrit imagjinar në kolltukët prej kastori të shtrenjtë dhe gjithë mobiljet e dekori i kësaj vile ishte me veshje klasike të një shtëpie konti të pasur.
Genta e verbuar nga çfarë po i ndodhte me këtë mashkull apo drejtorin e saj nuk e vrau mendjen se si ishte blerë kjo shtëpi, si mbahej, a ishte me dokumenta të rregullta shitjeblerje? Ajo nuk e mendonte se si kishte mundur drejtori i saj të blinte gjithë këtë vilë. Ajo ishte e përqëndruar vetëm tek njohja e botës së tij. Të shikonte sa më mirë shpirtin dhe ndjenjat e tij për këtë raport të ri të krijuar.
– Ti je me fat, – i tha një moment ai. – Unë tani vonë e kam blerë këtë shtëpi. Dhe ti je e para grua që shkel këtu. As bashkëshortja ime nuk e di këtë gjë. – dhe ndezi një cigare. Edhe asaj i shkrepi në moment ta shoqëronte me tymin e saj.
Tymi ndante tashmë fytyrat e tyre. Por, më shumë tym ndjente në shpirt Genta. Ajo tashmë kërkonte sigurinë. Vallë si do të shkonin ngjarjet mes të dyve? A po hynte në një mëkat të pafalshëm në jetën e një familjeje? Po, ai vet nuk ishte ai, që e kishte provokuar dhe përse për një aventurë apo lidhja e tyre tashmë ishte një dëshirë e hyjnisë që i njohu dhe i bashkoi? Këto po mendonte ndërkohë që ai i solli një uiski dhe ju ul pranë kolltukut.
– Nuk ke faj, – i tha, i qetë dhe i vendosur në shqiptimin e fjalëve. – ndryshimet në jetë janë të vështira dhe kërkojnë sakrifica.
Ajo tërhoqi gotën me uiski dhe ktheu gati e ethshme për një ndryshim.
– Jeni i bindur se çfarë po bëni ? – i tha ajo duke e parë ngultazi. Ai i kapi dorën dhe ja hoqi wiskin. Ja shtrëngoi fort dhe ja vuri në ballin e tij.
– E kam menduar shumë gjatë prandaj edhe bleva këtë shtëpi. Ne do ta gëzojmë atë së bashku.
Ajo ktheu kokën sa majtas dhe djathtas duke vënë re me vëmendje muret dhe dollapet, orenditë plot shkëlqim. Stili klasik ishte sa tërheqës dhe i çuditshëm madje edhe i frikshëm duke i ngjallur një mister. Ajo dukej që ishte një shtëpi e vjetër e shekullit të kaluar, por e restauruar dhe rinovuar duke ruajtur origjinalitetin e saj të krijimit. Ajo u ngrit befas në këmbë dhe me gotën e wiskit në dorë filloi të ecë nëpër dhomë duke vështruar me vëmendje gjithçka. Biblikoteka e madhe me libra të vjetër e tërhoqi mjaft dhe ajo filloi të shihte librat e shumtë.
– Ua sa bukur, – tha ajo me një zë gazmor sikur zbuloi diamante të çmuara. Çfarë librash paska këtu? Po si ka ndodhur që e ke këtë bibliotekë?
– Dhuratë e miqve që më siguruan këtë shtëpi. I zoti i kësaj vile është një dijetar gjeograf historian, i cili dhuroi këtë pasuri me premtimin se do të interesohem për ta dorëzuar në bibliotekën e Athinës, në kohën kur ai do të vdes. Ai kërkoi ta dërgonin në një shtëpi pleqsh nga ku unë vajta disa herë derisa përfundova dokumentat e shitblerjes. Ai u ngrit dhe me një qëndrim krenar, tregoi portretin e plakut që ndodhej në raftin e librave. – Ky është ishpronari i kësaj vile.
Ai e mbërtheu fort duke i vënë dorën në qafë dhe e puthi në buzë mbështetur me shpinë në raftin e librave që ajo të mos fliste më. Ai e tërhoqi pas vetes, por trikoja e saj kishte kapur një tel të hollë të padukshëm gati që ishte pranë portretit të plakut. Portreti ra nga rafti duke u thyer xhami.
– Oh, – bërtiti ajo, – çfarë bëra.
Ai u tremb dhe pasi pa portretin e plakut në dysheme duke qeshur i tha asaj:
– Tani nuk më intereson plaku, në djall të shkoj, më intereson ti dhe vetëm ti. Ai e rrëmbeu me forcë dhe e dërgoi tek dhoma e gjumit duke e mbajtur me krahët e tij trupin e saj të hollë, elegant që qeshte me aq forcë nga fërkimet e tij gati shtazarake. Ai u tregua pasionant dhe shpërtheu gjithë energjinë e tij për të treguar forcën e një mashkulli, që di të gëzoje dhe të respektoj bukurinë e një femre magjike.
Nën gulçimat e seksit, ata ranë në qetësinë e natës gati të këputur, për të mos qenë në gjendje pas gati një ore e ca, kur ishulli tashmë dëgjonte me tepër oshëtimën e detit sesa ofshamat e një çifti të dashuruar. Dhe pikërisht kur ishte gati mesi i natës nga dhoma e ndejtjes me oxhak dhe kolltuk u ndje zilja e telefonit të saj. Ajo nuk kishte fjetur akoma, ndërsa ai i djersitur kishte rënë në kllapi gjumi të rëndë. Ajo shmangu trupin e tij, këmbën e gjatë e të bukur, që e kishte mbi vete dhe rrëshqiti si ngjalë nga krevati, ashtu lakuriq, për të marr telefonin që kërciste papushim në formën e një uturime mbytëse. Ajo me mundim tërhoqi telefonin dhe pa fytyrën e mamas.
– Ah, – tha ajo e këputur duke shtypur butonin e kuq. Ra qetësi. Ajo u pendua që i mbylli telefonin dhe meraku i dha energji për të rregulluar disi veten, dhe tërhoqi trikon e hollë të rënë në dysheme, kur ai e kishte mbërthyer me krahët e tij të fuqishëm. Por, trikoja kishte të kapur fort ende telin, i cili zgjatej më tej, kur ajo dalloi se ai shkonte goxha më tutje deri pas raftit të librave të bibliotekës. Ishte errësirë dhe ndriçimi artificial i oxhakut nuk e lejonte të dallohej se çfarë fshihej pas raftit ku ishte portreti i plakut. Ajo ndezi ndriçuesin e celularit dhe dalloi një të çarë pas. Teli ishte i lidhur me këtë pjesë të raftit, i cili ishte një kapak. Ajo e tërhoqi me tej telin dhe vuri re se një lëvizje e beftë ndodhi. Gjithë ajo pjesë e raftit lëvizi. Ajo u tremb dhe u zbraps. Trikoja i rrëshqiti dhe trupi i saj elegant reflektonte hije lakmuese mbi librat e shumtë. Befas edhe celulari po bënte thirrje. Ajo e hapi ashtu si e hutuar dhe pa fytyrën e mamasë.
– Genta je mirë, të keqen mamaja? Ku ndodhesh pse nuk po më flet. Të ka ndodhur gjë?
– Jo mama, por po shkoja për në banjo, prandaj nuk t’u përgjigja menjëherë.
– Më fal bijë, – ti e di se ne jemi në merak për ty. Kur do të kthehesh në Shqipëri.
Ajo nuk foli nuk dinte çfarë përgjigje ti jepte. Por, u mblodh me trikon, që kishte nëpër këmbë dhe u shtri gjysëm e zhveshur në kolltukun pranë oxhakut. Ndërkohë celulari i rrëshqiti dhe e ëma e pa atë gati lakuriq dhe e merakosur i tha: – bijë nuk po tregon të vërtetën. Çfarë po ndodh me ty?
-Asgjë mama, sapo kisha bërë dush dhe tani me duhej të vishesha. Do të marr nesër në mëngjes. Fli tani se është vonë dhe ma puth vajzën. Natën mama.
Nga ndriçimi i vakët i vatrës së oxhakut ajo dalloi pjesën e bibliotekës që kishte lëvizur dhe portretin e rrëzuar të plakut. Ajo u mblodh skrupull vetëm me trikon e hollë duke u rrënqethur e tëra, jo vetëm nga lakuriqësia, por edhe nga kjo e papritur. Me hapa të ngadaltë që dridheshin ajo ju afrua bibliotekës, raftit të lëvizur. Ajo mbështeti dorën lehtë mbi suprinën e saj duke e tërhequr pak nga vehtja dhe rafti u hap fare lehtë duke krijuar një hapësirë për tu futur. Ajo pa me ndriçimin e celularit një derë pas së cilës nënkuptohej se pas saj ishte një dhomë e fshehtë. Ju morr fryma dhe zemra po i rrihte shpejt. Kurioziteti e shtynte të mësonte çfarë ndodhej pas asaj porte. E preku pak tek një buton, i kuq dhe ajo u hap vertikalisht lehtë pa zhurmë. Ashtu zbathur për të mos bërë zhurmë ajo ndjeu një qilim të trash dhe me push që rehatoi këmbët e dobta të saj. Nuk dallonte asgjë përveç një dhomë që dukej e mobiluar me rafte dhe libra të tjerë si vazhdim i bibliotekës. Me ndriçimin e celularit ajo u mahnit nga ai rregull dhe pasuri librash e portretesh të vendosura vënde vënde. Duke ecur nëpër dhomën e fshehtë ajo dalloi në një kënd disa portrete fytyrash, të cilat ishin vajza. Në fillim mendoi se ishin piktura, por kur u afrua ai dalloi se ishin portrete vajzash dhe grash të reja, të cilat ishin disa me roba banjo në bregdet, por të gjitha kishin në krah një djal të ri. Pak më tutje portreti i djalit ishte më burrëror dhe ajo dalloi fytyrën e drejtorit të saj, Alekos.
– Ah… – thërriti për pak. Ajo filloi ti shikonte edhe njëhere me vëmendje këto foto dhe djali i ri ishte një Alain Delon i vërtetë. Ajo kapi njerën prej tyre të parën. Dalloi tiparet e drejtorit, por mjaft i ri në bregdetin pranë palmës, në qoshe të fotos dalloi vilën ku ajo kishte dy netë që po kalonte.
– Auuu… – i doli nga shpirti kjo thirrje. Trupi filloi ti dridhej, zemra ti gufonte. Duart nuk ja mbanin dot këtë foto. Ajo e ktheu nga pas fotografinë e vendosur në kornizë dhe lexoi një mbishkrim: “Dashuria ime e parë në mërgim 1992- Kristina”.
Pastaj ajo kapi të dytën, të tretën, të katërtën, të pestën dhe të gjitha ishin foto që kishin në sfond palmat dhe vilën e plakut. Fotografia e fundit ishte një bjonde me emrin Dhimitra. “Dashuria ime e fundit në ishullin e palmave si mërgimtar – 2016” Ajo rrëmbeu celularin dhe me një gjakftohtësi të patreguar ndonjëherë filloi ti fotografonte me celularin e saj, ato bashkë me shënimet përkatëse nga pas. Ndjeu një të ftohtë, por mendja e turbulluar tashmë po bëhej më e kthjellët dhe më e vendosur. Ajo ndjeu në vetevete se si ishte shkëputur nga personazhi i krijuar dhe bota e saj e vërtetë Genta, që kishte abandonuar Londrën në emër të lirisë dhe ndershmërise, po dilte në sipërfaqe papritur dhe pakuptuar. Ajo ndjeu se kishte hyrë në një lojë të rrezikshme dhe fjalët e mamasë ju rikujtuan më me forcë se kurrë. Ajo nxitoi të dilte nga ajo dhomë misterioze, e frikshme sa më shpejtë pa patur ndonjë pasojë, por kur u kthye ajo pa se dera ishte e mbyllur. Mbeti e tmerruar. Çfarë kishte ndodhur? Ishte një grackë për të mbetur aty dhe ndoshta nuk mund të dilte e gjallë asnjëherë? Ajo e preku me gishtat që i dridheshin, por asgjë nuk ndryshoi. Ajo u përpoq të gjente ndonjë diçka që të mund ta hapte. Kontrolloi shumë sirtarë dhe libra që i hidhte me shpejtësinë e një të marrosure. Por, nuk gjeti asgjë. Në një raft të vogël pranë fotografive të rreshtuara me kujdes ajo pa një bllok të vogël të kuq që i bëri mjaft përshtypje. E morri e shfletoi dhe lexoi. “Kjo është historia ime e parë e dashurisë…”. Ishte e shkruajtur në anglisht. “…Kush do të lexoj këtë histori në këtë libërth do të gjej edhe çelsin e kuptimit të jetës.” Në fund të librit shkruhej.
“…Që të hapen portat e jetës duhet shkruajtur kudo në sipërfaqen e saj: DASHURO”.
Ajo u mendua dhe instiktivisht shkruajti me gishtat që i dridheshin mbi sipërfaqen metalike të derës fjalën në anglisht LOVE. Dera u hap si me magji dhe ajo as që mund ta besonte çfarë kishte ndodhur. Kaloi me nxitim pragun dhe dera u mbyll ngadalë pa zhurmë. Ajo nuk guxonte të shkonte tek krevati, ku ndodhej ai, drejtori i saj. Pasi rregulloi raftin ajo disi u qetësua,por shprehja tek libri i vogël “dashuro”, e nxiti për atë çfarë asaj i kishte munguar, e munguar prej vitesh. Fshehu librin e vogël në çantën e saj të udhëtimit dhe ashtu akoma e xhveshur me shpirtin që i dridhej nga të ftohtët mendoi të vazhdoj aventurën e nisur me këtë mashkull, prandaj e ndrojtur me dhimbjen e goditjes çfarë mësoi gjatë atyre orëve të natës, vendosi të shtrihej pranë trupit të tij, që ishte zbuluar, por sytë nuk i mbylleshin për gjumë. Pyetje pa fund me përgjigje që mbeteshin pezull mbi hapësirë e shqetësuan dhe gjumi erdhi ndaj të gdhirë.
* * *
Cicërimat e zogjve ishin ato që e zgjuan pas orës tetë. Ajo hapi sytë me mundim pas asaj torture. Ajo shtriu dorën dhe vuri re që krevati ishte bosh. Dhoma ishte e qetë dhe vetëm cicërimat e zogjëve sillnin gjallërinë e jetës. Dielli sapongritur filloi të ndriçoj dhomën duke larguar errësirën dhe gjithçka që kishte ndodhur gjatë asaj nate. U dëgjua tingëllima e portës së vilës. U hap porta dhe dikush foli në greqisht dhe më pas u largua. Ajo ndjeu portën të mbyllej. Një panik e tmerr ndjehej në sytë e saj. Ajo mbështolli trupin e saj te hollë me kuvertën duke mbuluar gjinjtë për të mos e parë ai nëse do të hynte në dhomë. Ai hyri pas pak me duart të mbajtura pas. Ajo ktheu kokën nga ai dhe i buzëqeshi e sforcuar. Nën fishkëllimën e një melodie greke ai hapi krahët dhe i afroi asaj një tufë me lule që ja vuri tek komodina e krevatit.
– Është mëngjesi i fundit dhe mendova ta zbukuroj me këto trëndafilë, – tha ai duke qeshur plot kënaqësi.
Ai u afrua ta puth, por ajo i ktheu kokën dhe përkulja e tij ngriu si një ndalesë video-filmi në ekran.
Ajo po qante. Sytë me lot dhe dëshpërimi shfaqeshin hapur. Ajo kishte dalë nga roli i personazhit që kishte krijuar në fantazine e saj.
– Edhe unë dëshpërohem kur vjen ky moment i largimit nga kjo shtëpi, por mundohem ta kaloj sa më me sportivitet. Jeta jonë është shumë e koklavitur dhe nuk do shumë të mendohesh.
– E çfarë duhet të bëj? – shpërtheu ajo mes lotësh.
– Të dashurosh. Është ilaç. Shiko këto trendafilë çfarë arome kanë. Ato përcjellin vetëm dashuri. Prandaj ti solla ty. Bëra porosi online.
– Vërtetë?!… – e ktheu ajo me një zë të butë duke hyrë në rolin e harruar. Oh, sa të bukur që qenkan? Faleminderit i dashur!
– E di çfarë mendova? – tha ai papritur.
– Çfarë? – ngriti kokën ajo me vështrimin nga trëndafilët tek sytë e tij të kaltërt. Ata sy e shikonin me vërejtje duke pritur befasinë e përgjigjes.
– Dalim buzë detit tani? – tha ai me nxitim.
– Po, vërtetë është bukur. Ky do të jetë mëngjesi i parë dhe i fundit, mendoi ajo me vete. Ndjehej më rehat jashtë kësaj shtëpie.
– Dalim, – tha ajo dhe u ngrit, por harroi se ishte pa veshur si duhej dhe prania e tij… e vështirësonte përgatitjen. Ai e kapi menjëhere mendimin e saj dhe me xhentilesë i afroi asaj rrobat që kishte të hedhura pranë krevatit nga mbrëmja e kaluar.
* * *
Dallgët e detit ishin të qeta dhe ato ofronin vetëm meditim ndërkohë që këmbët e tyre të zbathura preknin guackat dhe leshterikë. Ajo kishte veshur kemishën e bardhë dhe pantallonat e shkurter xhinse duke krijuar nje pështjellim marramendës. Flokët e zezë të gjatë i kishte kapur me një karfice duke krijuar një bisht që i lëviste majtas djathtas nga ecja dhe era që i frynte lehtë duke ia turbulluar mendjen e tij tashmë, që dukej disi i shpërqëndruar. Ndërkohe ajo ndali dhe i tha:
– Ju më treguat se e njihnit mirë këtë ishull, kur ishim në skaf dje.
– Po, – tha ai, por me mendje të shpërqëndruar.
– Sa kohë keni që vini këndej?- vazhdoi ajo duke i buzëqeshur. Ai befas u ul në gjunjë dhe kapi një yll deti. E ngriti dhe i tha: – Kur yjet ecin bashkë. Ai e ngriti yllin që mbante në dorë dhe ja tregoi pranë fytyrës me dy gishtat duke e rrotulluar. Të dy ishin të ulur në gjunjë dhe vështronin yllin rrezatues të detit.
– Shiko çfarë magjie, o yll ke përpara. Dhe qeshi. Ajo qeshi pas tij.
– Shiko si rrezaton nga dielli bashkë me ty. Ajo qeshi përsëri, por iu kundërpërgjigj:- sa kohë?
– Gjithë kohës. Shkëlqim që nuk zbehet.
– Haha haha – qeshi me të madhe ajo.
– Mund të të bëj nje foto me yllin e detit?
Haha haha,qeshi edhe më shumë ajo, dhe shtoi: – Që ti ta mbash në koleksionin tënd?
– Do të jetë një kujtim i bukur i këtyre ditëve tona të paharrueshme.
– Ditëve pambarim në këtë ishull?- vazhdoi ajo tashmë e qetë. Unë të pyeta sa kohë ke që e njeh këtë ishull?
Ai nxorri celularin dhe me njerën dorë mbante yllin e detit, të cilin ja afroi pranë fytyrës së saj. Ajo nuk kundërshtoi madje ishte kurioze për të parë këtë kompozim me sfond nga palmat dhe dallgët që përplaseshin. Ai e shkrepi celularin disa herë. Ajo vetëm qeshte.
– Je i madh, – i tha ajo, kur ai ia tregoi fotot nga celulari i tij.
– Po jeta në këtë ishull më ka mësuar shumë. Unë jam rritur në këtë ishull. Kam ardhur 20 vjeç këtu. Dhe kam bërë mjaft punë deri sa u njoha me plakun e viles. Atij i shërbeva për një kohë të gjatë pasi familja e tij ishte shkatrruar dhe i mbetur vetëm kërkoi të më mbante mua.
Ra heshtje. Ai ndaloi një çast dhe ashtu serioz i tha: – Ai donte të më birësonte dhe të më martonte me një vajzë që quhej Kristina. Ajo ishte një franceze që vinte me prindërit e saj çdo vit dhe kalonin pushimet tek vila e plakut. Ajo u njoh me mua dhe u dashurua. Më quante Alain Delon i saj.
– Po ju më treguat dje se këtë vilë e ke blerë me dokumenta të rregullta dhe se je e para që shkel si vajza që dashuron, – tha ajo me nxitim dhe e zemëruar.
Ai nuk u ndje fare. Ai shikonte nga deti dhe vetëm heshtëte. Skafet e bardhë qëndronin të ankoruara buzë detit pranë molit të vogël.
– Ti po me gënjen shumë, – vazhdoi ajo e më e revoltuar. – Megjithatë nuk dua t’ia dij se çfarë ke bërë.
Ai përsëri nuk foli, por qëndroi i heshtur dhe tashmë i ulur në rërë vetëm shikonte nga deti. Ai po bëhej më blu dhe dielli rrezatonte më fort. Shkëlqimi verbues sillte një panoramë magjepsëse. Ai uli sytë dhe duke parë në dorën e vet yllin e detit tha:
– Nuk e di kush po gënjen dhe po fsheh më shumë.
Ylli i detit i rrëshqiti nga dora dhe ra mbi rërë pranë këmbëve të tyre. Dallga e detit erdhi dhe e tërhoqi në gjirin e vet. Ata të dy vështruan se si ai u përpi e humbi në ujin e kaltërt.
– Unë e di që do të humbas – tha ai. Dhe gjithçka do të vazhdoj si më parë. Por, kurrë nuk do të harroj. Plaku donte të më shihte të gëzuar një ditë dhe pastaj të mbyllte sytë. Kështu më ka thënë.
Ajo po e dëgjonte me kurreshtje dhe nuk mund të harronte mbrëmjen e djeshme dhe natën e ankthit.
Kur mbrritën në vilë ata filluan të bënin gati plaçkat për kthim. Duke kontrolluar se mos kishin harruar ndonjë gjë vunë re se fotografia e plakut ishte ende mbi karpet pranë bibliotekës. Ajo vajti dhe e ngriti duke e vendosur me xhamin e krisur në vendin pranë librave.
Kur ajo papritmas tha:
– Kemi kohë të takojmë plakun sot?
– Po, është e mundur, – dhe befas atij i shkëlqeu fytyra për këtë ide.
Shtëpia e pleqve nuk ishte larg.
* * *
Buzëqeshja e plakut
Ata mbritën shpejt tek Plaku me të njejtën makinë, kadillakun e bardhë dhe të njëjtin shofer. Shtëpia e pleqve ishte pranë një pylli në pjesën e pasme ndërsa në pjesën e përpara shtrihej një lëndinë e madhe, e cila përfundonte në pjesën shkëmbore pas të cilës zbrisje në brigjet e detit. Ajo ishte një nga shtëpitë e pleqve më të njohur dhe të pasur të Greqisë. Plaku pasi mësoi se kush kishte ardhur kërkoi, që ta nxirrnin në verandën e pjesës perëndimore nga dukeshin shkëmbinjtë në mbarim të lëndinës me trëndafilët shumëngjyrësh. Aty grumbuj qiparisash bënin hije e freski. Nga andej dukej deti madhështor me pamje lartësie si në Llogaranë e Shqipërisë.
Plaku i ulur në karrige me rrota shoqërohej nga një grua që shërbente në atë azil pleqsh. Ajo e vendosi në kënd të verandes pranë një tavoline të ulët të mbushur me lule dhe fruta. Ndërsa ajo së bashku me drejtorin po rrinin të ulur në karriget rreth tavolinës. Plaku buzëqeshi dhe hoqi syzet e errta. Ai ngriti krahët lart dhe tha gati i çfazuar.
– E prisja që do të vije, – pastaj ai hodhi sytë nga Genta. Ai buzëqeshi dhe me një tundje të lehtë të kokës e përshëndeti atë.
– Genta është kolegia ime e punës, është e bija e profesorit të historisë në Universitetin e Tiranës, me të cilin keni patur kontakte nëse të kujtohet.
Helios u kollit pak, hoqi kapelen e tij verore nga koka dhe duke ripëshendetur me tundjen e kokës filloi të mendohej. Pas pak ai përmendi një seminar ballkanik i realizuar shumë vite më parë në Athinë dhe me një siguri tha:
– Mbaj mend se ligjëruesit nga Shqipëria ishin të veçantë. Ata risollën në diskutimet e tyre mjaft ide dhe fakte interesante të bashkëjetesës iliro-greke në kohët paraformimit të kombeve. E kujtoj mjaft mirë. Dhe shtypi i kohës i bëri jehonë këtyre tezave tha plaku. Por, më vonë kemi shkëmbyer disa takime në Athinë dhe Tiranë me albanologët e huaj gjermanë. Më pas nuk patëm shumë kontakte.
Atmosfera si fillim bisede ishte e ngrohtë dhe të tre shiheshin kureshtarë.
– Unë pash bibliotekën tuaj, të cilën e keni shumë të pasur. Librat datojnë ndoshta në disa shekuj më parë. Mund të më thoni diçka për to, – foli në anglisht Genta.
Plaku qeshi duke ngritur kokën dhe duke ndjerë një krenari për këto fjalë. Fytyra e tij morri një ngjyrë të kuqerremtë sikur u ndez nga brenda diçka e zjarrtë.
– Historia e Greqisë, por edhe e Evropës është aty. Dua të tregoj se kur të martohet ky djalë do t’i jap një çelës për kasafortën që kam në atë bibliotekë. Unë atë e kontrolloj në çdo moment dhe fatmirsisht teknologjisë e kontrolloj bibliotekën në çdo kohë edhe kur s’ka njeri. Ajo është pasuria ime.
– Po si? – pyeti Genta duke ndjerë një ankth që po i rritej.
Ai buzëqeshi dhe vuri përsëri kapelen në kokë. Syzet e errta i vuri në sy dhe u kollit pak.
– Në atë kasafortë kam studimet dhe shkrimet e mia të fundit, të cilat nuk i kam botuar asnjëherë. Ato flasin edhe për marrëdhëniet e shqiptarëve me grekët në periudha të ndryshme. Nuk dua që të bëhen kasapahnë nga politika dhe opinionet antishkencore këto studime. Kur të mbyll sytë amanetin ja kam lënë këtij djali që të kujdeset për to. Gentës i vinin djersë të ftohta dhe ethe të forta sa nuk po mund të rezistonte. Ajo ndërkohë kujtoi përpjekjet e natës së kaluar në mjedisin e pasmë të bibliotekës. Asaj për herë të parë mendoi se në atë mjedis do të kenë qenë të instaluara kamera të fshehta për t’u mbrojtur nga hajdutët.
– Po pse po m’i thoni mua këto, – pyeti ajo plakun pa dashje.
– Se ti je një bijë e një shkenctari, që do të më ndihmosh e jo të më shkatrrosh studimet e mia. Por, ky çelës – vijoj plaku do të dorëzohet, kur të martohet ai që më ka ndihmuar më shumë se kush tjetër në këtë jetë. Dhe ky është burri që ke në krah. Shumë vite më parë dëshiroja ta martoja me vajzën e një kolegu tim mik nga Franca, por nuk u realizua.
Ndërkohë që dëgjonte Genta ishte e merakosur nëse ai plaku ishte në dijeni apo jo të futjes së saj në dhomën e fshehtë pas bibliotekës.
– Tani pas kaq vitesh kam shpresuar se një ditë do të merrte atë që duhej. Dhe më duket se e keni gjetur njeri tjetrin?
Përsëri heshtje. Askush nuk po fliste. Plaku ktheu nje lëng portokalli dhe morri frymë lehtë.
“Shumë çudira ka në këtë botë, por çudia më e madhe është vetë njeriu”- tha ai nëpër dhëmbë dhe qeshi.
Një zile telefoni u dëgjua. Ishte telefoni i Gentës. Në ekran u shfaq përsëri fytyra e infermieres së burgut nga Anglia.
Ajo u vu në siklet. Ishte e treta herë që Laura e kërkonte gjatë dy ditëve në ishull. “Çfarë do të kishte për ti thënë ajo?” Mendoi ti shkruaj një mesazh të shkurtër. “ Laura, uroj të jesh mirë. Do të telefonoj sa më shpejt të jete e mundur”. Ajo u skuq në fytyrë. Plaku vuri re shqetësimin e saj. Ai iu drejtua Gentës:
– Ju keni një emër të lashtë ilirësh. Më pëlqen shumë vajzë, – tha ai dhe u kollë pak.
Pylli në krah sikur lëshoi nje fllad ere duke shprishur flokët e bukura të saj. Plaku po e shikonte buzëqeshjen e saj. Anglishtja e plakut ishte e rrjedhshme dhe e qartë, por e matur. Ai kruante fytin vazhdimisht ndoshta nga ndonjë viral qarkullues. Ai u kollit dhe njëherë dhe i tha përsëri Gentës. – M’i bëni përshendetjet e mia babait tuaj. Në bibliotekë kam një libër thesar, të cilin po vendos tani t’ja dërgoj mikut tim. Është në frëngjisht, por besoj se babai juaj është njohës i mirë i frëngjishtes.
– Po, – tha ajo dhe fytyra i buzëqeshi me kënaqësi.
Ata u përqafuan me plakun, pasi bisedat përfunduan dhe duhet të largoheshin për arsye të orarit të ngrënies së drekës. Ai preku me dorë buqetën me lule të sjellë nga ata të dy. Ai buzëqeshi dhe ja bëri me dorë të dyve ndërkohë, gruaja që e solli po e largonte nga veranda. Ata vështruan kapelen e bardhë që po zhdukej dhe dorën e tij, e cila tundej lehtë.
Ata ecën mbi lëndinë të menduar dhe pa fjalë. Hapat ishin të ngadalta dhe morrën drejtimin nga shkëmbinjtë që ndodheshin përballë detit. Aroma e luleve të shumta të lëndinës përzjehej me aromën e detit. Zogjtë këndonin të harbuar dhe palmat e mbjella në brezin e fundit të lëndinës ku ndodhej edhe rruga autombilistike, shtriheshin në atë lartësi duke krijuar kurorën e palmave të arta, të cilat, sidomos gjatë perëndimit të diellit, sillnin një shkëlqim në qiellin perëndues të kadifenjtë, që të qetëson duke ndjerë paqe dhe mirësi. Ndoshta ishte vend i bekuar prandaj dhe e quajtën atë, ishulli i palmave. Aty mblidhen njerzia sidomos në orët e mbrëmjes, ndaj të perënduar të diellit, duke u lutur për hallet dhe dëshirat. Ai i ngjante një vendi pelegrin brenda atij ishulli. Në krah të shkëmbinjëve ndoshta në pikën më të lartë të tyre një far i madh dhe i bukur ndriçonte sidmos mbrëmjeve duke u bërë një pikë orientuese për gjithë anijet, që kalonin në ujrat e Egjeut nga Bosfori në Gjirbratar. Ai shëmbëllente vendbanimit të perëndive të lashta ku popujt e kësaj pjese të ballkanit luteshin dhe i referoheshin atyre për ngjarjet që kishin ndodhur apo që mund të ndodhnin. Pellgu i Egjeut është një mozaik tokash mes ujrave të kaltra, ku ato më të banuarat gjallërojne turizmin. Ata e ndjenin të dy faktin që ndodheshin në këtë pjesë të rruzullit dhe ndoshta hyjnitë kishin projektuar fatin e tyre, por ata nën vetëvete po përpiqeshin të refelektonin dhe të kuptonin nëse ishin sjellë në këtë botë për të qenë bashkë dhe dita e tyre tashmë kishte ardhur për t’i thënë njeri-tjetrit po? Me këto mendime ata mbrritën tek shkëmbinjtë, që ngjanin si ballkone, ku njerzia shihte në pëllëmb të dorës ndoshta edhe universin ku kaltërsitë qiellore dhe ujrave detare shkriheshin me gjelbërimin maramendës. Nga ajo lartësi syri shikonte dallgët e detit dhe jehona e tyre vinte si një melodi meditative e një frymarrje të thellë. Gjithçka rreth e rrotull ishte magjepsëse dhe fantazia merrte krah për një fluturim sa më të paimagjinueshëm drejt mjegullnajave qiellore dhe bardhësisë ideale. Këto mendime kishte mbuluar sidomos Gentën, e cila ndodhej në një moment vërtet të paqartë për jetën e saj. Pamjet magjike vështroheshin për herë të parë prej saj, ndërsa drejtorit ato i kujtonin vetëm episodet e shumta e kohës së njohjeve të vajzave, të cilat i vinin rrotull. Ai kishte kaluar mjaft kohë në këto vënde magjike, një pjesë e të cilave ishin jo vetëm në memorien e trurit të tij, por të fotografuara.
Genta shtriu flokët e zezë pas duke i rregulluar nga era që ja kishte shpërndarë. Ajo sa e veçantë pranë atyre shkëmbinjëve dhe palmave që zgjatoheshin pranë tyre aq ishte dhe enigmatike. Sytë e tyre u shkëmbyen një moment për të kuptuar njeri-tjetrin më mirë. Ajo u kujtua në moment se duhet të thërriste Laurën në Londër. Sinjali i internetit në këtë lartësi ishte i fortë se pak më tej farit shtriheshin grupi i antenave televizive dhe celularëve.
Ai vazhdonte ta shihte me vëmendje edhe kur ajo i tha: – Dua të zhvilloj një bisedë të lutem.
Dhe bëri pak hapa më tutje duke u ulur pranë një shkëmbi tjetër i latuar për uljen e vizitorëve. Ai tashmë shikonte vetëm portretin në profil të saj duke patur si sfond dallgët e detit që rrekeshin pambarim. Era frynte dhe dielli ecte mes reve që në atë orë ato janë të pranishme. Ai nuk ngopej së shikuari gjithë këtë skenë, por fjalët e saj në telefon nuk i dëgjonte, vinte re vetëm vështrimin e saj që ishte mjaft i thelluar në bisedë, që nga çasti në çast vihej re një nervozizëm në rritje. Në një moment të caktuar ajo duke rregulluar flokët hodhi vështrimin nga ai dhe shpejt uli sytë pas kryqëzimit të vështrimeve. Ajo nuk fliste, por vetëm dëgjonte. Trupi elegant i saj pranë atyre shkëmbinjeve dukej sikur do të rrëmbehej nga era dhe ajo do të zhdukej nga sytë e tij. Hera e parë që ndjeu një shqetësim serioz dhe kurioziteti po e gryente nga brenda, ndoshta një xhelozi e shfaqur plot tension ndërsa shihte buzët e saj të kuqe që formulonin fjalë pambarim dhe sy që vështronin vetëm ulur. Krahët e saj të hollë që shkëlqenin nga rrezatimi i diellit ishin mbërthyer pranë gjoksit dhe frymarrja ishte e nxituar. Ai po kuptonte se diçka e rëndesishme po zhvillohej në atë bisedë. Ai ktheu trupin e tij nga krahu tjetër dhe pa pyllin ku ishte shtëpia e pleqve.
* * *
E vërteta e treguar dhe premtimi…
Era frynte e lehtë aq sa të freskonte dhe ndjeje rehati përballë atij dielli flakërues, i cili falte jo vetëm ndriçimin shkëlqimtar, por ngrohtësinë jetëdhënëse. Ai ktheu kokën rrëmbimthi nga Genta, e cila kishte mbështetur dy pëllëmbët e duarve mbi tëmtha dhe sytë e ulura poshtë shprehnin shqetësim dhe gjendje tensionimi. Ai e ndjeu se duhej t’i afrohej dhe t’i fliste. Ajo ndjeu hapat dhe më pas pa hijet e dy këmbëve të gjata dhe elegante të tij. Ajo ngriti sytë dhe pa trupin e tij që mbulonte diellin si një mburojë. Ai iu afrua dhe i preku flokët që tundeshin nga era. Ai e kapi nga mjekra dhe i ngriti fytyrën e për ta vështruar më nga afër e për të kuptuar më mirë se çfarë kishte ndodhur nga ajo bisedë e gjatë e tëra e folur në anglisht. Ai vuri re se lotët kishin filluar të shfaqeshin në sytë e saj. Ai kuptoi se biseda ishte e vështirë ndoshta dramatike, por që asgjë nuk po kuptonte.
– Ju jeni shumë e ndjeshme, – foli ai i pari për ta thyer heshtjen tashmë kaq të
padurueshme. Ajo tani e kuptoi se ishte përlotur dhe ndjeu se nuk mund të vazhdonte rolin e personazhit të saj të fantazuar, të krijuar, të idealizuar dhe të shkëputur nga gjithçka përreth dhe pranë saj, pranë tij apo edhe më gjerë, shumë gjerë, e përhapur në formë valësh rrethore si ato të antenave të celulareve, që shtriheshin tej e përtej ishullit, detrave liqeneve dhe qyteteve e shteteve njëra pas tjetrës, e për të kapur qënie e jetë njerzish, ngjarje të ndodhura apo që mund të ndodhnin. Ajo po kuptonte më qarte se nuk mund të ishte çdo gjë në dorën e saj për të qenë e lire dhe e pavarur nga universi i jetës së saj dhe njerzve. Ata shfaqeshin në kohë të caktuara dhe zgjasnin kontaktin me të për aq kohë sa ishte e vullnetshme në ndërgjgjet e lidhura. Ato zhdukeshin për disa kohë dhe më pas përsëri do të rishfaqeshin në sipërfaqen e ndërgjgjes sonë si kërcimi i delfinëve që thyejnë qetësinë e detrave të qetë duke rishfaqur turbullirat e jetës. Telefonata e saj ishte si një goditje e fortë mbi xhamin e një dritareje të qetë, që shijonte rrezatimin diellor të një funddite të gëzuar.
– Po, po ai e ka mësuar të vërtetën, – tha ajo mes fjalëve të ngadalta dhe shkrehu në lot. Drejtori u ul përballë saj duke gati gërvishtur gjunjët e tij për të kuptuar çfarë po thoshte.
– Nuk ju kuptoj. – tha ai afër pranë fytyrës së saj të përlotur.
Ajo nuk lëvizi asnjë grimë. Ajo qëndronte e përhumbur dhe e ngrirë totalisht sikur nuk ndjente asgjë. Vështrimi i saj mbi detin blu u mpleks me sytë e tij blu që po i qëndronin pranë fare pranë. Majat e hundëve të tyre u prekën dhe ajo përsëri nuk lëvizi. Ai ndjeu afshin e zjarrtë të shqetësuar që përkthehej në frymëmarrje të shpeshtuar të saj, po sy dhe trup gati të ngrirë. Lotët ishin pjesa më lëvizshme e saj. Ai po lemerisej nga kjo gjendje psikologjike e saj.
– Ai ka mësuar se është baba dhe ka një fëmijë në Tiranë,- tha ajo dhe mbështeti
ballin e saj mbi të tijin. Ajo ndjente se në ato momente kërkonte një mbështetje në mendime dhe qëndrimet që duhet të mbante për më tej.
– Nuk ju kuptoj plotësisht, – tha Aleko. Një ditë ai do ta merrte vesh se kishte një fëmijë me ty. Dhe s’ke pse të shqetësohesh.
– M’i tha të gjitha ajo, ajo nga burgu! Ajo psikologia.
– Çfarë ju tha?
Heshtja ishte refreni i bisedës së tyre. Reagimi emocional ishte i tejskajshëm. Renditja e shumë ngjarjeve njëra-pas tjetrës brenda pak orëve të fundit dhe përplasja e botëve të ndryshme ishte pjesa e kësaj aventure krejtësisht e paplanifkuar për të.
– A më kupton?… – pyeti ajo duke shkëputur kokën nga ai, – ai vjen nga bota e krimit, të cilën unë e përjetova në formën time. Po ku po vete? A jam aty ku duhet të jem? A jam ajo që duhet të isha? Nuk e di.
Ajo tashmë kishte dalë plotësisht nga roli i fantazuar i saj dhe personazhi në fakt ishte tashmë ajo vet.
– Ty të mundon bota e krimit, të cilin nuk duhet ta prekësh më? A mendon se njeriu që ke përballë është edhe ky i asaj bote?
– Jo nuk thash këtë ndërhyri ajo, – unë… dhe ju shkëput filli i mendimeve. Lotët i ishin tharë, por ajo ishte me ankth me pasigurinë e ditëve më pas.
– Ai ka kërkuar të njihet me vajzën nëpërmjet rrjeteve sociale, – shpjegoi ajo më tej. Ai e ka kërkuar tek unë që ta realizojë një gjë të tillë.
– Po nga e morri vesh se ishte me një fëmijë me ty?
– Po kur isha shtatzan ia tregova Laurës dhe iu luta që ajo ta mbante sekret. Gjë të cilin nuk e mbajti. Kohët e fundit ai kishte patur shumë çregullime mendore dhe mjaft fantazira, që e kishin kaluar në një trajtim të veçantë psikologjik. Në një moment tepër të vështirë ndërgjegja e infermieres dhe e specialistes psikologe nuk e mbajti dhe i tregoi këtë sekret. Ai thërriste vazhdimisht emrin tim në momentet e depresionit psikologjik në burg. Tani ai kërkon të njoh vajzën medoemos. Ligji ja lejon si e drejtë e prindit për fëmijën.
Dallgët e detit filluan të përplaseshin më fort në brigjet shkëmbore të ishullit. Era e drekës, pas orës dymbëdhjetë është fenomeni i thyerjes së ditës, e cila tashmë po vraponte për t’ja lënë vendin natës.
Ajo u drodh e tëra nga ky rrëfim dhe era që frynte i futi dridhërimat.
– Kjo është një çështje e juaja ashtu si edhe e imja me bashkëshorten time të sëmurë. Për këtë duhet të shprehim qartë qëndrimet tona dhe vullnetet.
Ajo ndjeu se era po forcohej më tej, bluza e hollë puthitej fort pas trupit të saj dhe flokët ia merrte era deri lart. Ajo kujtoi erën e fort në skafin që drejtonte ai, për t’i treguar asaj se sa i fort ishte, delfinët që kërcenin në det. Ato ishin çastet më të bukura që nuk i kishte përjetuar ndonjëherë. Ajo u ngrit në këmbë dhe bëri hapa më tutje drejt detit pa kuptuar se nga ecte. Poshtë shkëmbinjëve ishte greminë dhe ajo mund të binte që andej. Hapësira para syve të saj ishte bardhësi e ndriçuar që përlasej në fytyrën e saj. Kaltërsia qiellore ishte prekur nga disa re që shfaqeshin në forma të çuditshme. Ajo shikonte në drejtim të atyre reve, të cilat po mbulonin diellin. Ato morrën formën e kapuçonit të zi dhe lëviznin fort. Ajo ndali për një çast dhe duke drejtuar krahun lart në qiell dhe thërriti: “Ik moj shtrigë… Shtrigë …….iiiiikkkk”. Ajo nuk po kuptonte se nga po ecte me sytë drejt reve.. Aleko e ndoqi nga pas dhe vuri re se gjendja e saj psikologjike ishte jashtë kontrollit, prandaj pikërisht, kur kishin mbetur edhe pak hapa nga humnera, ai e rrëmbeu nga beli dhe e tërhoqi larg zonës së rrezkut. Ajo nuk reagoi, ai e tërhoqi edhe më tej në një vend të butë me bar jeshil dhe lule të shumta duke e ulur në një nga stolat poshtë palmave, duke e përkëdhelur fort. Ai filloi ti flas me superlativa dhe fjalë të nxehta dashurie.
– Në këtë vend të bekuar, ku gjithë njerëzia vijnë e falen për fatet e tyre, të betohem në emër të perëndisë, në krah do të kesh njeriun besnik dhe të gatshëm për të përballuar, çdo gjë që do të kemi bashkë. Ti je e zgjuar vet dhe përzgjedhjen e ke bërë vetë kohë më parë, frytet e së cilës do t’i ndjesh shumë shpejt.
Dhe për herë të parë ndoshta në jetën e tij ai u përlot duke përzierë të dy bashkë lotët e tyre.
– Plaku Helios nuk e ka njohur kurrë bashkëshorten time të sëmurë. Ajo ishte kohë e shkurtër që nga dështimi dhe më pas, ne kemi qenë të ndarë larg njeri-tjetrit. Këtë e dijnë të gjithë. – shpjegoi ai me sytë ende të njomur nga lotët.
Ra një heshtje tepër e gjatë. Ata shtrinë krahët dhe shtrënguan fort njeri-tjetrin deri gati në perëndim të diellit nga ajo lartësi megjepsëse duke u falur, duke u lutur e duke projektuar rrugën për çfarë do të bënin më tej. Ata harruan edhe udhëtimin e kthimit për në Tiranë, që do të realizohej nga Athina atë mbrëmje. Ata harruan fare apo nuk dëshironin të largoheshin? Mbrëmja e tretë po i zinte në atë ishull, në shtëpinë e mbuluar nga lulet dhe gjelbërimi, ku brenda saj ishte një nga bibliotekat e pasura të Greqisë. Befas zilja e telefonit ra dhe në ekran u shfaq numëri i telefonit të mamasë. Ajo e hapi pa menduar gjatë. Në ekran u shfaq Arzana, vajza e cila sapo e pa thërriti:
– Mami… mami më ka marrë malli, kur do të vish?
– Nesër bijë do të jem aty, bashkë me babin.
– Oh sa qejf. Të dua shumë mami, – thirri ajo plot gaz.
Vanderbilt Naples Florida, Shkurt – Maj 2025.