Marius Dobresku: Ismail Kadarenë e kam të afërt, e kisha profesor në fakultet!
ENTELA BINJAKU/ Studiuesi dhe përkthyesi nga Rumania, Marius Dobrescu apelon shqiptarët se nuk duhet t’i harrojnë asnjëherë intelektualët atdhetarë që kanë ndërtuar me mundim dhe zgjuarsi Shqipërinë e sotme.
Përmes kësaj interviste për gazetën “Panorama” z. Dobrescu thotë se librat janë thesari i mençurisë së një populli ndaj nuk duhet ta injorojmë këtë pasuri! Studiuesi dhe përkthyesi rumun flet për vendlindjen e tij qytetin e Brwilas, për lidhjen me veprat e Kadaresë në veçanti, por dhe me letërsinë shqipe në përgjithësi, për lavdinë e dikurshme të komunitetit shqiptar të Rumanisë, për atë pakicë shqiptare që sot është thjesht nuk është më.
Z.Dobresku, shumë nga ne janë në dijeni të plotë të lidhjes suaj me Shqipërinë, me letërsinë shqiptare, me autorin e shquar Kadare. Por ndoshta jo kaq shumë dinë që ju jeni nga Brwila, një qytet me rëndësi për historinë e Shqipërisë… Aty ku ka jetuar Veqilharxhi… Çfarë mund të na thoni për këtë figurë të rëndësishme për historinë e të dy popujve tanë?
Personalisht, kam lindur në Brwila, një qytet i madh buzë Danubit, në jug-lindje të Rumanisë. Ky qytet ka qenë gjithmonë një creuzet etnik, d.mth., një përzierje etnike, duke filluar nga mesjeta deri sot. Administrata osmane ka sjellë këtu, që nga shekulli XVI, përfaqësues të popullsive të ndryshme të perandorisë. Ndaj në qytetin e Brwilas kanë bashkëjetuar në kushte të mira turq, greke, italianë, hebrenj, rusë, maqedonas, shqiptarë, bullgarë e kështu me radhë. Unë vetë kam pasur në shkollë, në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, shokë nga këto pakica kombëtare. Kështu që për mua s’ka qenë diçka e pazakontë fakti se këtu ka jetuar dhe punuar para 200 vitesh një familje shqiptare. E kam fjalën për familjen Veqilharxhi. Kur them këtë kam parasysh jo vetëm Naumin, por edhe pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje.
Midis tyre, një farë Kostandin Veqilharxhi, ungji i Naumit, pronar dhe njeri i pasur, i cili ka pasur një post të lartë në administratën e qytetit në vitet 30 të shekullit XIX. Kur isha fare i ri kam studiuar në arkivin e qytetit tim disa dokumente të lidhura me familjen e Naumit. Përfundimet e kësaj pune shkencore i paraqita në Seminarin për kulturën shqiptare të vitit 1978, në Pejë, kur u botua një fletore rreth studimeve të mia. Në fakt, në arkivin e qytetit nuk kishte shumë dëshmi mbi familjen e Veqilharxhit. Megjithatë, kam zgjidhur një problem që edhe sot e kësaj dite është ende i paqartë në historiografinë shqiptare: vdekja e Naumit. Dokumenti ishte një ankesë e një fqinji të familjes së rilindësit tonë, i cili flet për vejushën e “të ndjerit Naum”, dokument që kishte datën “1845”. Pra, në atë vit dihej në qytetin e Brwilës se Naumi kishte vdekur.
Ku dhe në ç’kushte, kjo nuk thuhej në tekst. Biblioteka e Akademisë Rumune ka në koleksionet e veta “Evetarin” e Naumit, të cilin e kam shfletuar disa herë kur kam pasur rastin. Mund të them se alfabeti i tij ishte i vështirë, shumë i ndërlikuar, i pamundur për t´u vënë në zbatim në kushtet e një shoqërie shqiptare të prapambetur siç ishte ajo e mesit të shekullit XIX. Sidomos në një krahinë ku zotëronin gjuha dhe alfabeti grek, siç ishte jugu i Shqipërisë. Shumë më revolucionare, më largpamëse ishte qarkorja e tij, atje ku Naumi tregohet një intelektual përparimtar, i cili kupton se shoqëria mund të përparojë vetëm me anën e dijes, e shkollës dhe e qytetërimit. Këtu, Naimi tregohet njeri i kohës sonë dhe meriton ta përmendim me dashuri dhe respekt.
Në dijeninë tuaj, e ka nderuar Shqipëria kontributin e Veqilharxhit, sa njihet roli i tij për kulturën kombëtare? Po shqiptarët a kanë interes ta vizitojnë qytetin e Brwilas?
Kur isha student në Tiranë kam dëgjuar për herë të parë për Naumin dhe veprimtarinë e tij patriotike. Që të jem i sinqertë, në atë kohë nuk e kisha shumë të qartë pozitën zyrtare, të ideologëve të kohës, mbi këtë personazh historik. Besoj se kontributi i tij në zhvillimin e mendimit patriotik ishte nënvlerësuar. Por, sipas mendimit tim, shqiptarët nuk duhet t’i harrojnë asnjëherë intelektualët atdhetarë që kanë ndërtuar me mundim dhe zgjuarsi Shqipërinë e sotme. “Atdheu im është gjuha rumune”, ka shkruar një poet rumun dhe unë mund të them të njëjtën gjë për gjuhën shqipe.
Për sa i përket pyetjes tjetër, mund t’ju them se në vitin 2018, me ndihmën e ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht dhe të autoriteteve lokale, u përurua në Brwila busti i Naum Veqilharxhit, veprimtari ku mora pjesë dhe fola edhe unë. Ashtu siç ju thashë, Brwila është edhe në shekullin tonë një qytet polietnik, ku moderniteti i shekullit XXI nuk mund të fshijë hijeshinë e veçantë të qytetit ballkanik, plot aromë bliri, buzë Danubit… Po ashtu, nuk dua të harroj Panait Istrati, shkrimtarin më ballkanik të letërsisë rumune, atë të cilin francezi Romain Rolland e ka quajtur “një Gorki ballkanik”. Pra, në Brwila shqiptarët do të ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre.
Ju keni qenë shumë afër komunitetit shqiptar përmes kontributit tuaj në ALAR. Si është sot situata e pakicës shqiptare në Rumani. Janë të shumtë njerëzit që nuk kanë thuajse fare dijeni për situatën aktuale. Sipas jush çfarë ka mbetur sot nga lavdia e dikurshme e kolonisë shqiptare të Bukureshtit?
Fjalët e mia do t’ju befasojnë: nuk ka më komunitet shqiptar në Rumani! Në regjistrimin e fundit të popullsisë, para tri vjetësh, u regjistruan si shqiptarë vetëm 650 persona! Dhe ata janë shumë të shpërndarë në territorin e Rumanisë. Ka disa qindra përfaqësues të familjeve të vjetra, disa dhjetëra ish-studentë të viteve ’90 të mbetur këtu dhe kaq. Zyrtarisht (dhe çuditërisht mund të them), ka një “shoqatë të shqiptarëve të Rumanisë”, një fantazmë qesharake në vendin ku, paralufte, komuniteti shqiptar i Rumanisë numëronte mbi 30 mijë njerëz. Kjo shoqatë, e kryesuar nga një grup individësh me origjinë rumune, financohet bujarisht nga shteti rumun dhe përdor këtë financim vetëm për interesat e tyre personale. Patjetër që në grupin udhëheqës bën pjesë edhe një familje shqiptare, nga Pogradeci, e cila loz rolin e “bishtit të sëpatës”, siç i themi ne. D.mth., kur flasim për lavdinë e dikurshme të këtij komuniteti mund t’i referohemi vetëm së kaluarës!
Duke përkthyer letërsinë shqiptare në rumanisht, ju keni dhënë një kontribut të shquar në njohjen nga populli rumun, të shpirtit ballkanik shqiptar. Çfarë jeni duke punuar aktualisht?
Kam botuar, vetëm nga Ismail Kadareja, 33 vëllime, me mbi 50 vepra të ndryshme. Fillova në vitet ’80 me “Kronikë në gur” dhe vazhdova deri sot e kësaj dite. Përurimi i fundit, në shkurt të këtij viti, ka sjellë para lexuesit rumun librin “Pesha e kryqit”, libër-dokument ku Ismaili dëshmon mbi vështirësitë e jetës së shkrimtarit në regjimin diktatorial të viteve ’50-’90 të shekullit të kaluar. Vepra e Kadaresë, filozofia e tij krijuese janë vlerësuar shumë nga lexuesit rumunë, për shkak se vetë kemi jetuar në diktaturë gati 45 vjet. Përveç kësaj, si ballkanas që jemi, kemi shumë gjëra që na afrojnë, zakone të përbashkëta, një kulturë të tërë popullore, një psikologji të përafërt etj.
Tani që Kadareja është ndarë nga jeta, cili është raporti juaj me veprën e tij?
Ashtu siç ju thashë, po vazhdoj me përkthimet nga Ismaili. Kohët e fundit kam mbaruar një roman shumë të bukur, “E penguara”, i cili do të botohet tek “Humanitas” vitin që vjen. Kadarenë e kam të afërt sepse e kisha profesor në vitin e tretë të fakultetit, por kam punuar edhe me shkrimtarë të tjerë shqiptarë, nga Shqipëria dhe Kosova. Për shembull vitin e kaluar doli nga shtypi libri i Ag Apollonit “Një fije shkrepse…”, që flet për masakrat serbe në Kosovë. Ag Apolloni është një mik i Rumanisë, me të kam kaluar çaste të bukura dhe interesante në Bukuresht vitin e kaluar. Po ashtu, kam botuar një antologji të poezisë shqipe të ditëve tona, ku janë disa poete të shquar nga Kosova, si: Eqrem Basha (për të cilin kam një vlerësim të veçantë), Ali Podrimja, Besim Bokshi, Agim Vinca, Esad Mekuli, Sali Bashota, Radije Hoxha etj. Dua t’ju them se në prill të këtij viti kam udhëtuar në Tiranë dhe kam vizituar varrezat e Tufinës, ku prehet i madhi Kadare. I vura një lule te koka dhe ju luta Zotit të mbajë afër tij shkrimtarin më të madh shqiptar.
Sipas jush si është pritur në Rumani vepra e Kadaresë? Cila mendoni se është vepra më e pëlqyer nga lexuesi rumun?
Kadare ka hyrë në Rumani me romanin e tij më të njohur, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Përkthimi i parë u botua në vitin 1974 dhe është vepra e Foqion Miçaços, i biri i një familje të vjetër shqiptare. Pastaj e përktheva edhe unë, më 2003, dhe puna ime u vlerësua nga Lidhja e Shkrimtareve të Rumanisë me Çmimin e parë për përkthim në po atë vit. Që atëherë, janë publikuar katër ribotime. Kjo tregon popullaritetin e këtij romani. Por kritika rumune iu është referuar edhe librave të tjerë të Ismailit, që u botuan vit për vit në Bukuresht.
Cili është mesazhi juaj për lexuesit shqiptarë?
Mesazhi im për lexuesit e kësaj interviste, sidomos për të rinjtë, është: Lexoni, mos e braktisni leximin! Librat janë thesari i mençurisë së një populli. Të mos e injorojmë këtë pasuri!
/Gazeta Panorama