Charles Baudelaire: Në orën një të mëngjesit
Përktheu Besiana Kadare
Më në fund! vetëm! S’dëgjohet gjë tjetër përveç zhurmës së rrotave të ndonjë karroce të vonuar e të rraskapitur. Për disa orë do të kem heshtjen, ndoshta dhe çlodhjen. Më në fund! tirania e fytyrës njerëzore është zhdukur dhe vuajtja do të më vijë vetëm prej vetvetes.
Më në fund! mund të prehem në një banjë errësire!
Më parë, do kyç mirë portën. Kam përshtypjen se kjo kyçje do ta thellojë vetminë time dhe do të përforcojë barrikadat që më ndajnë tashmë nga bota.
Jetë e ndyrë! Qytet i ndyrë! Le të përmbledhim ngjarjet e ditës së sotme: takova plot njerëz të letrave, njëri prej të cilëve më pyeti nëse mund të shkohej në Rusi me rrugë tokësore (me siguri që e merrte Rusinë për ndonjë ishull); u zura paq me një drejtor reviste i cili çdo kundërshtimi i përgjigjej me fjalët: “Këtu keni të bëni me njerëz të ndershëm”, gjë që linte të kuptohej se të gjitha gazetat e tjera drejtoheshin nga batakçinj; përshëndeta nja njëzet njerëz, pesëmbëdhjetë prej të cilëve nuk i njoh; shtrëngova duar në të njëjtat përpjesëtime dhe kjo pa marrë më parë masat për të blerë një palë doreza; u ngjita për të shtyrë kohën, gjatë një shtrëngate, te një kërcimtare që m’u lut t’i vizatoja një kostum Venustre*; i bëra lajka një drejtori teatri që më tha duke më përcjellë: “Do të bënit mirë t’i drejtoheshit Z…; është më i trashi, më budallai dhe më i njohuri nga të gjithë autorët e mi, dhe me të mund të arrini, ndoshta, të bëni diçka.
Takojeni një herë e pastaj shohim e bëjmë”; u mburra (përse vallë?) për gjithë ato ligësira që s’i kam bërë kurrë, dhe paturpësisht mohova të tjera poshtërsira që i kisha kryer tërë kënaqësi, mëkat mburrjeje, krim kundër respektit njerëzor**; i refuzova një miku një shërbim të thjeshtë dhe i dhashë një letër mirëbesimi një tuhafi të vërtetë; uf! mbaroi më në fund?
I pakënaqur me të tërë dhe i pakënaqur me veten, do të doja të përmirësohesha e të krenohesha ndopak në qetësinë dhe vetminë e natës. Shpirtra të atyre që kam dashur, shpirtra të atyre që kam kënduar, jepmëni forcë, ndihmomëni, largomëni nga gënjeshtra dhe avujt zvetënues të botës, dhe ju, o Zoti im! falmëni bekimin tuaj që të mund të krijoj disa vargje të bukura dhe t’I provoj vetes që s’jam një fundërrinë, që s’jam më i ulët se ata që përbuz!
* Do, sigurisht, të thotë Venusi.
** Shprehje e vjetër e moralistëve fetarë, e marrë nga latinishtja; fjalë për fjalë: “marrja parasysh e gjykimit të të tjerëve ndaj vetes”.
Charles Baudelaire, marrë nga “Brenga e Parisit”, botimet Onufri; përktheu nga origjinali: Besiana Kadare.