Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Antifashizmi i Çamërisë, një trashëgimi e vyer!

Përkujtohet Heroi i Popullit Ali Demi dhe Antifashizmi Çam

Ali Demi, një meteor, që me dritën e tij i bën nder Çamërisë

Ambasador Luan Rama: Dosja e Çamërisë është një dosje e hapur!

Alket Veliu: Antifashizmi Çam, një trashëgimi e vyer!

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, në frymën e veprimtarive për 80-vjetorin e gjenocidit, më 8 Maj, ditën e fitores ndaj fashizmit, përkujtoi dhe nderoi Heroin e Popullit Ali Demi dhe kontributin e Çamërisë në Luftën Antifashiste. I ftuar ishte edhe nipi i Ali Demit, ambasador Luan Rama-shkrimtar, studiues i njohur dhe autor i librit “Pranvera dy hapa pranë” për Heroin e Popullit. Antifashizmi Çam është një trashëgimi e vyer e historisë sonë kombëtare që tregon se popullsia çame ishte në anën e duhur të historisë. Ali Demi, ishte një nga heronjtë e shumtë të Çamërisë martire, që derdhi gjakun për Shqipërinë, duke spikatur në luftën për çlirim nga zgjedha fashiste, së bashku me mbi 500 partizanë të tjerë çamë, që formuan Batalioni IV “Ali Demi” në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM).

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu u shpreh se Ali Demi, ishte një nga heronjtë e shumtë të Çamërisë martire, që derdhi gjakun për Shqipërinë, duke spikatur në luftën për çlirim nga zgjedha fashiste, së bashku me mbi 500 partizanë të tjerë çamë, që formuan Batalionin IV “Ali Demi” në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM).

Antifashizmi Çam, tha më tej Veliu, është një trashëgimi e vyer e historisë sonë kombëtare që tregon se popullsia çame ishte në anën e duhur të historisë, ndërsa alibia zyrtare greke për “kolaboracionizëm me pushtuesit” tregon degradim dhe megalomani, në emër të megaloidesë dhe të delirit nazist kuisling grek për zhdukjen e çështjes çame dhe të Çamërisë.

“Ali Demi ynë i bën nder jo vetëm Çamërisë por të gjithë Shqipërisë prandaj do të mbetet i pavdekshëm. Ai ra heroikisht në emër të lirisë kombëtare në moshën 25-vjeçare. Antifashizmi në Çamërisë gjeti strehë në familje të mëdha që frymëzuan luftën e madhe kundër fashizmit.

Shqiptarët e Çamërisë nuk zgjodhën të bashkëpunojnë me asnjë fashist, as të Metaxas, as Duçes dhe as të Hitlerit, por me lëvizjen antifashiste në Shqipëri dhe Greqi duke krijuar formacionet e veta të rezistencës çlirimtare nëpërmjet formimit të çetës Çamëria dhe batalionit të katërt Ali Demi dhe duke iu bashkuar edhe ushtrive çlirimtare në Shqipëri dhe Greqi.

Edhe pse popullsia çame u hodh në luftë së bashku me popullin grek dhe nuk u gjend në prehrin e okupatorit ajo pësoi një gjenocid të pashembullt në histori. Shteti grek nuk mund të mohojë rezistencën e përbashkët antifashist greko-çame. Kanë kaluar 80 vite nga dita e gjenocidit dhe të gjitha qeveritë greke nuk e kanë pranuar krimin e kryer në Çamëri, por akuzojnë shqiptarët për krime duke e kthyer agresorin në viktimë njëjtë sikur ndodh me Vuçiç që akuzon për krime, duke harruar krimet e ish-shefit të vet Millosheviç.

Sot është 8 Maji, dita e fitores ndaj fashizmit, që shënoi mbarimin e luftës së dytë botërtore ndërkohë që shteti grek akoma mban një qëndrim armiqësor me Shqipërinë duke mbajtur në fuqi ligjin e luftës. Për Athinën lufta e dytë botërore mes dy shteteve nuk ka përfunduar. Ndërsa për mendjet e mbrapshta në Greqi megaloidesë është ende një projekt i pa finalizuar për të cilin duhet luftuar. Grekët i tremben historisë dhe sot ata kanë frikë ende nga Çamëria? Por përse? Përgjigjen më të mirë e jep shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, i cili, po citoj thotë “Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë mes grekëve dhe shqiptarëve përkundrazi kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra ata afrohen më fort dhe rrjedhimisht duke kuptuar më mirë njëri tjetrin e duan më shumë njëri tjetrin” tha ai.

Ambasador Luan Rama, shkrimtar dhe publicist i mirënjohur, nip i heroit Ali Demi, tha: “Në kuadrin e fitores së madhe mbi pushtuesit fashistë e nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, një rol të veçantë luajtën dhe qindra e qindra djem të Çamërisë që në krah të mijra e mijra vëllezërve të tyre nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhanë jetën për çlirimin e Atdheut tonë të dashur. Mes tyre dhe Heroi i Popullit Ali Demi, që ishte një nga heronjtë e shumtë të Çamërisë martire, duke spikatur në luftën për çlirim. Kontributi antifashist cam rrezaton te çeta Çamëria dhe batalioni Ali Demi. Ata që luftuan e derdhën gjak ishin njerëz idealistë

“Unë jam rritur me Çamërinë dhe kujtimet për të, tha më tej ambasadori Rama. Çdo 5 maj në shtëpinë tonë vinin shumë çamë. Shumë ishin mënjanuar nga regjimi. Personalitete që kanë bërë luftën. Nga fisi i Sejkatëve dhe dematëve, siç ishte dhe Muharrem Demi, një burrë i rrallë, tepër modest, me kontribute të mëdha. Kam shkruar një libër për Ali Demin, të titulluar “Pranvera dy hapa pranë”.Të shkruaja këtë libër e kisha të vështirë. Jo pse ishte vështirësia për ta shkruar apo se kisha ndonjë mungesë informacioni të gjerë, por sepse gjithnjë kisha menduar se këtë libër duhej ta kishte shkruar dikush tjetër dhe jo unë, pra jo dikush nga familja por cilido publiçist. Dhe kjo thjesht për t’u ruajtur nga një lloj subjektivizmi dhe për ta parë personazhin me ngjyra realiste, për ta shikuar atë në dimensionet e veta reale, historike, emocionale, pra në gjithshka që përbënte thelbin e karakterit të tij dhe të mendimit të tij, e ngjizur padyshim me kohën dhe atë trashëgimi familjare dhe historike që mbartëte brënda tij. Njerëzit nuk lindin heronj, ata bëhen ose është ngjarja që i bën, nganjëherë instikti apo shpesh shkojnë me vetëdije drejt vetsakrifikimit. Sigurisht, nganjëherë është rastësia ajo që i çon drejt heroizmit. Pra edhe pse ai ishte një nga tetë heronjtë e parë kombëtarë që u shpallën nga Shqipëria në vitin 1945 nga qeveria e parë demokratike e sapo dalë nga lufta, krahas Qemal Stafës, Vojo Kushit, Perlat Rexhepit, Asim Zenelit, etj, përsëri personazhin doja ta shikoja sa më tokësor, njerëzor. Cili ishte ai ? Çfarë mendonte për kohën dhe ata që e rrethonin ? Ç’mendonte për jetën në tërësi dhe çfarë pëlqente ? Në fund të fundit ai ishte si gjithë ata shokë të tij, gjimnazista dhe partizanë që bënë luftën…Sejcili nga ta vinte nga diku, e kishte përjetuar në mënyrë të veçantë pushtimin e Shqipërisë.

Vite me rradhë, nëna ime më kishte kërkuar të shkruaja një libër për të. Sigurisht që edhe doja, jo thjesht për të plotësuar dëshirën e saj, por dhe sepse ky personazh që më rrethonte që nga fëmijëria më tërhiqte pa masë. Por dhe hezitoja. Megjithatë unë kisha jetuar shumë me imazhin dhe emrin e tij. E admiroja, por pa e njohur thellësisht, thjesht si njeriu i shtëpisë, vëllai i nënës time. Të thuash ishte hero, ishte trim, nuk mjafton. Janë ngjarjet dhe detajet njerëzore ato që i japin imazhit dhe personazhit jetë. Pikërisht mbi tregimet e nënës dhe të gjyshes shkrova librin.

Në vitin 1984 kisha shkruar skenarin e një filmi dokumentar për jetën e Ali Demit. Titullohej “Pranvera dy hapa afër“. Ishte një film poetik, i ndërthurur shumë me natyrën dhe i alternuar me fotografi e dokumente arkivale, film që në atë kohë u pëlqye. Kam bërë filma edhe për Marko Boçarin, Dinejtë, më ka tërhequr shumë figura e Ali Dinos, piktorit të shquar….” Dosja e Çamërisë është një dosje e hapur, edhe pse grekët e kanë mbyllur, tha në vijim diplomati i njohur dhe shkrimtari Luan Rama. Marrëdhënia me Çamërinë është parë me sy të shtrembër nga historiografia greke. Nuk ka një botim të plotë të aktivitetit të popullsisë came në luftën antifashiste, për çetën Çamëria dhe batalionin Çamëria. Duhet patjetër një botim dy gjuhësh, shqip dhe anglisht, që të kontributi antifashist cam të ketë rezonancë në botën e Perëndimit. Akuzat greke për bashkëpunim me pushtuesit italianë dhe gjermanë bie poshtë nga dëshmitë e autorëve të huaj. Ndaj duhet të organizohet një simpozium ndërkombëtar në kryeqytetin grek, Athinë, ku të thuhet historia sic ka ndodhur.. Duhet patjetër një nismë e tillë, të hapet një debat i paqtë, që të sensibilizohet pala greke.

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, diplomat dhe jurist i së Drejtës Ndërkombëtare, në fjalën e tij, mes të tjerash tha: Përkujtimi i partizanit Ali Demi, veprimtari për të cilin duhet falenderuar një tjetër djalë i Çamërisë, Alket veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria Hasan Tahsini, bëhet në vitin jubilar të 80 vjetorit të antifashizmit të shqiptarëve, pjesë e të cilit ishin edhe antifashistët shqiptarë të Çamërisë. Antifashizmi çam është një e vërtetë e panegociueshme dhe e pakontestueshme që nuk ka asnjë pikë takimi me pretendimin e të ashtuquajturit “kolaboracionizëm me pushtuesit”. Dëshmi e gjallë është LANC-I, është batalioni i IV Ali Demi, në përbërje të Regjimentit XV Të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke) EAM), është heroi Ali Demi, 25 vjecari që u sakrifikua për liri, të cilin atdheu e ka vendosur në panteonin e lavdisë së përjetshme.

Me gjakun dhe flijimin e rinisë së tij Ali Demi shtoi një faqe tjetër lavdie në historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare shqiptare. Ali Demi ishte trim, i zgjuar, atdhetar dhe luftëtar i lirisë që ëndërronte për Shqipërinë e cliruar nga nazifashistët dhe një vend demokratik. Ai ishte pjesë e armatës së madhe të antifashistëve shqiptarë që luftuan me armë në dorë për atdheun e vet. Ishte pjesë e atyre dhjetra mijëra njerëzve që bënë zgjedhjen më të mencur duke u rreshtuar në anën e duhur të historisë, përkrah koalicionit antifshist të popujve, të udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Bashkimi sovjetik. Ali Demi ishte partizan, luftëtar i UNÇL, pjesë e koalicionit Antifashist të popujve, një ndër faktorët më vendimtarë për mposhtjen e boshtit fashist dhe për fitorjen e popujve që shtit fashist, që përcaktoi fatin e Luftës së Dytë Botërore, që ishte më e madhja, më shkatërrimtarja, por edhe ngjarja që inkurajoi krijimin e një aleance të përbotshme antifashiste. Kjo është, mendoj unë, qëndrimi bazë i historiografisë sonë dhe asaj botërore. Me keqardhje vërehet se ka pasur përpjekje për rishikimin e saj, nisur nga një interpretim spekulativ i rishikimit të historisë. Nuk mund të atakohet Lufta Nacional Çlirimtare me akuzën se ka qenë “vëllavrasëse”. Nuk mund të konsiderohen kriminelë luftë komandantët dhe komisarët e formacioneve të mëdha partizane, madje edhe shumë nga heronjtë e popullit. Evokimi i Luftës së Dytë Botërore dhe i frymës së përgjithshme të Antifashizmit duhet të shërbejë si mësim i madh për kultivimin te brezat e ardhshëm të idesë së vendosjes së marrëdhënieve të bashkëjetesës normale dhe të bashkëpunimit si element thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të njerëzimit.

Shkrimtari Enver Kushi tregoi një stendë (në miniaturë) të antifashizmit çam, ekspozuar në vitin 2004, e cila kishte një vend të vecantë në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar, në kohën kur drejtohej nga M. Zeqo, por çuditërisht më pas u shkatërrua nga ujërat e shirave që rrodhën pikërisht mbi këtë stendë! Zoti Kushi kritikoi me tone të forta një libër të autorit E. Memishaj ku, sipas tij, ka përpjekje për të anatemuar figurën e heroit Ali Demi. Fashizmi ende nuk është çrrënjosur, tha E. Kushi, duke iu referuar thënies së gazetarit të njohur Viktor Çami, i biri i Aziz Çamit.

“Ali Demi është padyshim një nga figurat kryesore të Luftës nacional Clirimtare, tha prof. Bashkim Kuçuku në fjalën e tij. Kjo është veprimtaria e parë për Ali Demin në këto 33 vjet, ndaj përgëzoj fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”. Aliu më krijonte emocion qysh kur isha në bankat e shkollës. Ka qenë heroi im. Më pas në vitet ‘60 nuk përmendej emër tjetër nga antifashistët e shquar çamë. Dhe kjo padyshim më trishtonte pa masë. Në vitet ’80, kur isha redaktor në gazetën “Drita”, më sollën një përmbledhje me këngë e vjersha të heronjve, ku ishin renditur edhe dy vjersha të Ali Demit, me shënimin “Ali Demi, Filat, Greqi”. I tronditur kërkova të korrigjohej menjëherë, duke i sqaruar se Aliu ishte nga Filati i Çamërisë, gjë që u saktësua duke e shtypur prapë librin.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, i cili mori fjalën në vijim, e vlerësoi antifashistin e shquar Ali Demi, si një meteor, që me dritën e tij i bën nder Çamërisë dhe historisë shqiptare. Gjurmët e tij i gjejmë qysh në konviktin Çamëria të Sarandës, në Gjimnazin e Gjirokastrës, në Gjimnazin e Tiranës, duke i cuar më tej traditat atdhetare e kombëtare të Dematëve, me Ahmet Demin e Musa Demin.

Miku i Musa Demit, rilindasi Ibrahim Shyti, në letrën e tij më 25 maj 1962, midis të tjerash i shkruan: “Ashtu si ju Dematët e tjerë, biri i shquar i Çamërisë Ali Demi, kur erdhi në Vlorë, bujti si ilegal edhe në shtëpinë time në Skelë. Ishte një antifashist i madh, me shpirt të thellë kombëtar”.

Me formimin e Brigadës së V-të partizane Ali Demi mbajti një fjalim të zjarrtë në Gumenicë, ku përpara partizanëve tha: Shpirtin trimëror dhe heroik të shqiptarëve nuk e smbraps as dimri i egër e as armiku i tërbuar. Rroftë Shqipëria e Lirë! (“Trumpeta Çlirimtare”). Në verën e vitit 1943 Aliu u vra në krye të Luftës Antifashiste të qarkut të Vlorës, tha prof. Bardhosh Gaçe.

Labëria dhe Çamëria kanë qenë bashkë në gëzime dhe hidhërime, tha Prof. Dr. Bernard Zotaj, në kumtesën e tij.

“Labëria dhe Çamëria janë dy krahinat më jugore të Shqipërisë. Armiqtë e Labëria kanë qenë dhe armiq të Çamërisë. Ndaj të dy krahinat janë gjendur, historikisht në rrjedhën e kohërave, gjithnjë pranë njera tjetrës. Kështu ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve nazifashistë. Popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, por në luftën italo-greke mbajti një qëndrim neutral. Me thyerjen e ushtrisë italiane dhe tërheqjes e saj nga Greqia, dhuna dhe terrori mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, u bë më intensive, prej qeverisë së re greke. Për të përballuar gjendjen e rëndë të krijuar nga pushtuesit e rinj gjermanë, çamët zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës me grekët. Kështu u organizuan dy mbledhje në Koskë dhe në Spatar, ku njerëz me ndikim në krahinë si Musa Demi, Shuaip Llajo, Isuf Izeti, Xhaferr Çafuli, Jasin Sadiku dhe shumë të tjerë, punuan për të krijuar mirëkuptim midis komunitetit grek dhe shqiptar. Popullsia çame nuk pranoi të bashkëpunonte me gjermanët dhe nuk i përdori armët kundër popullsisë greke. Ajo u rezistoi me vendosmëri përpjekjeve për ta hedhur kundër elementit grek. Forcat shoviniste greke u shqetësuan shumë, kur u bë ngritja e këshillave shqiptarë në të gjithë Çamërinë. Në dimrin e viteve 1942-1943, popullsia çame u organizua në luftën kundër fashizmit, dhe në verën e vitit 1942, krijoi në Filat grupin ilegal të rezistencës antifashiste të përbërë nga Njazi dhe Kasëm Demi, Mustafa Sulo, Dervish Dojaka, Muharrem Demi, Braho Karasani, Sami Alushi, Tahir Demi, Vehip Huso e shumë të tjerë. Këta punuan për organizimin e rezistencës, për krijimin e bazave të luftës, për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin.

Formacione luftarake të Çamërisë luftuan e derdhën gjak krahas atyre të Labërisë, ashtu sikurse bënë edhe formacionet luftarake të Labërisë në trevën e Çamërisë. Bijt dhe bijat e të dy krahinave dhanë ndihmesë të ndërsjelltë edhe për organizimin e luftës çlirimtare.

Krahina e Konispolit ishte një nyje e rëndësishme strategjike dhe vlerësohej prej pushtuseve si një pikë lidhëse midis dy anëve të kufirit, por dhe me bregdetin. Ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane shqiptare e shikonte minoritetin grek në Shqipëri dhe zonën e Çamërisë, si ura lidhëse e bashkimi midis dy popujve për të luftuar pushtuesin e përbashkët. Nga marrëveshja e arritur midis Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe Frontit Nacionalçlirimtar Grek (EAM), përfaqësues nga të vendet u dërguan në masat popullore për të shpjeguar këtë proces. Kjo bëri që të rreshtoheshin në forcat partizane të UNÇSH e të ELAS shumë luftëtarë nga dy vendet. Ndërkohë, biri i Çamërisë së cfilitur nga shovinizmi grek, Ali Demi, i gjendur familjarisht në Tiranë, do të jepte një ndihmesë të shquar në organizimin e qëndresës popullore kundër fashizmit në krahina të ndryshme të Shqipërisë si në Tiranë, Çermenikë, Kërrabë, Zaranik dhe në trevën e Labërisë e kryesisht në Vlorë dhe në krahinën e Mesaplikut.

Në fund korriku 1943, u dërgua me detyrë sekretar i Qarkorit të Partisë Komuniste për Vlorën dhe më pas si sekretar poltik.

Duke qenë gjithnjë në lëvizje, Aliu kishte rënë në sy të pushtuesit dhe të tradhëtarëve. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1943, duke u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, dhe pse në kalanë e Kaninës kishte gjermanë. Baza e tij ku strehohej ishte rrethuar nga gjermanët e ballistët. Thirrjes së tyre për t’u dorëzuar, Aliu me dy shokët, ju përgjigj me grykën e maliherit. Mbi ta filluan të bien edhe predha artilerie e mortajash. U vra shoku i tij Pano Dhimëgjoka. Plagoset Dhimitër Mandro, shoku tjetër.

Aliu për të mos rënë i gjallë në duart e armikut, çan rrethimin, por te qafa e Dheut të Bardhë goditet dhe bie në fushën e nderit si trimat…

Më 9 korrik 1945, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist, i jep titullin më të lartë, plotësisht të meritueshëm, “Hero i Popullit”. Në këtë manifestim për Antifashizmin çam, në 80 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, populli i trevës së Labërisë përulet me nderim para veprës së lartë atdhetare të birit të shquar të Çamërisë, Ali Demi. Ai i përket Vlorës heroike, pasi dha jetën në luftë me pushtuesit gjerman dhe reaksionin në kalanë legjendare të Aranitëve. Antifashisti ngeli përjetësisht në Vlorë për t’u treguar brezave heroizmin partizan në luftë për çlirim dhe pavarësi…

Profesor Ago Nezha tha: Përshëndesim këtë aktivitet homazh për një nga djemtë idealistë të Çamërisë, për antifashizmin çam dhe kontributin e çamëve në Luftën Antifashiste këtej dhe andej kufirit, emrin e të cilit, pra të Ali Demit e mbante një batalion, me 500 djem dhe vajza nga Çamëria martire, pjesë e regjimentit të pesëmbëdhjetë të ushtrisë çlirimtare greke. Ali Demi i bën nder jo vetëm Çamërisë, por edhe labërisë dhe tërë Shqipërisë. Ali Demi është i pavdekshëm, sepse pavdekësia është privilegj i pak njerëzve, është privilegj i të mëdhenjve.

Ndërsa Enver Reçi, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës Nacionalclirimtare, tha mes të tjerash se “Simboli i dëshmorëve dhe heronjve të kombit është ndoshta më i arrituri në historinë e simboleve që na la sistemi i kaluar. Është vërtet një nderim i madh që i bëhet të gjithë atyre që luftuan për atdheun dhe dhanë jetën në çdo kohë. Ali Demi ‘Hero i Popullit’ është njeri nga antifashistët e Çamërisë që nderon komunitetin çam dhe, së bashku edhe me antifashistët e tjerë janë pjesë e krenarisë sonë kombëtare. Bijtë e Çamërisë janë pjesë e kombit që dhanë jetë për lirinë dhe vatanin”.

Në fund përshëndeti edhe diplomati i mirënjohur Leonard Demi, duke e konsideruar antifashizmin çam një vlerë të padiskutueshme të Çamërisë, me të cilën duhet të krenohemi. ”Babi im, Petrit Demi, luftoi dy vjet me EAM-in, ndërkohë që kryeministrat grekë të pasluftës ishin të gjithë pinjollë të kuislingëve, tha zoti Demi.

Moderatorja e kësaj veprimtarie, Sildi Koqini, i ftoi pjesëmarrësit në aktivitete të tjera të fondacionit, që do të organizohen në atmosferën e 80 vjetorit të genocidit grek ndaj Çamërisë.

Please follow and like us: