Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Mos u ngutni të gjykoni prindër që ua rrisin fëmijët gjyshërit

Mos u ngutni të gjykoni prindër që ua rrisin fëmijët gjyshërit. Sepse shumë nuk kanë zgjedhje tjetër në vendin ku jetojmë. Jo prej egoizmi, por pamundësie. Morali pa dhembshuri, ndonjëherë është privilegj me ton të lartë.

Jam dakord se gjyshërit janë të lodhur, por jo vetëm nga rritja e detyruar (a me qejf) e nipërve dhe mbesave, por nga një sistem që i trajton si barrë dhe jo si pasuri.

Tradita jonë e ka patur të vetin këtë model, por sot ky nuk është më model familjar, por politik që i ka detyruar njerëzit të jetojnë në improvizim të përhershëm. Të punosh për të mbijetuar dhe të lësh fëmijët tek gjyshërit, në masë, nuk është më zgjedhje, as egoizëm, por dëshmi e një dështimi shoqëror e modeli politik.

Prindërit punojnë edhe 10 orë në ditë, nga 2 punë, shpesh pa fundjavë, vetëm për të përballuar qiranë, faturat dhe ushqimin bazë. Në këto kushte, kur të rrisin fëmijët? Në mesnatë?

Shteti s’ofron kujdes real për fëmijët e vegjël. Çerdhet dhe kopshtet publike nuk i përmbushin nevojat, janë të mbipopulluara, ndërsa ato private janë të papërballueshme për shumicën. Nuk po flas këtu për pasigurinë fizike e ushqimore.

Të dy prindërit duhet të punojnë, ndryshe familja nuk mbijeton. Me një rrogë nuk mund të jetosh normalisht e aq më pak të përballosh një dado apo ndihmëse.

Nuk ka politika që ndihmojnë me strehimin, kujdesin ndaj fëmijës, përkrahjen psikologjike apo fleksibilitetin në punë. Nuk ka! Asnjë nga politikanët me pushtet nuk e ka shndërruar këtë në kauzë. Asnjë deputet/e. Të bëhesh prind sot është një barrë private në një shtet që s’ka asnjë përgjegjësi publike.

Shteti e ka privatizuar plotësisht barrën e prindërimit. Siç ka privatizuar çdo sektor jetik, por jo për qëllime të drejta, por për polarizimin e tejskajshëm shoqëror me pasurimin e një grushti shtrënguar rreth pushtetit.

Fëmija është një pasuri publike, por rritja e tij është lënë si një “ndëshkim” privat. Tepër cinike të shohësh të panjohur në rrugë e t’i përcaktosh si gjyshër “të dënuar” me rritje nipërish e mbesash. Dhe prindërit “fajtorë brutalë” se nuk duan t’i rrisin vetë fëmijët. Shumë nuk i lejon jeta. Ose më saktë: nuk i lejon sistemi. Nuk është e drejtë të masim të gjithë me të njëjtën kut morali, kur rrugët që ndjekim janë kaq të ndryshme. Disa kanë ndihmë, të tjerët vetëm lodhje. Disa kanë zgjedhje, të tjerët vetëm detyrime.

E kam provuar mbi shpinë, kur puna në media na mbante pa orar, sidomos kur pushteti na konsideronte armiq e duhej të mbanim me thonj për orë të tëra programin a televizionin që urdhërohej të mbyllej nga pushteti. Prindërit e tim shoqi ishin shpëtimi për një familje të re, që vajza të rritej me dashuri e kujdes.

Por edhe nëse rasti im ngjan ende jo bindës, po ju sjell të shumë familjeve që njoh e profesioni mi vendos përballë.

Kur punon nga mëngjesi në darkë, për një rrogë që nuk mjafton, kur çerdhja është plot, dadoja e papërballueshme dhe shteti nuk ekziston, kur je prind i ndarë nga emigracioni a prej divorci, çfarë bën? U thua gjyshërve: “Ma mbani dhe kësaj here”! Dhe ata i mbajnë. Me gjithë dashurinë, por edhe me gjithë lodhjen, sëmundjet, vitet mbi supe. Dhe kanë një motiv më shumë gjyshërit tanë. Sepse sot të kesh pranë nip e mbesë është privilegj, sepse emigracioni ka lënë gjyshërit të strukur në një muze digjital, ku vetëm mund t’u tundin dorën prej whatsapp-i të vegjëlve, që as në gjuhën e nënës nuk gjegjen dot. Ky po, mund të jetë faj e akuzë ndaj prindërve. Ashtu sikurse ngordhja e nervit të protestës. Për këto mund të akuzojmë prindërit sa të duam.

Por prindërit nuk janë bërë egoistë. Janë bërë të rraskapitur. Dhe është faji i një modeli që nuk e mbështet prindërimin, nuk investon tek fëmijët, nuk njeh barrën që mban familja shqiptare çdo ditë.

Në këtë vend, familja nuk është më një zgjedhje, por e vetmja strukturë sociale që punon. Sepse shteti ka dështuar. Me gjithsej.

Please follow and like us: