Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fatmir Terziu: Mbi librin poetik “Lutje në kohën e Sizifit” të Jaho Margjekës

 

 

E dëgjova disa vjet më parë zërin e Jaho Margjekës (gjatë një interviste me mua për krijimtarinë time në radion ku punon ai) dhe disa ditë më parë e dëgjova timbrin e poezisë së tij për herë të parë, të kombinuar me atë të poetit Skënder Buçpapaj, që analizonte mjaft qartë parathënien e vëllimit poetik “Lutje në kohën e Sizifit” (Nacional, Tiranë 2025). Dëshira më ftoi të lexoja poezitë e përfshira tek ky vëllim dhe dashuria për poezinë më shtyu të shkruaja diçka për revistën time në print “Albanian Post” në Mbretëri të Bashkuar dhe për www.fjalaelire.com. Përveç kësaj, ishte një arsye më shumë, se të gjitha sa thashë janë vetëm nga larg, vetëm me fjalë e mall për poezinë e poetin që kur e dëgjon është thjesht një gazetar i mbarë dhe kur e lexon poezinë e tij e ndjen se është një poet i veçantë.

“E mbarë“ dhe “e veçantë“, sigurisht që nuk mund të bëhen bashkë, por ajo që vjen nga “Lutje në kohën e Sizifit” si tematikë, si mesazh, natyrshëm i riformaton qartë. Dhe të dyja i përkasin edhe poetit, po aq sa i mbesin edhe poezisë. Në këtë riformatim ajo që vjen nga “pas vrimës së çelësit“ tek poezia “Ditët e fundit“, apo “mbretëria e bishtëdredhësave“ tek poezia “Peisazh nën ujë“, nuk është se po dëgjohet dhe bëhet mesazh për herë të parë, por mënyra se si ajo vjen në poezi për lexuesin, natyrisht është një diskurs poetik që shtron themelin dhe rrit nivelin estetik.  Ashtu si këto dy shkëputje, edhe problemet që përmban dhe trajton poezia e Jaho Margjekës, nuk janë të reja për letërsinë shqiptare, por bëhen të reja kur fitojnë dhjetëra beteja diskursive në tërë transparencën e tyre konfigurative. Kjo transparencë konfigurative na shtron duke lexuar disa pyetje: Çfarë i jep kuptim jetës njerëzore? Pse krijon ndjesinë se jeta po kalon rrëmujë dhe po shndërrohet në një jetë “pa jetë, e zbehtë“? (Margjeka, Qetësi e rreme“ 1989). Kjo seri pyetjesh mund të vazhdohet. Dhe fakti që i bëjmë ato me ndihmën e poezisë së Margjekës, tregon qartë se ato shfaqen për të krijuar vlerën e qartë poetike të diksursit në fjalë.

Në fakt, “Lutje në kohën e Sizifit” ngre pyetje të tilla, por vetëm për t’i larguar ato dhe për të kaluar në problemin e saj krejtësisht të ri.

Lutje në kohën e Sizifit” tregon qartë lidhjen me poezinë e simbolizmit dhe, më saktë, me strofën e strofën e fundit tek “Statujë memece“ (Margjekaj, 1988). Kjo strofë thotë: “Po zemra heshti, heshti./ Statujë memece ngeli./ Me dhimbje, me dhimbje./ Tungjatjeta Eli“. (Ibid) Motivi i diskursit simbolist tek “Mos qaj, qe sosur dashuria“ Margjekaj, „Qe sosur dashuria) në formatin që shkruan poeti është plotësisht identik me motivin „Mos u dridh ti shelg i vogël/I vogël sa artimi, i hollë sa dashuria“ (Margjekaj, „Pse po dridhesh ti shelg i hollë“). Kësisoj Jaho Margjeka, duke përdorur mbi trembëdhjetë herë këtë diskurs tregon se se simbolizmi mbetet një prioritet në poezinë e tij. Këtë simbolizëm ai e ka edhe me simbolikën e natyrës, me vetë lumin, me vetë elementët përbërës të jetëndodhjes, përpara se ato të hyjnë në grepin e trajtimit simbolik si tek poezia „Lulezhgënjimi“: „Në vend/ Të iluzionit/Po mbjell farën e/ Zhgënjimit./Të paktën/ Petale,/ Lulezhgënjimi/ Do të ketë.“ (Po aty).

Kështu mes simbolizmit, mes mesazhit, filozofisë dhe urtisë së fjalës, i lexoj poezitë e Jaho Margjekës me një frymë dhe e kuptoj se këto nuk janë thjesht poezi, por përkufizime. Për shembull, dashuria e kam: „… në një “oh” të bardhë“. E zbulojmë pikërisht këtë dashuri në përmbledhjen “Lutje në kohën e Sizifit”, ku poezitë paraqiten këtu së bashku me origjinalet, të cilat u thonë shumë shumicës së lexuesve, por që edhe i shtojnë hijeshi një libri të vlefshëm në vetvete. Është një meritë e poetit, Dr. Mujo  Buçpapaj dhe shtëpisë botuese “Nacional“ që na bënë ta njohim këtë poet të talentuar dhe origjinal, dhe të vlerësuar që nga koha e botimit të poezisë së tij tek “Zëri i Rinisë“.

Tashmë, poezia e kësaj përmbledhje poetike na ndihmon të pasurojmë njohuritë tona për veprën e tij poetike. Në poezitë e Margjekajt, ëndrrat e dashurisë provokojnë rrëfime që kufizohen me oksimoronin: „Ti rrije si pëllumbeshë, kokëmënjanuar/ E flisje me atë zë të ëmbël llaftari/O Zot një shekull të mos isha zgjuar/ Nga ajo ëndërr – zhgjëndërr lumturi“ (Poezia Odé). Të flasësh me atë zë të ëmbël nuk do të thotë se po nënçmon, por se memorizimi i ëndrrës sate është pasuruar.

Ashtu si dashuria, ëndrrat nuk hyjnizohen dhe as nuk përdhosen, por paraqiten si fotografi të animuara, në të cilat autori thotë se “jam dehur në një ëndërr“ dhe “jam bërë mik me erën/ jam bërë diell/Zog i bardhë, ré, qiell“. (Poezia, Prej dashurisë dhe urrejtjes). Në përkufizimin e parë gjejmë të gjithë hendekun e përhumbjes, për të cilin vetëm trupi dhe mendja janë të rëndësishme, dhe dashuria, e cila mund të përballojë luksin e diskursit në bukurinë e vargut, në të qënit mik me shumë gjëra të cilat i shpjegon në mënyrë simbolike vetë poeti. I njëjti poet që, flet me madhështi ëndrrash edhe për fakte dhe faktorë të tjerë.

Përkufizime, thamë më lart, këto janë poezitë e Jaho Margjekajt, dhe dua të kthehem te ky term: autori i përcakton vendet me sytë e tij, shkruan poezi për të rregulluar një arsye diskursive, por është e dobishme dalja e mesazhit deri edhe prej asgjëje, vëren me trishtim dhe nuk i thyen kontratat me cilësinë e gjuhëpërdorimit, madje nuk i thyhen as poezitë, të paktën askush nuk mund ta thyejë një poezi, duke cituar Eliot, Dickinson, Quasimodo dhe shumë poetë të tjerë. Në një pasazh, Jaho Margjeka, thotë se “Zhurmat rrotull e shpojnë terrin/ E vijnë e hyjnë në dhomën time“ janë me origjinë të ndryshme. Për shumicën e këtyre faqeve të këtij vëllimi, flet poeti edhe në emër të heshtjes, ai shpjegon se zhurmat „që nuk bëzajnë“, zhurmat nuk janë aty se„Jashtë ka ndodhur mrekullia e jetës/ Ka përqafuar tokën agu i ditës së re“. (Po aty).

Kështu duke përfunduar mund të themi se poeti Jaho Margjeka tek “Lutje në kohën e Sizifit” është bërë një poet ku dallon simbolika e të dukshmes. Libri është i dizajnuar dhe paraqitur me një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj detajeve, duke përzier arin rozë dhe të zezën në një mënyrë elegante dhe sentimentale. Ideja e shpirtit të butë, të mbyllur në guaskën e ashpër të trupit të njeriut del në të gjithë ndërrmrjen poetike të poetit. Duke lexuar “Lutje në kohën e Sizifit” ne si lexues nënkuptojmë se jemi shpirtra të uritur dhe të etur, dhe qajmë në trupat tanë… deri në tërësinë më të thukshme të diskursit.

https://www.fjalaelire.com/post/fatmir-terziu-nj%C3%AB-poet-plot%C3%AB-simboliz%C3%ABm?fbclid=IwY2xjawKsX41leHRuA2FlbQIxMQBicmlkETE0ZHdGbXRZU21WSU1FM0ZQAR6A0Re68iMA5WGddw1l5yAEUGllhe3W1dJWEmMgDVX_Mu3Yt_n6u5lLJYjBEQ_aem_V6E7g4kmfEYEgSFJd0JJhg

Please follow and like us: