Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: Nën syrin vëzhgues të publicistit Avdulla Kënaçi


Botimi dhe publikimi i një libri të ri është ngjarje e madhe dhe e gëzueshme për krijuesin, por edhe për miqtë dhe lexuesit e tij. Autorin Avdulla Kënaçi jemi mësuar ta ndjekim si gazetar, por këto dy dekadat e fundit edhe si shkrimtar nëpërmjet botimit të katër vëllimeve me tregime e novela.

Kritika letrare i ka përshëndetur veprat e tij duke i vlerësuar për tematikën dhe nivelin e pëlqyeshëm artistik. Këtë radhë kemi në dorë reportazhet, përshkrimet, skicat, ese dhe portrete të mrekullueshme të figurave të shquara të letërsisë, artit dhe kinematografisë në Diasporë e në Shqipëri.

Përse autori e ka titulluar librin e tij të fundit “WEST”? Shumë e thjeshtë; Avdulla Kënaçi për gati dy dekada jeton pranë fëmijëve të tij emigrantë në Kanada, pa i shkëputur për asnjë çast lidhjet me Atdheun amë. Ne jemi mësuar të themi për banorët e kontinentit amerikan: ata të Perëndimit, ndikuar edhe nga subjektet e filmave amerikanë Wester. Bota e atjeshme, në këtë vëllim, zbërthehet nëpërmjet reportazheve, skicave dhe përshkrimeve, duke u nisur nga festat si komunitet shqiptar, krijimtaria letrare e gjer tek bota e tyre e brendshme shpirtërore.

Ngjarjet, situatat, personazhet e këtij libri thuajse janë figura që kanë jetuar e jetojnë në kontinentin amerikan si regjisori i madh Sten Dragoti, aktivisti Tasim Ruko, shkrimtarët Zeqo Cama, Jeta Vojkollari, Përparim Kapllani, etj. Tërheqin vëmendjen mbresat dhe kujtimet me shkrimtarin e shquar Petro Marko, Lefter Çipën, kineastin dhe botuesin Kujtim Gjonaj, etj.

Duke lexuar reportazhin “Kuba, ky ishull i izoluar i Karaibeve”, ose “Qyteti i Majave” në Meksikë, të duket sikur edhe ti ke vizituar këto vende interesante, je zhytur në historinë e tyre të veçantë dhe ke ndjerë vapën përvëluese të Tropikut.

Në këtë vëllim do të gjeni edhe tri nga intervistat e tij dhënë shtypit shqiptar dhe radios kombëtare kineze, intervista dinamike ku autori shpalos jetën e tij si dhe disa ngjarje që kanë lënë gjurmë në dy sistemet politike të vendit tonë të cilat ai i ka përjetuar gjatë jetës së tij aktive duke ushtruar profesionin e gazetarit.

Ky autor është një figurë e njohur në publicistikën shqiptare dhe në dekadën e fundit në letërsinë artistike. Ka lindur në qytetin e Gjirokastrës ku unë e kam njohur qysh në rininë e hershme të tij. Ka kryer studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.

Vitet e para të karrierës së tij ka punuar në gazetën lokale të qytetit të lindjes e më pas në gazetat qendrore në Tiranë si dhe skenarist i filmit dokumentar në Kinostudio. Me ardhjen e demokracisë ka punuar redaktor në sektorin e kulturës në Radiotelevizionin Shqiptar si dhe Drejtor i Programit Satelitor në RTSH.

Në gazetari është shquar në gjininë e reportazhit e përshkrimit, ndërsa në Televizion çeli rrugën e realizimit të dokumentarëve për jetën dhe punën e emigrantëve shqiptarë në Diasporë, sidomos në Zvicër, Itali, Greqi, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kinostudion “Shqipëria e Re” ka realizuar trembëdhjetë filma dokumentarë me tema sociale, kronika, portrete, etj. Prej Diasporës dallohen filmat për shkollën e parë shqipe në Selanik të Greqisë, nga Zvicra jeta e shqiptarëve emigrantë nga Kosova, shkollat shqip si dhe përpjekjet e kontributi i tyre për çlirimin nga okupimi i egër i Serbisë. Në Amerikë, Itali dhe Maqedoninë e Veriut ka pasqyruar jetën dhe përpjekjet e shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës shqip, luftën për mbijetesë, etj. Nga Amerika mund të përmendim dokumentarët “Skënderbeu në Michigan”, kushtuar ngritjes së monumentit të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, portretin “Regjisori Sten Dragoti”, autor filmash amerikane, bir emigrantësh të hershëm nga Tepelena, “Piktori Bashkim Ahmeti ne New Jersey”, etj. Ne vitin 2007 Avdulla Kënaçi iu bashkua djalit e vajzës së tij, emigrantë me aplikim të rregullt në Kanada.

U vendos me banim pranë tyre, fillimisht në Toronto e pastaj në qytetin Mississauga. Gjatë kësaj periudhe iu përkushtua tërësisht letërsisë shqipe. Ka botuar katër vëllime me tregime e novela: “Enigma e një nate”, “Autokritika”, “Liridona” dhe “Shtegtimi i fundit”, të cilat janë pritur mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Me këta tituj librash ai mori pjesë në Festivalin e Librit Shqip në Toronto gjatë vitit të shkuar.

“WEST” është libri i pestë i tij. Si një nikoqir i fjalës artistike dhe punëtor i palodhur, jam i bindur se do të na dhurojë vepra të tjera letrare edhe në të ardhmen.

Librit të ri “WEST” i uroj rrugëtim të mbarë drejt lexuesit, kurse autorit, mikut tim të mirë, i uroj shëndet e krijimtari të begatë.

Tiranë, 12 maj 2025.

Please follow and like us: