Albspirit

Media/News/Publishing

Promovohet libri i Shaban Muratit “Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar”

Ditën e hënë, më 2 qershor, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, promovimin e veprës së fundit të profesor Shaban Muratit: “Antitabu si Katarsis i Mentalitetit Shqiptar”.

Ambasador Shaban Murati, para se të ndahej nga jeta, përfundoi së shkruari këtë vepër, e cila vjen pas dy antitabuve të tjera.

Profesori i shquar Shaban Murati ishte, padyshim, një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist, me kulturë solide në fushën juridike dhe atë të së Drejtës Ndërkombëtare, njohës i mirë i letërsisë, eseist, madje dhe profesor në estetikë, tha moderatorja Sildi Koqini në hyrje të aktivitetit. Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Drejtuesi i Fondacionit, Alket Veliu, e hapi aktivitetin me një fjalë emocionuese për nder të ambasador Muratit. Ai theksoi se ky promovim ishte më shumë se një aktivitet kulturor – ishte një homazh për një zë të kthjellët të diplomacisë shqiptare, një mendje e lirë dhe e paepur që, deri në ditët e fundit të jetës së tij, mbeti e angazhuar në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të së vërtetës.

Z. Veliu e përshkroi Shaban Muratin jo vetëm si diplomat dhe publicist, por si një personalitet me përvojë të jashtëzakonshme diplomatike dhe me një ndjeshmëri të thellë intelektuale. Ai ndau me të pranishmit fatin dhe privilegjin e të qenit mik dhe bashkëpunëtor i ambasadorit në vitet e fundit të jetës së tij, si dhe nderin që Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” pati duke e pasur z. Murati si anëtar të bordit drejtues dhe një udhërrëfyes të çmuar.

Alket Veliu theksoi se kontributi i ambasador Muratit për çështjen çame ka qenë i pazëvendësueshëm: jo vetëm një zë i guximshëm për drejtësinë historike, por edhe një strateg që ndërtoi një platformë diplomatike konkrete për zgjidhjen e saj.

Në “Antitabu 2”, Murati parashtroi një udhërrëfyes të qartë dhe të argumentuar, duke kërkuar që shteti shqiptar të ndërtojë një platformë të qëndrueshme dhe zyrtare për ta bërë çështjen çame pjesë të pandashme të tryezave diplomatike me Greqinë. Ai dënoi heshtjen zyrtare dhe kërkoi që kjo çështje të mos mbetet më jashtë dosjes kombëtare.

Në fund, drejtuesi i fondacionit theksoi se kujtimi për ambasador Shaban Muratin duhet të shndërrohet në angazhim të përbashkët: që ideja dhe vizioni i tij për një Shqipëri dinjitoze, për një diplomaci të kthjellët dhe me bosht kombëtar, të mos mbeten thjesht në raftet e kujtesës, por të udhëheqin brezat e rinj dhe ata që mbartin përgjegjësinë për të folur në emër të Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit morën fjalën një sërë personalitetesh të fushës së diplomacisë, gazetarisë, akademisë dhe aktivizmit qytetar – figura që e kanë njohur nga afër Ambasadorin Shaban Murati, që e kanë ndjekur me vëmendje veprën e tij, dhe që ndanë me publikun reflektime të thella mbi trashëgiminë që ai lë pas.

Shkrimtarja Hiqmete Daja, redaktorja e librit, solli për të pranishmit një përshkrim të hollësishëm të procesit të përgatitjes së veprës “Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar”, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të një autori që nuk kërkon të lëvdohet, por të nxisë mendimin kritik dhe reformimin e vetëdijes kombëtare. Ajo theksoi stilin polemik por të argumentuar të Muratit, si dhe rëndësinë e kësaj vepre për të sfiduar narrativat e lodhura dhe të paefektshme të mendësisë politike shqiptare.

Gazetari Arben Iliazi tha se Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Veprat e tij, Trashëgimia që la, janë një pasuri e vyer kombëtare.

Një tjetër mik i afërt i ambasadorit, prof. dr. Ksenofon Krisafi, foli për figurën e tij shumëdimensionale dhe vizionin që e karakterizonte në çdo fushë të veprimtarisë publike.

Pano Hallko, studiues i njohur, ndau me të pranishmit vlerësimin e tij për kontributin e vyer të Ambasador Muratit në fushën e diplomacisë. Ai theksoi se pjesa më e madhe e analizave të tij janë përqendruar te problematikat, sfidat dhe misioni aktual i diplomacisë shqiptare, duke vendosur në qendër të reflektimit kërkimin për një identitet shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë së sotme.

Prof. Elvis Hoxha vlerësoi theksin që Murati i ka dhënë ruajtjes dhe reformimit të kodit të kombësisë, si një bazë për zhvillimin e vetëdijes kombëtare.

Pjesë e veçantë e aktivitetit ishin edhe përshëndetjet e dy miqve të ambasadorit nga Durrësi: z. Agron Çalliku dhe z. Abdulla Deliallisi, të cilët ndanë vlerësime të përzemërta për mikun e tyre të paharruar.

Në fund të aktivitetit, me emocion dhe mirënjohje, fjalën e mori Erl Murati, djali i autorit, i cili ndau me publikun disa reflektime personale mbi figurën e të atit. Ai foli për idealizmin e thellë që e shtynte ambasadorin të shkruante deri në ditët e fundit të jetës, për përkushtimin ndaj së vërtetës dhe për dashurinë ndaj Shqipërisë. Mes emocioneve, ai falënderoi organizatorët për respektin e treguar dhe për faktin që vepra e të atit po mbetet gjallë përmes lexuesve dhe institucioneve që e çmojnë mendimin e pavarur.

Në këtë mbrëmje përkujtimore dhe promovuese u prezantua dhe u rikonfirmua vlera e një zëri të rrallë kombëtar, që me guxim, argument dhe dinjitet, la pas një trashëgimi të çmuar për Shqipërinë dhe për brezat që do të vijnë.

Vepra “Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar” është tashmë në duart e lexuesve – një ftesë për të menduar ndryshe, për të kërkuar më shumë nga vetja dhe për të mbrojtur me zë të qartë interesin kombëtar.

Please follow and like us: