Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Antitabu si katarsis i mentalitetit shqiptar

A do t’i kërkojë Polonia BE-së, largimin nga posti të Lajçakut?

Portali news.yahoo.com njoftonte në 15 shkurt 2023 se Ministria e Jashtëme e Polonisë ka pushuar nga puna të gjithë diplomatët polakë, që janë diplomuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të MPJ të Rusisë të quajtur MGIMO.

Është sekret i njohur nga të gjithë se ky institut është themeluar dhe i menexhuar nga shërbimi sekret rus, dikur me emrin KGB dhe tani me emrin FSB.

Ministri jashtëm i Polonisë, Zbigniev Rau, duke shpjeguar motivet e veprimit administrativ të MPJ për largimin nga rradhët e shërbimit diplomatik polak të të diplomuarve në MGIMO,  dekaroi për “Gazeta Polska”: “MGIMO është një ivestim në punën e imperializmit rus.

Është pjesë e “soft power” ruse dhe supozohet që të diplomuarit e atij universiteti i shërbejnë perandorisë ruse”.

Vendimi i MPJ të Polonisë për pastrimin dhe filtrimin e rradhëve të diplomacisë polake nga të diplomuarit e MGIMO-s së MPJ të Rusisë, është një vendim i drejtë sovran i saj për mbrojtjen e diplomacisë dhe të interesave shtetërore dhe kombëtare polake.

Në situatën e tanishme të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, të kërcënimeve ruse për luftë ndaj gjithë Europës dhe rreziqeve ekzistenciale, që Moska përfaqëson për gjithë fqinjët e Ukrainës dhe sidomos ndaj Polonisë,  ky veprim i MPJ të Polonisë është i kuptueshëm dhe i mirëkuptueshëm.

Kjo masë preventive e Polonisë për mbrojtjen e diplomacisë nga viruset ruse duhet marrë si një model efektiv për të gjitha shtetet ish-komuniste, që sot janë anëtarë të NATO-s dhe të BE, dhe kanë plot të diplomuar të MGIMO-s ruse në poste diplomatike kyçe kombëtare dhe ndërkombëtare. Para disa vitesh, duke marrë shkas nga rrjedhja e informacioneve të klasifikuara atlantike nga NATO në Moskë, selia e NATO-s në Bruksel u kërkoi të gjitha shteteve anëtare listat me emrat e diplomatëve të tyre, që janë diplomuar në Moskë…

Vendimi i drejtë sovran i MPJ të Polonisë shkaktoi stuhi në Moskë dhe zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharove, në 17 shkurt në konferencën e saj të rregullt të shtypit sulmoi Poloninë, duke e cilësuar veprimin polak si shkelje të të drejtave të njeriut.

Nuk tha edhe humbje e disa burimeve të informacionit për Rusinë.

Duke marrë shkas nga vendimi i drejtë i MPJ të Polonisë për largimin nga rradhët e saj të diplomatëve polakë të diplomuar në MGIMO-n ruse, një pyetje urgjente lind nëse Polonia si shtet i rëndësishëm i BE dhe i NATO-s do t’i kërkojë BE-së largimin e menjëhershëm nga postet diplomatike të BE të diplomatit sllovak Miroslav Lajçak, i cili mban postin e të dërguarit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë dhe për Ballkanin.

Miroslav Lajçak është diplomuar në moshën 24 vjeç në vitin 1987 në MGIMO-n e MPJ ruse. Një vit më vonë në vitin 1988, kur vendi i tij ishte anëtar i Traktatit famëkeq ushtarak të Varshavës, i krijuar dhe i sunduar nga Moska dhe kur kuadrin diplomatik të shteteve të Tratatit të Varshavës e bënin institucionet ruse, Lajçak emërohet diplomat në ambasadën çekosllovake dhe sllovake në Moskë, ku qendron deri në vitin 1993.

Pas kësaj ai ka pasur një karrierë të shkëlqyer diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare , të cilën nuk mund të mendohet ta ketë një diplomat i një shteti të vogël e të varfër, pa një përkrahje të vazhdueshme nga  një shtet i fuqishëm.

Ai gjeti të shtruar në tavolinë postet të rëndësishme diplomatike si drejtor Ekzekutiv në misionin e OKB për Ballkanin, i dërguar i posaçëm i BE për referedumin e pavarësisë së Malit të Zi, përfaqësues i lartë i BE në Bosnje-Hercegovinë, ministër i jashtëm i Sllovakisë, president i Asamblesë së Përgjithëshme të OKB, kryetar i OSBE në Vienë, etj.etj. për të mbrritur tani te posti delikat i përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë.

Në vitin 2018 MPJ e Rusisë i dha Miroslav Lajçakut titullin “doktor honoris causa” i Institutit MGIMO, për merita që duket ishin përputhur me interesat e Rusisë në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht i diplomuari i MGIMO-S dhe doktor honoris causa i MGIMO-s ruse, është përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë dhe për Ballkanin. Çdo diplomat, që i ka ndjekur veprimtarinë dhe qendrimet e tij diplomatike në Ballkan, e ka të lehtë të konstatojë përputhjen me teza dhe qendrime të MPJ të Rusisë për Kosovën dhe për Ballkanin.

Në situatën e tanishme europiane të reve të zeza të luftës, që po vijnë nga Rusia drejt Europës, bëhet imediate një pyetja ekzistenciale për integritetin europian të diplomacisë së BE:

A do t’i kërkojë Polonia BE-së largimin e menjëhershëm të Miroslav Lajçkut nga shërbimi diplomatik i BE?

21.2.2023.

Idealistët e zanatit të shitur

Një pyetje për gazetarët e të gjitha moshave: Kush janë më idealistë të profesionit, gazetarët e varfër të para viteve 90′, të cilët si gjithë populli rrinin në rradhët torturuese për shishen e qumështit, për tollonin e racionit të mishit, të vezëve, të gjalpit, të kafes, të vajgurit, etj. apo disa gazetarë instant-milionerë të pas viteve 90’, të cilët “të pabrekë i gjeti dreka, milionerë i gjeti darka”, dhe u bënë instrumente të abuzimit qeveritar, të korrupsionit zyrtar dhe të krimit të organizuar dhe të japin mend për natë nga mendjet e tyre mediokre nëpër ekrane e media për demokraci e revolucione pallati, të fryrë nga vilat, pallatet dhe kontot bankare milionaeuroshe, me të cilat u shpërblyen nga qeveritë për shërbimet e tyre kriminale?

Ndaj gazetarët milionerë, pronarë të befasishëm vilash e pallatesh, janë nëpër ekrane po aq të pështirë sa qeveritarët e korruptuar dhe po aq të egër sa kriminelët. Pushteti i katërt nuk ekziston në Shqipëri, sepse është shkrirë me pushtetin autokratik të qeverive dhe të krimit.

Kam një propozim për “Autoritetin e Mediave Audiovizive”: Të detyrojë të gjitha stacionet televizive të Tiranës që në skenën e çdo paneli apo emisioni politik të vendosin banderola me gërma të  mëdha me fjalët lapidare të gazetarit të famshëm italian, Indro Montaneli, për gazetarët e pasur: ”Në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni. Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë”.

6.3.2023.

Aritmetika e gabuar diplomatike qeveritare

Nuk e dimë se kush ia shkruan fjalimet diplomatike kryeministrit të Shqipërisë, por në reagimin e tij diplomatik për takimin Vuçiç-Kurti në Ohër në 17 mars, lexuesi lexon: “…një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”. (Agjencia zyrtare e lajmeve e Shqipërisë, ATSH, 19 mars 2023).

Nuk e dimë se çfare aritmetike ka mësuar ai apo ajo, që i shkruan fjalimet diplomatike kryeministrit të Shqipërisë, por ndoshta jeton me të dhënat antike arkivore dhe i duket se Shqipëria është në kohën e para Luftës së Dytë Botërore, kur 98 përqind e popullsisë ishin analfabetë.

Sepse nuk ka mendje të pakufishme të imagjinojë një pretenciozitet absurd kryeministror për “dy kombet më të mëdha të Ballkanit”.

Nuk do shumë shkollë apo kurse, por mjafton të lundrosh në google dhe gjen përmasat e 12 shteteve, që përbëjnë Ballkanin dhe që janë të anëtarë të së vetmes organizatë rajonale me emrin SEECP, Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore.

Nga mësuesi i saktë i googlit mëson se kombi turk, kombi grek, kombi bullgar, kombi rumun, qenkan në Ballkan më të mëdha se sa “dy kombet më të mëdha” të reagimit kryeministror.

Nuk ka burrë nëne të kuptojë se kujt e drejtohet kjo lloj diplomacie aritmetike orgjinale qeveritare.

Po në atë reagim kryeministri uron që “marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes shqiptarëve dhe serbëve”. Se çfarë do të thotë “realitet i ri mes shqiptarëve dhe serbëve” apo “pajtim midis shqiptarëve dhe serbëve”, siç thotë prej kohësh presidenti serb Vuçiç, nuk ka diplomat dhe filozof ta dëshifrojë.

Sepse diplomacia nuk shtegton me krrabë në dorë nëpër male dhe nëpër skërka të mbledhë dhe të pajtojë shqiptarët dhe serbët sëbashku në një mejdan të madh si Woodstock. Diplomacia, meqë është punë shteti, pajton qeveritë dhe shtetet dhe prej tyre rrjedh pajtimi i popujve dhe kombeve, jo i personave të veçantë të origjinave të ndryshme etnike.

Kushdo që ka kuriozitet për këtë temë, mund të lexojë në librin tim “Ballkani Faustian”, viti 2016, fq.490, analizën me titull “Teza folklorike e pajtimit të serbëve me shqiptarët”, kritikë për babain e kësaj teze, që është presidenti serb Vuçiç.

Në diplomaci paraqesin rrezik të madh jo ata që nuk dijnë, por ata që nuk duan të dijnë.

20.3.2023.

Një rrymë regresive letrare

Është formuar një rrymë regresive letrare e përbërë nga disa shkrimtarë të pakicave etnike në Shqipëri, të cilët në bashkëveprim po keqpërdorojnë krijimtarinë letrare dhe etiketën “shkrimtar”, duke fokusuar një frymë konstante urrejtje ndaj historisë së kombit shqiptar dhe identitetit kombëtar shqiptar. Nëpër librat e kësaj rryme shpaloset këmbëngulja fanatike etnike dhe fetare për të zhbërë gjenezën, historinë, autoktoninë, kulturën, artin, figurat kryesore historike, etj. të kombit shqiptar, që nga koha e Ilirisë, mesjetës e deri në ditët tona. Nën maskën e lirisë së krijimtarisë dhe të shprehjes po shpërndahet një lloj letërsie antishqiptare, që synon të mohojë identitetin kombëtar shqiptar dhe të drejtën e popullit shqiptar për të drejtuar fatet e veta dhe shtetin e vet.

Ajo, që tërheq vëmendjen, është glorifikimi artificial dhe i organizuar i këtyre lloj shkrimtarëve antishqiptarë të pakicave etnike nga institucionet dhe rrjetet mediatike të Shqipërisë, që nga çmimet e pamerituara letrare, hapësirat e pakufishme mediatike e deri te postet politike e zyrtare. Ka një sponsorizim të organizuar të krijimtarisë së tyre letrare antishqiptare, që lidhet me ndikimet dhe fuqinë e lobeve të shteteve, të cilat na kanë grabitur popullsi dhe territore. “Kolona e pestë” e famshme nuk i takon vetëm politikës, por edhe letërsisë.

Fatkeqësia më e madhe kulturore, arsimore, edukative dhe kombëtare është që disa shkrimtarë të tillë dhe romanet e tyre ndezurrejtës për çdo gjë shqiptare, po hyjnë në programe shkollore, duke helmuar masat e nxënësve shqiptarë.

Kjo rrymë regresive letrare devijon dhe shkombëtarizon letërsinë kombëtare shqiptare, e cila ka nevojë jetike të mbrohet si “Monument i ruajtur nga shteti”.

24.3.2023.

Internacionalizmi ortodoks i kryeministrit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në deklaratën e tij për mediat në datën 26 mars 2023 pas takimit të zhvilluar në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se i ka kërkuar kryeministrit Kurti “funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”. E përsëris: është deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë dhe jo e presidentit serb Vuçiç apo e kryeministres serbe Bernabiç. Është bërë në mes të Tiranës në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë dhe kërkesa i drejtohet kryeministrit të shtetit të dytë shqiptar, Kosovës.

Është një profanim diplomatik dhe kombëtar i paparashikueshëm, i cili të shtyn në ngasjen se cilën qeveri dhe cilin shtet ka përfaqësuar kryeministri i Shqipërisë në bisedimet me kryeministrin e Kosovës.

Pas marrëveshjes së “xhentëlmenëve” në 27 shkurt në Bruksel dhe në Ohër në 18 mars midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, asnjë  nga personalitetet shtetërore dhe diplomatike perëndimore, që kanë komentuar marrëveshjen dhe kanë nxitur të dy shtetet për zbatimin e saj, që nga sekretari amerikan i shtetit Blinken e deri te presidenti francez Makron, nuk e kanë përmendur fare asnjeri “funksionimin me garancitë e nevojshme të kishës serbe në Kosovë”. Madje as ministri i jashtëm grek, Dendias, i një shteti tipikisht ortodoks dhe aleat strategjik i Serbisë, nuk e zuri fare me gojë çeshtjen e kishës serbe në deklaratat e tij pas takimit në Beograd me presidentin e Serbisë Vuçiç në datën 22 mars.

Pse e paska shqetësim kaq të madh personal dhe politik kryeministri i Shqipërisë “funksionimin me garancitë e nevojshme të kishës serbe në Kosovë”? Pse nuk foli kryeministri i Shqipërisë për thelbin e problemeve dhe të prioriteteve, që është njohja reciproke e dy shteteve, Kosovë dhe Serbi; pse nuk kundërshtoi kryeministri i Shqipërisë asosiacionin e rrezikshëm monoetnik serb në Kosovë, pse nuk foli për zbatimin e sovranitetit ligjor dhe kushtetues të shtetit të Kosovës në Veriun e saj, etj.etj.

Nuk mendoj se është rastësi që kryeministri i Shqipërisë nuk foli dhe harroi me dashje që të shprehte në 24 mars mirënjohje për NATO-n në përvjetorin e ndërhyrjes humanitare atlantike kundër Serbisë për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik.

Ende e paqartë është nëse kryeministri i Shqipërisë e shprehu shqetësimin e tij të madh për kishën ortodokse serbe në Kosovë si impuls instiktiv i fanatizmit të tij fetar si kriptotodoks apo i fanatizmit politik si aleat i ngushtë personal dhe shtetëror i presidentit serb Vuçiç dhe i Serbisë.

Sido që ta rrotullosh del te konkluzioni se kemi dëshminë e një internacionalizmi ortodoks dhe kriptokomunist të kryeministrit të Shqipërisë.

27.3.2023.

S’ka zot ta kuptojë flirtin e pashpresë të diplomacisë perëndimore ndaj Serbisë

Presidenti serb Vuçiç në 20 prill 2023:

“Turpi qoftë mbi ata të gjithë, gjithë vendet e Quintit. (SHBA, Francë, Gjermani, Britani e Madhe dhe Itali). Të gjithë ata janë gënjeshtarë”.

(Mediat serbe “B-92” dhe “N1info.rs”, 20 prill 2023).

Vuçiç në 20 prill 2023: “Na thonë të hyjmë në NATO, sepse Rusia përbën  kërcënim për të gjithë. Por ne nuk mund të hyjmë në NATO, sepse NATO përbën kërcënim për Serbinë”.

(Media ruse “Balkanist”, 21 prill 2023).

Vuçiç në 20 prill 2023: “Vendet perëndimore më kanë lodhur me kërkesat e tyre për të vendosur sanksionet antiruse. Vetëm përsërisin se ne duhet të mbështesim sanksionet”.

(Gazeta ruse “Kommersant”, 21 prill 2021)

Perëndimi diplomatik po i gëlltit pa reaguar fare ndaj këtyre fyerjeve zyrtare serbe. Nuk reagojnë as pesë shtetet e Quintit dhe as nga selitë e BE dhe të NATO-s.

Asistojmë në stinën e habitshme të pubertetit diplomatik perëndimor me ekzaltime dashurie ndaj Vuçiçit si dikur ndaj Titos. Por Tito nuk guxoi ta fyente kurrë Perëndimin në këtë farë feje, sepse Perëndimi diplomatik i asaj kohe kishte dinjitet tjetër.

Ky i sotmi sheh ëndrra mëngjesi sikur po ia heq Kremlinit Serbinë nga shtrati dhe Serbia i hedh vicka dhe e fyen si karrocier.

Nuk ka zot ta kuptojë flirtin e pashpresë të diplomacisë perëndimore ndaj Serbisë.

Në botë po ndryshojnë shumë gjëra, bashkë me ekulibrin e forcave.

23.4.2023.

Kur politikën rajonale të Tiranës e bëjnë guzhinierët

Nuk e di se si dhe nga e ka krijuar bindjen qeveria e Shqipërisë se çdo shqiptar i Kosovës është ekspert për rajonin. Le të mos ketë qenë një ditë diplomat në Ballkan, le të mos ketë shkruar asnjë libër për Ballkanin, madje as edhe një artikull për ndonjë shtet të Ballkanit. Mjafton të jetë nga Kosova, (dhe sidomos po qe pak me barrë me UDB), automatikisht qeveria e Tiranës e shpall “ekspert të Ballkanit” dhe e merr këshilltar të saj. Është njësoj si të quash 145 milion shtetasit rusë ekspertë të çeshtjeve ruse, 333 milion shtetasit amerikanë ekspertë të çeshtjeve amerikane apo 1,4 miliard shtetasit kinezë t’i quash ekspertë të çeshtjeve kineze.

Ndaj dhe e ka ndritur qeveria e Shqipërisë politikën e saj ballkanike. Mirë nuk kanë lexuar e janë vetë tabula rasa, ca merr këshilla nga ata që nuk dinë, dhe rezultati është ai që thotë miku im poet i shquar shqiptar se çfarë ndodh kur për të gatuar vë “guzhinierin” e gabuar…

Por neokomunistët e Tiranës ndjekin porositë e Leninit, që thonte se në komunizëm politikën e jashtëme do ta bëjnë guzhinierët.

27.4.2023.

Ku duket balta e kolltukut më e ëmbël se mjalta e shkencës? Në Shqipëri

Pyetini në mitingjet elektorale dhe në konferencat e shtypit të krerëve të të dy partive kryesore: Përse pothuaj të gjithë kuadrot e përzgjedhura me dorë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Fakulteti i Shkencave, të cilët Komiteti Qendror i Partisë së Punës i dërgoi për studime e specializime të kushtueshme në Francë, kur u vendos regjimi demokratik pothuaj të gjithë lanë si me urdhër katedrat dhe profesionet akademike dhe i pamë presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë dhe funksionarë shumë të lartë të të dy partive kryesore politike, që alternuan njera-tjetrën në pushtet në këto 32 vjet. Morën me vete në kolltuqet e pushtetit vetëm titujt dhe gradat akademike, që u kish dhënë partia, dhe që nuk harronin t’i vinin mëngjes darkë në firmat e tyre në çdo shkresë burokratike zyrtare të kolltukut, dhe për 32 vjet në kolltukun demokratik nuk shkruan më një gërmë, pa le më një fjali, për profesionin për të cilin Partia Nënë i pat dërguar dhe specializuar në Paris. Misioni i tyre kishte qenë kolltuku dhe sistemi i ri i kolltukut. Mos i pyetni përse disa ministra të njera-tjetrës ishin ministra te të dy llojet e qeverive postkomuniste, vetëm kujtoni proverbin latin se njera dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.

Alumnit e Parisit iu bënë rrodhe në formë rrjeti kolltukut pushtetar dhe Shqipërisë për mbi 30 vjet me rradhë dhe asnjeri nuk iu kthye më katedrave të dikurshme, edhe pasi mbushte mandatin e kolltukut. Nuk u kuptua asnjëherë nëse Komiteti Qendror i PPSH i dëgoi në Paris rekrutët e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Shkencave për t’i përgatitur për shkencat apo si fidanishte e isteblishmentit të pushtetit të ardhshëm postkomunist. U takon historianëve dhe filozofëve të së ardhmes të përcaktojnë nëse misioni i tyre në regjimin demokratik ishte mision i Partisë së Punës apo mision i Francës.

Po të ishte gjallë Çajupi do të këndonte: Ku duket balta e kolltukut më e ëmbël se mjalta e shkencës? Në Shqipëri!

29.4.2023.

Për narcistin me shtatë tuje që shpalli zbulimin e madh se shqiptarët dhe serbët janë… kushërinj (!)

Një narcist me shtatë tuje nga ata, që mendojnë se mjafton mjekrra t’i dish të gjitha, pas hulumtimeve vetiake në majë të vidhit, të penelit dhe të hurit, shpalli në nje mexhlis ndërkombëtar në Athinë në 28 prill 2023 zbulimin e madh të shekullit se shqiptarët dhe serbët janë kushërinj.

Pas këtij zbulimi lind pyetja e madhe: meqë serbët dhe rusët kanë deklaruar pothuaj përditë në të gjitha instancat, që nga presidentët Putin dhe Vuçiç e deri te populli i thjeshtë, se rusët dhe serbët janë vëllezër me njeri- tjetrin, a i bie tani që shqiptarët janë kushërij edhe me rusët?

Pyetja tjetër është: nëse shqiptarët janë kushërinj me serbët, a i bie që edhe shqiptarët janë fise sllave të përtej Uralit, që kanë ardhur bashkë me kushërinjtë e tyre serbë në Ballkan në shekullin 7 të erës sonë, ku kanë gjetur ca popuj, që quheshin ilirë, dhe të cilët kishin toka me tepri, që me të drejtë ia morën fiset sllave.

Nuk mund të parashikohet nëse ky zbulim i pashoq gjenetiko-etnik ballkanik, që shqiptarët dhe serbët janë kushërinj, do të marrë apo jo çmimin “Nobel”, por mund të parashikohet që Akademia e Shkencave e Serbisë dhe Akademia e Shkencave e Rusisë ta konsiderojnë për ta futur zbuluesin e kësaj teorie anëtar të Akademive të tyre.

Narcisti i mësipërm me një të goditur rrëzoi për tokë të gjithë shkencën europiane dhe albanologjinë, shkencëtarët dhe albanologët europianë dhe shqiptarë, me mjekërr e pa mjekërr, që prej shekujsh janë lodhur kot dhe kanë shkruar me qindra libra për të vërtuar gjenezën ilire të shqiptarëve.

Nëse individi në fjalë do të kishte folur në mexhlisin e Athinës për origjinën gjenetike dhe etnike të vetes apo të paraardhësve të tij si kushurij me serbët, nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo çështja është se teoricieni i ri i sllavologjisë foli në emër të “Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Kjo mund të çojë në atë që kushërinjtë serbë mund t’u kërkojnë kushërinjve shqiptarë zbatimin e tapive sllave të tokave të kushurijve dhe mund të firojnë disa territore të tjera shqiptare, p.sh. në Veri të Kosovës ose edhe ndonje copë deti Adriatik.

Nuk është ndonjë sakrificë e madhe, sepse midis kushërinjve ndahet gjithçka, edhe tokat, edhe deti, edhe pasuritë, edhe nderi. Rëndësi ka që shqiptarët dolën kushërinj me serbët dhe shqiptarët duhet të kënaqen me zbulimin e madh, që i jep përfaqësuesit të tyre më të lartë narcist rastin që të habisë botën shkencore dhe diplomatike dhe të shijojë bukurinë unike të vetes në pellgjet shqiptare të lotëve dhe të turpit.

Me zbulimn e madh të gjenezës së përbashkët sllave të shqiptarëve dhe të serbëve, tani Ballkani do të gjejë paqen dhe lumturinë e premtuar nga kushërinjtë tanë serbë.

1.5.2023.

Mësim ballkanik

Ata, të cilëve shteti ua ka edukuar si sport vrasjen masive të popujve të tjerë ballkanikë, një ditë e bëjnë sport të vrasin masivisht populli e vet.

Nëse presidenti i sotëm i shtetit e ka nisur karrierën e artë politike me programin thertor “nëse vritet një serb, unë vras 100 boshnjakë”, nuk duhet të habitemi përse në atë shtet fanatikët e çmendur të çdo moshe, të cilët sot nuk kanë mundësi të vrasin 100 boshnjakë, fillojnë të vrasin 100 serbë.

12.5.2023.

Më mirë certifikata “vëllezër me kinezët” se sa ajo “vëllezër me grekët”

Udhëheqësit e nënshtruar të Shqipërisë herë pas here gjatë historisë i kanë shpallur popullit shqiptar vëllazëri gjenetike me disa popuj të tjerë.

Prita të shpërthenin rrufetë e levantinëve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në 11 maj 2023 lëshoi proçkën e rradhës se “ne grekët i kemi vëllezër”.

Nuk pipëtiu asnjë levantin, asnjë ateist i modës dhe asnjë fondamentalist i grupeve të zjarrit të pakicave fetare. U pajtuan me proçkën “shqiptarët janë vëllezër me grekët”.

Imagjinoni se çfarë stuhie dhe breshëri retorik do të kishte shpërthyer, nëse Rama do kishte bërë gabimin fatal dhe të deklaronte se “ne turqit i kemi vëllezër”.

Të gjithëve u kujtohet si kanë ngritur alarme autoktonie levantinët e Tiranës dhe të Prishtinës, kur ndonjë ministër turk ka guxuar ta thotë këtë gjë.

Tani, që Rama i bëri shqiptarët vëllezër me grekët, levantinët dhe fondamentalistët fetarë në Tiranë dhe në Prishtinë heshtën dhe nuk e mbrojtën virgjërinë autoktone.

Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë se levantinët, ateistët falso dhe fondamentalistët e pakicave fetare nuk e kanë hallin te virgjëria autoktone e shqiptarëve, por paguhen për misionin e kryqtarëve fetarë kundër shumicës.

Nuk pipëtinë as politikanët, as ata të fermanit kryeministror të “vëllazërisë greke” dhe as ata të dhj…rë të opozitës që janë në ekstazë mjerane me “vëllazërinë greke”, e as mediat e të dy palëve të listëpagesave greke për idiotizmin, që “ne jemi vëllezër me grekët”.

Sepse të shtypurit dhe rajatë nuk kanë identitet e as dinjitet dhe nuk u bën përshtypje që në 111 vjet shtet Shqipëria ka pasur vetëm konflikte dhe rivendikime territoriale nga Greqia në të gjitha kohrat dhe regjimet.

“Vëllai” Greqi mban prej 83 vitesh në fuqi sot e kësaj dite ligjin e luftës me Shqipërinë.

Ironia është se edhe të nesërmen e deklaratës halucinante se “ne jemi vëllezër me grekët”, Ministria e Jashtme e “vëllait” Greqi pompoi katër komunikata kundër Shqipërisë.

“Vëllai” Micotaqis protestoi kundër Shqipërisë te presidentja e Komisionit Europian. “Vëllai” Dendias protestoi kundër Shqipërisë te ministri i jashtëm i BE dhe te presidenca suedeze e rradhës e BE. Ambasadorja greke mblodhi të gjithë ambasadorët e BE të akredituar në Tiranë dhe protestoi kundër Shqipërisë.

MPJ e “vëllait” Greqi në datën 13 maj 2023 lëshoi komunikatën me rivendikimin terriorial për Himarën si “qendër sinjifikante e minoritetit kombëtar grek” dhe kërcënoi Shqipërinë se “do të ketë reperkusione në marrëdhëniet e BE me Shqipërninë”.

Kryeministri i Shqipërisë mund të ketë arsyet e veta personale dhe familjare për “vëllazërinë“ e tij me grekët. Udhëheqësit e nënshtruar të Shqipërisë herë pas here gjatë historisë i kanë shpallur popullit shqiptar disa popuj vëllezër.

Historia na provon se ka qenë më e përshtatëshme çertifikata shtetërore e “vëllezërve kinezë” të shqiptarëve, se sa kjo e tanishmja e “vëllezërve grekë” të shqiptarëve.

15.5.2023.

Mençuria e nënave

Në ditën e nënave duhet kujtuar dhe u duhet transmetuar brezave mençuria e nënave tona. Më ka mbetur që nga fëmijëria proverbi i nënës sime të urtë për kursimin si mësim i jetës:  “Qerrja baj dhe luga ndaj, e ka mundur luga qerren”!

Kërkohet një historian…

Në samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, të mbajtur në Rejkjavik në 16-17 maj 2023, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin  e tij zyrtar lëshoi befasinë e rradhës se “Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzistuese qysh prej vdekjes së Josif Visarionoviç Stalin“. (Sipas tekstit në faqen zyrtare të qeverisë).

Afishohet si qendrim zyrtar një shtrembërim i së vërtetës historike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë, që nuk nderon as folësin dhe as shtetin, që ai përfaqësonte në një samit solemn para mbi 30 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Europës.

I duhet gëzuar faktit që Rusia nuk merrte pjesë në samitin e Rejkjavikut, sepse mund të ndodhte që përfaqësuesi i Rusisë të ngrihej dhe t’ia rrëzonte poshtë kryeministrit të Shqipërisë këtë të pavërtetë historike të marrëdhënieve dypalëshe, duke i rreshtuar atij dhe auditorit të lartë diplomatik pak fakte të periudhës pas Stalinit:

-Në 14 maj të vitit 1955 Shqipëria pranoi të bëhet nga Rusia anëtare e Traktatit Ushtarak të Varshavës, i krijuar dhe i drejtuar nga Moska.

-Në vitin 1956 Shqipëria dhe Rusia ngritën nivelin e marrëdhënieve diplomatike nga misione në nivel ambasadash.

-Në 12 shtator të vitit 1957 Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Rusisë nënshkruan marrrëveshjen dypalëshe për ngritjen e bazës ushtarako-detare ruse në Pashaliman të Shqipërisë, dhe për të vendosur forcat ushtarake ruse në territorin shqiptar.

-Në maj të vitit 1959 Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Rusisë dhe kryeministër i Rusisë, Nikita Hrushov, zhvilloi një vizitë të gjatë dyjavore në Shqipëri.

Kjo është e vërteta e marrëdhënieve dypalëshe pas vdekjes së Stalinit në periudhën e viteve 1953-1961, që nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet dhe as të fshihet, sepse përndryshe shndrrohet në një alibi dhe amnisti për periudhën e satelitizmit të Shqipërisë nga Moska dhe kur Shqipëria  kaloi nga semafori serb te semafori rus.

Nuk ka informacion se cila mendje kozmike i ka futur në fjalim kryeministrit këtë idiotizëm historik. Në këto rrethana të pakëndëshme diplomatike, akademike, historike, kombëtare dhe ndërkombëtare, bëhet emergjente që pranë kryeministrit të Shqipërisë të dërgohet si ndihmës një historian, që t’ia mësojë dhe t’ia shkruajë temat dhe çeshtjet historike siç kanë ndodhur vërtet dhe jo si shpikje historiko-kulturore të një nate të bukur islandeze.

18.5.2023.

Rusia dhe Serbia gjejnë “heroin”, BE gjen armikun imagjinar

Ndërsa diplomacia e BE i është vërsulur armikut imagjinar në mullarin me kashtë në formën e Kosovës, Rusia dhe Serbia qetësisht reabilitojnë dhe glorifikojnë zyrtarisht kriminelin më të madh ndërkombëtar të pas luftës së dytë botërore, presidentin serb Sllobodan Millosheviç, që vdiq në qelitë e Gjykatës së Hagës.

Mediat ballkanike njoftuan në 14 qershor se në Moskë doli në skenë djali i Sllobodan Millosheviçit në ceremoninë e inagurimit të shtatores së babait kriminel ndërkombëtar, që kreu krime makabre kundër njerëzimit në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci.

Inagurimin e drejtoi bashkëpunëtori i ngushtë dhe miku i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, dhe udhëheqës i bandave militariste motoçikliste të shërbimit sekret ushtarak rus, që njihen me emrin “Ujqit e natës”, Aleksandër Zalldastanov.

Siç njofton me entusiazëm media ruse “balkanist.ru”, shtatorja u vendos ne rajonin ekskluziv Sollosllovo të Moskës, rajon i elitës politike ruse dhe pranë rezidencës zyrtare të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili me sa duket e ka idhull Millosheviçin dhe pa lejen e të cilit as mund të mendohej vendosja e shtatores së kriminelit serb.

Ndaj dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Rusisë ngarkoi një anëtar të saj skulptor për ta bërë shtatoren.

Shtatorja pati edhe përkrahjen e qeverisë së Serbisë, ministria e kulturës e së cilës përgatiti të gjithë dokumentacionin shoqërues zyrtar dhe financoi dërgimin nga fonderia në Serbi në sheshin e vendosjes në Moskë.

Nderimi i Moskës për kriminelin më të madh ndërkombëtar të pas luftës në Europë vjen pas nderimit zyrtar, që i organizoi atij ish-ministri i kabinetit millosheviçian në kohën e kryerjes së krimeve, dhe sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi publikisht se “Millosheviçi është i pafajshëm”.

Kurse krahu i djathtë i Vuçiçit, Aleksandër Vulin, anëtar i qeverisë së Serbisë dhe tani shef i agjencisë serbe të spiunazhit, i cili ka qenë zëdhënës i bashkëpunëtores në krim dhe bashkëshorte e Millosheviçit, e shpalli publikisht kriminelin ndërkombëtar Millosheviç “luftëtar të lirisë”.

Diplomacia e BE me Borellët, Lajçakët dhe Stanot, nuk e kanë parë dhe as e kanë ndjerë këtë glorifikim të kryekriminelit ndërkombëtar Millosheviç. Dhe natyrisht nuk kanë folur, sepse po ndërtojnë një narrativë revizioniste për Serbinë agresore dhe imazh paqësor për presidentin fashist Vuçiç.

Po kërkojnë qiqra në hell për të ndërtuar me kashtë figurën e “armikut ndërkombëtar” në formën e Kosovës.

Rusia dhe Serbia tallen me diplmatët e BE, sepse e konsiderojnë fushatën artificiale të diplomacisë europiane për armikun e popullit ndërkombëtar te Prishtina, si një alibi të re për krimet, gjenocidin dhe agresionet e përgjakëshme të Serbisë kundër popujve jo-serbë në fundin e shekullit të kaluar. Rusia dhe Serbia e kanë gjetur “heroin” e tyre serb.

14.6.2023.

Internacionalizmi sui generis shqiptar

Përse në Ballkan vetëm udhëheqësit e Shqipërisë janë kozmopolitë dhe internacionalistë, dhe nuk janë të tillë udhëheqësit në Serbi, në Greqi, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë, në Kroaci, në Slloveni, në Turqi, në Bullgari, në Rumani, etj., etj.?

Qeveritë e djathta në Tiranë si rregull kanë shitur integritetin territorial të Shqipërisë. Qeveritë e majta në Tiranë si rregull kanë shitur sovranitetin shtetëror të Shqipërisë.

Qeveria e majtë, që erdhi në pushtet në 2013 me devizën “përtej së majtës dhe të djathtës”, i shiti të dyja: edhe integritetin territorial, edhe sovranitetin shtetëror të Shqipërisë.

20.6.2023.

Ambasadorët e Perëndimit në Beograd e kanë lëkurën të trashë

Nuk e di nëse është rastësi që ambasadorët e vendeve kryesore të Perëndimit në Beograd e kanë lëkurën të trashë dhe durojnë çdo lloj sharje dhe shpifje, që presidenti i Serbisë Vuçiç lëshon pothuaj çdo ditë kundër shteteve të tyre.

Nuk kuptohet nëse ata ambasadorë e bëjnë të paktën detyrën flllestare të mbajtjes shënim të çdo qendrimi zyrtar të presidentit serb dhe të autoriteteve kryesore të Serbisë për këtë temë për t’ia referuar ministrive të tyre të jashtëme.

Nuk dihet ende nëse lëkura e trashë e durimit superstoik të ambasadorëve të Perëndimit përballë sharjeve dhe shpifjeve zyrtare të Serbisë kundër vendeve të tyre është porosi e qendrimit diplomatik nga qendrat përkatëse drejtuese të ambasadorëve të Perëndimit.

Lexoni që të bindeni:

1-Vuçiç tallet me Shtëpinë e Bardhë: “Kokainë është gjetur në Shtëpinë e Bardhë dhe jo në zyrën e Vulinit!”, (drejtori i agjencisë serbe të spiunazhit i sanksionuar non grata nga SHBA në 11 korrrik 2023).

-Deklaratë e presidentit serb Vuçiç në 12 korrik 2023.

2-Vuçiç shan të pesë shtetet e Quintit, (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali): “Turp të kini të gjithë! I gjithë Quinti, të gjithë ata janë gënjeshtarë”!

-Deklaratë e presidentit serb Vuçiç, 20 prill 2023.

3-Vuçiç shpif kundër të gjithë shteteve të Perëndimit: “Perëndimi është gjërësisht përgjegjës për shkaktimin e problemeve në Serbi, sepse vendi ynë ka refuzuar t’iu dorëzojë atyre Kosovën në pjatë. Sot mora informacion nga shërbimet informative motra nga Lindja, (Rusia), që më thanë se këto janë pëpjekje të Perëndimit për “revolucion me ngjyrë” në Serbi”.

-Deklarate e presidentit serb Vuçiç në 20 maj 2023.

4-Vuçiç tallet me illuzionet e Perëndimit se Serbia do të largohet nga Rusia.

Presidenti i Serbisë Vuçiç shkarkon në 11 korrik 2023 nga kabineti i tij qeveritar ministrin e ekonomisë Rade Basta, sepse ai guxoi t’i sugjerojë qeverisë serbe që të verë në zbatim sanksionet kundër Rusisë, siç ia kanë kërkuar asaj BE dhe SHBA.

Konkluzion: Unë besoj se ambasadorët e Perëndimit në Beograd duhet që të paktën në blloqet personale diplomatike të kenë mbajtur shënim të gjithë koleksionin e sharjeve, talljeve dhe fyerjeve të presidentit serb ndaj shteteve të tyre.

Mund të kuptohet deri në një farë shkalle lëkura e trashë diplomatike e ambasadorëve të Perëndimit në Beograd ndaj poshtërimit zyrtar, që u vjen nga një spurdhjak muzhik i Shumadisë së një mikroshteti.

Nuk e di nëse ambasadorët e Perëndimit në Beograd i kanë bërë vetes pyetjen e thjeshtë: Përse presidenti serb Vuçiç nuk ka sharë, nuk ka shpifur dhe nuk është tallur kurrë dhe asnjëherë me Rusinë, me Kremlinin dhe me presidentin rus Vladimir Putin?

Është e vështirë të kuptohet, se përse krahas lëkurës së trashë, çfaqet gjuha lëpirëse e ambasadorëve perëndimorë në Beograd për “konstruktivitetin dhe për kontributin e presidentit serb” në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Se si nuk shohin ambasadorët perëndimorë në Beograd provokacionet e njëpasnjëshme për luftë të Vuçiçit kundër Kosovës pesë herë që nga nisja e agresionit ushtarak rus në Ukrainë, se si nuk shohin nga selitë e tyre diplomatike në Beograd që presidenti serb është nxitësi dhe protektori kryesor i aksioneve separatiste të fashistit Milorad Dodik në Bosnje, se si nuk shohin që presidenti serb Vuçiç po destabilizon çdo ditë e më shumë Malin e Zi, anëtar të NATO-s, dhe ka sjellë në pushtet forcat fondamentaliste fetare filoserbe dhe filoruse, këto shpjegohen vetëm me sëmundjen e miopisë diplomatike.

Nuk do të ishte hera e parë dhe nuk e mbulon dot etiketa pretencioze se kjo është strategji largpamëse diplomatike. Diplomacia perëndimore dështimin e saj më të madh pas luftës së dytë botërore e ka pasur pikërisht në qendrimin e gabuar ndaj Serbisë së Millosheviçit me tolerancën antihistorike ndaj presidentit fashist serb me mendimin se duke ia ruajtur atij sundimin në Federatën Jugosllave do të sigurohej paqja dhe stabiliteti rajonal.

Tani po rishohim një film të vjetër diplomatik perëndimor me tolerancë absurde ndaj ministrit të Millosheviçit dhe vazhdues besnik i veprës se tij kriminale, që është presidenti aktual serb Vuçiç.

Ajo, që mund të thuhet, është se zhgënjimi pritet të jetë i madh për ambasadorët e Perëndimit në Beograd. Realizmi diplomatik u përsërit njerëzve mësimin e madh historik se edhe shtetet e mëdha bëjnë gabime të rënda diplomatike dhe gjeopolitike dhe venë jo rrallë baste të gabuara për udhëheqës të ndryshëm në rajone të ndryshme.

Natyrisht nuk janë shtetet e mëdha, që paguajnë haraçin e gjakut.

13.7.2023.

Mallkim shkencor

Ç’është ky popull, që edhe në demokraci, kur janë pakufizim liritë e kërkimit dhe të nxjerrjes së të vërtetës historike në mënyrë objektive, vazhdon të pjellë historianë fanatikë të kohës së Ahmet Zogut dhe të kohës së Enver Hoxhës?. Njera palë rreket të rrejë brezat e rij me parajsën e rreme të Zogut dhe pala tjetër rreket të rrejë brezat e rij me parajsën e rreme të Enverit.

Që kjo nuk është shkencë, është e qartë, por mos vallë ky fenomen është një mallkim shkencor?

17.7.2023.

Çaste nga historia e diplomacisë

Ministri i jashtëm i Bashkimit Sovjetik Andrej Gomiko, që ndejti në atë post për 27 vjet me rradhë, 1957-1985, kur ishte zëvendës ministër i jashtëm në vitin 1954 doli me nismën e papritur, duke propozuar që Bashkimi Sovjetik të bashkohej me Organizatën e Atlantikut Verior, NATO, të krijuar pak vite më parë. Por vendet perëndimore refuzuan ta pranojne shtetin sovjetik dhe kërkesa e Moskës u hodh poshtë.

Një nga parimet kryesore, nga i cili udhëhiqej diplomati Gromiko ishte “më mirë dhjetë vjet bisedime, se sa një ditë luftë”.

-Agjencia “News.ru”, 18 korrik 2023.

22.7.2023.

Mësim i hidhur nga historia ballkanike

Gjithë udhëheqësit e shteteve ballkanike i kërkuan aleatët dhe mbështetësit e shteteve të tyre te fuqitë jashtë Ballkanit. Dhe fituan shumë, duke u zgjeruar pareshtur me territore.

Vetëm udhëheqësit e Shqipërisë i kërkuan aleatët dhe mbështetësit e shtetit shqiptar brenda Ballkanit, te Serbia dhe te Greqia. Dhe Shqipëria nuk fitoi asgjë, vetëm humbi popullsi dhe territore, që ia morën “protektorët” e saj ballkanikë.

22.7.2023

Nevoja e njeriut për njeriun

Këtu ku jam për pushime e pi kafen shpesh vetëm dhe ndjej një mall për shokët e paktë të vërtetë, me të cilët do të ndash kafen dhe mendimet. Dhe sa herë që pi kafen, më kujtohen proverbat e urta të nënës sime të shtrenjtë, e cila për nevojën e njeriut për njeriun thonte: “Të thahet buza për një muhabet”!

27.7.2023.

Proverb amerikan në kohën e komunizmit

Kur isha në vitin e tretë të gjimnazit sistemi arsimor shqiptar shkoi në ekstremet komuniste, duke zbatuar mësimin maoist të trekëndëshit revolucionar ”mësim-punë prodhuese-kalitje fiziko-ushtarake” dhe ne bënim dy ditë punë prodhuese në javë në një nga ofiçinat më të mëdha të vendit NSHRMN, në Shkozet, Durrës. Në ditën kur do të fillonim punën prodhuese profesori i fizikës, Burhan Kaduku, një burrë i mençur dhe mendjehapur, nëndrejtor i gjimnazit, na mblodhi dhe nuk na foli as për trekëndëshin revolucionar dhe as për vigjilencën që kërkonte partia, por na këshilloi shkurt me një proverb amerikan, duke na thënë: Çuna, kini kujdes te makineritë. Në fabrikat amerikane kudo është i shkruar si parrullë proverbi “Zoti, kur krijoi njerun, harroi të bëjë pjesë këmbimi për të”.

5.8.2023.

Lehësit e së keqes

Është e pashpjegueshme, pse shumë komunistë fanatikë të regjimit diktatorial enverist pas ardhjes së demokracisë shfrytëzuan hapjen e rrugëve dhe shkuan në SHBA, Itali, Gjermani, Britaninë e Madhe, etj. ku ishin regjime, që ata i urrenin jo vetëm në kohën e qoftëlargut, por edhe sot i urrejnë. Në fakt nuk janë aspak komunistë të vërtetë, sepse po të ishin të tillë duhej të shkonin për të jetuar në vendet komuniste si Kina, Korea e Veriut, Vietnami, etj.

Mirë që u strehuan në Perëndim dhe gëzojnë pensionet e mira, ndihmën shëndetësore falas dhe të mirat sociale të kapitalizmit perëndimor, por pse nuk rrinë urtë e të heshtin, por lehin nëpër rrjetet sociale në Shqipëri në mbrojtje të komunizmit enverist. Në fakt nuk janë komunistë të vërtetë, por janë thjesht njerëz të ligj, që kanë zili dhe urrejnë realitetin, që shumica e popullit shqiptar jeton sot shumë më mirë se në kohën e triskave dhe tollonave të Enverit dhe e kanë bërë lanet atë regjim dhe atë diktator. Nostalgjikët enveristë, që lehin nëpër rrjetet sociale të Shqipërisë nga rehatia e vendeve kapitaliste perëndimore, janë pjesa më e zezë dhe më helmatisëse e llumit të shoqërisë shqiptare.

Brezi ynë e njeh mirë regjimin diktatorial dhe e di se kjo skotë lehësish nostalgjikë i ka borxhe të mëdha diktaturës, e cila i mori ata nga krraba dhe dhitë në skërkat e humbura të maleve dhe pushtuan qytetet, duke i bërë vegla të instrumenteve më shtypëse të diktaturës dhe duke u dhënë si shpërblim vila, poste, pushtet dhe jetë të paparë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Shembull tipik i këtij modeli është një ambasador i asaj kohe që mburrej për mrekullinë, që bënte Partia e Punës dhe shoku Enver, që atë bari në mal me dy klasë fillore e kishte bërë ambasador.

Mirë, që nuk kërkuan falje për atë regjim gjakatar, që vrau shqiptarë më shumë se sa u vranë në Luftën e Dytë Botërore, por përse nuk heshtin dhe të gëzojnë në qetësi të mirat e kapitalizmit të urryer prej tyre. Treguan më dinjitet nazistët gjermanë, të cilët ikën me mijra vetë nga Gjermania pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shkuan në vendet e Amerikës Latine, ku kurrë nuk u ndjenë dhe nuk dolën në mbrojtje të nazizmit as në publik dhe as në rrjetet sociale. Por nostalgjikët enveristë shqiptarë nuk janë as komunistë dhe as njerëz, por janë thjeshtë të ligj, që ëndërrojnë ende të vrasin, të shtypin dhe t’i vdesin nga uria shqiptarët si dikur në regjimin e tyre. Ata janë lehësit e së keqes.

Është një grup nostalgjikësh, që lehin edhe nga shtrati, edhe nga varrri, që duan ta kthejnë Shqipërinë në ferrin e dikurshëm enverist dhe tani lufton nëpër rrjetet sociale shqiptare dhe perëndimore për të arritur të paktën synimin e ligë që Shqipëria dhe populli shqiptar të përbuzen nga popujt dhe nga shtetet e tjera si njerëz të lindur për të keqen.

7.8.2023.

Goran Bregoviçit, miku i Putinit dhe i qeverisë shqiptare, i ndalohet hyrja ne Moldavi

Në 20 gusht 2023 në aeroportin e Kishinaut autoritetet moldave i ndaluan muzikantit serb Goran Bregoviç hyrjen në Moldavi. Arsyeja është se këngëtari serb është një adhurues i flaktë i Rusisë dhe i presidentit Putin dhe ka përkrahur agresionin e tanishëm ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Bregoviç përkrahu edhe pushtimin dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë ukrainase nga Rusia në 2014 dhe për t’i dëshmuar Kremlinit prorusizmin e tij dha koncert në Krimenë e pushtuar në vitin 2015. Autoritetet e Moldavisë, siç njofton media moldave “moldova1.md”, kishin deklaruar më parë se “personat publikë, që bëjnë thirrje për luftë dhe për urrejtje janë të padëshirueshëm në territorin e Republikës së Moldavisë”. Zëvendëskryeministri dhe ministri i zhvillimit ekonomik të Moldavisë, Dimitri Alajba, deklaroi me këtë rast se “Të vallzosh sot me muzikën e Bregoviçit është njësoj si të vallzosh mbi varret e ukrainasve të vrarë nga agresioni rus”. Media ruse “eadaily.ru” njoftonte në 21 gusht se “autoritetet e Moldavisë i refuzuan Bregoviçit hyrjen për shkak të qendrimit të tij për konfliktin në Ukrainë”.

MPJ e Serbisë dhe ministri i jashtëm, Ivica Daçiç, një filorus patologjik, bënë një protestë të ashpër, duke i kërkuar shpjegime Moldavisë për këtë ndalim, dhe Daçiç kërcënoi se “ndalimi i Bregoviçit ka shkaktuar reagime ekstremisht negative në Serbi”. Bregoviçin e ka ndaluar më parë të hyjë edhe Polonia, për të njejtat arsye.

Shtetet, që kanë dinjitet, e ruajnë atë duke mbrojtur interesat e veta dhe të aleatëve të tyre. Moldavia e ka dënuar ashpër agresionin rus në Ukrainë, sepse dhe vetë ndodhet nën kërcënimin ushtarak rus dhe një pjesë të territorit të saj e ka pushtuar Rusia.

Sa për levantinët shqiptarë, që papagallojne parimin e tyre qiellor se “arti është vetëm art”, që nuk ka lidhje me politikën, do të mjaftonin vetëm artistët zyrtarë serbë për të dëshmuar se arti bëhet politikë dhe instrument i politikave më kriminale. Prorusizmi i shëmtuar i artistëve të njohur serbë nuk është art. Emra të tillë si regjisori Emir Kusturica, këngëtarët Goran Bregoviç apo Ivana, e kanë njësuar artin e tyre me politikat kriminale të Serbisë dhe të Rusisë.

E di se në Tiranë, ku Bregoviç ka miq të vjetër në qeveri dhe në biznes, do t’u vijë keq. Por mund të ngushëllohen se me këtë rast ndajnë të njejtën ndjenjë si Daçiçi, Vuçiçi, Putini, etj.

21.8.2023.

Të vërtetat historike, që i fshehu për 80 vjet historiografia filoruse shqiptare

“Në 23 gusht 1939 u nëshkrua në Moskë pakti i mosulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë së Hitlerit, që u nënshkrua nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve dhe njihet në histori si “pakti Molotov-Ribbentrop”.

Pakti u nënshkrua tetë ditë para pushtimit të Polonisë nga Gjermania. Pakti kishte edhe një protokoll sekret në bazë të të cilit Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik ndanin midis tyre Poloninë nga Veriu në Jug. Në sferën e influencës së Bashkimit Sovjetik jepej Besarabia, Finlanda, Estonia dhe Letonia.

Në banketin, që Kremlini dha pas nënshkrimit të paktit, Stalini ngriti dolli për Hitlerin, duke deklaruar: ”Unë e di se sa fort kombi gjerman e do udhëheqësin e vet, prandaj dua të pij për shëndetin e tij”. Kur edhi Ribbentropi në Moskë për nënshkrimin e paktit, rruga Gorki ishte zbukuruar me flamuj nazistë me kryqin e thyer. Në 31 gusht 1930 në Sovjetin Suprem të Bashkimit Sovjetik Molotovi deklaroi: “Tani me pamje naive disa zëra pyesin: Si mundet Bashkimi Sovjetik të hyjë në pëmirësimin e marrëdhënieve politike me shtetin fashist? Harrojnë që ne i përmbahemi qendrimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera”.

Po atë ditë në 31 gusht Ribbentropi njoftoi Stalinin për fillimin e ndërhyrjes së Gjermanisë në Poloni. Për zhvillimin e inkursioneve ajrore të bombardimeve mbi qytetet polake, Gjermania përdori shërbimet e radiostacioneve ushtarake sovjetike në Minsk. Shtabi i forcave ushtarako-ajrore gjermane, në prag të sulmeve ajrore mbi Poloni, nëpërmjet ambasadës gjermane në Moskë iu drejtua Molotovit me lutjen për përdorimin e radiostacioneve ushtarake sovjetike. Molotovi e dha menjëherë miratimin.

Në 17 shtator Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore të Polonisë dhe shtypi sovjetik e quajti pushtimin e Polonisë nga ushtria sovjetike “operacion për çlirim”. Në notën dorëzuar ambasadorit polak në Moskë në orën 2 të natës së 17 shtatorit, Molotovi e motivoi ndërhyrjen e armatosur sovjetike “me nevojën e kujdesit për vëllezërit e një gjaku bjellorusë dhe ukrainas, kur Varshava si kryeqytet i Polonisë nuk ekziston më dhe Polonia ka pushuar së ekzistuari”.

Në 28 shtator 1939, pas ndarjes së përbashkët të Polonisë, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania nënshkruan një marrëveshje të re të titulluar “Marrëveshje për miqësinë dhe për kufirin”. Në 30 shtator 1939 Molotovi deklaronte: “Është jo vetëm çmenduri, por edhe kriminale të bësh një luftë për asgjësimin e hitlerizmit”.

Në paradën e 1 majit 1941 në Sheshin e Kuq në Moskë janë të pranishëm, duke parakaluar dhe duke shtrënguar duart edhe zyrtarë gjermanë me uniforma naziste.

Në fund të viteve 80’ protokollet sekrete të paktit Molotov-Ribbentrop u gjendën në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kongresi i deputetëve të populllit i shpalli marrëveshjet e Stalinit me Hitlerin të pavlefëshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe moralin.

Presidenti Putin iu rikthye mbrojtjes së paktit sovjetiko-gjerman të 23 gushtit të vitit 1939. Ja qendrimi zyrtar i Kremlinit i paraqitur nga agjencia shtetërore e informacionit e Rusisë “Ria Novosti” në 23 gusht 2023, në përvjetorin e nënshkrimit të paktit midis Bashkimit Sovetik të Stalinit dhe Gjermanisë së Hitlerit: “Pakti, që shpëtoi vendin. 80 vjet nga traktati i mossulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë. Ky dokument ndihmoi Bashkimin Sovjetik të mbetet dhe sot një nga faktorët e politikës botërore”.

-Marrë nga gazeta e njohur ruse “Novaja Gazeta”, 23 gusht 2023, me titull: “Turpi stalinist. Si pakti Molotov-Ribbentrop dhe ndarja e Europës me Hitlerin u bë në shekullin 20 e fshehta e ndyrë e Kremlinit dhe sot rast për krenari i Kremlinit”.

Një pyetje qeverisë së Shqipërisë

Si shpjegohet që skota e patriotëve të mumifikuar të presidiumeve qeveritare dhe të akademive pseudoshqiptare, të cilët janë në listën e dashurisë së kryeministrit, që i ka mbushur me tituj dhe tuje dhe nuk harron t’u pompojë lavdi çdo muaj ditëlindjeje me çarçafë mallëngjyes, nuk kanë folur kurrë dhe nuk e kanë mbrojtur asnjëherë çeshtjen shqiptare dhe Kosovën kundër presidentit serb Vuçiç, që ka 12 vjet në pushtet dhe i ka bërë njëmijë të zeza Kosovës, dhe as kundër kryeministrit grek Micotaqis, që ka 4 vjet në pushtet dhe i ka bërë njëmijë të zeza sovranitetit të Shqipërisë dhe çeshtjes çame?

Nuk kam guxim të pyes, (sepse mund të shkoj shumë thellë…) përse akademikët e patriotizmit qeveritar nuk kanë folur kurrë dhe nuk e kanë mbrojtur kurrë çeshtjen shqiptare kundër Rusisë gjatë 32 viteve, megjithëse Rusia është armiku më i madh i Shqipërisë, i Kosovës dhe i çeshtjes shqiptare në arenën ndërkombëtare?

Mos është ndonjë sekret i fshehtë midis jush ky lloj i panjohur qeveritar i patriotizmit memec akademik ndaj armiqve historikë të kombit shqiptar?

Hitleri falenderon autoritetet daneze dhe suedeze

Në kuadrin e 90 vjetorit të holokaustit të librave të vitit 1933, kur në 34 qytete dhe universitete gjermane grupe studentësh të dominuar nga nazistët nisën fushatën e djegies masive publike në sheshe të librave të klasifikar si “jogjermane”, përfshirë edhe libra të Bertold Brehtit, Heminguejit, Erih Maria Remarkut, etj. Hitleri u dërgoi nga përtej varri një letër falenderimi autoriteteve të sotme daneze dhe suedeze:

“Ndjehem i detyruar që t’ju falenderoj thellë, sepse më hoqët një barrë të rëndë, që e mbaj prej 90 vitesh dhe e gjithë historia dhe bota me dënon ashpër për djegiet publike të librave në sheshet e qyteteve në vitin 1933. Në fakt kam heshtur dhe nuk kam ditur të mbrohem nga kjo akuzë e rëndë, deri sa dolën mendjet e ndritura politike, policore dhe akademike nga vendet tuaja dhe përligjin djegien publike në sheshet e qyteteve tuaja të Kuranit të Shenjtë me shpalljen se “djegia e Librit të Shenjtë është shprehje e lirisë së mendimit”.

Ky argument i pashoq novator, për të cilin më vjen keq se si nuk i shkoi mendja Gëbelsit tim të famshëm që ta gjente, jo vetëm më lehtësoi, por edhe më mbushi me krenari, sepse zbulova që qenkam realizuesi i parë i shprehjes së lirisë së mendimit nëpërmjet djegies së librave në sheshe publike, gjë që e kam kryer unë dhe partia ime qysh në vitin 1933. Dhe mendova që kur këta, që lejojnë sot të digjet ne sheshe publike Kurani i Shenjtë i 1,5 miliard njerzve, i japin vetes të drejtën ta bëjnë në emër të “lirisë së shprehjes”, përse të mos mburrem unë që kam lejuar djegien e librave, të cilat në fund të fundit kishin vetëm pak miliona lexues.

Ndaj ju falenderoj dhe ju lutem vetëm që të më akordoni patentën dhe çertifikatën e shpikësit të metodës moderne “të lirisë së shprehjes”.

Jam tepër i emocionuar dhe po pres me padurim ditën kur ju të shpallni si “shprehje e lirisë së veprimit” vrasjet masive, dhomat e gazit dhe luftrat e njeriut kundër njeriut. Me jep shpresë fakti që një nazist nordik si Brejvik vrau për qejf 80 vajza dhe djem e rij dhe u dënua vetëm 21 vjet burg dhe u lejua të bëjë edhe universitetin. Ndaj ju lutem që sa më shpejt ju të shpallni edhe të drejtën e ”lirisë së veprimit” për  vrasjet dhe luftrat, që të heq nga vetja barrën e rëndë historike të fajtorit më të madh të njerëzimit”.

11.9.2023.

A ka dy kisha ortodokse në Shqipëri?

Po përsëris një pyetje, të cilën kam 30 vjet që ua bëj qeverive të Shqipërisë: përse të gjithë kryeministrat grekë dhe ministrat grekë, që vijnë për vizita zyrtare në Shqipëri, shkojnë dhe falen te kryepeshkopi grek i kishës ortodokse shqiptare Janullatos, siç bëri në Tiranë edhe ministri i brendshëm grek në 14 shtator 2023?

Nuk ka ndodhur kurrë që kryeministrat dhe ministrat e shteteve të tjera ortodokse, të cilët vijnë për vizita zyrtare në Shqipëri t’u bjerë ndërmend për Janullatosin dhe jo më të shkojnë dhe ta takojnë në zyrën e tij, që mban emërin “kisha ortodokse autoqefale shqiptare”. Është vetëm ritual i qëllimshëm politiko-fetar i Greqisë zyrtare.

Lind pyetja: A ka Shqipëria dy kisha ortodokse: një kishë ortodokse greke në Shqipëri dhe një kishë ortodokse shqiptare, të cilat i drejton të dyja kryepeshkopi grek Anastasios Janullatos, kandidati i parë zyrtar i qeverisë greke në vitin 2015 për president të Greqisë?

15.9.2023.

Një pyetje etike

A do të shkonit ju te një shok i vjetër për të ndarë me të një gëzim personal të tij, nëse ai shok nuk ka ardhur për të ndarë me ty një dhimbje të rëndë fatkeqësie tënden dhe të ka qendruar larg pa të takuar fare dhe pa pirë një kafe me ty për vite me rradhë?

18.9.2023.

Rrënjët e miqësisë historike Francë-Rusi

“Franca është një anëtare e përherëshme e rastësishme e Këshillit të Sigurimit të OKB. Ajo u bë anëtare e përherëshme e Këshillit të Sigurimit falë Stalinit, i cili e shpalli Francën shtet fitues në Luftën e Dytë Botërore, gjë që nuk isht aspak e vërtetë”. – deklaratë e senatorit rus Vladimir Xhabarov, zëvendëskryetar i parë i Komitetit Ndërkombëtar të Këshillit të Federatës Ruse, Dhoma e Lartë e parlamentit rus.

-Agjencia qeveritare ruse “News.ru”, 18 shtator 2023.

19.9.2023.

Nga urrejtja raciste antiarabe Netaniahu justifikon Hitlerin për holokaustin

Gazeta e njohur ruse “Pravda” njoftonte në 28 shtator 2023 se në internet është shpërndarë një video, në të cilën kryeministri i Izraelit, Beniamin Netaniahu, në një fjalim të tij deklaron se Hitleri nuk ka faj për holokaustin në Luftën e Dytë Botërore, ku sipas të dhënave të Izraelit u vranë nga nazistët 6 milion çifutë, por e kanë fajin arabët, se ata ia kërkuan një gjë të tillë udhëheqësit nazist.

Sado paradoksale të duket, fjalimi i Netaniahut me këtë përmbajtje filohitleriane është i vërtetë dhe konfirmohet nga agjencitë më të mëdha të informacionit në të gjithë botën, përfshirë edhe vetë Izraelin. Në fjalimin e mbajtur në Kongresin Botëror Sionist në 21 tetor 2015 në Jeruzalem kryeministri i Izraelit, Netaniahu, deklaron se Hitleri nuk donte t’i zhdukte çifutët, por vetëm t’i dëbonte nga Europa, dhe ishte myftiu i Jeruzalemit që në një takim me Hitlerin në vitin 1941 e bindi atë që të bënte holokaustin. Profesor Moshe Zimmerman i Universitetit të Jeruzalemit lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit izraelit,  i deklaroi Agjencisë së madhe amerikane të lajmeve “Asoshiejted Press” se “kushdo që kërkon t’ia hedhë të tjerëve barrën e Hitlerit është formë e mohimit të holokaustit”. Politikani izraelit Itzik Shmuli deklaron për këtë fjalim: “Është turp i madh, kryeministri i Izraelit në shërbim të mohuesve të holokaustit”. Politikania izraelite Zehava Galon ironizon: “Ndoshta ata 33771 çifutë të vrarë nga nazistët në Babi Jar dy muaj para se Hitleri të takonte myftiun e Jeruzalemit duhen çvarrosur që të mësojnë se Hitleri nuk kishte ndërmend që t’i vriste ata”.

Është e qartë në planin juridik, historik dhe moral se kushdo që çfajëson Hitlerin për holokaustin bën të njejtin faj si ata, që e mohojnë holokaustin. Në disa shtete të Europës mohimi i holokaustit konsiderohet faj penal dhe dënohet me ligj. Në disa shtete të Europës janë dënuar historianë europianë, që në veprat e tyre kanë vënë në dyshim ekzistencën e holokaustit.

Nuk mund të mos habitesh që kryeministri i atëhershëm dhe i sotëm i Izraelit, ekstremisti Netaniahu, e çfajëson Hitlerin për holokaustin dhe asnjë kancelari europiane dhe perëndimore nuk e dënon. Kryeministri Netaniahu është i verbuar nga urrejtja raciste antiarabe aq shumë, sa që në çmendurinë e tij pushtetare për të fituar kuota elektorale brenda vendit tenton që urrejtjen e popullit të Izraelit ndaj Hitlerit dhe holokaustit ta devijojë kundër popujve arabë. Por nuk mund të mos shtrosh pyetjen se si Europa hesht ndaj një urrejtje raciste të kryeministrit të Izraelit, e cila  njësoj si në kohën e holokaustit prodhon luftra dhe gjak.

Ai që do, e kupton përse në Lindjen e Mesme nuk ka paqe…

30.9.2023.

Kujtim letrar i kohës së rinisë

Artisti dhe këngëtari i mirënjohur Zija Saraçi, një mik i vjetër, që jeton dhe ka pasur një karrierë të suksesëshme artistike në Itali, më dërgoi një kujtim të bukur letrar personal, me dy foto të programit të Festivalit të 6 të Këngës në Durrës, zhvilluar në janar të vitit 1973. I kishte gjetur në arkivin e tij të pasur këto dokumenta, që dëshmonin pjesëmarrjen time në atë festival me një tekst kënge kushtuar qytetit tim të lindjes dhe të titulluar “Durrës, Durrës”, muzika Pjetër Gaci dhe kënduar nga këngëtari i mirënjohur Qemal Kërtusha. Zijai nuk e kishte gjetur tekstin e këngës, por i referohej vetëm një vargu: “Vetëm në Durrës eci pa drojtje”.

Të them të drejtën ishte një zbulim i befasishëm i bukur për mua, që e kisha harruar fare si tekstin e shkruar 50 vjet më parë, ashtu edhe pjesëmarrjen time në atë Festival. Unë në rini kam bashkëpunuar me tekste për këngët me shumicën e kompozitorëve shqiptarë dhe kam marrë pjesë në shumë festivale kombëtare të këngës në Radiotelevizion, por nuk kam mbajtur arkivë tekstesh dhe ai tekst më ishte fshirë nga kujtesa. Ishin një dhuratë e bukur si kujtim për rininë time letrare lajmi dhe fotot, që më dërgoi artisti i mirënjohur Zija Saraçi dhe i jam mirënjohës.

2.10.2023.

Protokolli diplomatik i një bandustani

Nëse doni të kuptoni degradimin e dinjitetit shtetëror mjafton të shikoni foton e publikuar nga ATSH për bisedimet e zhvilluara në 6 tetor në kryeministri midis ministrit të jashtëm të Greqisë G.Gerapetritis dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i jashtëm i Shqipërisë. Në tavolinën e bisedimeve janë ulur përballë njeri-tjetrit dy delegacionet e dy qeverive, siç zhvillohen bisedimet e niveleve të njejta në protokollin diplomatik ndërkombëtar.

Cila perëndi greke e Olimpit zbriti në kryeministri, që duhej nderuar përtej prokollit sa të uleshin me përunjësi përballë saj dyshja më e lartë qeveritare e Shqipërisë, kryeministri dhe ministri i jashtëm? Si mundet kryeministri i Shqipërisë të zhvillojë bisedime zyrtare delegacionesh me një rang më të ulët se posti i tij, në një kohë kur sipas protokollit shtetëror dipomatik ai mund ta takonte ministrin e jashtëm grek duke qendruar në dy kolltukë apo karrike të ndara anash njeri tjetrit, por kurrsesi të zhvillonte bisedime zyrtare delegacionesh dypalëshe me të. Nuk po bëjmë pyetjen tjetër se përse kryeministri i Shqipërisë zhvilloi bisedime dhe priti në zyrën e tij vetëm ministrin e jashtëm grek dhe nuk priti as ministren e jashtëme të Gjermanisë dhe asnjë nga 24 ministrat e jashtëm, që ndodheshin në Tiranë në 6 tetor për mbledhjen e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e “Procesit të Berlinit” të drejtuar nga Gjermania. Nuk po bëjmë as pyetjen tjetër se çfarë do të bëjë më tepër protokolli i fandaksur kryeministror kur të vijë në Tiranë kryeministri grek.

Ministri i jashtëm i Greqisë ka për homolog ministrin e jashtëm të Shqipërisë dhe me atë ka tagrin që të zhvillojë bisedime dyalëshe. Ndoshta Shqipëria, që ende nuk ka kuptuar se ç’është dinjiteti i shtetit, ndjek manualin diplomatik të bandustanit, kur i pari i fisit ka monopolizuar gjithçka, dhe është bërë si xholi që hyn kudo vend e pa vend. Kryeministri i Shqipërisë e ka bërë praktikë këtë shkelje protokollare diplomatike, sepse një skandal të tillë e ka bërë në 8 janar 2021 kur në mënyrën më antidiplomatike shkon në selinë e ministrisë së jashtëme greke në Athinë dhe zhvillon atje bisedime dypalëshe me ministrin e jashtëm grek Dendias. Në librin tim “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” kam shkruar lidhur më këtë: ”Asimetria e nivelit të bisedimeve tregon se si do t’i nënvleftësojë Greqia çeshtjet e hapura me Shqipërinë”. Në një situatë të tille shtrohet çështja nëse është Shqipëria, që i nështrohet si shtet raja protokollit fyes grek, apo është profanizmi diplomatik i kryeministrit të saj.

Mirë e bënë turpin diplomatik dhe personal, duke zhvilluar bisedime një ministër grek me dyshen qeveritare kryeministër dhe një ministër shqiptar, por si kanë faqe dhe ia bëjnë të njohur publikut këtë dëshmi të re të uljes së dinjitetit të Shqipërisë. Dhe kur sheh se si shtiret bandustani si shtet, kupton pse “bota qesh, dhe bota tallet” me ne.

7.10.2023.

Një sqarim i nevojshëm historik

Sekretarët e Parë të Komiteteve të Partisë të rretheve ishin Enver Hoxhët e rretheve. Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive të rretheve ishin Mehmet Shehët e rretheve. Kryetarët e Degëve të Punëve të Brendëshme të rretheve ishin Kadri Hazbitë dhe Feçorr Shehët e rretheve. Ndaj diktatura sundoi aq gjatë për 50 vjet, 1944-1992.

Qeveritë e sotme pseudodemokratike, që u ngrejnë atyre buste, u venë emrat e rrrugëve dhe u glorifikojnë përvjetorët nëpër media e ekrane, thjesht tregojnë kartën e identitetit ideologjik dhe historik të partive dhe të qeverive të sotme.

16.10.2023.

Skaner diplomatik pas samitit

-Një pyetje njëmilion dollarëshe po qarkullon në qarqet diplomatike në Tiranë: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e priti në Tiranë presidentin e Francës Emanuel Makron si shtetas i Shqipërisë apo si shtetas i Francës?

-Presidenti i Serbisë Vuçiç në 16 tetor i bëri një top të madh BE dhe Ramës. Midis BE nga njera anë dhe Rusisë e Kinës nga ana tjetër, Vuçiç zgjodhi të shkojë në Pekin, ku është edhe Putini, sepse Rusia dhe Kina janë aleatë strategjikë për të, jo BE. BE bën sikur nuk e sheh dhe sikur nuk e ndjen shuplakën serbe ndaj saj, siç bëri edhe për sulmin ushtarak terrorist serb të 24 shtatorit kundër Kosovës. Vuçiç flen për natë në shtratin e Putinit, kurse Brukseli qetëson veten me iluzionin se me letra e ka grua Serbinë.

Kurse Tirana bën sikur nuk kupton asgjë, sepse rajai ia fal gjithmonë përçmimet e agait.

– Nuk dihet pse në Tiranë i dhanë rëndësi nxirjes teatrale në fytyrë të kryeministres serbe Bernabiç në samit. Me atë nxirje surrati ajo u përpoq t’i jepte rëndësi vetes të dukej tamam burrë, sepse fuqi nuk ka, sepse ajo është e katërta apo e pesta në hierarkinë e pushtetit në Beograd. Vlera e saj është vetëm se me Bernabiçin si përfaqësuese e LGBT, Serbia i quan të plotësuara standartet e BE për anëtarësim.

-Në Tiranë nuk e bëjnë aspak pyetjen diplomatike pse Makron neglizhoi samitin e Procesit të Berlinit në drekë dhe vjen po atë ditë mbasdreke për vizitë në Tiranë. Nuk e bëjnë, sepse Tirana është e para që e tradhëtoi “Procesin e Berlinit” kur iu bashkua projektit të Vuçiçit të “Ballkanit të Hapur”.

-Çudia diplomatike shqiptare është që presidenti i Francës Makron vjen zyrtarisht për vizitë shtetërore presidenciale në Shqipëri dhe darkën zyrtare dhe dekoratën zyrtare ia jep kryeministri dhe konferencën e përbashkët të shtypit e mban me kryeministrin e Shqipërisë. Të paktën të ndryshojnë përcaktimin dhe ta quajnë vizitë kryeministrore e presidentit të Francës në Tiranë.

(Ndoshta ju ndihmon për gjetjen e përgjigjes së pyetjes së fillimit).

Franca e lirive të linçimit fetar

Stacioni prestigjioz amerikan “CNN” njoftonte në 18 tetor me titullin “Ministri i brendshëm francez bën akuza të pabaza për yllin e futbollit Karim Benzema” se ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin në një intervistë në televizionin francez akuzoi Benzemanë se është i lidhur me organizatën terroriste “Vëllazëria myslimane”. CNN thekson se ministri francez nuk solli asnjë fakt ose të dhënë për të mbështetur akuzat e tij.

Fill pas ministrit të brendshëm vrapoi menjëherë dhe senatori Valerie Boyer, zëvendëspresident i Partisë Republikane, i cili kërkoi që Karim Benzemasë t’i hiqej shtetësia franceze.

Çfarë krimi bëri shtetasi francez Karim Benzema, fitues i “Topit të Artë” për vitin 2022 dhe që ka përfaqësuar Francën me kombëtare e saj rreth 100 herë?

“CNN” shkruan se akuzat kundër tij erdhën pasi ylli i futbollit francez Karim Benzema shkroi në Twitterin e tij: “Gjitha lutjet tona shkojnë për popullin e Gazës, viktimë edhe njëherë e bombardimeve të padrejta, që nuk kursejnë as gratë dhe as fëmijtë”. Pra nuk bëri asnjë akuzë me emër ndaj atyre, që i shkaktojnë bombardimet dhe vuajtjet e popullit të Gazës.

Por qeveritarët e njëanshëm francezë nuk mund të tolerojnë lirinë e shrehjes së mendimit të qytetarëve, nëse nuk përputhet me njëanëshmërinë qeveritare. Krimi real i Karim Benzemasë është të qenit e tij mysliman dhe me origjinë arabe. Ky linçim qeveritar është linçim fetar. Ky linçim don të thotë se komuniteti prej mbi 5 milion shtetasish francezë të fesë islame duhet të rrijnë gojëmbyllur dhe të mos gëzojnë të drejtat dhe liritë e shprehjes, që u jep Kushtetuta Franceze, me të cilat Parisi mburret në katër anët e globit.

Ky linçim fetar qeveritar i yllit të futbollit francez, Karim Benzema, përbën një turp për Francën dhe tregon se “liberte, egalite dhe fraternite” kanë mbetur vetëm një kujtim muzeal historik.

19.10.2023.

Të vërtetat diplomatike jashtë ideologjisë

Qendrimi i mbajtur nga Shqipëria në periudhën 1948-1991 në përkrahje të çeshtjes palestineze për liri e pavarësi ka qenë i drejtë.

Ai qendrim ka qenë në përputhje me parimin e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare, që kërkon përkrahjen e çeshtjes për liri e pavarësi të popujve të shtypur kudo qofshin, pavarësisht kohës, regjimeve, ideologjive apo stinës diplomatike kohore të aleancave të qeverive.

23.10.2023.

Revolucioni personal

Në Gjermani u arrestua dhe u dënua me burg pesë vjet nga Gjykata në 28 qershor 2022 një qytetar gjerman 101 vjeç, me akuzën se në rininë e tij të hershme kishte qenë roje në një kamp përqendrimi nazist dhe kishte marrë pjesë në disa vrasje në atë kamp. Juristë të njohur gjermanë, në përgjigje të habisë së gazetarëve për rastin e 101 vjeçarit, deklaruan se shtet ligjor dhe demokratik don të thotë barazi e gjithë qytetarëve para ligjit dhe se çdo qytetar duhet të përgjigjet ligjërisht dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij të kaluara, pavarësisht moshës apo kohës kur e ka kryer aktin penal.

Në Shqipëri dikush lejohet të tallet me ligjin dhe me organet gjyqësore dhe kjo është parodi me ligjin, parodi me drejtësinë. Është parodi me shtetin ligjor, që shqiptarët nuk e ndërtuan dot në 31 vjet qeverisje autokratike të dy partitë kryesore politike.

Në vend të detyrimit të barazisë së qytetarëve para veprimit të ligjit, në Shqipëri shpiket “revolucioni personal” si e drejtë ekskluzive vetëm e prijsit për shkeljen e ligjit. Gjithë bota normale ka njohur revolucione demokratike, revolucione popullore, revolucione shoqërore, revolucione socialiste, revolucione trendafilash apo tulipanësh, kurse Shqipëria shpik “revolucionin personal” të bajraktarit, të beut, të agait, të feudalit, të padrinos, të don…tribusë.

Shpikja idiote shqiptare e “revolucionit personal”, ku për pordhët e bajraktarit një skotë opingalëpirësish të prijsit janë gati të hedhin në erë ligjet, organet e drejtësisë dhe vetë shtetin, ndodh sepse e lejon këtë situatë unike paradoksale vetë shteti. Shteti ligjor nuk u ndërtua dot dhe as ligjet nuk u vunë dot në jetë njësoj për të gjithë, sepse qeveritë e dy partive kryesore politike jo vetëm nuk deshën të ndërtojnë shtet ligjor, por prishën edhe karabinanë e shtetit, që kishin ndërtuar regjimet e kaluara.

“Revolucionin personal” e shpikën mendjet e rritura me ujqit dhe çakejtë në skërkat e maleve. Është e natyrëshme që pas kultit të individit, i cili pas diktaturës u ruajt dhe u forcua nga qeveritë  pseudodemokratike, të lindëte kreatura e përbindëshme e “revolucionit personal” të prijësit me moton “pas meje apokalipsi”. Dhe është e sigurtë se mendërisht dhe fizikisht kështu shkohet në Mesjetën e thellë.

27.10.2023.

Levantinët e shtypur dashurohen me shtypësit

Nuk ka ende info nëse disa levantinë shqiptarë, që shquhen për racizmin e tyre etnik dhe fetar, e kanë duartrokitur thirrjen e ministrit neonazist izraelit Amichai  Eliahu në 5 nëntor për të hedhur bombën atomike mbi rripin e Gazës. Gazeta izraelite “The times of Israel” njoftonte në datën 5 nëntor se ministri i trashëgimisë në qeverinë e Netaniahut, Amichai Eliahu, propozoi hedhjen e bombës atomike mbi rripin e Gazës “një lloj bombe atomike që t’i rrafshojë ata, duke i asgjësuar të gjithë”. Dhe me cinizmin kriminal, që do ta kishin zili edhe  organizatorët e holokaustit, ministri i kabinetit të kryeministrit fashist Netaniahu, dekaroi se “populli palestinez le të shkojë në Irlandë ose nëpër shkretëtira”.

Ministrit nazist të kabinetit Netaniahu i duken pak që forcat ushtarake dhe ajrore izraelite kanë vrarë deri tani 9 mijë banorë palestinezë, nga të cilët 3500 janë fëmijë. I duket pak që një raketë izraelite me një të shtënë mbi spitalin e Gazës vrau 500 pacientë palestinezë. Ai kërkon të hidhet bomba atomike mbi popullin palestinez, sepse ajo bombë mund të vrasë një milion palestinezë menjëherë. Ministri nazist mendon se me bombën atomike dhe duke zhdukur popullin palestinez, Izraeli do ta zgjidhë lehtë problemin palestinez, dhe nuk i kushton gjë sepse me ndihmën e aleatëve ka ndërtuar dhe ka në arsenalin e vet 200 bomba atomike.

-Deportimi masiv i dhunshëm i popullsive civile nga shtëpiat e tyre dënohet nga të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Ndaj dhe Nato ndërhyri ushtarakisht në Kosovë, kur regjimi fashist serb i Millosheviçit dëboi me dhunë mbi një milion shqiptarë nga tokat dhe shtëpiat e tyre në vitin 1999. Por disa levantinë shqiptare mendjekërmij, që kanë dënuar dikur deportimet e dhunëshme masive të shqiptarëve nga Kosova, tani po duartrokasin deportimet masive të popullit palestinez nga forca pushtuese izraelite në Gaza, nga e cila deri tani janë deportuar mbi një milion banorë palestinezë.

– Nuk kuptohet pse disa levantinë shqiptarë harrojnë që të gjithë pushtuesit i quajnë “terroristë” luftëtarët e lirisë në vendet e pushtuara. “Terroristë” i kanë quajtur pushtuesit serbë luftëtarët e lirisë të UÇK në Kosovë në vitet 1998-1999. “Terroristë” janë quajtur nga fashistët  edhe partizanët dhe guerriliet e Shqipërisë gjatë pushtimit në vitet e luftës së dytë botërore.

Disa levantinë shqiptarë plot mllef racist etnik dhe fetar, harrojnë që populli i tyre, i cili ka qenë vetë i pushtuar 1900 vite të historisë 2000 vjeçare, nuk mundet kurrsesi të bjerë në dashuri me popuj dhe shtete pushtues. Por si çdo popull, edhe edhe raca shqiptare ka bastardët e vet.

6.11.2023.

Bandustani shqiptar

Nëse shtetasit e Shqipërisë sot në shekullin 21, 111 vjet pas shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, refuzojnë t’i përgjigjen drejtësisë, atëhere i dëshmojnë botës mbarë se shqiptarët dhe në rradhë të parë udhëheqësit e tyre, nuk kanë ditur dhe nuk duan të bëjnë shtet. Nuk ka ndodhur kurrë një sfidë arrogante e tillë ndaj drejtësisë dhe ndaj shtetit as në Francë dhe as në SHBA, as në Kroaci e Bullgari dhe as në Maqedoninë e Veriut.

Por te udhëheqësit politikë të Shqipërisë dominon geni gjenetik i bandustanit të fisit, të tribusë dhe të bajraktarit, i cili e barazon shtetin me veten dhe e drejton me mentalitetin e kopesë së dhenve, që e kulloste dikur në majë të malit. Ata krijuan dhe drejtuan vetëm bandustanin shqiptar.

Por bandustanet nuk pranohen as në BE dhe as në Europë.

20.11.2023.

Tetova i jep dekoratën e “Mirënjohjes” ambasadorit Shaban Murati

Në kuadrin e veprimtarive për “Javën e Ditës së Flamurit” dhe të 30 vjetorit të fillimit të mandatit si Ambasadori i Parë i Shqipërisë në Maqedoni, Komuna e Tetovës i kushtoi një ditë të poçacme figurës dhe krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati.

Me këtë rast në emër të Komunës së Tetovës, kryetari i saj Prof.Dr. Bilall Kasami i akordoi Shaban Muratit dekoratën e “Mirënjohjes së qytetit të Tetovës“, me këtë motivacion të firmosur nga Kryetari i Komunës: “I jepet me dedikim dhe përkushtim nga qytetarët e Tetovës, për kontributin dhe angazhimin e pashoq të ambasadorit. Duke kujtuar dhe mos harruar asnjëherë rolin e tij të veçantë për ngritjen e qytetarisë dhe ndikimin e tij vllaznor në të gjitha segmentet shoqërore e kulturore për shqiptarët e Maqedonisë. Zemrat tona do të jenë gjithmonë të hapura për ty dhe familjen Murati”.

Kryetari i Komunës së Kosovës i dhuroi edhe medalionin e emblemës së qytetit të Tetovës. Pastaj u zhvillua nje sesion i posaçëm kushtuar figurës dhe krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Komunës së Tetovës, Prof.Dr. Bilall Kasami, i cili vlerësoi kontributin e shquar të Ambasadorit në zhvillimet në Maqedoni dhe theksoi kontributin e veçantë të tij në mendimin diplomatik, gjeopolitik dhe patriotik shqiptar.

Analiza të figurës dhe krijimtarisë së ambasadorit Shaban Murati u referuan nga dr. Elvis Hoxha, prof. dr. Zeqir Kadriu, prof. dr. Florim Ajdini, prof. dr. Abdulla Mehmeti dhe prof. dr. Arsim Sinani.

Veprimtaritë u zhvilluan në një frymë solemne dhe vëllazërore.

24.11.2023.

Historia siç është bërë dhe jo siç e kanë fshirë

1-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme: Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6501, Tel.nr.152

Natën mes 26 dhe 27 (1912), tre krerë (pari) më dorëzuan mua, një dokument, (Një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e suksesshme të DEKLARATËS SË PAVARËSISË.

2-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme: Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6645, Nr.Tel.156

Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm. Mitropoliti zvarrit ta njohë “QEVERINË E PËRKOHSHME”. Paria e vendit u doli serbëve përpara, mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.

3- Telegrami i Proklamimit të Indipendencës shqiptare, nga Lef Nosi në librin e tij ”Dokumente historike”, 1924: Nr.13300, Durrës,13 Vjeshta e tretë 1328-1912 7.30 ora e ditës.

Popullit të ndershëm të qytetevet: Elbasan, Berat, Janinë, Gjinokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet. Ju apim lajmen e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndië, ndashti shpallëm indipendencën, n’emën të kombësiës sonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës.

4- Gazeta “Taraboshi” e Shkodrës, 22 janar 1914: Ismail Kemal Vlora më 27 nëntor 1912 e ngriti flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e Qeverisë së Përkohshme në Durrës.

5-Gazeta britanike “Daily Telegraph” 27.11. 1912: Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912 dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.

6- Gazeta austriake “Wiener Bilder” datë 1.12.1912: Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë.

(Nga libri “”Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare” i historianit Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq.340-399).

7- “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”.

-(Prof.Dr. Eqrem M.Zenelaj, “Diplomacia e Ismail Kemal Be Vlorës”, Prishtinë, 2013, fq.325).

8- Për Shpalljen e Pavarësisë në Durrës njoftohen po atë ditë me telegram shumë qytete të Shqipërisë dhe teksti i telegramit është ky:

“Ju njoftojmë lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e Shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë.

Ju bëjmë të ditur se nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ja kemi paraqitur Konsullatës Austriake, tjetrën Konsullatës Frenge e të tretën kopje Konsullatës Austriake si zëvëndëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. (“Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”. Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të RPSSH, Tiranë, 1963, fq. 28).

26.11.2023.

BE-ja po bën gjoja antiruse Serbinë, ndërkaq u iku Bosnja te Rusia

Diplomacia e BE, shërbimet sekrete dhe ushtarake të vendeve të mëdha të BE, nuk e shohin apo bëjnë sikur nuk e shohin që Bosnje-Hercegovina, ose më saktë gjysma e saj “serpska republika”, që është defacto shtet i pavarur, u iku nga duart dhe shkoi te Rusia.

Në 24 nëntor 2023 ministri i mbrojtjes i Bosnje-Hercegovinës dhe zëvendëskryeministër i saj, Zukan Helez, deklaroi publikisht se Rusia ka ngritur në “serpska republika” kampe ushtarake, ku stërviten forca speciale vendase(serbe) dhe ruse. Nuk ishte as ndonjë tabloid dhe as ndonjë portal periferik, që lëshonte lajmin. Ishte një nga zërat shtetërore më autoritativë dhe i cili disponon shumë burime të zbulimeve ushtarake.

Ministri i mbrojtjes i Bosnje-Hecegovines deklaroi se disponon fotot e këtyre kampeve dhe theksoi se: “Në fakt ky nuk është sekret, njerëzit mund t’i shohin ato kampe, fshatrat rreth Rogaticës, njerëzit kanë bërë foto, që bëhen stërvitje ushtarake atje gjatë ditës. Unë i kam fotot”.

Ministri i mbrotjes tha se këto kampe ushtarake ndodhen nën mbrojtjen e forcave të ministrisë së brendshme të “Serpska Republikës”.

Pra Rusia ka ngritur jo një, por disa kampe ushtarake stërvitjeje në territorin e Bosnje-Hecegovinës. “Serpska republika” jo vetëm është bërë shtet defakto i pavarur, por edhe po i jep kampe e baza ushtarake Rusisë në Ballkan. Realizohet kështu premtimi publik i presidentit të “serpska republikës”, fashistit Dodik, që i ka premtuar prej kohësh presidentit rus Putin se ai do t’i japë një bazë ushtarake Rusisë.

Natyrisht Rusia i ka ngritur këto kampe ushtarake jo për integrimin europian dhe as për integrimin atlantik të Bosnje-Hercegovinës. Duke analizuar këtë alarm të ri të ministrit të mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i Bosnje-Hercegovinës, portali i specializuar “intellinews.com” tërhiqte vëmndjen në 24 nëntor se deklarata e tij “është në vazhdim të raporteve të mëparshme amerikane, që theksonin se Rusia ka mundësi të armatosë dhe të stërvisë grupe paramilitare në “serpska republikën” proruse dhe mund t’i përdorë ata që të shkaktojë një konflikt ushtarak në këtë shtet ballkanik të pastabilizuar politikisht”.

Çfarë presin BE dhe NATO? Nga kryeqendrat europiane vazhdojnë përrallat se ata po i bëjnë lëshime strategjike Serbisë, që të ikë nga Rusia. Ndërsa Europa nanuriset me ëndrrat e divorcit të Serbisë nga Rusia, Moska u ka marrë gjysmën e shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe ka ngritur kampet e saj ushtarake në qendër të Ballkanit Perëndimor.

Serbia ka ikur pa kthim te Rusia. Bosnja iku tani. Mali i Zi po ikën, sepse Rusia mori atje qeverinë në 2020, në vitin 2023 mori edhe presidencën, e cila pa u ulur mirë në kolltuk nxitoi të bashkohej me projektin Vuçiç-Lavrov të “Ballkanit të hapur” dhe bën kryetar parlamenti kryeçetnikun serb Mandiç, i cili në 2016 ishte protagonist në grushtin e shtetit ruso-serb në Mal të Zi kundër Natos.

Nuk e dijmë me kë po tallet BE: me shtete e Ballkanit Perëndimor apo me veten. Rusët nuk po vijnë, siç paralajmëroja në librin tim me të njëjtin titull. Rusët kanë ardhur në Ballkan.

30.11.2024.

Busti i një alieni

Kryeministri i Shqipërisë në datën 22 dhjetor 2022 i dha popullit sihariqin e madh se qeveria e tij me paret e taksapaguesve shqiptarë do t’i ngrejë një bust ish- kryeministrit grek Kostandin Micotaqis në territorin shqiptar të quajtur Derviçan.

Vendimi pataksi Greqinë, e cila askund, madje as në katundin e lindjes nuk i ka ngritur bust ish-kryeministrit grek. Micotaqis plak nuk ka asnjë minimum merite për marrëdhëniet dypalëshe. Merita e tij e vetme është se ishte nipi i kryeministrit famëkeq grek Elefteros Venizellos, urdhëruesi i masakrimit të dhjetra mijra shqiptarëve në jugun e Shqipërisë në 1914 dhe shpikësi i të ashtuquajturës “autonomi e Vorio Epirit”.

25.12.2023.

Në linjën e tij vazhdoi nipi kryeministër Kostandin Micotaqis. Për t’u hapur sytë sadopak bashkëtadhetarëve të mi të fjetur, po sjell një shkrim timin shkruar 30 vjet më parë për portretin e ish-kryeministrit grek Kostandin Micotaqis:

——-

Merreni mbrapsht ultimatumin, Z. Micotaqis!

Në qarqet diplomatike në Tiranë dhe në Bruksel ishte e madhe ndjenja e lehtësimit pas hapave diplomatike të dialogut, të ndërmarrra nga Shqipëria në adresë të Greqisë, dhe ata vlerësuan gadishmërinë dhe sensin evropian të udhëheqjes shqiptare. Por akoma më i madh ishte zhgënjimi i tyre nga bateritë mesjetare, që ushtuan nga Athina, nëpërmjet deklaratave luftëndjellëse të kryeministrit grek, Kostandin Micotaqis. Që në Athinë po kërkojnë dhe krijojnë me qëllim tensione në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe në jugun e Ballkanit, kjo nuk ka asnjë dyshim për diplomatët dhe analistët seriozë, që ndjekin Ballkanin. Pyetja, që shtrohet është se, ku do të dalë Greqia me këto provokime, që po i bën tashmë hapur Shqipërisë, Evropës, SHBA. Më 14 korrik 1993, kryeministri i Greqisë, i cili datën e muajit e ngatërroi me datën e vitit, lëshoi një nga ultimatumet më absurd në historinë e ultimatumeve të kohës së luftës e të paqes bashkë.

Kryeministri i Greqisë shpall hapur dhe pa asnjë ekuivok platformën e vjetër shoviniste të Athinës kundër Shqipërisë, duke e avancuar atë me teza të reja akoma më të rrezikshme. Iluzioni i vjetër sa Greqia, i udhëheqësve grekë, se duke avancuar sa më shumë rivendikimet dhe pretendimet ndaj Shqipërisë do ta bëjnë atë që të cedojë e të trembet, e futi në lakun e vet edhe Micotaqisin, i cili doli vetë personalisht në këtë rol samuraji, duke i lehtësuar punën shpjeguese atyre, që formulojnë dhe kuptojnë politikën e jashtme në Tiranë, se vdiq zyrtarisht sllogani filogrek i sofolazrave të vjetër e të rinj për “qarqe të caktuara shoviniste” në Athinë. Kryeministri i një shteti fqinj, në mes të ditës dhe në prag të shekullit 21, del në mes të Athinës dhe shpall të drejtat e sundimit të Shqipërisë nga Greqia. Dhe kësaj rradhe nuk lëshoi vetëm një apo dy teza, por skicoi qartë një plan total të aneksimit të Shqipërisë, që fillon nga historia, vazhdon me kufijtë dhe politikën e mbaron me jetën shpirtërore dhe fenë.

Ne do t’ia falnim lapsusin kryeministrit të Burundit, që të ngatërronte ditën e pavarësisë së Shqipërisë, por kryeministrit të një shteti fqinj, që ka një moshë kur njeriu respektohet, pavarësisht nga kultura, dijet apo posti, ngatërrimi i datave paraqet një ambicje dhe politikë të caktuar ndaj fqinjit. Pse Micotaqis na caktoi vitin 1913, së pari do të thotë se kryeministri i shtetit fqinj, me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike që në kohën e diktaturës së kolonelëve të zinj në Athinë dhe kolonelëve të kuq në Tiranë, nuk njeh dhe nuk pranon jo vetëm datën, por as pavarësinë e shtetit shqiptar.                                                                              

Pse Micotaqis përmend 1913?

Sepse është viti, ku qytetet dhe fshatrat shqiptare, që nga Janina e deri në Përmet, nga Saranda në Gjirin e Artës, ishin të pushtuara nga trupat greke, të cilat masakronin burrat, gratë, fëmijët dhe pleqtë shqiptarë. Pra, kryeministri i një shteti fqinj kërkon të ligjërojë situatën, kur Shqipëria dhe të gjithë tokat e saj ndodheshin nën sundimin grek. Dhe pas këtyre provokacioneve historiko-politike, kryeministri grek lëshon njëri pas tjetrit kërcënimet, kërkesat arrogante dhe programin e tutelës greke mbi Shqipërinë.

Ai e shpall jugun e Shqipërisë tokë greke dhe natyrisht, e shoqëron me rivendikimin përkatës dhe thërret më kot në ndihmë edhe Homerin. Për Homerin dhe gjithë mendimtarët e mëdhenj të Greqisë antike, Epiri nuk ka qenë kurrë helen dhe shkruesit e fjalimeve të kryeministrit grek  do të bënin mirë të lexonin edhe një herë Tuqiditin, Herodotin, Strabonin etj. Përse kryeministri zgjodhi të flasë me gjuhën e programeve fashiste vorioepiriote, kjo është punë e tij, por ne kemi të drejtën t’i kujtojmë atij, që drejton qeverinë greke, se tokat shqiptare, në veri dhe në jugë, janë të Shqipërisë, dhe nëse ato pranuan bujqërit grekë në fillim të shekullit të kaluar për të punuar në tokat e pronarëve shqiptarë, kjo ishte shenjë e shpirtmadhësisë, do të thonin disa letrarë, ose e gabimit historik, do të thonin disa analistë.

Meqë ai, që i pretendon këto toka shqiptare është  kryeministri i një shteti fqinj dhe natyrisht, nuk e kapin dot ligjet shqiptare, ne kemi të drejtën t’i kujtojmë se tokat e Shqipërisë nuk do t’i prekin kurrë më ata, që jetojnë me nostalgjinë e kriminelëve ballkanikë të vitit 1913 dhe 1914.

Për herë të parë në mënyrë publike kryeministri Micotaqis paraqet një nga pikat bazë të programit aneksionist grek kundër Shqipërisë, atë të kolonizimit të Shqipërisë së Jugut me kolonë grekë. Me një paturpësi të paparë edhe për një politikan apo prift province, ai i kërkoi qeverisë shqiptare që të lejojë kolonizimin e jugut të Shqipërisë dhe të vendosë atje dhjetëra mijëra grekë në të ashtëquajturin Vorio-Epirit. Zoti Micotaqis shpik historira të të ashtuquajturve dëbime masive të grekërve që nga viti 1944 dhe gjatë gjithë regjimit të Enver Hoxhës.

Kjo bëhet për të mbuluar dëbimet masive të dhunshme të 200 mijë çamëve nga tokat e tyre në veri të shtetit grek pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është kaq e vërtetë, sa dhe në konferencë shtypi më 14 korrik, ai u detyrua të pranojë tërthorazi se kjo popullsi është dëbuar, duke lëshuar shpifjet, përsëri të padenja për një burrë shteti, se “kanë bashkëpunuar me nazistët”. Ç’do të thoshte Micotaqis për Greqinë e kohës së Metaksait, për atë pjesë të popullit grek që bashkëpunoi hapur me nazizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ç’do të thoshte edhe për vetë popullin gjerman? Gjatë periudhës së Enver Hoxhës nuk ka pasur kurrë dëbime masive, sepse nuk mund të ketë dëbime masive me një masë prej 20-30 mijë emigrantësh grekë, siç janë minoritarët në jugë. Nuk ka pasur kurrë dëbime masive, sepse politika e Enver Hoxhës ndaj minoritetit ka qenë trajtimi më i mirë se vetë populli shqiptar, ka qenë një politikë antishqiptare, e cila meriton një shkrim tjetër.

Përrallat apo ëndërrat e dëbimeve i duhen Micotaqisit të kërkojë sjelljen në Shqipëri të dhjetra mijëra grekëve dhe t’i vendosë ata në tokat shqiptare. Kjo është e padëgjuar në historinë moderne të marrëdhënieve midis vendeve evropiane, por kryeministri i Greqisë bëri mirë që e tha, sepse i bëri të njohur publikut ballkanik e evropian, atë që ne e dinim prej kohësh-planet e kolonizimit të Shqipërisë nga Greqia.

Por zoti Micotaqis dhe priftërinjtë e tjerë të politikës greke le të vazhdojnë të shohin ëndërra në diell. Ne mund ta sigurojmë së shqiptarët e sotëm nuk do të bëjnë kurrë gabimin historik të gjyshërve të tyre të shekullit të kaluar.

Në mënyrë më të pazakontë për një kryeministër të një shteti fqinj, Kostantin Micotaqis kërkon t’i diktojë shtetit shqiptar se si duhet të ndërtojë strukturat e tij shtetërore, si duhet të organizojë administratën publike, si duhet të administrojë sistemin arsimor, kë duhet të zgjedhë në organet shtetërore, ekzekutive e legjislative, si duhet të bëjë privatizimin dhe, madje, si duhet të bëjë regjistrimin e popullit shqiptar. Ndërhyrje më e paturpshme vështirë se mund të gjendet. Ai arrin gjer në pikën delirante, kur merr përsipër të përfaqësojë të gjithë ortodoksët e Shqipërisë dhe të mësojë popullin shqiptar se si duhet të organizojë jetën e tij shpirtërore e fetare.

Në rolin e një kryeprifti të Greqisë, ai kërkon të drejtojë Kishën Ortodokse Shqiptare, madje kërcënon Tiranën që të vërë gjuhën greke në kishat shqiptare. Kjo është mjaft, zoti Micotaqis.

Meqë ju jetoni në shekullin e kaluar, ne do ta themi liturgjinë në gjuhën greke kur ju ta thoni atë në gjuhën maqedonase apo bullgare. Ç’do të thoshte zoti Micotaqis po të ngrihej Gligorovi të kërkonte në të gjithë Greqinë meshat të thuheshin maqedonisht, ose të ngrihej Zhelevi e të kërkonte që meshat në gjithë Greqinë të thuheshin bullgarisht?

Në shovinizëm kisha greke dhe shteti grek, janë të pandarë, por le të rrinë bashkë, siç rrinë në kushtetutën greke, duke qenë shteti i vetëm evropian që nuk e ka të ndarë kishën nga shteti dhe ku nuk merret vesh se ku është shteti e ku është feja. Le t’i ngatërrojnë gjërat e tyre në Greqi, por Shqipërinë le ta lënë rehat.

Kryeministri grek e kërcënon Shqipërinë me minoritetin grek, që jeton në tokat shqiptare në jugë të Shqipërisë. Përveç tezave tashmë bajate për keqtrajtimin e minoritetit prej 60 mijë vetash, ai hedh në publik, për herë të parë në atë nivel, tezën e rrezikshme dhe provokative të barazimit të çështjes së Kosovës me atë të minoritetit grek në Shqipëri. Kjo është njëlloj sikur ne t’i vinim kusht për trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri të drejtat e minoritetit turk në Greqi dhe t’i thonim Micotaqisit se do të lejojmë për minoritetin grek në Shqipëri atë që Athina do të lejojë për minoritetin turk në Greqi.

Natyrisht ne e kemi kaq logjikë, saqë të mos ulemi deri  aty ku zbret Micotaqis, por mund t’i themi kryeministrit grek, që tashmë ne mund dhe do të barazojmë trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri me të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi, të popullsisë çame, myslimane e ortodokse, dhe të arvanitasve.

Sa për Kosovën, ne e kemi  të qartë se Micotaqis e lëshon provokimin në një kombinacion më të madh se sa marrëdhëniet dypalëshe. Ai e lëshon për të ngatërruar në një plan ballkanik dhe për të gjetur një kasus belli për ta shtrirë konfliktin në jugë të Ballkanit. Është e qartë, dhe po bëhet çdo ditë e më shumë, se Athina kërkon konflikte në jugë të Gadishullit, sepse një konflikt parashikohet nga strategët e shovinizmit grek si një rast i artë për të lëshuar ushtritë greke në Shqipëri e Maqedoni, për të masakruar popullsitë jogreke dhe për të zaptuar tokat shqiptare e maqedonase. Të kërkosh të barazosh minoritetin grek prej  60 mijë vetash, që ka ardhur si emigrant në Shqipëri, me popullin shqiptar 2 milionë vetësh në Kosovë, që jeton në trojet e veta etnike; të barazosh një pakicë ardhësish me një popullsi autoktone, e cila ka qenë element konstitutiv i federatës jugosllave; dhe zgjidhja reale e krizës jugosllave kërkon respektimin e këtyre elementëve, do të thotë  jo vetëm të ngatërrosh ujrat, por edhe të afishosh pretendime shoviniste e territoriale  ndaj Shqipërisë.

Me këtë rast kryeministri grek shpalli hapur armiqësinë e tij kundër popullit shqiptar, duke kërcënuar se ai do të pengojë çdo përpjekje të Komunitetit Ndërkombëtar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Që Athina është aleate e Beogradit dhe armike e popullit shqiptar, kjo është një aksiomë, por që Micotaqis të dilte kaq hapur me armiqësinë e tij kundër Kosovës, kjo do të thotë se ai dhe Milosheviçi janë tërbuar nga politika dhe strategjia e Komunitetit Evropian për zgjidhjen e krizës jugosllave  në përgjithësi, dhe të çështjes së Kosovës në veçanti.

Por është fat që Greqia, si vend i vogël dhe si vendi më i varfër i Komunitetit Evropian, nuk ka peshë të devijojë politikën e Komunitetit Evropian, me të gjitha ngatërresat proçeduriale e burokratike dhe spekullimet banale, që i  bën Komunitetit lidhur me Shqipërinë e Ballkanin. Në Athinë, duhet të kenë zënë kaq mend sa të kujtojnë se Komuniteti Evropian i injoroi me të drejtë edhe kërcënimet e tjera të liliputit nga Athina lidhur me fazat e tjera të krizës jugosllave. Dhe që Evropa e Amerika nuk do ta dëgjojnë Athinën as për Kosovën e Maqedoninë, e tregoi qartë dërgimi e vendosja e trupave amerikane në Maqedoni.

Minoriteti në Shqipëri ka gëzuar në mënyrën më absurd të drejta më të mëdha se populli shqiptar në kohën e diktaturës dhe po gëzon edhe sot të drejta shumë më të mëdha se populli shqiptar. Në Athinë mund të përplasin këmbët e të ngrenë furtuna në gota uji në Strasburg apo në Bruksel, por fakti është se minoriteti grek në Shqipëri gëzon të drejta, që shkojnë deri në absurditet.

Le të thotë zoti Micotaqis se ç’të drejta ka minoriteti turk në Greqi, sa turq ka në administratën publike e shtetërore greke, sa parti politike turke ka në parlamentin grek, sa është futur turqishtja si gjuhë në sistemin arsimor grek dhe sa shanse u ka krijuar qeveria greke minoritetit turk në administratën qëndrore dhe pjesëmarrje esenciale në mjetet shtetërore të informacionit? A ka dërguar Athina ndonjë ambasador nga minoriteti turk të përfaqësojë Greqinë, a ka bërë ministra turq në kabinet zoti Micotaqis dhe a ka lejuar funksionimin e lirë të organizatave politike turke në Greqi? Po të ndalet qeveria greke, qoftë dhe një sekond në këto pyetje, do të kuptojë se minoriteti grek në Shqipëri është minoriteti më i mirëtrajtuar në Ballkan dhe në Evropë.

Kryeministri grek dhe gjithë ministrat grekë, ashtu si dhe soziet e tyre në disa parti politike shqiptare, po lozin si macja me fillin e perit me kartën e emigrantëve shqiptarë dhe që nga mëngjesi deri në darkë, po thërasin “ ju ndihmuam, po të mos ishim ne do të vdisnit”. E para, nuk është ndihmë ajo që i përmendet tjetrit gjithë ditën e gjithë natën. E dyta, emigracionin nuk e shpiku Shqipëria dhe nuk ishte ajo vendi i parë nga i cili ikën mijëra vetë. Nuk i kemi dëgjuar kurrë politikanët gjermanë t’i thonë, as ditën e as natën, as popullit hungarez e as popullit polak: “ne ju ndihmuam, po të mos ishim ne ju do të vdisnit”. Nuk i kemi dëgjuar politikanët gjermanë t’i mburren popullit turk se po ju mbajmë me bukë, se kemi 2 milion emigrant turq në Gjermani dhe nuk kemi dëgjuar as politikanët francezë të mburren para popullit algjerian se ne po ju mbajmë me bukë, se kemi 2 milionë algjerianë.

Natyrisht, nuk kemi dëgjuar as partitë politike turke, algjeriane, polake, bullgare, rumune etj., t’u falen shteteve emigrantpranuese se “po të mos ishit ju, do të kishim vdekur”. Micotaqis, jo vetëm spekullon me kartën e emigrantëve, por ka arritur të bëjë edhe regjistrimin e emigrantëve shqiptarë, edhe në shtetet e tjera, duke thënë se në Greqi ka më tepër emigrant se sa në çdo vend tjetër të botës. Së pari, duhet thënë se shteti e qeveria greke gënjejnë me numrin e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ndoshta në fillimet mund të kenë qenë 200 mijë, por pas gjithë këtyre dëbimeve masive herë pas here, askush nuk mund t’i besojë më përrallës së 200 mijë vetëve. Qeveria greke nuk i ka paraqitur kurrë qeverisë shqiptare listat e emigrantëve shqiptarë, që ndodhen në Greqi, dhe në asnjë rast, në asnjë konferencë apo forum, qeveria greke nuk ka paraqitur asnjë dokument apo argument se janë 200 mijë.

Ku i numëroi Micotaqis? Nëse i ka numëruar, le t’i japë listat qeverisë shqiptare dhe, nëse nuk i ka numëruar, të mos na bëjë aritmetika fëminore nëpër konferenca shtypi. Zoti Micotaqis nuk është i zoti të japë shifra reale për Greqinë, si ka mundur vallë t’i numërojë shqiptarët në Turqi, që janë dhjetëra herë më shumë se në Greqi, si ka arritur t’i numërojë në Evropën Perëndimore, ku janë disa herë më shumë se në Greqi, si ka arritur t’i numërojë në SHBA, ku janë disa herë më shumë se në Greqi?

Një kryeministër i një shteti fqinj lipset të jetë serioz si brenda vendit të tij, aq më tepër në marrëdhëniet me shtete fqinj. Por serioziteti dhe arsyeja janë atribute që diplomacia greke as i ka njohur dhe as nuk po i njeh dhe që as shkolla e Brukselit nuk ia mësoi dot.

Sigurisht, pas gjithë këtyre kërcënimeve, provokimeve, rivendikimeve flagrante, nuk mund të mos ndalesh pak edhe në motivet, që e shtyjnë Micotaqisin dhe Athinën të provokojë në mënyrë kaq amatoreske dhe të kërkojë pretekste pas pretekstesh për tensione.

Në Athinë nuk duan dhe nuk pëlqejnë që Shqipëria Demokratike dhe politika shqiptare po fitojnë një përkrahje gjithnjë e më të madhe në arenën ndërkombëtare. Atyre nuk u pëlqen që situata në Shqipëri të shkojë drejt stabilizimit, sepse stabilizimi i pengon politikës shoviniste greke dhe agjenturës së saj në Shqipëri. Asaj nuk i pëlqen që populli shqiptar, pavarësisht nga bindjet ideologjike apo përkatësitë partiake, kur vjen puna për çështjen kombëtare nuk të fal, por bashkohet i tëri.

Në Athinë nuk u pëlqen që Komuniteti Evropian dhe e gjithë Evropa gjithnjë e më tepër po e izolojnë Greqinë dhe e kanë dënuar hapur tërë politikën greke në Ballkan dhe në mënyrë të veçantë bashkimin me Serbinë dhe Milosheviçin. Greqinë e kanë braktisur tashmë edhe ato shtete evropiane, që tradicionalisht e kanë mbështetur më parë- dhe kohët e fundit shtypi grek e ka pohuar shumë këtë fenomen.

Në Athinë nuk u pëlqeu që Komuniteti Evropian, KSBE dhe SHBA dënuan vendimin e Beogradit për ndalimin e misionit të KSBE-së në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, në Athinë u tërbuan pas vendimit të SHBA për dërgimin e trupave të tyre në Maqedoni. Jo rastësisht, në të njejtën kohë, edhe Micotaqis, edhe Papandreu, sulmuan me një vrazhdësi (jodiplomatike, por as me normat elementare të mirësjelljes), qeverinë amerikane për dërgimin e trupave në Maqedoni. Jo rastësisht, Micotaqis zgjodhi për të ndërmarrë provokimet dhe kërcënimet tensionprurëse kundër Shqipërisë, pikërisht ditën pas njoftimit të mbërritjes së kontigjentit amerikan në Maqedoni. Vendosja e trupave amerikanë i prish planet Milosheviçit, i prish planet edhe Micotaqisit, sepse nuk i lejon që flakët e luftës të përhapen në Kosovë e Maqedoni, siç duan Athina dhe Beogradi.

Nga Athina po fryjnë erërat më të këqija të diplomacisë mesjetare bizantine dhe orët e diplomacisë e të politikës greke kanë mbetur në mesjetë. Në qarqet diplomatike e politike të rëndësishme evropiane po e kuptojnë dhe po e shprehin gjithnjë e më hapur se në Athinë ka mbetur dhe po fryn era e luftës së ftohtë.

Këtu dalin dy probleme. E para ka të bëjë me anëtarësinë e Greqisë në KE, anëtarësi që nuk mund të jetë pasaportë e përjetshme për të lozur në qetësi misionin e ngatërrestarit ballkanik e evropian. Ekspertët juridikë evropianë po studiojnë klauzolat e traktatit themelues, që vërtet nuk lejon përjashtime nga komuniteti, por Komuniteti ka kaq mjete ligjore, institucionale, politike dhe ekonomike, saqë të bllokojë një vend deri në statusin e të mosqënit anëtar. Të jesh në Evropë nuk mjafton të kesh hyrë një ditë në derën që quhet Komunitet dhe të sillesh si në kohën e Stalinit dhe të Kaldarisit.

Problem i dytë del ai i klasës politike që drejton sot Greqinë, e cila nuk po kupton as politikën evropiane dhe nuk po kupton se edhe ajo duhet të përshtatet me kohën dhe me ndryshimet që sollën revolucionet demokratike në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Micotaqis, Papandreu e co janë relike të luftës së ftohtë, me gjithë klasën e tyre politike. Dhe nëse ajo nuk po kupton këtë, a nuk ka ardhur koha, vallë, që edhe në Greqi të ndërrohet klasa politike në fuqi dhe të vijë një e re, që të kuptojë si ditët që jetojmë, ashtu dhe shekullin ku po hyjmë? Ky është një mendim që po kristalizohet gradualisht në shumë qarqe të rëndësishme politike në Bruksel, Uashington e gjetkë.

Kryeministri grek Micotaqis dhe qeveria e tij duhet të kuptojë se me deklaratat, tezat dhe platformën e gjerë shoviniste e kolonizuese që shpalli, i vuri marrëdhëniet shqiptaro-greke në një intonim të ri, të cilin diplomacia dhe politika shqiptare nuk mund të mos e marrë parasysh në të gjitha drejtimet. Për pasojat që ky intonim do të ketë në marrëdhëniet shqiptaro-greke apo në minoritetin grek, për këtë le të mbajnë përgjegjësinë ata që në Athinë mendojnë se jemi në fillim të shekullit.

Shqipëria dhe populli shqiptar e kanë të qetë ndërgjegjen historike dhe jo me njolla gjaku e grabitje trojesh e popujsh si fqinjët. Me këtë ndërgjegje të qetë historike dhe me sigurinë, që na jep ekzistenca shumëmijravjeçare në këto troje, ne kemi zërin dhe të drejtën t’i themi kryeministrit grek: “Merreni mbrapsht ultimatumin, zoti Micotaqis”!

Botuar 18.7.1993

(Nga libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, 2012, fq.34)

Fryma e skuadrës

Solidaritet në fatkeqësi politike i krerëve të plakur të lobit serb të Prishtinës me krerët e plakur të lobit serb të Tiranës!

Ja ç’do të thotë shpirt skuadre serbe!

Kuiz historik

A i kujtohet ndonjerit se çfarë don të thotë shprehja e dikurshme e popullit shqiptar: “Ata ranë për 5 kg. mollë”?

4.1.2024.

“Njeriu i ri” i demokracise shqiptare

Komunizmi maoist krijoi “lejfenizmin” si simboli i njeriut te ri.

Komunizmi enverist krijoi “njeriun e ri” te komunizmit.

Demokracia shqiptare i shkriu ato modele dhe krijoi rrugacet si “njeriu i ri” i demokracise.

18.1.2024.

Mësoni të vërtetat, para se të bëheni fanatikë të vrasësve

Stacioni i mirënjohur prestigjioz “Euronews” transmetoi ne 19 janar 2024 lajmin e mëposhtëm:

Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE, akuzoi Izraelin se ka financuar Hamasin për të dobësuar Autoritetin Palestinez të Fatahut. Kjo u deklarua në një fjalim të tij në Universitetin e Valladolidit në Spanjë, ku Borrell akuzoi gjithashtu kryeministrin Beniamin Netaniahu se personalisht ka devijuar çdo përpjekje për të zgjidhur konfliktin e gjatë prej dekadash Izrael-Palestinë.

“Lajmi i keq është që Izraeli, dhe veçanërisht qeveria e tij, kane refuzuar plotësisht, që të pranojnë zgjidhjen në dy shtete dhe ai personalisht e ka bojkotuar këtë në 30 vitet e fundit”, tha Borrell.

“Unë insistoj që Izraeli duke refuzuar këtë zgjidhje, ka shkuar aq larg sa ta krijiojë vetë Hamasin. Po, Hamasi është financuar nga qeveria e Izraelit me synimin që të dobësoje Autoritetin Palestinez të udhëhequr nga Fatahu, -deklaroi Borrell.

20.1.2024.

Forma e re e katarsisit komunist

Është interesant dhe komik njëkohësisht fenomeni shqiptar që disa Sekretarë të Parë të Komiteteve të Partisë së Punës në rrethe, (alias Enver Hoxhat e rretheve), me ndryshimin e regjimeve shpikën një formë të re për të bërë katarsisin e tyre ideologjik dhe politik: shkuan të jetojnë në qytete të mëdha si Tirana dhe Durrësi, u paraqitën si shkrimtarë dhe nisën të merren me letërsi. Nisën të kërrejnë bejte dhe kujtime të luftës partizane të katundit nga ikën dhe me maskën e re të shkrimtarit dolën në skenë me fytyra të reja.

Nxjerrja e librave me bejte dhe me kujtime partizane të katundit ishte forma e re e katarsisit të Sekretarëve të Parë të Komiteteve të Partisë në rrethe për të pastruar shpirtin dhe për t’u përshtatur sipas modës së re politike. Mirpo sëmundja e pushtetit brenda tyre u rishfaq prapë dhe me ndihmën e lobeve të partisë mëmë arrivizmin i tyre të ri e realizuan duke u bërë kryetarë NGO dhe shoqatash, dhe madje pretenduan të shpallen “Qytetar Nderi” në Tiranë dhe në Durrës, ku erdhën si kolonë. Duhet pranuar se patën sukses, sepse larg katundit të tyre të skërkave nuk ia njeh njeri biografinë as në Tiranë e as në Durrës. Emri i ri i shkrimtarit u krijoi atyre strehë të rehatëshmë, pa dhënë fare llogari as për arrestimet e pafundme të Sigurimit të Shtetit, të cilat si rregull i firmoste në rrethe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë.

Ja si përdhoset në Shqipëri edhe letërsia, edhe demokracia.

5.2.2024.

Gjeopolitika e kolltukut

Gjeopolitika e kolltukut-ylli polar i orientimit strategjik dhe feja e vetme e udhëheqësve të Shqipërisë.

13.2.2024

Të duash Ukrainën më shumë se Kosovën

Në datën 28 shkurt 2024 kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski nënshkruan në Tiranë “Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Ukrainës”.

Megjithëse ka 11 vjet kryeministër I Shqipërisë, Edi Rama ende nuk ka nënshkruar një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën.

Enigma dhe misteri është se kryeministri Rama, kur paraqiti programin e qeverisë së tij të parë, që u miratua nga Kuvendi në 15 shtator 2013, kishte futur në programin qeveritar nënshkrimin e një Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën.

Në kapitullin e politikës së jashtëme të programit qeveritar të kryeministrit Rama, nën titullin “Bashkëpunimi strategjik me Kosovën”, lexohet detyra: “Do të nënshkruajmë Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë”.

Nuk dihet ende se cili presion i jashtëm ose mendje e mbrapshtë në Shqipëri i ktheu atij mendjen. Në kundërshtim me programin e tij qeveritar, kryeministri Rama pas disa muajsh në 11 janar 2014 nënshkroi një “Deklaratë për Bashkëpunimin  dhe Partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës”.

Në planin juridik dhe diplomatik “Deklarata” nuk ka asnjë vlerë dhe efekt, përveç reklamës propagandistike, që kanë deklaratat politike midis dy shteteve. Traktati është forma më e lartë kontratuale juridike e marrëdhënive midis dy shteteve. Pse ka vendosur qeveria të mos nënshkruajë Traktat me Kosovën, për këtë duhet pyetur kryeministri i Shqipërisë.

Tërheq vëmendjen fakti se me Traktatin e ri me Ukrainën, Shqipëria figuron se ka nënshkruar “Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi” me 3 shtete, që nuk e njohin Kosovën. Ukraina i shtohet Greqisë dhe Rumanisë.

Vetëm një mendjelehtësi diplomatike mund të sugjerojë nënshkrimin tani të një “Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi” me një shtet si Ukraina, që është në luftë e sipër, që ka gjysmën e territorit të pushtuar nga trupat ruse dhe i cili ka në rend të ditës ekzistencën e tij si shtet.

Vetëm një mendjelehësi shtetërore mund të shpjegojë që Shqipëria nënshkruan Traktat Miqësie me një shtet si Ukraina, e cila vazhdon të shpërfillë interesin kombëtar shqiptar dhe vazhdon të mos njohë Kosovën për hatër të Serbisë, që është aleati strategjik dhe i vetëm ballkanik i Rusisë, shtetit pushtues të Ukrainës.

Duket se kryeministri i Shqipërisë do më shumë Ukrainën se sa Kosovën.

28.2.2024.

Kur do të hetohet tragjedia apo tradhëtia e shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?

I vetmi shtet ish-komunist, që e shkatërroi me qëllim makinën ushtarake të trashëguar nga regjimi i mëparshëm, është Shqipëria. Nuk ndodhi kjo tragjedi kombëtare në asnjë shtet ish-komunist të Ballkanit dhe të Europës Lindore.

Shtetet e tjera ish-komuniste i kanë edhe sot e kësaj dite armatimet e kohës së regjimit të vjetër. Madje Bullgaria e furnizoi tani Ukrainën me armatimet e asaj kohe për luftën e saj kundër agresionit rus.

Makina ushtarake e një shteti nuk ka karakter ideologjik dhe nuk ka asnjë lloj justifikimi për operacionin e qëllimshëm të shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të ekspertëve të ushtrisë shqiptare botuar në shtyp, makina ushtarake e Shqipërisë kishte 1.200 tanke dhe përbënte forcën tankiste më të madhe në rajon. Forcat ushtarako-ajrore kishin 196 avionë dhe helikopterë ushtarakë dhe vetëm baza e Kuçovës kishte 140 avionë ushtarakë.

Flota ushtarako-detare kishte 100 luftanije të tipeve të ndryshme. E gjithë kjo makinë ushtarake e dobishme për mbrojtjen e atdheut u shkatërrua si me shkop magjik nga një urdhër suprem.

Pikëpyetja e parë është përse udhëheqësit postkomunistë të PD dhe të PS, që alternuan njeri-tjetrin në pushtet, ndoqën me konsensus dypalësh të njejtën strategji të shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?

Pikëpyetja e dytë është përse asnjera qeveri në 32 vjet nuk e ka hetuar këtë shkatërrim të qëllimshëm të makinës ushtarake, por e kanë fshehur në heshtje dhe e kanë varrosur për publikun dhe për drejtësinë?

Pikëpyetja e tretë është se si dhe pse u shkatërrua makina ushtarake e Shqipërisë pikërisht në kohën kur në Jugosllavi sapo kishin nisur agresionet e përgjakëshme të Serbisë kundër popujve joserbë dhe Shqipëria e kishte luftën te dera?

Pikëpyetja e katërt është se ku mendonin udhëheqësit e PD dhe të PS në pushtet se do ta mbështetnin mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë nga një agresion i jashtëm, kur Shqipëria nuk ishte as anëtare dhe as partnere e NATO-s?

Pikëpyetja e pestë është se kush përfitoi në planin strategjik dhe financiar nga shkatërrimi i makinës ushtarake të Shqipërisë?

Pikëpyetja e gjashtë është se cili shtet ballkanik ose joballkanik u këshilloi udhëheqësve shqiptare të PD dhe të PS në pushtet se duhej të shkatërronin makinën e trashëguar ushtarake të Shqipërisë?

Përfundimi: A ka ardhur koha dhe kur SPAK do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht udhëheqësit e shtetit dhe të qeverive, përgjegjës të tragjedisë apo të tradhëtisë së shkatërrimit të makinës ushtarake të Shqipërisë?

4.3.2024.

Krahasoni fqinjët tanë

Greqia zyrtare, që nga viti 1991 i emigrimit masiv të shqiptarëve e deri më sot, nuk ka lënë rast zyrtar e fjalim zyrtar pa na përmendur se na ka mbajtur me bukë, duke pranuar emigrantët tanë të vilnin ullijtë dhe domatet greke. Në Greqi numuri real i emigrantëve shqiptarë është rreth 250 mijë vetë.

Udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive, të kompleksuar nga ndjenja e inferioritetit ndaj Athinës, nuk kanë lënë takim zyrtar, bisedim dhe raste dypalëshe pa i falenderuar me përunjësi qeveritë greke “për bukën”. Në diplomaci kjo don të thotë të krijosh me duart tuaja hipotekën artificiale diplomatike te Greqia.

Italia zyrtare, që nga viti 1991 i emigrimit masiv të shqiptarëve e deri më sot, nuk e ka përmendur kurrë në asnjë rast se “na ka mbajtur me bukë” dhe na bëri nderin, që pranoi emigrantët tanë. Në Itali numuri i emigrantëve shqiptarë i afrohet një milion vetave. Udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive nuk kanë falenderuar me përunjësi qeveritë italiane. Italia zyrtare nuk e bëri kurrë hipotekë diplomatike për Tiranën pranimin e emigrantëve shqiptarë.

Greqia zyrtare ka ndërmarrë si politikë shtetërore një nga konvertimet më të mëdha masive të dhunëshme fetare të shqiptarëve. Si asnjëherë më parë në historinë mijravjeçare të kombit tonë konvertimi u dhunshëm fetar i shqiptarëve u shoqërua në Greqi dhe nga Greqia me konvertimin e dhunshëm etnik të shqiptarëve. Dhjetëra mijra e qindra mijëra shqiptarë përveç identitetit fetar humbën edhe identitetin etnik, gjë që përbën një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare të kombit tonë. Nëpërmjet dhunës së urisë, të dëbimit, të shkopit të policisë dhe të kishës ortodokse greke, Greqia detyroi dhjetra mijra emigrantë shqiptarë të ndërronin fenë dhe të pagëzoheshin ortodoksë, të ndërronin emrat, që ua kishin vënë prindërit, me emra grekë, ndërruan edhe kombësinë. Është konvertimi më negativ masiv i shqiptarëve, që u detyruan të ndërrojnë njëkohësisht fenë dhe kombin, dhe të humbin në asgjë.

Italia zyrtare nuk e bëri kurrë një konvertim fetar dhe kombëtar të dhunshëm të emigrantëve shqiptarë dhe ata kanë sot të njetin identitet fetar dhe shqiptar siç kishin para se te shkonin në Itali nga Shqipëria. Nuk ndodhi kurrë me asnjë emigrant shqiptar në Itali, që nën presionin zyrtar, të vendit të punës, të policisë apo të kishës katoilke, të detyrohej të ndërronte emrin, fenë dhe kombësinë, qoftë dhe një shqiptar i vetëm emigrant.

Politika, diplomacia, historia, shkenca dhe shoqëria shqiptare duhet të nxjerrin mësimet e duhura ekzistenciale nga pervoja historike me njerin dhe tjetrin fqinj. Gjeopolitika shqiptare nuk duhet t’i harrojë kurrë këto mësime, që na vijnë nga historia e re e popullit tonë.

18.3. 2024.

Sovranistët e leshit

A i ka thënë kryeministrit të Shqipërisë ndonjë këshilltar jugosllav, nga ata që mban me tepricë rreth vetes, se Riçard Grenell, ortaku i Jared Kushnerit, që do marrin sëbashku nga kryeministri ishullin e Sazanit dhe do investojnë atje, (disa thonë paret e arabëve, disa thonë paret e Serbisë), paguhet nga Serbia 100 mijë dollarë në muaj, sipas analistit dhe historianit të njohur serb Dushan Janjic? Nuk di nëse i kanë thënë kryeministrit të zënë gjithë ditën me podcaste, me fb dhe me rrjete sociale, se presidenti i Serbisë Vuçiç e ka dekoruar Grenellin në 25 tetor 2023 me “Urdhërin e Flamurit Serb” të klasit të parë, për shërbime të posaçme ndaj Serbisë.

A i kanë thënë kryeministrit të Shqipërisë këshilltarët e tij ligjorë se Kushtetuta e detyron atë që të marrë lejen e parlamentit para se të shprehë gatishmërinë publike për t’i dorëzuar sovranitetin dhe kontrollin e një ishulli të tërë shqiptar dy biznesmenëve të huaj me lidhje okulte në Serbi, pavarësisht se çfarë pasaporte mbajnë?

Po sovranistët e leshit të opozitës, që ngriten stuhi artificiale protestash në gotë për një kamp të përkohshëm refugjatësh të përkohshëm afrikanë në Shëngjin, si nuk u ngritën dhe nuk iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e sovranitetit nga kryeministri për gatishmërinë e shprehur publike për dorëzimin e ishullit te Sazanit, ishullit më të madh strategjik të Shqipërisë? Apo mikut të tyre dhe të Serbisë janë gati t’i falin gjysmën e Shqipërisë vetëm t’u heqë ndonjë njollë të paheqëshme mëkatesh korrupsioni në qeverisje?

Për udhëheqësit apatridë të qeverisë dhe të opozitës shqiptare sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit nuk vlen një lek.

23.3.2024.

Gjeopolitika e Rilindasve, më e saktë se e udhëheqësve të 30 viteve të fundit

Qendra e lindjes, e veprimtarisë kombëtare dhe e kontributit të Rilindjes sonë Kombëtare ka qenë Stambolli. Disa prej rilindasve zhvilluan veprimtarinë kombëtare në Sofie dhe në Bukuresht. Rilindasit arbëreshë e zhvilluan veprimtarinë e tyre kombëtare në Itali.

Por bën përshtypje historike fenomeni që asnjë rilindas nuk zhvilloi veprimtarinë e tij kombëtare në Athinë, ku shqiptarët e harruar dhanë kontribut vendimtar në pavarësinë e Greqisë. Asnjë rilindas nuk zhvilloi veprimtarinë e tij kombëtare në Beograd.

Mos harroni se në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare edhe Greqia, edhe Serbia, ishin shtete të pavarura dhe shtete fqinjë. Rilindasit tanë mendjendritur e kuptuan dhe e dinin nga përvoja historike shqiptare dhe përvoja personale se as Greqia dhe as Serbia nuk mund të ishin kurrë mbështetës të kombit shqiptar as për atë kohë dhe as për të ardhmen.

Rilindasit, si mendje të shquara dhe të paarritura nga udhëheqësit e Shqipërisë moderne, e parashikonin dhe e konceptonin më saktë se udhëheqësit postkomunistë orientimin gjeopolitik të Shqipërisë.

Fenomeni historik i përjashtimit të Athinës dhe i Beogradit nga biografia jetësore dhe nga veprimtaria kombëtare e Rilindasve tanë të shquar, ka mbetur qëllimisht i panjohur dhe i pastudjuar nga historiogafia, nga akademia e shkencave, nga qeveritë, nga politika, nga diplomacia shqiptare.

Rilindja Kombëtare hodhi piketat e gjeopolitikës kombëtare shqiptare dhe dikton të nxirren mësimet e duhura historike për kohën e sotme. Devijimet strategjike të udhëheqësve të Shqipërisë postkomuniste, që në kundërshtim me Rilindasit tanë të shquar, kërkuan strehime strategjike në Greqi dhe në Serbi, janë fatkeqësi kombëtare, që na largojnë nga liria, pavarësia, sovraniteti dhe identiteti kombëtar.

29.3.2024.

Shqipëria e së kaluarës modelon Shqipërinë e së ardhmes

Figurat e sklerozuara të nomeklaturës së lartë komuniste drejtojnë sot qeverinë, politikën, ekonominë dhe shkencën në Shqipëri. Është qark i mbyllur si sekt, që qarkullon brenda vetes frenat e pushtetit, pavarësisht se janë brezi i fëmijve, dhëndurrëve, nipave e mbesave me burrat e tyre. Kjo strukturë e së kaluarës modelon Shqipërinë e së ardhmes. Me kriteret e ideologjisë stalinisto-komuniste Shqipëria është sot një shtet monolitik revizionist, që u bë i tillë nga halli i rrethanave ndërkombëtare, dhe ashtu revizionist do të mbetet, sepse duhet te ruhet monopoli i një partie, duke e ndarë në dy skuadra apo portofole: PS-PD. Kjo shpjegon pse lejohen nja 100 partiçka fantazma po të nomeklaturës, për t’u krijuar naivëve iluzionin e demokracisë. Nuk e ndryshon këtë realitet as fakti që për nevoja gjeostrategjike atlantike e bënë Shqipërnë anëtare të NATO-s, dhe as mundësia, që ndonjëherë Shqipëria të bëhet anëtare e BE.

Pa u shkatërruar kjo strukturë e fuqishme kanceroze e nomeklaturës së të kaluarës, Shqipëria nuk bëhet dot as shtet demokratik, as shtet me standart të lartë jetese dhe as shtet normal europian.

2.4.2024.

60-vjetori i rinise sime poetike

60 vjet më parë, 19 prill 1964, kur isha në vitin e parë të Fakultetit Histori-Filologji, pa mbushur 19 vjeç, në gazetën e njohur dhe të vetme letrare të vendit “Drita”, shkrimtari i madh Ismail Kadare, që ishte redaktor për poezinë në atë gazetë, më botoi një cikël të veçantë vjershash të miat.

Për mua si poet i ri ishte një ngjarje e jashtëzakonëshme, të cilën nga albumi i kujtimeve kam kënaqësinë e veçante ta ndaj me miqtë e mi në këtë 60- vjetor të rinisë sime poetike.

19.4.2024.

Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin e 1914?

Presidentja e Greqisë K.Sakellaropoulou evokoi në 24 prill 2024 të ashtuquajturin gjenocid armen të vitit 1915. E kishte më lehtë të mos shkonte aq larg deri në Armeni, por të shkonte në shtetin fqinj Shqipëri, ku këtë vit është 110 vjetori i gjenocidit grek, kur ushtria grek dhe bandat ushtarake greke masakruan me dhjetra mijra banorë shqiptarë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet, në Ersekë, në Korçë, në Skrapar, në Berat, etj. Sipas shkencëtarëve gjermanë, vetëm në Gjirokastër forcat greke masakruan 20 mijë banorë shqiptarë. Ishte një gjenocid shtetëror etnik dhe fetar, që synonte spastrimin etnik të popullsisë shqiptare të Jugut të Shqipërisë, të pushtuar nga ushtria greke. Presidentja greke mund dhe duhet t’u kërkonte falje Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë 110 vjetor të gjenocidit grek mbi popullsisnë civile shqiptare.

Presidentja geke nuk e bëri dhe nuk e ka bërë asnjë president apo kryeministër grek që nga 1914 e deri në ditët tona. Mirë Athina nuk e ka bërë dhe nuk e bën dhe i ka vënë kapakun shtetëror të varrit të vërtetës historike, sepse shtetin vrasës nuk e vret ndërgjegja ndërkombëtare dhe as morali ndërkombëtar.

Po Tirana kur do të ngrihet t’ia kujtojë Athinës këtë gjenocid grek mbi popullsinë shqiptare? Edhe dele të kishin qenë ata dhjetra mijra gra, fëmijë e pleq të masakruar në mënyrë masive nga ushtria greke në territorin shqiptar, Tirana duhet t’i kishte kërkuar reparacione Greqisë. Unë nuk e di nëse kryeministrat shqiptarë të tranzicionit e kanë lexuar kryeveprën e historianit, priftit dhe patriotit të madh shqiptar, Papa Kosta Tomorri, i cili si dëshmitar okular i gjenocidit grek botoi në ShBA qysh në vitin 1917 librin e famshëm “Barbaritë greke në Shqipëri”. Nuk e di nëse udhëheqësit e Shqipërisë e njohin historinë e shtetit të tyre dhe nëse e kanë lexuar që paraardhësi i tyre, kryeministri i Shqipërisë, Turhan Pashë Përmeti, kërkoi zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 reparacione nga Greqia për masakrat dhe shkatërrimet në qytetet dhe fshatrat në Shqipëri në vitin 1914.

Sivjet është 110 vjetori i gjenocidit grek në Shqipërinë e Jugut. Kaloi një e treta e vitit dhe nuk shihet gjëkundi që Tirana të organizojë sesione përkujtimore, konferenca apo mbledhje solemne zyrtare dhe akademike për këtë ngjarje tragjike të historisë shqiptare. Tirana nuk po ngre një memorial në kryeqytet në përkujtim të dhjetra e dhjetra mijra shqiptarëve të masakruar gjatë gjenocidit grek. Tirana ndërkohë i ka dhënë lejen Greqisë të ndërtojë në territorin e Shqipërisë së Jugut katër varreza të mëdh greke për të nderuar ushtarët e ushtrive pushtuese greke. Tirana, që nuk ka ngritur një memorial për dhjetra e dhjetra mijra të vrarët shqiptarë në gjenocidin grek të 1914, që nuk ndërton asgjë  për të përkujtuar holokaustin e popullit të vet, po ndërton në mënyrë absurde dy Muzeume në Tiranë dhe në Vlorë për holokaustin çifut, sepse kështu iu tek kryeministrit aktual internacionalist të Shqipërisë. Dhe që turpi shtetëror e qeveritar të arrijë kulmin botëror, kemi faktin e turpshëm që autoritetet shqiptare nuk lejojnë dhe nuk japin të ashtuquajturën leje ndërtimi për memoralin në kujtim të 217 banorëve shqiptarë të masakruar nga forcat greke vetëm në fshatin Hormovë në vitin 1914.

Tirana nuk po guxon t’ua kujtojë presidentes greke apo kryeministrit grek se duhet t’u kërkojnë falje Shqipërisë dhe popullit shqiptar për gjenocidin grek në Shqipëri. Gjaku dhe memoria e dhjetra e dhjetra mijra qytetarëve shqiptarë në këtë 110 vjetor historik të holokaustit shqiptar duhet t’u prishin gjumin e inferioritetit diplomatik qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë.

25.4.2024.

Ç’do flamuri kombëtar në protestat politike të partive?

Një traditë të shëmtuar kanë krijuar partitë politike shqiptare në periudhën postkomuniste. Në çdo protestë politike antiqeveritare sado e vogël qoftë dhe për kërkesat më idiote partiake, militantët valavisin flamujtë kombëtarë.

Ç’don flamuri kombëtar në protestat politike të partive shqiptare? Partitë politike, kur janë në opozitë protestojnë kundër partisë tjetër, që është në pushtet, që t’i zenë kollukun dhe kryetari i partisë të realizojë ambicjen të bëhet kryeministër. Ç’hyn kombi dhe ideali kombëtar këtu?

Flamuri Kombëtar i takon mbare kombit, edhe popullit shqiptar të Kosovës, edhe popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, edhe shqiptarëve të Malit të Zi, etj.

Ç’punë kanë shqiptarët e trevave të tjera shqiptare që partitë politike në Shqipëri grinden, protestojnë dhe sulmojnë institucione shtetërore, duke tundur kot në ajër flamurin kombëtar.

Kjo është ta përdhosësh flamurin kombëtar!

Flamurin Kombëtar mund ta mbajnë partitë politike shqiptare në Kosovë kur protestojnë kundër Serbisë, por jo kur protetestojnë për t’i zënë kollukun e pushtetit njera- tjetrës. Flamurin kombëtar si dëshmi dhe shenjë e identitetit kombëtar duhet ta mbajnë në protestat e tyre partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duhet ta mbajnë në protestat dhe manifestimet e tyre partitë politike shqiptare në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës.

Por kurrsesi nuk duhet ta mbajnë partitë politike shqiptare në Shqipëri, të cilat nuk kanë dhe nuk kanë dëshmuar identitet kombëtar dhe e kanë nxjerrë në ankand çeshtjen kombëtare sa herë kanë qenë në pushtet, duke iu nënshtruar interesave të shteteve armike të kombit tonë.

Partitë politike në Shqipëri e mbajnë flamurin kombëtar në protestat e tyre politike si maskë për të fshehur antishqiptarizmin e tyre, njësoj si kriminelët ordinerë që mbajne maska për të fshehur fytyrën e vërtetë.

Partitë politike shqiptare, që protestojnë për interesat e ngushta personale dhe familjare të kryetarëve të tyre autokratë, duhet të mbajnë nëpër protesta vetëm flamujt e partive të tyre.

Të paktën flamurin kombëtar të mos e ndotin me protestat e tyre të shëmtuara.Shteti dhe Kushtetuta në Shqipëri duhet ta ndalojnë me ligj përdorimin e Flamurit Kombëtar në protestat politike të partive!

28.4.2024.

Një popull i dehur me revolucione imagjinare

Shqiptarët janë popull revolucionar, por nuk kanë mësuar që revolucionet nuk zgjasin me vite dhe me dekada.

28.5.2024.

Shqipëria maoiste! Për fshatin që jo vetëm e rrethoi, por edhe e pushtoi dhe pothuajse e asimiloi qytetin

Shqipëria është i vetmi shtet në botë, që ka realizuar devizën e madhe të Mao Ce Dunit, babait të radikalizmit ekstrem të komunizmit aziatik, “fshati të rrethojë qytetin”.

Në Shqipëri fshati jo vetëm e rrethoi, por edhe e pushtoi dhe pothuajse e asimiloi qytetin. Ky fenomen është një nga çuditë shqiptare të historisë së shtetit shqiptar, fenomen i cili kulmet i arriti me regjimin komunist dhe me regjimin demokratik në të dy qeveritë, PD dhe PS, ku kemi zbarkimet e panatyrëshme të tipit “re karkalecësh” të babëzisë asimiluese të fshatit ndaj qytetit.

Shteti dhe qeveritë me ndergjegje dhe me qëllime bizantine i hapën rrugën e hapësirës dhe të veprimit të pakufizuar për një nga veset më të shëmtuara historike kombëtare siç është vjedhja dhe pre e kësaj furie të organizuar ranë tokat dhe pronat shtetërore dhe objektet shtetërore dhe madje pronat private në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe sidomos në Tiranë dhe në Durrës.

Nuk ka ndodhur ky fenomen negativ dhe destruktiv në asnjë prej ish-shteteve komuniste dhe në asnjë shtet ballkanik. Shqipëria përbën kështu një shembull unik të zbatimit të doktrinës maoiste kineze, gjë që do ta pengojë me qindra vjet të arrijë nivelin e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor dhe të mentalitetit europian.

Ndryshe nga historia e shteteve në Europën e vjetër demokratike dhe të përparuar, ku qyteti asimiloi fshatin dhe arriti shkallën më të lartë të zhvillimit shoqëror, në Shqipëri fshati asimiloi qytetin dhe Shqipëria mbeti oazi më i prapambetur i kontinentit.

E keqja nuk është vetëm pse shteti u katandis kështu, por sepse ende nuk dëshirohet të kuptohet se ku dhe pse jemi kandisur në këtë derexhe. Qeveritë antishqiptare të të dy llojeve të qeverive PD dhe PS e maskuan dhe e justifikuan këtë asimilim të kobshëm rural të qytetit me përrallat e lëvizjes demokratike dhe lirisë së lëvizjes së popullsisë.

Disa e banalizuan sikur ky fenomen i shëmtuar u organizua vetëm për vota nga PD dhe nga PS, kryeministrat e të cilave pa pikën e ligjëshmërisë dhe të turpit shpërndanin me dorën e tyre të ashtuquajturat tapi pronësie, me të cilat qeveritë legalizonin me ceremoni dhe me daulle zyrtare vjedhjen e pronave shtetërore, private dhe shoqërore nga zbarkimet masive. Padyshim kjo ishte një strategji e rrafinuar dhe e thellë antishqiptare, që rrënoi dhe rrënon demokracinë, shtetin dhe kombin, dhe që sjell vërdallë Shqipërinë gjatë 32 viteve të të ashtuquajturit tranzicion demokratik.

Dhe askush nuk i bën vetes pyetjen ekzistenciale: Pse ky fenomen i shëmtuar nuk ndodhi dhe nuk u zbatua nga asnjë qeveri në asnjë shtet ish-komunist të Ballkanit dhe të Europës Lindore.

Përse këtë formë errozioni masiv të shoqërisë shqiptare e shpikën vetëm udhëheqësit e Shqipërisë?

Realisht për Shqipërinë Mao Ce Duni është profeti i vetëm i rrugëtimit shtetëror dhe shoqëror.

27.6.2024.

Më në fund Kuvendi i Shqipërisë gjen ligjin dhe veten!

Më në fund pas 30 vitesh heshtje turpëruese Kuvendi i Shqipërisë gjeti në 27 qershor 2024 guximin të respektojë veten, ligjin dhe rezolutat, që ka miratuar vetë. Në 27 qershor 2024 Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të të bashkëatdhetarëve çamë të masakruar në genocidin e shovinistëve grekë kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Në 27 qershor ishte 80 vjetori i “Ditës së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, e shpallur dhe e vendosur zyrtarisht në kalendarin kombëtar. Eshtë jo thjesht një datë historike, por datë e kalendarit kombëtar, e shpallur me ligjin nr.7839, date 30 qershor 1994.

Në 12.7.1994, me dekretin nr.885, presidenti i Shqiperise, Sali Berisha, dekretoi këtë ligj, që detyron të gjitha institucionet shtetërore, publike, akademike, etj, që ta përkujtojnë dhe ta nderojnë këtë ditë.

Sali Berisha ndejti 5 vjet president dhe 8 vjet kryeministër i Shqipërisë dhe nuk u kujtua asnjëherë për ligjin, që kishte dekretuar vetë, nuk e zuri asnjëherë me gojë as “Ditën e genocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë” dhe nuk i përmendi kurrë fjalët Çamëri ose çeshtja çame gjatë qeverisjes së tij 13 vjeçare.

Në datën 30 qerhor 1994, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Në Kuvendin e Shqipërisë PD kishte shumicën parlamentare, por kjo shumicë që dominoi 13 vjet në pushtet nuk u kujtua kurrë të respektonte ligjin, që e kishte miratuar vetë dhe të nderonte bashkëatdhetarët çamë të vrarë nga genocidi i shovinistëve grekë.

Në 8 prill 2004 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezoluten për çeshtjen çame, ku kërkohej që “është koha që çeshtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët”.

Rezoluta e vitit 2004 “Ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare, që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit”. Kuvendi dominohej nga shumica parlamentare e PS.

PS ndejti në pushtet tetë vjet, por kryeministri i saj Fatos Nano nuk u kujtua kurrë të respektonte ligin dhe kalendarin kombëtar për “Ditën e genocidit të shovinistëve grekë kundër shqiptarëve të Çamërisë”. Fatis Nano nuk i përmendi kurrë gjatë qeverisjes së tij fjalët Çamëri dhe çeshtja çame dhe jo më të zbatonte rezolutën e Kuvendit për t’ia bërë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare çeshtjen çame.

Kryeministri socialist Edi Rama, kryetar i PS, ka 11 vjet në pushtet dhe jo vetëm nuk është kujtuar asnjëherë të respektojë ligjin dhe të nderojë “Ditën e genocidit grek në Çamëri”. Turpi kombëtar dhe zyrtar arriti kulmin tani në 80 vjetorin e “Ditës së genocidit grek në Çamëri” me realitetin tronditës që qeveria, institucionet shtetërore e deri Akademia socialiste e Shkencave e Shqipërisë nuk u kujtuan asnjeri të përkujtojnë 80 vjetorin e genocidit grek të Çamërisë.

Ndaj vlen të përshëndetet akti i tanishëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili pas 30 vjetësh u kujtua të nderojë me një minutë heshtje të vrarët nga masakrat e genocidit grek. Shpresojmë që ky zgjim i vonë i Kuvendit të Shqipërisë të ndikojë sadopak te qeveria e Shqipërisë dhe të përsëritet ky nderim çdo vit, sikurse e kërkon ligji dhe sikurse është detyrë dhe detyrim i Kuvendit të Shqipërisë.

Heshtja e përbindëshme antikombëtare e autoriteteve shqiptare gjatë 30 viteve ka krijuar hapësira për hienat greke apo grekofile të guxojnë të revizionojnë historinë e tragjedisë dhe të çeshtjes çame, duke u dhënë kohë mediatike dhe televizive spekullatorëve të sponsorizuar nga Athina që ta paraqesin sikur në Çamëri janë vrarë vetëm 10 vetë, në një kohë që arrin shifrën 6 mijë vetë numuri i të masakruarve nga ushtria greke 80 vjet më parë.

Një popull, një komb dhe një shtet, që kanë frikë të përkujtojnë dhe të flasin për ngjarjet e dhimbshme të historisë së tyre dhe për të masakruarit shqiptarë të shkaktuar nga shtetet fqinjë, nuk meritojnë ekzistencën, sepse kush fshin ose fsheh historinë e vet, nuk meriton të lëshojë hije mbi dhe.

1.7.2024.

Lexim vere

Një shtrembërim historik antishqiptar dhe antigjerman është përhapur me ngulm gjatë dy shekujve nga historiografia dhe politika serbe në zbatim të politikës antishqiptare dhe antigjermane të Serbisë. Kjo është e ashtuquajtura thënie që i vishet Bismarkut se “Shqipëria është shprehje gjeografike”. Për fat të keq rrymat serbe në historiografinë dhe në politikën shqiptare e kanë bërë normë përhapjen e shpifjes serbe.

Në arkivin dhe në botimet serioze gjermane për Kongresin e Berlinit 1887 dhe në asnjë fjalim dhe diskutim të Bismarkut nuk ekziston gjëkundi ky përkufizim.

Universiteti i Oksforfit, që nuk është as shqipar dhe as gjerman, dhe që një auditor i tij ka shkencë më shumë se sa gjithë historiografia serbe dhe Akademia e Shkencave të Serbisë, e përgënjeshtron këtë shtrembërim historik serb dhe zbulon autorin e vërtetë të saj, dhe që shprehja nuk ka lidhje as me Shqipërinë dhe as me Bismarkun. Autorësia i takon burrit të madh austriak të shtetit, Meternik, i cili e ka thënë 40 vjet para mbajtjes së Kongresit të Berlinit:

“Italia është një shprehje gjeografike”.

“Italy is a geographical expression”.

discussing the Italian question ëith Palmerston in 1847.

Mémoires, Documents, etc. de Metternich publiés par son fils (1883) vol. 7

Prince Metternich 1773–1859

Austrian statesman.

10.7.2024.

Lexim i një nate vere

Në lagjen e fëmijërisë sime në qytetin më të vjetër, Durrësit, kishim një plakë të mençur dhe të urtë, e cila pinte kafe shpesh me nënën time, dhe shkonin si motra. Unë e kisha dëgjuar disa here nënë Nurije Sharrën, nënën e shokut tim të ngushtë dhe sportistit të mirënjohur Xhavit Sharra, që sa here binte muhabeti për marrëdhëniet e saj të acaruara me djalin e saj më të madh, (ajo kishte tre djem), i cili nuk i fliste nënës për hatër të gruas së tij, megjithëse jetonin bashkë në një hajat, psherëtinte me dhimbje nëne dhe përsëriste dy vargje perlë:

“Dy gisht vend,

 të le pa mend!”.

Unë sapo kisha nisur të shkruaja vjersha dhe me patën befasuar dy vargjet e saj monumentale. Ishin një kuintesencë filozofie, jete, marrëdhëniesh njerëzore, morale, biologjike, metaforike, alegorike, etj.me një forcë të jashtëzakonëshme artistike dhe pa përdorur asnjë fjalë erotike.

Më vonë studjova në Fakultetin e Letërsisë, ku lëndë të posaçme kishim folklorin shqiptar. Natyrisht kam lexuar libra të panumurt poezie dhe proze, por nuk hasa kurrë një dyvargësh kaq emblematik dhe sintetik, sa vargjet e plakës së mençur Nurije.

Urtësia dhe mençuria popullore është një thesar, që zbulohet rrallë. Prandaj m’u kujtua në një natë të bukur vere dhe po e ndaj me miqtë e mi.

20.7.2024.

A po ndikon Rusia te diplomacia  perëndimore?

Serbia mori në fillim të vitit 2024 kontrollin e parlamentit të Malit të Zi. Tani në korrik 2024 mori nën kontroll qeverinë e Malit të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, kryetari i parlamentit të Malit të Zi, ministri i mbrojtjes i Malit të Zi, dhe disa ministra të tjerë të Malit të Zi, janë qëtë gjithë shtetas të Serbisë, me pasaporta serbe dhe i janë betuar asaj për besnikëri.

Qeveria e re serbe e Malit të Zi liroi nga akuzat dhe dënimet e gjykatave malazeze të gjithë agjentët e shërbimit sekret serb dhe agjentët e shërbimit sekret rus, të cilët organizuan grushtin e shtetit në Podgoricë në vitin 2016 në përpjekjet e tyre për të bllokuar hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Kam shkruar kaq herë që nga 2020, kur pushtetin në Mal të Zi e mori Serbia dhe kisha serbe, se Mali i Zi po shkon drejt aneksimit nga Serbia. Partitë serbe, që kanë marrë qeverinë dhe parlamentin në Mal të Zi, janë betuar se do ta nxjerrin Malin e Zi nga NATO, do ta lidhin shtetin me Rusinë dhe do të heqin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.

Diplomacia atlantike dhe europiane po flejnë një gjumë të thellë dhe as shohin dhe as dëgjojnë se çfarë po ndodh në Mal të Zi dhe bëjnë sikur nuk e dinë që Serbia, Rusia dhe partitë serbe e ruse në Mal të Zi po punojnë ta nxjerrin vendin nga NATO. Ata nuk po e akuzojnë Serbinë dhe Vuçiçin as per shkëputjen faktike, që po organizojnë fashisti Dodik dhe Beogradi, për të ndarë “serpska republikën” proruse nga shteti i Bosnje-Hercevoginës, as për përgatitjet revanshiste dhe militariste të Serbisë për aksione të reja ushtarake dhe terroriste në Kosovë.

Çuditërisht diplomacia atlantike dhe europiane ngrejnë në këmbë opinionin publik ndërkombëtar nëse disa gjethe bien nga pemët në Veriun e Kosovës dhe shqetësojnë pakicën e përkëdhelur serbe dhe presidentin kriptoeuropian të Serbisë Vuçiç.

Ndonjë diplomat perëndimor, me të cilin kam trajtuar këto zhvillime negative në Mal të Zi, e shpjegon këtë heshtje atlantike dhe europiane me interesin strategjik të NATO-s dhe të BE për të joshur Vuçiçin të mos shkojë te Rusia.

Së pari, diplomacia perëndimore nuk e shpjegon dot pse duhet paguar një çmim shumë i rëndë dhe t’i dhurosh Serbisë sovranitetin e Kosovës, të Malit të Zi dhe të Bosnje- Hercegovinës, në shkëmbim të premtimit tallës të Serbisë se nuk do të shkojë te Rusia.

Së dyti, a ka vallë ndonjë naiv politik ose diplomatik, që beson se Rusia do ta lejojë Vuçiçin dhe Serbinë të shkojnë te NATO dhe te ShBA?

Duke qenë se për profesion më është bërë instikt të analizoj të gjitha alternativat e mundëshme rreth politikës së diplomacisë perëndimore me Serbinë, me të cilën Perëndimi gaboi rëndë në filim edhe me Millosheviçin, dhe për mundësinë e përsëritjes së gabimit me pasardhësin e tij Vuçiç, nuk më lejohet që të lej jashtë skemës time analitike ato alternativa apo shpjegime, që duken të pamundura. Në skemën time profesionale diplomatike dhe analitike shtrohet edhe kjo:

Mos vallë lëkundjet alogjike dhe lëshimet absurde të diplomacisë atlantike dhe europiane ndaj Vuçiçit dhe Serbisë janë ndonjë ndikimin direkt i Rusisë në diplomacinë atlantike dhe europiane?

26.7.2024.

Censurimi i së vërtetës dhe i historisë

Dëgjojmë dhe lexojmë shpesh lavdërime e glorifikime për ministrat shqiptare të arsimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Me të drejte vlerësohet lart hapja e 100 apo dyqind shkollave shqipe në Kosovë dhe në Maqedoni.

Por historia u tregohet brezave e censuruar dhe e gjymtuar. Ministrat e arsimit të asaj kohe ishin burra arsimdashës dhe patriotë, por pyetja e thjeshtë kyçe është: A i hapën 100-200 shkollat shqipe ata me paratë e tyre dhe ai paguanin ata qindra mësuesit e Shqipërisë me paratë e tyre?

Aspak! Ata zbatuan vendimin e qeverisë shqiptare të kohës, të firmosur nga kryeministri i kohës. Pa firmën e kryeministrit të kohës nuk ishte hapur asnjë shkollë shqipe ne “tokat e lirueme”.

Ndaj është një domosdoshmëri të përmendet dhe të lavdërohet në rradhë të parë për këtë nismë patriotike kryeministri i kohës, që firmosi vendimin dhe buxhetin për hapjen e 100-200 shkollave shqipe në Kosovë dhe në Maqedoni. Aq më tepër kur kryeminister ka qenë një intelektual i shquar si Mustafa Merlika Kruja, linguist dhe historian, autor i të parit fjalor etimologjik të gjuhës shqpe, më i shquar se ministrat e tij të arsimit.

Mjaft më me censurë të së vërtetës dhe të historisë dhe me shikimet e gabuara të historisë sonë vetëm me sy ideologjik, krahinor dhe fetar!

26.7.2024.

Lavrov dhe Vulin me urët e zjarrit në Ballkan, Perëndimi me mustaqet e Urës së Ibrit

Në 14 gusht faqja zyrtare e MPJ të Rusisë botoi fjalimin e gjatë hyrës, që ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov mbajti në takimin në Moskë në 14 gusht me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin. Është e pazakontë që ministri i jashtëm i Rusisë t’i kushtonte aq vëmendje dhe fjalim të gjatë një zëvendëskryeministri të shtetit të vogël serb dhe i cili njihet si ushtar i bindur rus dhe shkon nja dhjetë herë në vit në Moskë për takime dhe porosi. Lavrovi nuk e ka bërë këtë as me ministrin e jashtëm të Kinës apo të Indisë!

Mjafton t’ hedhësh një sy fjalimit të stërgjatë të Lavrovit dhe e kupton që ai nuk e ka as për të nderuar Vulinin e as për të nderuar Serbinë. Është një lëvizje diplomatike ruse brenda strategjisë së Kremlinit për të ndezur urët e zjarrit në Ballkan dhe në këtë rast urët e zjarrit do t’i përçojë Serbia e Vuçiçit dhe e Vulinit.

Lavrov e lavdëroi zëvendëskryeministrin serb për tezën e re zyrtare të Beogradit, të hedhur nga Vulin në një intervistë me mediat shtetërore ruse, ku dënon revolucionin demokratik të vitit 2000 në Serbi dhe ndrrimin e pushtetit në Beograd me heqjen e Millosheviçit. Lavrovi shkoi më tej dhe e klasifikoi revolucionin demokratik serb të vitit 2000 si i pari “revolucion me ngjyrë” i realizuar nga Perëndimi. “Ai ishte një ndërrim i paligjshëm i pushtetit në Serbi”, konkludoi ministri i jashtëm rus., duke dalë kështu me qendrimin e ri rus të legjitimitetit të rikthimit të regjimit të Millosheviçit në pushtet.

Por ky qendrim i ri i Rusisë nuk është vetëm reabilitimi zyrtar nga Moska i kriminelit më të madh ndërkombëtar të pasluftës së dytë botërore, presidentit serb Sllobodan Millosheviç, që vdiq në qelitë e burgut të Hagës.

Lavrovi si ujk i vjetër i diplomacisë ekspansioniste ruse e ka hallin jo te fati historik i Millosheviçit, për të cilin Lavrov fluturoi posaçërisht nga Moska në Beograd në tetorin e vitit 2000 që ta shpëtonte diktatorin kriminel nga ndonjë ndëshkim.

Lavrovi ka objektivin strategjik rus të nxisë tani Serbinë të restaurojë legalitetin e regjimit kriminal të Millosheviçit në Beograd dhe në rradhë të parë të reabilitojë dhe të rithejë në fuqi në Beograd politikën krimiale millosheviçiane të hedhjes së Ballkanit në zjarr. Lavrovi finok e din më mirë se kolegët e tij me doreza mëndafshi të diplomacisë perëndimore se në Beograd jani gati veshët, fryma dhe njerëzit për realizimin e thirrjes së re ruse.

Lavrov deformon historinë e re ballkanike dhe pretendon se pati ndrrim të paligjshëm pushteti në Beograd në vitin 2000. Por ai e din se të gjithë ata, që drejtuan Serbinë nga viti 2000 e deri tani, janë njerëzit e Millosheviçit, të gatshëm të ndjekin ambicjet dhe doktrinën fashiste serbe të sundimit në Ballkan. Koshtunica, Nikoliçi, Daçiçi, Vulini e Vuçiçi janë të gjithë rrethi i ekstremistëve nacionalistë të tërbuar. Presidenti Vuçiç, që ka në pushtet nga viti 2012, ka qenë ministri i informacionit i diktatorit Millosheviç. Aleksandër Vulin, zëvendëskryeministri aktual serb, ka qenë zëvendës i Mira Markoviçit, gruaja e zezë e diktatorit Millosheviç.

Serbia dhe Vuçiç pritet të kërkojnë tani reabilitimin në Perëndim jo vetëm për kriminelin ndërkombëtar Millosheviç, por edhe të politikës së tij kriminale të luftrave të përgjakëshme pushtuese në Ballkan. Vuçiç dhe Vulin e kanë quajtur Millosheviçin “luftëtar i lirisë”. Shenjat dhe zhvillimet negative të kohëve të fundit tregojnë se një pjesë e diplomacisë perëndimore është gati t’ia plotësojë Serbisë dhe Vuçiçit kërkesat e revizionimit historik të luftrave në ish-Jugosllavi, në emër të përrallës perëndimore për të tërhequr dhe larguar Serbinë nga Rusia.

Madje disa qarqe diplomatike perëndimore kanë nisur të harrojnë se çfarë gjenocidesh kanë ndodhur në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë, dhe po zhurmojnë me kritikat ndaj shteteve viktima të agresioneve dhe të masakrave të shtetit serb. Sipas diplomacisë perëndimore ujku serb po pin ujë dhe qingjat poshtë tij nuk duhet t’ia turbullojnë ujin.

Natyrisht Lavrovi dhe Vulini qeshin e tallen prapa kuintave me diplomacinë perëndimore, e cila nuk sheh fare ose bën sikur nuk sheh që udhëheqësit serbë flejnë rregullisht në shtratin e Kremlinit.

Lajçakët e Stanot dhe skota filoserbe e diplomacisë europiane apo atlantike merren me mustaqet e Çelos në urën e Ibrit, që u dashka mbajtur e mbyllur se ashtu joshet Serbia e Millosheviçëve të rij.

Diplomacia perendimore e ka luksin të lozë me fatet dhe integritetin e popujve dhe vendeve të vegjël, por nuk duhet të harrojë se Rusia nuk do të kënaqet vetëm, duke parë Ballkanin të digjet përsëri. Rusia do të dojë të shohë Europën në flakë pas Ballkanit. Edhe Hitleri ashtu e filloi me Çekosllovakinë e vogël dhe Europa e përkrahu, por pastaj ai hodhi gjithë Europën në zjarr.

Nëse diplomacia perëndimore ka shpikur tani armikun te Kosova dhe harron për Rusinë e Serbinë, të jetë e sigurt se e pret i njejti fat nga Rusia!

17.8.2024.

Gardhi i ndaluar i Ambasadës Shqiptare

Në kuadrin e një udhëtimi pune në Stokholm bashkë me një regjisor të shquar të filmit, i drejtova Ambasadës së Shqipërisë në Suedi një kërkesë që bashkë me regjisorin të bënim një vizite në ambasadë. Regjisori donte që të bënte një intervistë me mua në mjediset e ambasadës, ku unë kam qenë 5 vjet Ambasador i Shqipërisë në Suedi, si dhe të filmonte disa pamje të ambasadës.

Përgjigja zyrtare, që më erdhi nga ambasada, më la pa mend: “Per xhirimet duhet të pyes në Tiranë. Patjetër që duhet pyetur, sepse ato janë ambjente që vetëm persona të autorizuar mund të hyjnë. Do të ishte më praktike t’i shkruani ministrisë për të kërkuar leje për të përdorur ambjentet e tjera të ambasadës, duke qenë se nuk ka shumë kohë”.

Me një nivel kooperativisto-komunist ambasada më tregonte se gardhi i ambasadës shqiptare ishte i ndaluar për ish-ambasadorin. Unë, që kisha shërbyer në atë ambasadë dhe në ato zyra 5 vjet Ambasador i Shqipërisë në Suedi, ndalohesha të kapërxeja gardhin e ambasadës pa autorizimin e Ministrisë së Jashtëme në Tiranë.

Unë, që kam qindra fotografi dhe video të të gjitha mjediseve të asaj ambasade, ndalohesha të filmoja veten në ato mjedise dhe duhet të kërkoja leje me shkrim nga Ministria e Jashtëme e Shqipërisë për kërkesën time. Iu përgjigja, jo pa ironi, se unë shërbej aktualisht si këshilltar diplomatik i një zyrtari të lartë të shtetit, për t’ithënë që unë e kam edhe sot çertifikatën e sigurisë, që të hyj në zyrat e ambasadës shqiptare, ku u dashkan të hyjnë vetëm persona të autorizuar nga ministria e jashtëme.

Natyrisht asnjë përgjigje nuk pata më.

Nuk më erdhi keq për trajtimin policor, që po më bëhej mua si ish-ambasador I Shqipërisë në Suedi dhe si diplomat karriere, që ka shërbyer çerek shekulli në Ministrinë e Jashtëme, dhe befas më vihej përpara gardhi i ndaluar i ambasadës sime.

As për nivelin mjeran dhe ligësinë rurale të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Suedi. Më erdhi keq për ministrinë e jashtëme, për diplomacinë dhe për shtetin tonë, se ku janë katandisur me këtë nivel prapambetje profesionale dhe intelektuale.

Imagjinoja ata mijra shqiptarë të diasporës, që jetojnë në Suedi, dhe të cilët për të vizituar ambasadën e shtetit të tyre duhet të kërkojnë leje me shkrim nga ministria e jashtëme në Tiranë.

Kujt i duhet kjo lloj diplomacie e drujtë dhe pa tru?

30.8.2024.

Ja si rren presidenti serb Vuçiç

Në konferencën ndërkombëtare Globsec për sigurinë, që u mbajt në Pragë, ku ishte dhe kryeministri i Shqipërisë, presidenti serb Aleksandar Vuçië, i vënë para kritikave të ashpra të pjesëmarrësve që e akuzuan për lidhjet e ngushta me Putinin, në fjalimin e tij para të pranishmëve në 31 gusht rrejti pa pikën e turpit dhe pa iu skuqur faqja deklaroi se “Unë kam dy vjet e gjysëm që nuk e kam takuar Putinin”.

E vërteta është që presidenti serb Vuçië e ka takuar protektorin e tij president i Rusisë Putin në datën 19 tetor 2023, pra para një viti.

Kur Vuçië rren në një samit me kryetarë shtetesh dhe qeverish, a e merrni me mend sa lehtë i rren kryeministrat e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi, etj., të cilët i shohin Serbinë dhe Vuçiçin me admirim prej skllavi.

31.8.2024.   

Profkat internacionaliste të Enver Hoxhës në zyrat e larta të Shqipërisë

Kushdo që ndjek, qoftë dhe rastësisht, diplomacinë qeveritare dhe diplomacinë parlamentare të Shqipërisë ngelet pa mend nga propagandimi i ri i profkave të Enver Hoxhës për internacionalizmin proletar të diplomacisë dhe të Shqipërisë. Më e freskëta u dëgjua nga kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Eliza Spiropali, e cila në takimin e saj në 4 shtator 2024 me ambasadoren e Izraelit në Tiranë ngriti një flamur të ri internacionalist të Shqipërisë, duke shpallur me iu tutur syri: “Shqipëria është lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit”. (ATSH)

Nuk ka burrë nëne të kuptojë se ç’punë ka Shqipëria me antisemitizmin në rajon? Nuk e di se cili këshilltar i kënduar në qeveri apo në parlament i ka sugjeruar kryetares së parlamentit se antisemitizmi qenka bërë problem i madh shqetësues ndërkombëtar në Ballkan dhe po priska me padurim që Shqipëria Socialiste “të mprehë shpatën edhe njëherë o për situatën” dhe të marrë komandën, të udhëheqë luftën dhe të shpëtojë gjithë Ballkanin me luftën e saj epokale ballkanike kundër antisemitizmit, të cilin e shohin vetëm zyrat qeveritare dhe parlamentare të Tiranës. Janë profka internacionaliste dhe kalorsiake, që kërkojnë një Servantes të ri për Don Kishotët e Tiranës.

Së pari, para se të marrë flamurin ballkanik të luftës kundër antisemitizmit, përse nuk kujtohen qeveria shqiptare dhe parlamenti i Shqipërisë të marrin në dorë flamurin e luftës kundër antishqiptarizmit, që është bërë fenomen i rrezikshëm në Ballkan? A jeton Tirana zyrtare në Ballkan? Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh se Serbia po përgatitet për luftë kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe shtetit të tij të pavarur të Kosovës. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh se Greqia po ia kafshon Himarën dhe integritetin territorial të vendit si në kohrat e Venizellosit dhe ndalon të bisedohet dhe të përmendet çeshtja çame. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e shikon se Shkupi tani po përpiqet ta fshijë gjuhën shqipe edhe nga e drejta e mangët e gjuhës së 20 përqindëshit? Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh që kisha ortodokse serbe në Mal të Zi po kërkon të zhdukë çdo identitet shqiptar dhe identitet malazez, pasi portat i hapi asaj dykanatesh kryeministri kuisling shqiptar Abazoviç, të cilin nuk dihet pse kryeministri i Shqipërisë e glorifikoi aq shumë pas marrëveshjes së turpshme kapitulluese, që ai nënshkroi fshehtas me kishën ortodokse serbe. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh që antishqiptarizmi ka infektuar sot edhe disa segmente të diplomacisë së BE.

Së dyti, Tirana nuk ka asnjë arsye të marrë përsipër rolin e liderit rajonal në luftën kundër antisemitizmit, sepse Tirana vjen e fundit në listën e preferencave diplomatike ballkanike të Izraelit. Le t’ja lerë këtë rol donkishotesk Greqisë, e cila blen miliarda dollarë armatime nga Izraeli dhe i ka vënë në dispozicion Izraelit hapësirën e saj ajrore për stërvitjen e aviacionit ushtarak izraelit. Le t’ja lerë këtë rol Serbisë, e cila furnizon me armë Izraelin sot në kulmin e konfliktit dhe gjenocidit në Gaza.

Tirana zyrtare nuk ka memorie shtetërore dhe nuk e di se i pari ministër i jashtëm izraelit, që ka zbritur në Tiranë, erdhi pas 17 vjetësh të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Dhe erdhi jo për vizitë zyrtare, por vetëm për të kërkuar votën e Shqipërisë në OKB kundër Palestinës. Ndërkohë gjatë atyre 17 viteve nuk kishte ngelur president, kryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë pa shkuar nga dy tri herë në Izrael. Për hatër të Serbisë Izraeli nuk e njohu Kosovën deri në vitin 2021, kur e detyroi Shtëpia e Bardhë, që i duhej ky akt për llogaritë e saj ballkanike.

Shqipëria Socialiste megallomane nuk ka as para që ta kryejë rolin e lideres rajonale dhe të investojë në vendet ballkanike për luftën e re internacionaliste kundër antisemitizmit. Edhe Enver Hoxha, që shihte ëndrra në diell për të bërë revolucionin socialist në të gjitha vendet, që nga Kina, Indonezia, Bashkimi Sovjetik, Europa Lindore e deri në Tanzani e Peru, shumë shumë mundi të ngrejë Radion e Jashtëme, që transmetonte çdo ditë në 22 gjuhë të huaja profkat revolucionare dhe internacionaliste të Enver Hoxhës.

Më e thjeshta është se 11 shtetet e tjera ballkanike nuk kanë deklaruar asnjera se i kanë dhënë mandat Shqipërisë që të udhëheqë në vendet e tyre luftën panballkanike kundër antisemitizmit. Dhe si mund ta kryesh rolin e liderit rajonal kur nuk ke mandat nga asnjë shtet ballkanik? Kjo nuk ka rëndësi për diplomacinë qeveritare dhe diplomacinë parlamentare të Shqipërisë, të ekzaltuar nga ëndrra e liderëve rajonalë. Ata besojnë si Enver Hoxha se bota do t’i hajë profkat e reja internacionaliste të Tiranës. Por ka një ndryshim. Enver Hoxha mendonte se po i shërben interesave të Shqipërisë. Kurse Shqipëria e sotme Socialiste po i shërben me ndërgjegje interesave të Izraelit. Përse? Shkoni dhe pyesni qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë.

6.9.2024.

Ateizmi komunist nuk e mohoi Zotin, vetëm e zëvendësoi

Ka një koncept të gabuar sikur komunizmi dhe regjimet komuniste janë ateistë. Nuk qendron aspak, sepse e vërteta është që në të gjitha regjimet komuniste udhëheqësit nuk e mohuan Zotin, vetëm e zëvendësuan atë. E zëvendësuan me Zotin e ri në tokë, që ishte Sekretari i Parë  ose i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, që sundonte vendin me kultin. autoritetin dhe glorifikimin e njejtë si Zoti. Kështu u bënë dhe u nderuan si Zot Stalini, Mao Ce Duni, Tito, Kim Ir Seni, Çaushesku, Gomulka, Zhivkovi, Enver Hoxha, Millosheviçi, etj. Pra çdo udhëheqës komunist glorifikohej si Zot në secilin vend komunist. Edhe feja e Zotit u zëvendësua me fenë e Partisë Komuniste, sepse regjimet komuniste nuk mund ta linin popullin pa fe dhe e imponuan komunizmin si fe e re.

Është fenomeni, që e ka konstatuar i pari Santiago Carrillo, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Spanjolle në vitet 1960-1982, i cili duke kritikuar komunizmin diktatorial të regjimeve komuniste të Europës Lindore, tërhiqte vëmendjen: “Është e habitëshme që të gjithë udhëheqësit komunistë në të gjitha vendet komuniste dalin hyjnorë dhe providencialë!”.

Kaq e rrënjosur thellë dhe normë është në regjimet komuniste diktatoriale idea megallomane e zëvendësimit të Zotit në qiell me Zotin e ri në tokë, pra me udhëheqësin komunist, sa që edhe pasi u shemb komunizmi dhe u vendosën formalisht brenda ditës regjimet demokratike, nuk ndryshoi gjë. Udhëheqësit komunistë të partive postkomuniste, që u caktuan në krye të pushtetit të ri “demokratik”, menjëherë ndoqën modelet e parardhësve të vjetër komunistë si Zot në vendin e tyre. Ata vendosën ikonën e fytyrës së tyre si Zot në parti dhe në shtet.

Shembullin më të turpshëm e kemi në Shqipëri, ku udhëheqësit komunistë të periudhës postkomuniste shpallën dhe imponuan venerimin e tyre si Zot, që nuk vdes kurrë në parti dhe në shtet, që nga Berisha, Fatos Nano e deri te Edi Rama. Ironia dhe tallja tipike klasore komuniste është se çdo udhëheqës i ri i Shqipërisë e paraqiste veten në mitingje njeri si katolik, tjetri si bektashi, tjetri si suni, por të gjithë punuan dhe vepruan egërsisht që të impoheshin si Zot në parti dhe në shtet.

Në këtë mënyrë Shqipëria mund të ketë çfarëdo  regjimi, që mund të quhet me çfarëdo emri, por demokraci nuk do të jetë kurrë derisa populli i këtij vendi ish-komunist ta kthejnë Zotin në qiell dhe të shporrin Zotat e rremë në tokë të partive dhe të qeverive.

17.9.2024.

Shteti ynë i operetave pjell një mikroshtet operetash. Një ide greke, serbe apo izraelite?

Disa analistë të vjetër dhe të respektuar e pritën me ironi, tallje dhe sarkazëm projektin grandioz planetar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për krijimin e një “shteti sovran të urdhrit bektashi” në territorin e Shqipërisë. Nuk u kuptua se kemi të bëjmë me një projekt të paparë panbotëror dhe kryeministri, jo rastësisht, zgjodhi për të njoftuar botën për projektin zëdhënësen botërore prestigjozen amerikane “Nju Jork Tajms” në 21 shtator 2024 dhe tribunën më të lartë diplomatike të OKB-së në 22 shtator 2024. Nuk begenisi t’ia thoshte më parë as opinionit publik shqiptar, as popullit shqiptar, as parlamentit shqiptar dhe as partisë së tij socialiste internacionaliste. Natyrisht nuk begenisi dhe e shkeli me dy këmbët Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që e ndalon të shkëpusë territore të shtetit dhe të krijojë mikroshtete. Kryeministri donte të trondiste botën me projektin e tij të paparë dhe kjo botë, që nuk dëgjon as Papën e Romës dhe Vatikanin, as Patriarkun botëror ortodoks Bartolomeu, as Kryemyftiun e Turqisë apo të Arabisë Saudite, do të detyrohet tani të dëgjojë mikroshtetin e urdhrit bektashian, që po e pjell për botën globale lideri global Rama në mes të Tiranës. Kryeministri e din se kryegjyshatën si përfaqësuese e një pakice fetare nuk e dëgjojnë as në Shqipëri, as në Kosovë dhe as në Maqedoninë e Veriut apo në Luginën e Preshevës. Kryeministri e krijon në mes të Tiranës jo që mikroshtetin bektashian ta dëgjojnë shqiptarët, por që ta dëgjojë dhe të bindet gjithë bota për misonin e ri global, planetar, paqtues dhe harmonizues, që do të vijë nga mikroshteti i ri bektashian i Tiranës. U gjet më në fund çelësi magjik i zgjidhjes së konflikteve që po lodhin OKB-në dhe botën, që nga Ukraina e deri në Gaza. Nuk ka ende informacion nga ATSH dhe mediat qeveritare për jehonën diplomatike tronditëse, që ka pasur te presidentët, kryeministrat dhe shefat e diplomacive të të gjitha vendeve ky projekt grandioz dhe i përbotshëm i shpallur me psalmën fetare të kryeministrit në OKB për zbritjen në tokë të një misionari të madh tëpaqes dhe të pajtimit global si mikroshteti i ri bektashian i kryeministrit të Shqipërisë.

Por duke lënë mënjanë ironitë dhe sarkazmat mediatike, projekti i ri i kryeministrit për krijimin e një mikroshteti bektashian brenda territorit të Shqipërisë, meriton të shihet përtej dhe më thellë se sa buzëqeshja tallëse, që shkakton në pamjen e parë projekti grandioz politiko-fetar dhe botëror i kryeministrit të Shqipërisë për krijimin e një mikroshteti bektashian në mes të Tiranës.

Përtej megallomanisë tipike të kryeministrit, qëvuan nga narcisizmi për grandomani dhe rol global, duhet parë ftohtë se efektet e këtij projekti global panbotëror të paqes pannjerëzore, nuk kalojnë kufijtë e Shqipërisë, në botë jo e jo, por as në rajon e as në trevat shqiptare. Si diplomat dhe analist me përvojë prej mbi 50 vite, e ndjej detyrë të tërheq vëmendjen se efektet e thella negative afatgjata shtrihen direkt në formatin dhe në ekzistencën e shtetit të Shqipërisë. Është hera e parë që nga themelimi i shtetit të Shqipërisë në 1912 që preket nga duar shqiptare sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit të Shqipërisë me krijimin e mikroshtetit sovran bektashian brenda territorit tonë.

Duhet menduar me gjakftohtësi se projektet e mëdha në kokën e udhëheqësve të vegjël të shteteve të vogla nuk dalin kot vetëm nga megallomania e autorëve. I kërkoni burimet e ideve në shtetet e huaja, që gëzojnë dashurinë fetare të kryeministrit. Mikroshteti i ri bektashian duket një projekt, që ka qëllimet e veta përtejshqiptare, afatgjata diabolike.

Të dashur shqiptarë! E ndjej detyrë t’ju njoftoj se kryeministri i Shqipërisë me këtë projekt ka nisur procesin historik të shkërmoqjes së shtetit të Shqipërisë. Deri tani Shqipëria është përplasur me grabitjet historike të territoreve tësaj nga shtetet fqinjë si Serbia dhe Greqia. Por tani e tutje do të përplaset me procesin e ri historik të shkërmoqjes së saj nga brenda mevetë duart e shqiptarëve dhe konkretisht nga kryeministri i Shqipërisë. Kryeministri po sajon precedentin e krijimit të mikroshteteve të pakicave fetare dhe etnike brenda territorit të Shqipërisë dhe shkëputjet e njëpasnjëshme të territorit shtetëror me mikroshtete të tjera, sepse ekziston e drejta e trajtimit të barabartë te komuniteteve fetare. Kështu tani kanë të drejtë të krijojnë mikroshtetin e tyre fetar myslimanët sunitë në Shqipëri, të cilët sipas regjistrimit qeveritar të popullsisë në vitin 2023 janë dhjetë herë më shumë në numër sesa bektashijtë. Kanë të drejtë të kërkojnë tani mikroshtet të tyre katolikët, ortodoksët, etj.

Së dyti dhe më e rëndësishme, projekti i kryeministrit për mikroshtetin e ri bektashian u jep rast të artë shteteve fqinjë që të hapin sirtaret e tyre të vjetra diplomatike e shtetërore dhe të ringjallin planet e krijimit të mikroshteteve greke, serbe, etj. brenda territorit të Shqipërisë. Pas derës pret Greqia, e cila mund ta përdorë precedentin e mikroshtetit bektashian si shembull për krijimin apo rikrijimin e një mikroshteti ortodoks grek me minoritarët e saj në Jugun e Shqipërisë. Skeletin e ka gati me asosiacionin e komunave greke Finiq, Dropull, bashkë me Himarën, për të të cilin kryeministri Rama i dha mundësinë kryeministrit grek Micotaqis ta inuaguronte në dhjetor 2022 dhe kryeministri grek erdhi posaçërisht me helikopter ushtarak grek direkt në qendrat e asosiacionit grek dhe kërkoi zyrtarisht vetëvendosjen greke të tyre. Tani Micotaqis ka gojën e lirë të kërkojë mikroshtetin grek të “Protokollit famëkeq të Korfuzit”.

Pas derës pret Serbia, e cila i ka në sirtaret e saj planet e vjetra të krijimit të mikroshteteve serbe të tipit të “republikës së Mirditës” të vitit 2021, që ishte tentativa serbe për shkatërrrimin e shtetit shqiptar 9 vjet pas pavarësisë së Shqipërisë. Nuk e ka harruar Serbia. Mos harroni se në vitin 2011 deputetë të parlamentit tonë nga Veriu krijuan “Lidhjen e Veriut” si skelet i ringjalljes së “republikës së re të Mirditës”.

Ndaj rrënjët e projektit grandioz të kryeministrit për shkërmoqjen e shtetit të Shqipërisë nuk është çudi të kenë ardhur në selinë e kryeministrisë në Tiranë si ide greke apo serbe. Por mund të jenë edhe ide izraelite, si shprehje e interesit strategjik të Izraelit për të çarë lidhjet fetare midis Ballkanit dhe vendeve të Lindjes së Mesme dhe për të depërtuar vetë në Balkan. Izraeli ka gjetur te Shqipëria shtetin më servil që mund të mendonte dhe e ka gjetur një shërbim pa para. Izraeli ka interes gjeopolitik të kundërvejë bektashizmin me shumicat myslimane në Shqipëri dhe në Ballkan.

Shqipëria ka hyrë në një proces të ri të rrezikshëm të shkërmoqjes së saj si shtet. Nuk dihet se kush do ta zgjojë këtë popull të fjetur dhe të nënshtruar historikisht. Mbetet vetëm të themi: Zoti e shpëtoftë Shqipërinë!

24.9.2024.

Ateistët teologë

Shqipëria komuniste, si shteti i parë ateist në botë dhe në historinë botërore, na ka lënë trashëgim disa ateistë, që janë më origjinalët në botë. Ata janë bërë sot në demokraci teologë çerek fetarë dhe profesojnë me artikuj dhe libra idealin e tyre të ri për të hedhur një fe kundër tjetrës ose një sekt kundër fesë nga ka dalë ai sekt. Komike është përpjekja e tyre kur tjerrin edhe teori për fenë, që sulmojnë dhe madje vetedëklarohen teologë të asaj feje. Interesant është se kurrë nuk sulmojnë fenë e prindërve të tyre ortodoksë p.sh., por gjithmonë fenë e shumicës së popullit, të cilën as e njohin dhe as i përkasin. Në debatin e sotëm për idenë idiote të “shtetit bektashi”, ateistët teologë janë bërë befas që të gjithë ithtarë të dalldisur ë bektashizmit. E bëjnë këtë nga fondamentalizmi i fesë së tyre të origjinës dhe nga urrejtja për fenë e shumicës së popullsisë, dhe sepse janë duaxhij të qeverisë. Nuk duket rastësi që disa nga këta ateistë të sotëm kanë origjina etnike ose biologjike të dyshimta.

Misionet e përçarjes së kombit shqiptar, sidomos në planin fetar, nuk janë vetëm fenomene të gjysmës së parë të shekullit 20. Janë të sponsorizuar edhe sot e kësaj dite në gjysmën e parë të shekullit 21, aq më tepër që sponsorizimi sot është në modë dhe qeveria është zemërgjerë me ateistët.

Gjithmonë shtetet armiq historikë të kombit shqiptar na kanë vrarë me dorën tonë.

27.9.2024.

Alter ego e udhëheqësve të Shqipërisë: Banditi

Çdo udhëheqës, që ka drejtuar Shqipërinë prej 100 vitesh e deri sot, ka pasur alter ego banditin. Nuk është rastësi. Është difekt gjenetik kombëtar. Eshtë sadomazoshizmi ynë kombëtar, që nuk dimë të zgjedhim, që kemi lejuar shtetet fqinjë të zgjedhin udhëheqësit tanë dhe që glorifikojmë udhëheqësit banditë, që na shtypin dhe na rjepin.

Ndaj shohim që banditizmi politik dhe shtetëror, si në pozitë ashtu dhe në opozitë, është mënyrë sjelljeje normale për udhëheqësit banditë. Banditë me popullin, banditë me shtetin, banditë me partinë, banditë me pasuritë kombëtare, banditë me integritetin dhe sovranitetin shtetëror e kombëtar. Banditë që sundojnë shtetin me bandat e fisit dhe të krahinave të secilit. Banditë që kanë kredo morale e filozofike se shteti është pronë e njëshit, e sundimtarit dhe e fisit të tij. Shqipëria nuk ka hyrë ende në epokën e shtetit. Ajo është ende në epokën e tribusë.

Njeri është udhëheqës bandit nga origjina malore. Tjetri është bandit nga origjina rrugaçërore e qytetit. Rekuizita e tyre me kollare dhe me njohjen e gjuhës angleze e franceze nuk e fsheh dot banditizmin e tyre, që e kanë në gen dhe si mënyrë qeverisje në shtet dhe në parti. Alter ego e tyre mbetet banditi.

Zgjedhjet janë rituali i rotacionit të banditizmit në pushtet nga një udhëheqës bandit në tjetrin. Dhe Shqipëria nuk i ngjan asnjë shteti në rajon.

Ndryshimi është se ne jemi shteti bandit, që vret vetveten. Dhe këtë bëjmë me dorën e udhëheqësve banditë të Shqipërisë.

7.10.2024.

Shprehja diabolike “feja e të parëve”

Shprehja diabolike “feja e të parëve”, që qarkullon aktualisht nga misionarë dhe grupe të sponsorizuara fanatike fetare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk është me origjinë shqiptare. Ajo nuk është dëgjuar dhe as përmendur kurrë nga Rilindja jonë Kombëtare në shekullin 19, që hodhi bazat e shqiptarizmit dhe të patriotizmit, që kemi sot si komb. Nuk është dëgjuar dhe as përmendur kurrë nga patriotët dhe shtetarët shqiptarë në shekullin 20 deri në ardhjen e demokracisë. Me hapjen e shoqërive shqiptare pas rënies së komunizmit në fund të shekullit 20, kur vërshuan idetë liberale dhe investimet e huaja, u fut dhe kjo shprehje e koncept në rrjetet e shoqërive shqiptare, që u konkretizua me planin fondamentalist dhe me përpjekjet e organizuara diabolike për konvertimin e detyrueshëm fetar të shumicës dërrmuese të popullsisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, në emër të kthimit në “fenë e parëve”, ose me saktë në fenë e organizatorëve dhe financuesve të këtyre misionarëve të rij fetarë në trevat shqiptare në Ballkan. Dhe jo rastësisht nuk përmendet kurrë se feja e parëve tanë ilirë ka qenë paganizmi. Në shekullin 21, me degradimin e vlerave dhe të trashëgimisë kulturore të Rilindjes Kombëtare, po gjen një përhapje dhe sponsorizim më të gjërë kjo rrymë fetare fondamentaliste.

E përsëris se kjo shprehje dhe ky plan fetar fondamentalist i kthimit të shqiptarëve në të ashtuquajturën “fe të të pareve” nuk janë shqiptare. Këtë e vërteton fakti i thjeshtë se  kjo lëvizje e organizuar nga jashtë e konvertimit të shqiptarëve në “fenë e të parëve” nuk ndodh në shtetet ortodokse si Serbia, Greqia apo Mali i Zi. Askush, as edhe një zë i vetëm nuk i ka kërkuar shumicës dërrmuese ortodokse në këto shtete ballkanike që të konvertohen “në fenë e të parëve” të tyre, ku ishin para se të bëheshin ortodokse.

Natyrisht në Shqipëri misioni diabolik fondamentalist i konvertimit të shqiptarëve në “fenë e të parëve” kanë konsensusin e heshtur të shtetit shqiptar, i cili urren çdo gjë shqiptare, nga shpirti e deri te territori, dhe është dakord ta bëjë Shqipërinë një lëmsh në planin shpirtëror. Mos harroni se kemi një shtet, që shpall në OKB në vitin 2024 projektin idiot vetëshkatërrues të krijimit të një “shteti sovran bektashi” në territorin e Shqipërisë. Shtet për një tarikat apo sekt të vogël të myslimanizmit! Por në Shqipëri janë 12 tarikate të tilla dhe a e imagjinoni Shqipërinë e mjerë që të coptohet me 12 shtete të pavarura tarikatesh brenda territorit të saj. Coptim më të madh nuk kanë ëndërruar as shovinistët më të mëdhej serbë dhe grekë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar.

Është tepër e qartë se kjo shprehje dhe ky plan diabolik synojnë të godasin harmoninë fetare të popullit tonë si trashëgimi e historisë sonë dhe ta përçajnë monolitizmin tonë kombëtar shqiptar. Synojnë sidomos të godasin fenë myslimane të shumicës dërrmuese të kombit tonë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Që kjo shprehje dhe plan diabolik është sponsorizim i jashtëm serb, grek, etj. e vërteton fakti se po financohen përpjekje që ato të shndrrohen në formate grupi dhe madje partie politike. Sado komike dhe donkishoteske të duket një i ashtuquajtur grup apo e ashtuquajtur lëvizje e Deçanit për konvertimin fetar, krijimi i saj është celula e parë e një veprimtarie antikombëtare nga qendra të huaja antishqiptare dhe nga shërbimet sekrete të shteteve fqinjë dhe në rradhë të parë të Serbisë.

Absurditeti nis nga shpikja e konceptit të konvertimit fetar të shqiptarëve në grup. Konvertimi fetar është akt individual dhe personal i vullnetit të lirë të njeriut. Nuk mund të jetë as familjar, as i fisit dhe as i fshatit. Grupin apo organizimin e përbashkët të fshatit apo të krahinës nën një çati fetare e krijon politika dhe shërbimet sekrete. Që është gjithçka e sajuar dhe e sponsorizuar e tregon edhe fakti që disa misionarë fetarë me uniformë bëhen pjesë e spektaklit politik dhe realizojnë pagëzime në grup të disa të konvertuarve.

Shqiptarët duhet të hapin sytë e vigjilencës para koncepteve dhe planeve të tilla diabolike antishqiptare, që i sponsorizojnë Serbia, Greqia, dhe ndonjë shtet tjetër i interesuar. Nuk duhet lejuar që liria personale e konvertimit fetar të përdoret si instrument i qendrave antishqiptare.

8.10. 2024.

Çeta e sovranistëve fetarë myslimanë

Çeta e re e teoricienëve shqiptarë sui generis e përbërë nga gulenistë, filogrekë, filoserbë, ateistë, fondamentalistë të pakicave fetare, politikanë të lartë të falimentuar dhe të paskrupullt dhe lloj-lloj islamofobësh, u zgjuan befas të armatosur me shpikjen e re teoriko-politike të sovranitetit fetar mysliman.

Çuditërisht sipas tyre sovranitetin fetar të myslimanëve na e rrezikokan myslimanët dhe ata po i mbrokan. Nuk kanë folur kurrë për rrezikun e sovranitetit fetar katolik apo ortodoks. Deri tani asnjeri nuk ka bilbilosur për sovranitetin fetar ortodoks apo katolik.

Kjo çetë demagogësh profesionistë nuk pipëtiu gjatë mbi 30 viteve për zhbërjen nga Greqia të sovranitetit dhe të autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, as për pushtimin e kishës ortodokse shqiptare nga peshkopi Janullatos, që e drejton prej 30 vitesh kishën ortodokse shqitare si filiale e kishës ortodokse greke. Nuk kanë thënë asnjë fjalë e asnjë germë që mitropoliti Demetrios i Gjirokastrës dhe i rretheve të Jugut të Shqipërisë, që rivendikohen si territore greke nga Greqia, është një grek. As që mitropoliti i Tiranës Nathanail Stergiu apo mitropoliti i Beratit Ignatios janë grekë.

Nuk kanë folur kurrë një fjalë që katedralen ortodokse në Tiranë e ndërtoi me nja 30-40 milion euro Greqia dhe e drejton Greqia. Dhe nuk kanë përmendur kurrë nëse u shkel sovraniteti fetar ortodoks. kur qeveria Berisha dhe qeveria Nano, jo vetëm lejuan që të ndërtohej kisha ortodokse 10 metra larg nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, por të dyja qeveritë tona i dhuruan si tokën e babait kishës dhe Greqisë tokë nga prona shtetërore në mes të sheshit kryesor të kryeqytetit.

Presidentit të Shqipërisë, që pranoi dhe legalizoi fronëzimin grek të peshkopit Anastasios Janullatos në krye të kishës ortodokse shqiptare, nuk i skuqet faqja të bërtasë sot se u shkel sovraniteti fetar mysliman, kur Komuniteti Mysliman Shqiptar ka në krye të tij një shtetas shqiptar dhe jo turk. Nuk shpjegohet dot pse opozita shqiptare shpreh gjithë atë egërsi propagandistike kundër Sorosit kristian dhe ka një dashuri kaq të madhe për Sorosin mysliman? Të dy Sorosët janë miliarderë, jetojnë në Amerikë dhe i shërbejnë Amerikës.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, KMSH, deklaron se ka pasur ftesë për ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë në 10 tetor dhe vendosi të ketë atë formë përfaqësimi në ceremoni. Mirëpo gjithë gulenistëve të Tiranës kjo nuk i shkon në favor të teorisë së tyre dhe bënë sikur nuk e dëgjuan zërin zyrtar të KMSH.

Meqë lidhet me temën e sovranitetit fetar mysliman, si nuk u ndje e gjithë çeta e sovranistëve të tanishëm fetarë kur përfaqësues të kryeministrit Rama bashkë me përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë shkuan dhe asistuan në sallën e votimit në selinë e KMSH, kur u zgjodh në 2019 kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Një akt antisovranist, antilaicist dhe antidiplomatik i paparë në analet botërore. Nuk e kanë bërë kurrë për zgjedhjen e kryepeshkopit ortodoks apo të primatit katolik.

As mos prisni të reagojnë sovranistët e sotëm të akshamit, që janë mësuar të shesin dhe sovranitetin shtetëror e kombëtar. Sovranistët fetarë lehin për ata, që i paguajnë, dhe paguhen për misonin e tyre madhor dhe islamofob të përçajnë fenë myslimane të shumicës së kombit shqiptar dhe për të dobësuar kombin shqiptar.

Politikanët e lartë të kësaj çete lehin edhe për t’i shërbyer aleancave të fshehta dhe okulte politike, që kanë bërë për interesat e tyre personale me shtetet fqinj armike të kombit shqiptar dhe të çështjes shqiptare.

13.10.2024.

Respekt për gazetarin rus Leon Trocki

Dëshmitarët historikë të masakrave serbe mbi shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë në vitet e pushtimit serb 1912-1913 janë të paktë si gishtat e dorës. Fuqitë europiane, që mbështetën oreksin ekspansionist të Serbisë mbi territoret shqiptare, heshtën qëllimisht për këto masakra të përbindëshme. Një nga të paktët dëshmitarë historikë është gazetari rus Leon Trocki, i cili në ato vite shkeli personalisht në viset shqiptare si korespondent lufte, i pa me sytë e vet masakrat serbe mbi popullsinë civile shqiptare dhe ia bëri të njohur opininit publik ndërkombëtar këto ngjarje të tmerrshme, duke i botuar në një gazetë të Kievit. Më vonë Trocki do të bëhej një nga udhëheqësit kryesorë të revolucionit bolshevik rus të vitit 1917. Por figura e tij shihej si pengesë drejt pushtetit nga Stalini, i cili e sulmoi ashpër, e persekutoi, e dëboi nga atdheu, deri sa e vrau më vonë me agjentët e tij, kur Trocki ishte në mërgim në Meksikë.

Duke qenë armik i Stalinit, edhe Shqipëria staliniste e konsideroi Trociin armik ideologjik dhe i fshiu emrin nga lista historike e dëshmitarit historik të masakrave serbe mbi shqiptarët. Kurrë nuk u përmendën dëshmitë e tij as si reference burimore e dëshmisë së barbarisë serbe në vitet e pushtimit të tokave shqiptare.

Kjo fatkeqësi ndodh kur udhëheqjet politike dhe shkencore të vendit venë interesat ideologjike mbi interesat e kombit. Figurat historike botërore duhen vlerësuar në raport me atë, që kanë bërë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar dhe jo të zgjidhen me kriteret staliniste të revolucionit komunist botëror.

Ndaj meriton një respekt dhe falenderim historik nga shqiptarët edhe gazetari rus Leon Trocki. Referenca të tilla autentike dhe të besueshme diplomacia dhe shkenca shqiptare duhet t’i shpërndajnë në gjithë Perëndimin, që të  mësohet e vërteta historike e pushtimit barbar serb siç ka qenë. Kjo është e domosdoshme, sepse dipomacia dhe historiografia serbe, e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot, dhe e kanë deformuar të vërtetën e pushtimit të përgjakshëm serb të territoreve shqiptare në vitet 1912-1913, madje guxojnë ta përdorin këtë deformim sot si argument për të ashtuquajturën të drejtë historike të tyre tyre mbi territoret shqiptare.

Ndaj mbetet githmonë aktuale e vërteta historike e dëshmuar nga gazetari rus Leon Trocki, dhe për këtë ai meriton respekt kombëtar nga shqiptarët. Respekte për gazetarin rus Leon Trocki!

20.10.2024.

Pyetje një milion dollarëshe

Greqia e shpërbleu Belerin me një post pareshumë si deputet në Parlamentin Europian për misionin e tij antishqiptar dhe përçarës në politikën shqiptare.

Pyetja e shtrenjte eshte: po politikanet e Shqiperise, qe bashkepunuan me Athinen, dhe i dhane rolin Belerit ne skenen tone politike nepermjet kandidimit ne Himare, me cfare dhe sa i ka shperblyer Greqia?

5.11.2024.

Koregjim historik i nevojshëm

Unë e kuptoj nevojen e regjimit të kaluar për të hiperbolizuar luftrat dhe betejat me pushtuesit gjermanë në çdo qytet të Shqipërisë. Në këtë dalldi nisi shumë vonë fushata dhe mania e festimeve të clirimit të gjithë qyteteve shqiptare, të mëdha e të vogla, nga pushtuesi gjerman.

Një narrativë historiko euforike e pavërtetë. Me përjashtim ndoshta të Tiranës. Datat e çlirimit të qyteteve shqiptare, që po festohen me vrull gjithandej, janë data të hyrjes së partizanëve në qytetet shqiptare, ku nuk kishte këmbë gjermani. Asnjë gjerman nuk kishte nëpër qytete se ata kishin marrë urdhërin të largoheshin të gjithë nga Shqipëria. Nuk pati asnjë betejë dhe asnjë luftë për çlirimin e qyteteve pa pushtues. Nuk pati asnjë dëshmor në ditën e clirimit të qyteteve.

E vërteta historike duhet thënë sic ka qenë dhe jo siç e ka vulosur historiografia e realizmit socialist. Kjo nuk e zbeh rëndësinë luftës nacional-clirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë e nazistë.

Por fare mirë mund të thuhet se po festojmë ditën e hyrjes së partizanëve në qytete, se sa të mashtrojmë fëmijtë me çlirimet e pandodhura të qyteteve tona.

15.11.2024.

Meditim me vetveten

Fundi i çdo gjë në botën e të gjallëve dhe të mendjes është vdekja.

A është vdekja pjesë dhe formë e jetës?

16.11.2024.

Shenjtërimet e agjentëve të Serbisë dhe të Greqisë

Nëse kishat bëjnë shenjtërime të priftërijve shqiptarë agjentë të Serbisë dhe Greqisë, kjo nuk është punë e tyre, por e shtetit shqiptar, që nuk duhet të lejojë përdhosjen e shtetit dhe të kombit. Shteti duhet t’u bëjë të qartë vijat e kuqe të pakapërcyeshme për interesat tona shtetërore dhe kombëtare. Shteti duhet të dënojë përgjegjësit dhe propozuesit shqiptarë të shenjtërimeve të tilla të përdhosura. Por kur zyrtarë nga më të lartët e shtetit për injorancë apo për fondamentalizëm fetar personal përshëndesin shenjtërimet e agjentëve shqiptarë të Serbisë dhe të Greqisë, këtu jo vetëm është shkelur laiciteti i shtetit, por ka marrë fund shteti.

Kështu është kur timonin e shtetit e kanë marrë duar të huaja me qëllime vrastare të shteteve fqinje, që nuk e kanë dashur kurrë dhe e luftojnë edhe sot e kësaj dite ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar.

18.11.2024.

Një idiotizëm i ri politik: “grusht shteti” i qeverisë kundër opozitës

Një shpikje e re terminologjike dhe politike është hedhur në qarkullim nga opozita e plakur. Po flitet për  ”grusht shteti” të qeverisë kundër opozitës. Është idiotizmi më i ri shqiptar në fushën politike. Që kur lindi grushti i shtetit, të gjithë fjalorët poltikë dhe shkollat politike e përkufizojnë grushtin e shtetit si përpjekje e armatosur për të marrë pushtetin me forcën e armëve. Grushtin e shtetit e organizojnë gjithmonë forcat politike, që nuk janë në pushtet, dhe kurrë nuk ka ndodhur ta bëjnë forcat politike, që janë në pushtet, e kanë pushtetin, dhe nuk kanë nevojë për të marrë me forcë diçka që ata e kanë. Kështu kanë ndodhur grushtet e shtetit në Greqi në vitin 1967, në Qipro në vitin 1974, në Kili në vitin 1973, në Shqipëri nga PD në vitin 1998. Por gerontokratët e politikës shqiptare kanë shpikur tani “grusht shteti” të qeverisë, që ka pushtetin, kundër opozitës, që don të marrë pushtetin. Dhe që budallallëku shqiptar të jetë sa më i madh, po flasin për “grusht shteti” të qeverisë kundër një personi të vetëm, dhe konkretisht kundër kryetarit të PD.

Është një idiotizëm i ri shqiptar, që dëshmon se politika dhe politikanët tanë janë ndryshe nga e gjithë bota dhe shpikin vetëm gjëra sui generis.

Shpikja e re politike bë, së pari nga që grupi i besuar politik, që u caktua nga Partia  e Punës për të ngritur sistemin e ri demokratik, është analfabet politik dhe nuk ka asnjë shkollë politike dhe asnjë formim kulturor politik. Literatura e vetme politike, që ka lexuar ai grup deri në vitin 1990 kanë qenë veprat e Enver Hoxhës. Pas 1990, kur ajo u vendos në kolltukët e pushtetit, nuk pati kohë as të bënte ndonjë shkollë politike në Perëndim dhe as të lexonte libra politike, sepse u mor me intrigat e pushtetit dhe të pasurimit vetiak.

Arsyeja e dytë e kësaj shpikje politike shqiptare është se opozita shqiptare e ka shkatërruar veten në atë farë feje, saqë jo vetëm nuk vjen dot në pushtet, megjithëse ka përballë një qeveria skandalesh dhe korrupsioni, por as në mendje nuk i shkon që të vijë me vota dhe me program në pushtet. Opozita e mjerë ka vetëm hallin personal juridik të kryetarit, që po e mban si kryq në shpinë kudo që shkon. Kështu asaj i duhet një alibi për dobësinë e saj gjenetike si opozitë dhe shpik idiotizmin se qeveria po bën “grusht shteti” kundër saj dhe kryetarit të saj.

Është kaq qesharake dhe janë bërë aq qesharakë, sa që u flasin edhe diplomatëve të huaj për “grusht shteti” qeveritar ndaj opozitës. Diplomatët e huaj natyrisht tallen dhe thonë se me këtë lloj opozite qeveria pa bërë asgjë rrin edhe 30 vjet në pushtet. Ajo nuk ka nevojë as për grusht shteti dhe as për teatër për grusht shteti. Teatrin po ia bën opozita e sotme e plakur dhe e sklerozuar.

17.11.2024.

Çfarë populli jemi?

Në 9 dhjetor 2024 SHBA shpallën non grata ish-zëvendëskryeministrin shqiptar (BDI) të Maqedonisë së Veriut, për korrupsionin e ndërhyrjes në gjykatat e Shkupit për të shpëtuar nga dënimi penal Sasho Mijallkovin, shefin maqedonas të shërbimit sekret maqedonas, i shpallur edhe ai non grata nga SHBA, shërbim që ka qenë dhe është nga armiqtë më të egër të faktorit shqiptar atje. Aq flagrant dhe negativ është ky servilizim i pështirë politik dhe etnik shqiptar, saqë edhe qeveria amerikane u neverit dhe e dënoi me shpalljen non grata jo vetëm ish-zëvendëskryeministrin shqiptar, por edhe anëtarët e familjes se tij.

Për të treguar sesa i gjërë është degradimi etnik, politik dhe moral i krerëve politikë shqiptarë po sjellim shembullin e një kryetari të një partie të rëndësishme politike shqiptare në Maqedoni, i cili publikisht “i betohej për besnikëri deri në vdekje” shefit të shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijallkov. Një betim, që i bëhet dhe duhet t’i bëhet vetëm idealit kombëtar shqiptar dhe flamurit kombëtar shqiptar, përdhoset në këtë derexhe kuislinge. Po kjo parti e këtij kryetari, e cila merrte pjesë në qeverinë e kryeministrit Georgievski në vitin 2001, qëndronte qetësisht në qeverinë maqedonase, duke gëzuar benefitet maqedonase, në kohën kur artileria maqedonase bombardonte dhe masakronte fshatrat shqiptare të Tetovës. Çfarë bëri më tepër Kuislingu norvegjez në vitet e luftës së dytë botërore, kur Norvegjia ishte e pushtuar nga trupat naziste?

A kanë gojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të ankohen për diskriminim e tyre etnik nga shteti maqedonas, kur krerët e tyre politikë shqiptarë i betohen “për besnikëri deri në vdekje” shërbimit sekret maqedonas?

Në 2015 kryetari shqiptar i bashkisë së Preshevës dekoron me dekoratë të posaçme kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të shtetit shtypës të popullit shqipar të Luginës së Preshevës. A kanë më të drejtë pas kësaj shqiptarët e Preshevës të hapin gojën të ankohen në zyrat diplomatike perëndimore për diskriminim etnik të tyre nga presidenti i shtetit serb Aleksandar Vuçiç, i cili u tund diplomatëve perëndimorë dekoratën shqiptare të dhënë nga shqiptarët për mirënjohje ndaj Serbisë për “të mirat”, që Serbia u ka bërë shqiptarëve të Luginës?

Rrënjët e së keqes shqiptare shkojnë shumë thellë…Këto qendrime nuk janë vetëm turpi personal faqezi i atyre funksionarëve të mjerë politikë shqiptarë në Serbi dhe në Maqedoni, por është turp i gjithë popullit. Është turp kombëtar!

O Zot! Çfarë populli jemi vallë, që u lëpijmë këmbët shtypësve dhe japim jetën për qeveritë serbe dhe maqedonase, që i kanë masakruar dhe përbuzur shqiptarët në shekuj?

12.12. 2024.

Fjalimi më antidiplomatik i kryeministrit të Shqipërisë

Kriteri i parë diplomatik i zgjedhjes për paraqitjen publike dhe përmbajtjen e një fjalimi diplomatik të kryeministrit për marrëdhëniet me një shtet tjetër është se në ç’forum duhet të flasë, çfarë auditori duhet të zgjidhet dhe çfarë e si duhet të thotë, që nga idetë e deri te intonacioni. Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në20 dhjetor 2024 në Prishtinë në të quajturën mbledhja e përbashket e dy parlamenteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të kishte dështim më të madh diplomatik.

Kryeministri foli jashtë dhe në shkelje të rendit të ditës, foli tema dhe çeshtje, që nuk kishin të bënin me mbledhjen e përbashkët dhe me dy parlamentet, as me bashkëpunimin parlamentar e shtetëror dypalësh dhe nuk kishin të bënin fare as me qeveritë e dy vendeve.

Trasta e madhe me inat dhe me gurë Vunoi, që kishte marrë me vete kryeministri Rama kundër kryeministrit Kurti mund të bëhej vetëm në një format kokë më kokë, që të dy t’i thonin njeri-tjetrit fjalën e fundit ose të parafundit. Nuk i vinte era diplomaci fjalës mesjetare me topaz tëkryeministrit Rama.

Mbroçkullat diplomatike, që ai lëshoi në mbledhjen e 20 dhjetorit si ajo “që Kosova duhet të këpusë kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë”, mund të bëjnë të qeshin të gjithë internistët e ministrive të jashtëme. Ose idiotizmi i tij i përsëritur diplomatik në 20 dhjetor që Kosova nuk duhet të presë Serbinë të zbatojë detyrimet e marreveshjeve dypalëshe, por duhet të zbatojë vetëm Kosova detyrimet e veta.

Shpikja e re shqiptare nga Vunoi është se tani e tuttje në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në praktikën diplomatike ndërkombëtare nuk ka nevojë më për marrëveshje dypalëshe midis dy shteteve.Marrëveshjet do të bëhen për zbukurim, por do t’i zbatojë vetëm njeri shtet.

Imagjinoni skur presidentët amerikanë të mos kishin detyruar Rusinë të zbatonte marrëveshjet  e shumta dypalëshe, por të luanin mendsh ta linin Rusinë të bënte si t’i donte qejfi.

Profka të tilla mbroçullet vetëm një zyrtar elifimatrak në diplomaci, ose që nuk ka ardhur për diplomaci. Dhe në 20 dhjetor misioni i Ramës në Prishtinë ishte elektoral.

Me megallomaninë tipike të bretkocës lafonteniane Rama desh të hipnotizojë auditorin me magjinë e samiteve të mëdha të NATO-s, të BE, të Komunitetit Politik Europian, të OSBE e të KE ,që qenkan vënë në rradhë për të marrë një copë lavdie nga superfuqia e re diplomatikee Tiranës.

Pasi tronditi auditorin naiv shqiptar, Rama lëshoi propozimin bombë plot lustër patriotike: “Unë nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë këtu çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nisëm për t’ju kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim”.

Kryeministri i Tiranës si zbuluesi më i madh i foklorit diplomatik shqiptar gjeti gurin magjik,që do ta shpëtojë UÇK dhe Kosovën nga Gjykata Speciale dhe padrejtësitë. Rama e di mirë se Kosova, që e ka miratuar vetë në parlamentin e vet krijimin e asaj gjykate, i ka duart e lidhura dhe nuk ka asnjë kuptim juridik dhe diplomatik një rezolutë e saj. Pyetja është pse nuk e ka bërë këtë rezolutë çudibërëse parlamenti i Edi Ramës për pesë vjet me rradhë që gjykata këputi gjitha kokat e UÇK, sepse Shqipëria nuk e ka miratuar në parlamentin e saj dhe i ka duart e lira.

Rama duhet të thonte se ai dhe qeveria e tij e kanë përkrahur me katër duar krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, që ishte një kurth i lobit serb në Uashington dhe në Paris.

Në 3 korrik 2020 gazeta e madhe “Bota Sot raportonte për takimin e kryeministrit Rama me homologun e Kosovës Abdullah Hoti dhe jepte deklaratat e Ramës me shtypin në përkrahje të Gjykatës Speciale dhe se “mbështes nevojën për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së çdo pretendimi dhe çdo akuze për krimet e luftës (të shqiptarëve)”.

Gazeta e Tiranës “Telegrafi” jepte deklaratën e ministrit të jashtëm të Ramës, Ditmir Bushati, bërë pas takimit me kreun e AAK Ramush Haradinaj në Tiranë se “Shqipëria e mbështet Gjykatën Speciale pa rezerva”.

Burime të besuara të MPJ të Shqipërisë bëjnë të ditur se para se Kosova të jepte miratimin për Gjykatën Speciale, Thaçi, Haradinaj dhe Isa Mustafa kanë pyetur personalisht Ramën se çfarë duhet të bëjnë dhe Rama i ka udhëzuar ta votojnë dhe ta miratojnë.

Lind pyetja tragjike që Shqipëria me 110 vjet diplomaci nuk kuptonte aq se të nuhaste kurthin e lobit serb në Uashngton dhe në Paris lidhur me Gjykatën Speciale. Rama e kishte bërë zgjedhjen e palës së tij, që është ajo e lobit serb te Uashingtonitdhe Parisit. Ne emër të atij lobi shkoi Rama në 20 dhjetor në Prishtinë.

Misioni i parë elektoral i Ramës në Prishtinë ishte të dobësonte publikisht reputacionin elektral të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e afërme të shkurtit 2025 në Kosovë. Misioni i dytë elektoral ishte të bashkonte coprat e opozitës filoserbe në Prishtinë në një aleancë elektorale të tyre kundër Albin Kurtit.

Kjo shpjegon ndryshimin e qendrimit të Ramës që befas e shpalli Rugovën Tomas Xhafersonin e shtetit të Kosovës. Është po ai kryeministër Rama që në fjalimin e parë zyrtar si kryeministër i Shqipërisë në parlamentin e Kosovës në 13 shtator 2013 nuk e zuri fare në gojë dhe e injoroi krejtësisht emrin e Rugovës.

Në atë kohë në rrethin e tij Rama e konsideronte Rugoven një kuisling, që në kulmin gjenocidit serb në Kosovë shkoi në Beograd, ku takoi dhe drekoi me kasapin Millosheviç, nënshkroi edhe marrëveshjen e re si president në 1 prill 1999 dhe nga Beogradi me kërkesë të Milosheviçit i bërithirrje NATO-s të ndërpriste bombardimet mbi Serbi. Rugova bëri gabimin e madh që heshti gjithë jetën dhe nuk dha llogari për aktin e tij të zi.

Dhe populli shqiptar e fali, siç bën gjithmonë. Në parlamentin e 13 shtatorit grupi parlamentar i LDK, partisë së Rugovës, reagoi ashpër për injorimin e emrit të Rugovës nga kryeministri Rama dhe në shenjë proteste braktisën sallën e parlamentit dhe fjalimin e Ramës. Tani në 2024 Ramës nuk i skuqet faqja dhe nxjerr nga gropa septike Rugovën e bën Xhaferson të Kosovës.

Nuk i skuqet faqja as grupit parlamentar të LDK, që nuk i kërkuan fare Ramës të kërkonte falje për injorimin poshtërues të Rugovës në 2013. Mungesat e karakterit është veti natyrale në  politikën shqiptare këndej dhe andej kufirit.

Shpërblimi. Këshilltari amerikan i presidentit serb Vuçiç, Richard Grenell, nëdatën 20 dhjetor e shërndau menjëherë në rrjetet e tij fjalimin e Ramës në Prishtinë.Një veprim i pazakontë për një kshilltar amerikan të emëruar tani nga Trumpi si koordnator për misione të posaçme si Venezuela dhe Koreja e Veriut, por Grenell bën detyrën si këshilltar i Vuçiçit, që i paguan 1,2 milion dollarë në vit.

Gjesti i jashtëzakonshëm i Grenellit, që e shpërndau fjalimin e Ramës më shpejt se ATSH, tregon se lobi serb në Uashington është shumë i kënaqur nga fjalimi dhe veprimi i kryeinistrit Rama në Prishtinë në 20 dhjetor.

Dua të ndalem pak te një ide konfuze të hedhur këto ditë për të shtuar konfuzionin e krijuar nga Rama në 20 dhjetor. Është idea se të dy, edhe Rama, edhe Kurti, e kanë fajin njësoj për gjendjen e mjeruar të marrëdhënieve qeveritare mids dy shteteve shqiptare. Është një ide, që kërkon të lehtësojë mëkatin e Ramës dhe ta hedhë gjysmën në samarin e Albin Kurtit,. Si njeri,që në Shqipëri jam analisti më i vjetër, që ndjekur e analizuar profesionalisht prej 57 vitesh Ballkanin dhe çeshtjen shqiptare, më lind e drejta t’i them lexuesve të mi se ide e fajit të përbashkët  të dy kryeministrave është krejtësisht e gabuar.

Topi për keqësimin e marrëdhënieve qeveritare midis Ramës dhe Kurtit qendron ekskluzivisht te kryeministri Rama. I kam regjistruar dhe zbërthyer situatat dhe zhvillimet në kolanën time “Saga diplomatike e Ballkanit”, një seri prej 20 librash kushtuar vetëm Ballkanit Diplomatik dhe çeshtjes shqiptare. Nuk mund të çfletonitani të gjitha librat e mi, por të paktën mund të lexohet vetëm libri “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, botuar në 2021 ose artikujt e mi në gazetën Dita.

Rama shkoi në Prishtinë dhe nuk fitoi asgjë.Por i solli shumë dëm Kosovës. Nayrisht unë nuk e quaj sukses atë që ai arriti në misionin e tij elektoral në Prishtinë në emër të lobit serb në Uashington dhe në Paris.

Me një fjalë, fjalimi i Ramës në 20 dhjetor është fjalimi më antidiplomatik i kryeministrit të Shqipërisë.

7.1.2025.

Si u fik kandili i revolucionit botëror katundar shqiptar marksist-leninist

Në vitin 1989 gazeta kryesore e KQ të PPSH “Zëri i Popullit” dhe propaganda shqiptare për jashte i bënë jehonë të madhe manifestimit botëror internacionalist me flamurin e marksizëm-leninizmit, që disa katundarë shqiptarë të PPSH kishin organizuar dhe drejtuar në Roskilde të Danimarkës, me financim të PPSH, me disa katudarë të lodhur danezë. Katundarët e KQ të PPSH e organizuan këtë manifestim internacionalist si pjesë e planit të madh të tyre dhe e platformës së tyre të re për një revolucion katundar marksist-leninist të udhëhequr në botë nga Shqipëria si mision i ri i madh për të shpëtuar komunizmin, që ishte fshehur vrimave të mijve në Europë. KQ i PPSH planifikoi manifestime të tilla internacionaliste në Hollandë, Spanjë, Kanada, etj. ku kishte gjetur grupe katundarësh, që nën nxitjen e hashashit kishin përqafuar marksizëm-leninizmin shqiptar. Katundarët e KQ të PPSH ishin frymëzuar shumë, që palaçoja më i madh i politikës së jashtëme në KQ të PPSH kishte arritur të blinte te disa katundarë të Meksikës Çmimin e Madh Botëror të Ushqimit, që KQ i PPSH e reklamoi me zhurmë si Çmimi Nobël i Ushqimit, që dëshmonte se Shqipëria ishte aq e pasur sa të luante rolin udhëheqës në revolucionin botëror katundar shqiptar të marksizëm-leninizmit. Katundarët e Meksikës, që i shitën Shqipërisë çmimin, nuk e dinin ku binte Shqipëria, e jo më të dinin që Shqipëria po ngordhte në prag të urisë dhe populli shqiptar po vuante në një regjim urie të racionimit ekzistencial të çdo lloj ushqimi.

Katundarët e KQ të PPSH kishin hartuar platformën e revolucionit botëror katundar shqiptar marksist-leninist të udhëhequr nga Shqipëria, që do të shpëtonte komunizmin europian nga vdekja. Ishte koha kur ishte rrëzuar muri komunist i Berlinit, populli rumun kishte ekzekutuar diktatorët komunistë Nikolae dhe Elena Çaushesku, ambasadat perëndimore në Çekosllovaki e Hungari kishin hapur dyert për vërshimin e dhjetra mijra vendasve, që donin t’ia mbathin nga “parajsa komuniste” dhe kur regjimet komuniste ishin shembur si kështjella me rërë në të gjitha vendet e Europës Lindore. Dyshja KGB-iste, që udhëhiqte KQ të PPSH, shpresonte se do të kishte ndihmën e nënës së tyre Rusi për të realizuar revolucionin e ri botëror katundar shqiptar. Dyshja KGB-iste, që drejtonte Shqipërinë, kishte marrë lavdërime të mëdha nga Moska, kur pesë vjet më rradhë  kishte bllokuar dhe kishte prishur me qëllim lidhjet e marrëdhënieve të ngushta të Shqipërisë me Gjermaninë Perëndimore dhe me Italinë, duke bllokuar Shqipërinë që të hapej në Perëndim drejt Gjermanisë dhe Italisë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Por dy rusofilët, që drejtonin KQ të PPSH, nuk e kuptuan dot kohën, që Rusia nuk dinte ku ishte vetë dhe perandoria e kuqe komuniste e Bashkimit Sovjetik kishte marrë rrrokopujën. Kremlini e dinte se ai vetë nuk e ndaloi dot shkatërrrimin e komunizmit në Europë e jo më ta ndalonte një katund i vogël me emrin Shqipëri.

Kandili i revolucionit botëror katundar shqiptar marksist-leninist u fik më shpejt se se u ndez. Edhe ata katundarë danezë e hollandezë, që bënin sikur ishin mallëngjyer me marksizëm- leninizmin shqiptar, ia mbathën nga shtetet komuniste si Kina, Kuba dhe Vietnami, e që i paguanin më mirë.

Kështu u fik kandili i revolucionit katundar botëror shqiptar të marksizëm-leninizmit, që ka mbetur ëndrra e plakur e disa katundarëve të plakur të politikës shqiptare, që dërdëllisin çdo ditë edhe pas 35 vitesh me plakat e tyre rreth vorbës së groshës për revolucionin katundar shqiptar.

8.1.2025.

Lutjet e rreme

Të gjitha lutjet dhe lotët, që u derdhën nga Tirana prej zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe prej politikanëve të opozitës shqiptare për peshkopin grek të kishës autoqefale ortodokse të Shqipërisë, te shtruar në një spital të Athinës, nuk kanë lidhje dhe nuk janë për të sëmurin. Ato janë lutje, lotë dhe temenara për qeverinë e Athinës për t’i dëshmuar sa shume e duan Greqinë qeveria shqiptare dhe opozita shqiptare.

17.1. 2025.

Për naivët e shumtë shqiptarë

Nje Vladimir Putin bota e ka. Dy janë shumë.

22.1.2025.

Post Scriptum:

Librin e fundit dhe të tretë për nga radha ‘Antitabu” të Shaban Muratit, përveç si libër më vete nga Botimet Albas dhe mbështetur nga Fondacioni Çamëria, e gjeni edhe online. Kujtojmë se një pjesë e mirë e artikujve janë të publikuar në të përditshmen Dita dhe në portalin Albspirit.

Please follow and like us: