Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: QAFA E GJASHTËS E LUFTËS, BURRËRISË, TRIMËRISË DHE DËSHMORËVE

(Homazh për të gjithë të rënët dhe dëshmorët që e derdhën gjakun për Atdheun në qafë Gashtë në të gjitha periudha historike në dy shekujt e fundit)

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

Kur shikojmë qafat, malet, kreshtat, bregoret i konceptojmë gjeografikisht në këndvështrimin tokësor, ndërsa kur vijmë nga deti perceptohen ndryshe. Majat e maleve shfaqen fillimisht, më tej malet ku pështetet gjithë konfiguracioni gjeografik. Relievet dhe gjithë konceptimi gjeografik gjendet në tekstet e gjeografisë nga Aristoteli, Straboni, Kristofer Kolombi, Magelani, Vasko de Gama etj. Ndërkohë që ushtarakët nëpër shekuj e kanë shikuar relievin në pikëpamje luftarake, “për sulm, mbrojtje, marrshim, kurthe, prita, kundërsulme, kundërgoditje, për thellësinë luftarake, skalionimin, artilerinë, aviacionin, dronizimin, vështrimin hapësinor, etj. Ndërsa në konceptin gjeografik relievi i shërben kalimit të qafave, shpateve, maleve, kurrizeve etj. Qafat e kodrinave, maleve kanë shërbyer dikur si “pusi hajdutësh”, pasi nëpër to kalonin rrugët që shërbenin si porta hyrëse, por dhe si vija ndarjeje e bashkuese të teritoreve, edhe pse qafat në maja malesh paraqesin një ulje të vijës kreshtore midis majave kryesisht nëpër male. Kështu nëse marrim trevën labe gjejmë pesë porta kryesore hyrëse, por ky fenomen ndodh njësoj në të gjithë shtrirjen e kufirit administrativ shqiptar të “Shqipërisë londineze” dhe përtej saj kudo flitet shqiptarçe. Në përditshmërinë tonë, na ka takuar të kalojmë qafa të shumta, sikurse është edhe qafa e Skërficës, qafa e Luvadhit dhe tej në horizont duket edhe qafë Gjashta e për rrjedhojë edhe  fshati “Gjashtë”. Si rrallë herë emërtimin e fshatit ja ka dhënë “Qafa e Gjashtës”, që pothuaj nuk ekzistonte si fshat në betejën e qafë Gjashtës ku ranë 46 zhuletë dhe 10 fushëbardhas, por edhe dhjetra të tjerë burra luftëtarë që u derdhën kundër armikut zaptues që vinte nga deti. Zhulati e pagëzoi gjashtën në këngë, “Në Gjashtë u vranë zhuletë”, Fushëbardha ju shkroi biografitë të dhjetë të rënëve që ranë në Gjashtë dhe që deri para 35 vitesh ishin në muzeun e fshatit Fushëbardhë. Kur i këndonin Gjashtës natyrshëm i këndonin bijëve që e pritën armikun me pushkë, natyrshëm siç e kanë pritur çdo herë. Kur flasim për të rënët e shumtë në këtë qafë, gjithëkujt i shkon mendja se pse ky emër në këtë qafë, “qafa e Gjashtës”, që ka pasur dhe ka “çelësat” për të hyrë në qytetin e Sarandës. Në një territor të thyer e malor qafat janë të shumta dhe kanë shtrirje territoriale 360 gradëshe. Qafa e përjetshme nga të sjell në Gjashtë pikë së pari është ajo që vjen nga Qafa e Muzinës, një portë natyrore që lidh e bashkon fushën e Drinos të Libohovës e Gjirokastrës, me atë të Delvinës e Sarandës. Më në veri dhe e dyta në radhë është qafa e Skërficës, që ja rriti vlerën si qafë infrastruktura rrugore, aksit më të ri rrugor Kardhiq-Delvinë-Sarandë i përfunduar dhe inaguruar më 2 korrik 2022 me një gjatësi 1316 metra. Në planin historik qafa e Skërficës ka shërbyer si i vetmi kalim i shkurtër i ushtrive gjatë luftërave iliro-romake në antikitet, i karvaneve tregtare, që zbrisnin nga Bejlerbellëku i Kardhiqiit në Pashallëkun e Nahijes së Delvinës, gjatë mesjetës. Nga kjo qafë më afër janë Mali i Lucës, Mali i Pylloit dhe Mali i Gjerë Në Skërficë është zhvilluar një prej luftrave më të njohura në përballje me andartët grekë duke e gozhduar ushtrinë grekë për një javë duke i hequr çdo mundësi kalimi. Më në Jug pranë Konispolit është qafa e Botës, e njohur dhe e përdorshme si porta më e afërt tokësore e kalimit kufitar me Greqinë. Rruga automobilistike e qafë Botës është çelur nga njësitë e punës xheniere e ushtrisë italiane kur erdhën si pushtues më 7.4.1939. Ata kishin ndërtuar e kaluar rrugë që nga pushtimet e antikitetit, të rrugës “Egnatia” që kalon në dhjetra qafa, edhe para e gjatë Luftës së parë Botërore. Qafa e Sopotit është pjesë e qafëmaleve që ngrihen në rajonin lindor të Delvinës, ku qafa e Sopotit, nga mesjeta deri në fillim të shekullit të kaluar para më shumë se njëqind vitesh kanë kaluar karvanet e tregëtisë, që shkëmbenin mallrat midis Delvinës, Janinës e deri në Gjirin e Artës, Ambrakisë, Çamëria, Gjirokastrës etj. Qafa e Gjinos, është një prej portave hyrëse në fshatin Shelegar, një fshat që mendohet se është një shekullor të populluar fillimisht nga një duzinë familjesh nga treva çame. Kur kemi përshkruar pesë qafa që të hysh në këtë trevë në radhë është një qafë që quhet natyrshëm “qafa e Gjashtë”, prej nga rrjedh edhe emërtimi gjeografik i këtij fshati që ngjan më shumë si një lagje qyteti të Sarandës, ose si një istikam në shpinë të Sarandës që duhet se është e vendosur në një hapësirë gjeografike për ta mbrojtur nga shpina qytetin e hireve të Sarandës. Shumëkush e quan Gjashtën si një “zgjatim e urbanizim i qytetit të Sarandës. Realisht është një përbashkim i natyrshëm ku toka është shumë e shtrenjtë dhe e shenjtëruar në epokën e bumit turistik. Logjika e urbanizimit nuk mund të harrojë dhe të nënvleftësoi mbijetesën e Gjashtës si qafë dhe më tej si fshat, sepse këtu në Gjashtë është zhvilluar një ndër betejat më të famshme të historisë, ku themelet e kësaj Gjashtë janë realisht mbi themelet e gjakut të të rënëve, edhe atyre që në ndonjë fshat i ka pluhurosur historia dhe kujtesa dritëshkurtër edhe të intelektualëve që nuk kanë mundur dhe nuk kanë ditur të vlerësojnë bijtë e rënë për atdheun. Në gjashtë është vetëm një memorial që nuk ka zënë asnjë metër tokë por pllakata gjithësesi flet për të rënët gjatë LANÇ-it në këtë qafë. Me të drejtë është folur dhe shkruar në pllakatë për të rënët që erdhën nga të pesë qafat për të mbrotjur të Gjashtën, Qafën e Gjashtë dhe në pllakat ndrinë emrat e dëshmorëve: Anife Heta, Ali Gorica, Dhurim Hajdini, Idriz Hici, Isa Zhuli, Kosta Karkashina, Kristo Karkashina, Miho Gjino, Sefer Kushi, Sinan Bllaci, Thanas Koçi, Thona Roze, Zeqir Deho, Zoto Buzo (14 dëshmorët që ranë në Gjashtë për çlirimin e Sarandës, ndërkohë që janë 145 dëshmorë të evidentuar në pllakën  prej mermeri  me mbishkrimin për secilin dëshmor, restauruar për nder të 80 vjetorit të çlirimit) që janë në të vërtetë rrënjët e vetë lirisë shqiptare. Por këtu në Gjashtë u derdh gjaku i 46 të rënëve nga Zhulati historik, që kënga për ta e ka kapërcyer shekullin dhe këndohet valle burrërishte në shumë festa e gëzime, por dhe festivale. Nuk do të ishte e udhës që në këtë qafë të trupëzoheshin emrat me një memorial dinjitoz që të flasë edhe me një basoreliev të spikatur për luftën e gjashtës për 46 mandatët. Ne kemi mundur të dallojmë dhe të nxjerrim nga sirtarët e pluhurosur të historisë nga ish muzeu i fshatit Fushëbardhë si dhe nga të dhënat e shumë bashkëfshatarëve intelektualë që e kanë shkruar historinë sa kanë mundur dhe sa kanë ditur. Kështu Fushëbardha dërgoi çetën bashkë me Zhulatin dhe gjithë fshatrat e Labërisë por edhe nga gjithë treva përreth, kur binte briri i Luftës. Nga Fushëbardha ranë dhe ngelën të trupëzuar me Gjashtën duke e bërë më të fuqishme këtë qafë: Abedin Bilal Muho (1852-1878), Hair Idriz Stefani (1840-1878), Idriz Ymer Alidhima (1830-1878), Kasëm Xhafer Gjoni (1845-1878), Mato Asllan Asllani (1847-1878), Osman Jaho Deçka (1848-1878), Sali Sabri Isufi (1850-1878), Seit Selman Dobro (1850-1878), Shahin Muhamet Veliu (1848-1878), Shahin Shaban Memo (1848-1878). Por kjo liste meriton të plotësohet dhe të kompletohet pasi nga të dhënat e Mersin Velishan Peçit më 1878 në qafë Gjashtë ranë edhe dy djemtë e plakur 112 vjeçar Medi Peçi Musa Medi Peçi dhe Resul Medi Peçi, që u vranë në qafë Gjashtë, në kohën që Nurçe Medi Peçi dhe Avdul Medi Peçi ishin duke bërë nizamllëkun në Anadoll. Fisi Peçi pati edhe të rënë të tjerë për Atdheun sikurse ishte Muslim Çano Peçi, ndërsa Velishan Isa Peçi kishte marrë pjesë me armë në dorë në luftën e Skërficës kundër andartëve por edhe pas edhe në luftën e madhe të Vlorës.

Në fushë të Delvinës në kohë pushtimesh kanë ndodhur ngjarje e përballje luftarake të njohura. Kështu bijtë e Fushëbardhës kanë kaluar qafën e Skërficës janë përballur në qafë Gjashtë por edhe në luftën e Palavlisë më 1878 në krahinën e Rrëzomës afër Delvinës, ku kanë rënë Skëndo Xhuvani, Myrteza Sulli, Musa Mustafa Rofi, Sadik Hazbi Memushi, ndërsa Hito Muhamet Kongoci-Fushëbardha ka rënë në Koqinovë të Rrëzomës. Në Skërficë kaluan edhe bijtë e Fushëbardhës që shkuan në mbrojtje të Vilajetit të Janinës në luftën e katërt dhe të fundit për Janinën në mars 1913, ku kanë rënë Rustem Shalari, Muho Godo Cama, Resul Peçi, Islam Zyber Kondi, që ranë në betejë në Bezhan dhe Grebene në Janinë. Fshatrat e Labërisë e shkruan bashkarisht historinë e luftës, burrërisë, trimërisë, lavdisë, kaluan qafa e gërxhe, ja mbritën të shkruanin epope dhe ta detyronin armikun të nënështrohej dhe të nënshkruante kapitullimin. Prandaj bijtë e bijat e fshatrave të Labërisë janë në piedestal të nderit të lavdisë spse luftuan për lavdinë kombëtare për interesin kombëtar. Detyrimi ynë është të lartësojmë këto vende dhe këto qafa të shenjta, ku shqiptarët shkruan realisht histori, ku dëshmorët janë mbartësitë e historisë. Edhe për shqiptarët si për çdo komb të qytetëruar në botë dëshmorët janë lavdia e krenaria e tij, janë vlerat më të çmueshme, që nderohen nga të gjithë dhe ngelen burim frymëzimi për brezat e rinj.

Please follow and like us: