Zanë Mali: Ti je bija e Teutës!
Hiqe atë zhgarravinë të zezë
që t’i ka shuar kofshët si kallam i kalbur nën ujë
Ç’është ai petk që s’ta njeh kurrizin
as zverkun ku djersa ruan aromën e burrit tënd?
*
Hidhe përtej vetes e pragut
si cullufe gjëme që s’merr frymë
e lëri gjinjtë të çelen
si borzilok në beharin e parë.
*
Trupi yt nuk është faqe turpi
Është truall që ngjiz jetë
është kroi ku burrat pinë
pa pyetur për emër
ti je mollë që kruhet në trung
rrush që ngrohet nën hardhi
ti je fjongo e kuqe e lidhur rreth belit
kur kërcejnë nuset para dasme.
*
Hidhe shallin në hi
le ta marrë era që fryn grykave
e ti zbrit lakuriq
si rrëke që s’njeh udhë tjetër veç poshtë
ku pret gjuha që flet pa fjalë
me buzë që thithin pa zë.
*
Thimthi yt s’është për t’u mbyllur
por për t’u ngritur si etje mbi etje
në gjuhën e vjetër të gjakut.
*
Ti je bija e Teutës
ajo që luftën e niste
duke u zbathur në gjunjë të kundërshtarit
dhe ngulitur në kockë si erëz e egër.
*
Le të dridhet toka,
kur ti ecën me kofshët e zbuluara
dhe bota të mësojë
se gjiri yt është flamur që nuk ulet.