Albspirit

Media/News/Publishing

Gelanda Shkurtaj: Spaçi, mishërimi i dhimbjes…

Ndër shumë probleme e ndër më të vëshirët për t’u përballur me të shkuarën, Shqipëria ka pasur dhe vijon të ketë historinë: ajo shkruhet e përdoret sipas ideologjisë (në të keqen më të vogël…), edhe kur të vërtetat janë aty dhe ulërijnë hakmarrje. Muzeumet janë magjikë, sepse mbledhin brenda vetes, dekada historie në pak minuta dhe vetëm në një dhomë. Tek një mur i krisur janë kanalet e duarve që bien pashpresë nga trupat tërhequr zvarrë. Tek një kthinë ruhen heshtur oshëtimat e britmave nga torturat e diku në një sarkofag bosh hiri i shpresave të djegura pa lindur ende’. Jashtë kampeve me gjemba eshtrat e pavarrosura nuk gjenden më. Asnjë varr nuk merituan.

Spaçi, mishërimi i dhimbjes dhe muzeu i paturpësisë shqiptare, duhet të ngelet në memorien tonë për të na kujtuar se ndërgjegja njerëzore mund të prek edhe fundin tek quan elitën tradhëtare dhe vrasësit baballarë, kur lopët mileshin nga shtetarët e shteti drejtohej nga mjelëset. Kur mëkatet, fjalë dhe dije, mjaftuan për të zhdukur në një çast tri breza. Tragji-komedia shqiptare, ende’ e pathënë nga historia, duket se po mbyllet, me fitimitarë moral dhunuesit dhe jo viktimat. Por, historia jallane siç është, përsëritet me cikle, ndaj “Odisea” duket se ndodhi dje dhe Demokleu shpatën e ka mu aty mbi kokë. Hitleri i urryer për holokaustin hebre’ është kthyer në hero për holokastin palestinez.

Njëherë në Amerikë, një militant Hoxhist, që gëzonte pensionin e “imperialistëve Amerikanë” pa e ngrënë turpin me bukë, tha se vrasjet në komunizëm bëheshin se i kërkonte Kushtetuta (hahahah). Sigurisht pyetjen se kush e bëri Kushtetutën nuk e përtypi dot, ndaj dhe nuk u përgjigj. Historia e vrasjeve në komunizëm dhe dënimi i së shkuarës, përtej një falje të merituar për të persekutarit, të ishte së paku një ndarje me historinë që mund të kthehet. Nëse historinë nuk duan ta respektojnë si muze të së vërtetës, të paktën ta skalitin si kujtesë ndaj frikës, të mos ri-përsëritet. E deri atëherë ndofta shumë gjëra mund të kenë rrjedhur, përveç karmës që pret me shumë durim.

Please follow and like us: