POETJA IRMA KURTI BOTOHET NË PORTUGALI; LIBRAT E SAJ JANË BOTUAR NË 20 VENDE TË BOTËS
Vepra titullohet “Anima incrinata/Alma fracturada” dhe mban logon e Edições Fantasma.
Një tjetër sukses për poeten shqiptare Irma Kurti: botohet në Portugali përmbledhja e saj e re me poezi dygjuhëshe (portugalisht – italisht) me titull “Anima incrinata/Alma fracturada” (Shpirt i lënduar). Libri botohet nga Edições Fantasma, në Portugali. Përkthimi është bërë nga Carlos Ramos, poet, përkthyes dhe botues mbi versionin në gjuhën spanjolle të poezive të autores të përkthyera nga Rafael Carcelén.
Në parathënien e librit, Vesna Andrejević, ndër të tjera, shkruan: “Poetja dhe shkrimtarja italo-shqiptare, me vargjet e saj të bukura dhe të sinqerta që prekin drejtpërdrejt zemrën e lexuesit, i përgjigjet gjithashtu edhe pyetjes nëse është e mundur të shkruash e të thurësh poezi në një gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare. Një argument delikat ky, siç është vetë përpjekja poetike, por e arrirë me sukses në rastin e Kurtit. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse sa prek menjëherë telat e zemrës me një lloj ‘naiviteti’, pikërisht atë që kanë vetëm fëmijët dhe poetët. Në fakt, në përmbledhjen poetike të Kurtit, që përmban poezi me tematikë të larmishme, gjithçka duket e thjeshtë dhe e lehtë, por të shkruash poezi në një gjuhë tjetër është një përpjekje herkuliane apo një mundim si ai Sizifit. Një punë e vështirë, intensive, asnjëherë e vlerësuar sa duhet nga vetë folësit e gjuhës amtare, por prapëseprapë një mënyrë e çmuar për të pasuruar si shpirtin human ashtu edhe atë ‘kulturor’ që na përket sipas zgjedhjes, rrjedhës së ngjarjeve, jetës e kështu me radhë. Poezia e Irma Kurtit udhëton poetikisht në dy binarë kryesorë: në të parin dominon tema e vetmisë dhe rrjedhimisht e tjetërsimit njerëzor e parë përmes kaleidoskopit poetik të shpirtit të poetes. Binari i dytë poetik i përmbledhjes, më i ndjeshmi dhe më prekësi që përshkon poetikën e Kurtit, është shpirti që pikon dhembje teksa përshkruan trishtimin dhe humbjen personale të prindërve, tashmë engjëjt e saj mbrojtës, të larguar drejt një dimensioni tjetër, nga i cili ende frymëzojnë ndjesitë e saj të thella dhe unike, duke vëzhguar çdo hap lirik të poetes”.
IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëresh në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ajo është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar mbi 100 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 20 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi dhe Portugali.