Sejmen Gjokoli: Nora Guraj e këngës…
Pata krijuar bindjen se ishte e prerë vetëm për poolifoni madje, të kuptohemi, jo për çdo lloj polifonie.
Nora Guraj vulën e vuri te kënga e Thëllëzës dhe vetëm rreh asaj magjie duhet kërkuar sekreti i saj, tek këngët e kadifejta, tek ato që duhet ta mbash hapin e të vendosësh veshin për ta dëgjuar.
“Thëllëzë e gurit të sertë,
Thëllëz-o, moj Thëllëzë…”.
Ku e gjeti Pelivan Bajrami, ky krijues e rapsod i shquar lab këtë zë femëror Labërie ai e di, se kemi më mes nesh ta pyesim.
Ne dimë vetëm se Thëllëza e gurit sikur është krijuar për Norën, por edhe Nora si e lindur për thëllëzën e gurit të sertë, si vendlindja e saj mes grykash e malesh të lartë.
E kam dëgjuar shumë herë këtë këngë po asnjëherë s’munda të ngopem.
Madje as kur do ta dgjoja nga afër një vit e ca të shkuar në një tavolinë me Djemtë delvinjotë të këngës, aty në festivalin folklorik të Kotës.
Aty do ta takoja për herë të parë edhe Norën, marrësen orgjinale të kësaj kënge, ardhur nga Gjermania ku jeton.
Pak kohë më parë përmes Youtoob-it mu çfaq me një tjetër këngë por këtë radhë në tjetër zhanër, atë të turbo folkut, ose këngës popullore të muzikuar.
Si për të bërë një kalim të butë apo për të mos “dëshpëruar” adhuruesit e këngës së saj polifonike përpara na kishte vënë Vendim Kapajn e fyellit, mjeshtrin e pa shoq të melodive tradicionale baritore.
Po jo vetëm Vendimi, edhe të tjerë djem me ca zëra polifonikë sikur duan të thonë se prap këtu e kemi Norën, rrotull melosit të Labërisë.
Këtu i ka rrënjët e prej këtej i burojnë këngët.
“Dhe prite sa të kam pritë” , këngën e saj të parë të muzikuar mu desh ta dëgjoja disa herë.
Nuk e pashë të udhës të bëja një koment të aty për atyshëm, Nora nuk ka nevojë për një urim rutinë.
Ajo ka gjithë pjekurinë e duhur artistike për një fjalë të menduar mirë, një fjalë që kalon përtej emocionit të rastit.
Është nga ato këngëtare që e ka bërë famën, tani i duhet përsosja e mëtejshme, mbajtja e piedestalit.
Dhe duket se do ta mbajë, të paktën me dy këngët që na ka prurë të muzikuara së fundi ajo çfaqet me të gjithë madhështinë e një këngëtareje të konsoliduar, mbështetur fort për tabani.
Duket se është e lindur për këngë të mirë, asfare e dalë nga laboratore elektronikë miksazhesh.
Falë edhe tekseve të të mirënjohurit krijues, Nexhip Seraj sa herë na vjen me krijime të reja në krahë ka befasinë.
Këtë bindje ma shton edhe “Nishani”, kënga e dytë e sapo publikuar që duket se përsëri në “nishan” ka qëlluar.
Edhe këtu, ndonëse krejt e re në këtë lami, duket se vjen si “thëllëzë”, me atë thjeshtësi, me atë bukuri, me atë zë të kadifejtë, me atë vokal sa orgjinal të veshur me ëmbëlsi e dritë, si kristal e gurgullimë buronjash.
Si buronjat e Kuçit, ujit të vëndlinjes që ka pirë.
Dëgjojeni dhe do më jeni të drejtë për orgjinalitetin e zërit që mbart.
Fare orgjinale, jashtë çdo efekti elektronik që rëndom dëgjohet në shumë këngëtarë që në limanin e këngës dalin të sforcuar.
Nora vjen e thjeshtë, modeste e me një urtësi që të imponon nderim.
Norës nuk i duhen efektet, i ka me tepri në grykë të gjitha notat e pentagramit…
Urime, Nora, me të tjera këngë të bukura të dëgjofshim e të pafshim!