Viron Kona: Suedezi Ullmar Kvik
Në gadishullin skandinav,
Kemi shokë e miq fisnikë,
I përzgjedhuri midis tyre,
Suedezi Ullmar Kvik.
*
Në udhën e studiuesve,
Tunmann dhe Pedersen,
Si Ullmarin mikun tonë,
Një tjetër rrallë e gjen.
*
Në shkrime dhe krijime,
Në gjuhë shqipe ligjëron,
Pena e tij e larë me dritë,
Vezullon në çdo shkronjë.
*
Zë ëmbël e i mirëpritur,
Fjalëbukure plot nektar,
Studiues mendjendritur,
Mendje e tij sjell behar.
*
Me studime e përkthime,
Kombin tonë përjetëson,
Mik i madh i shqiptarëve,
Miqësi përherë ofron.
*
Në vatra ka vend nderi,
Miku ynë me xhamadan,
Sa lezet i ka shqiponja,
Jeleku dhe plisi i bardhë!
*
Për ilirët e Skënderbeun,
Me fjalë zemre kuvendon
Për gjuhë shqipe dhe liri,
Edhe shpirti i këndon.
*
Nëpër vite, nëpër shekuj,
Do të ndriçojë vepra e tij,
Yll i ndritshëm i Veriut,
Do bëj dritë në Shqipëri.
*
Miqësinë me mikun tonë,
Do ta kemi sa t‘jetë jeta,
Me fjalë zemre e urojmë,
Ullmar Kvik, tungjatjeta!
……………….
Ullmar Qvick (Kvik) – albanolog suedez, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe, përkthyes i shquar nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas. Konsiderohet “Ambasador i kulturës shqiptare në Suedi”. Ullmari ka drejtuar si kryetar shoqatën suedeze – shqiptare, i ka kushtuar kombit shqiptar dhjetëra artikuj, intervista dhe studime me rëndësi të madhe historike, gjuhësore, letrare dhe kulturore, ka shkruar veprën madhore “Më shumë heroizma se sa grurë” – Një përshkrim dokumentar i historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve gjatë shekullit XX, Prishtinë, 2013. Ai ka mbështetur fuqimisht Kosovën dhe luftën e saj për liri e pavarësi; është suedezi më i njohur për shqiptarët, u është gjendur atyre në çdo kohë dhe në çdo situatë, është quajtur “Mik i madh i shqiptarëve”. Ndër thëniet e famshme të Ullmarit është: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.