Autoriteti zbardh spiunët me pseudonimet “Panairi”, “Dekori”, “Fani”, “Çika”, “Luani”, “Kështjella”, “Pompa”
Në mbledhjen e ditës së sotme, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit shqyrtoi një sërë çështjesh që lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e qytetarëve për të njohur të vërtetën dhe për të rikthyer kujtesën historike në shërbim të transparencës dhe edukimit qytetar.
Autoriteti ka shqyrtuar 6 kërkesa të reja nga qytetarë që kërkonin akses në dokumente arkivore dhe ka dhënë përgjigje për kërkesë qytetarit I. D i cili kishte interes për të zbuluar identitetin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit që e kishin raportuar e survejuar.
Nga 14 emra të kërkuar në total, 7 bashkëpunëtorë janë identifikuar dhe zbardhur, ndërsa për pjesën tjetër mungonin dokumente ose nuk përmbushnin kriteret ligjore.
Sipas njoftimit të Autoritetit të Dosjeve, në mbështetje të ligjit individët e përndjekur mund të njohin emrat realë të atyre që u fshiheshin pas pseudonimeve që gjenden në dosjet tyre.
Tashmë kush fshihet pas pseudonimeve si; “Panairi”, “Dekori”, “Fani”, “Çika”, “Luani”, “Kështjella”, “Pompa” nuk janë më të panjohur për qytetarin I.D.
Në të njëjtën mbledhje, u trajtuan edhe katër kërkesa individuale nga familjarë që kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre të zhdukur nga regjimi. Rastet përfshijnë emrat: Kamber Kazazi, Bashkim Kaleci, Andon Floro dhe Qemal Draçini.
Autoriteti ka nisur procesin e integrimit të të dhënave ekzistuese në një sistem të ri të menaxhimit në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).
Sistemi IDMS përfshin regjistrimin dhe menaxhimin e personave të zhdukur, ndërlidhjen me familjarët e tyre, vendndodhjet e dyshuara të varreve dhe operacionet në terren.
Kjo platformë synon të përshpejtojë dhe përmirësojë procesin e identifikimit dhe rikuperimit të viktimave, duke ndërtuar një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse dhe funksionale.
Autoriteti shqyrtoi gjithashtu një rast të veçantë për verifikimin e pastërtisë së figurës së një kandidati për Gjykatën e Lartë, në përputhje me kërkesat ligjore dhe misionin për garantimin e integritetit institucional.
https://ata.gov.al/2025/06/05/autoriteti-i-dosjeve-zbardh-emrat-e-7-bashkepunetoreve-te-sigurimit