Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kompetentja e eskursioneve

Kam punuar në minierë. Si vend burrash, këtu gratë ishin brima e fundit e kavallit. Dhe kishte shumë gra që e nxirrnin bukën e familjes nga miniera. Gra të punës së rëndë.

Kam punuar në Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”, Berat. Mësues letërsie në Shkollën e Mesme Profesionale.

E kundërta e Minierës.

Këtu si në ungjill… të parat ishin Gratë.

Ngjarja më trullosëse për këto gra ishte kur ato merrnin të drejtën të bënin falas (pa paguar) një ekskursion (dalje, shpërthim) një udhëtim dy ditor në Sarandë, në Vlorë, në Gjirokastër.

Vizitonin atdheun socialist.

Gratë, kryesisht vajzat e pamartuara, punëtore kokëulura në muaj e vite, u thuhej: fabrika, shefat do të na paguajnë një udhëtim falas. Do bëjmë qejf.

Gratë lëshoheshin emocionalisht, shpërthenin në këngë, të lira… Ky lloj “fluturimi” nga Berati, nga Tirana në Jug.. atëherë zgjaste 6 -7 orë.

Ndalonin… hanin diçka që e kishin marrë me vete…

Shihnin pamje të ëndërruara për to. Ajri, dielli, uji rrëshqisnin…të dehnin.

Por…

Lirimi merrte krahë jo gjithmonë aq çlirët, pa ngërç e pa ankth.

Vajzat në moshë ndeshnin në kafe a në restorante meshkuj aq tërheqës, sa ua merrnin të folurit, ua fusnin gjuhën thellë në fyt, në laring. I dëshironin. Mbyteshin nga dëshirimi erotik. Por…

Megjithëse në liri udhëtimi, nuk ishin në liri, në çlirim nga vargojt.. e moralit komunist.

Vajzat e ngrata, të gënjyera se gjasme jeni të lira… shtypnin dëshirat, shtypin një nga instiktet më bazike – erosin.

Diku dëgjohej një ngashërimë e egër, oh, oh! aq e egër, sa ua hiqte trurin të gjithave.

Ndaleni autobusin!

Vajza ngashërehej, rrihte veten me grushte, shqyente rrobat, hidhej nga karrigia në shesh. Trandej.. shkumët kullonin gojës egër, zërat e saj nuk i linin gjë mangut shtazës dhe më keq.

Boo bo.. ileti. Bo bo… e zuri ajo punë,… epilepsia…

Autobuzi u ndal.

Dëgjohet një zë gruaje të re: Grania të mblidhet mbi mua. Mos çani trapin. E sjell unë në vete. Më mbuloni sipër saj.

Kjo grua ishte “kompetentja”… ajo që organizonte këto udhëtimet me gra. Merej vesh me shefat.

Kur gratë u ngjeshën sipër saj, kompetentja u tha: ia mbajani krahët e këmbët pisk të shtrënguara. Mbajeni fort.

Dhe kompetentja i pëkëdheli kofshët të sëmurës që vërriste më egër se një dhi pylli. Oh e oh e përkëdhelte. I shtypi “butonin” midis kofshëve. Of e of… tani më pak.

Gratë ishin bërë njësh si qemer sipër saj.

Kompetentja e futi gishtin e vogël diku më thellë…dhe rënkimi oh… u mpak.

Trupi u shtendos i zverdhur.

Kaq ishte…

– Gra, m’u hiqni sysh. Secila në vendin e vet.

Nise makinën- i bërtiti shoferit.

Me dorën tjetër derdhte pak ujë mbi ballin, mbi fytyrën e vajzës “me ilet”.

Vajza e zbehtë si e dërrmuar në shpirt e shtat.

Ekskursioni më tej do të vazhdonte e do të mbyllej me sukses.

Please follow and like us: