Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: BOMBARDIMET E AVIACIONIT NË FUSHËBARDHË GJATË LUFTËS ITALO-GREKE

(Në përkujtim të pesë bijëve të fshatit Fushëbardhë Hekuran Osman Cama (20.3.1912–15.3.1941), Ceno Bedo Maçi (1919–15.3.1941), Jupe Sejfo Baho (1919–15.3.1941), Pronjo Duro Nora (1918–15.3.1941), Fadil Hair Shalari (1929–15.3.1941), që u vranë nga bombardimi i aviacionit armik më datën 15 mars 1941 gjatë periudhës së luftës italo-greke që po zhvillohej në truallin shqiptar në Jug të Shqipërisë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Shqipëria edhe pse e pushtuar më 7 prill 1939 pas një viti u gjend sërish si një “shesh lufte”. Italia sulmoi Greqinë më 28 tetor 1940 nga territori i Shqipërisë, duke shënuar hyrjen e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore. Qytetet e fshatrat e jugut të Shqipërisë u rigjendën në një prej fatkeqësive më brutale dhe më të dhunshme e imponuar nga ballafaqimi ushtarak i dy ushtrive, italiane e greke. Italia u befasua nga qëndresa dhe kundërpërgjigjja greke. Lufta filloi pasi diktatori grek Ioannis Metaxas hodhi në mënyrë të menjëhershme poshtë ultimatiumin e ambasadorit italian[1] që kërkonte pushtimin e territorit grek. Forcat italiane pushtuan një pjesë të Greqisë. Pretekst u gjet vrasja e një shqiptari me influencë në Konispol, e Daut Hoxhës. Ishte vërtetë dosja me 400 faqe që “ekspertët” i çuan Musolinit si preteks lufte? Vërtetë besohet se vrasja e një shqiptari të Konispolit “ndezi” luftën e italianëve dhe grekërve?!. Fakt është se ushtria greke kundërsulmoi fuqishëm dhe detyroi italianët të tërhiqeshin. Nga mesi i dhjetorit, grekët kishin hyrë në gati një të katërtën e teritorit të Shqipërisë, përfshi gjithë trevën e Gjirokastrës. Në luftime u përfshi një makineri e rëndë ushtarake me rreth 37 divizione në një front 200-250 km. Në mars të vitit 1941, në një kundërmësimje ushtria italiane përsëri pësoi humbje. Për këtë humbje, më vonë gjeneralët italianë e Musolini do të fajësonin dy batalionet shqiptare, “Tomorri” dhe “Gramshi”, të formuar me shqiptarë, që iu bashkëngjitën ushtrisë italiane gjatë konfliktit, por që shumica e tyre dezertoi. Në prill 1941, Gjermania naziste i vjen në ndihmë Italisë, “i shpëton nderin” dhe pushton Greqinë vetëm për dy javë, përmes Bullgarisë dhe Jugosllavisë. Për këtë më 12 prill 1940, ushtria greke filloi tërheqjen nga Shqipëria. Më 20 prill 1940, ushtria greke e Epirit dorëzohet tek gjermanët, dhe më 23 prill 1941 nënshkruan armëpushimin. Kështu mori fund lufta italo-greke. Por fitorja greke gjatë mësymjes italiane në tetor 1940 ishte fitorja e parë aleate dhe ndihmoi për të ngritur moralin në Europën e pushtuar dhe të sfilitur të LIIB. Historiani John Keegan, argumenton se, “…kjo fitore mund të ketë ndikuar edhe rrjedhën e gjithë luftës, duke detyruar Gjermaninë ta shtynte datën e pushtimit të Bashkimit Sovjetik, pasi iu desh të ndihmonte Italinë kundër Greqisë..”. Kjo vonesë bëri që pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik të mos kryej para fillimit të dimrit të ashpër rus, siç ishte planifikuar, duke çuar kështu në humbjen gjermane në Betejën e Moskës. Është fakt historik se pushtimi i Greqisë nga Gjermania, bëri që Greqia të dorëzohej dhe ushtria italiane marshoi përsëri drejt Greqisë, si “fitimtare” ndaj një ushtrie që dikush tjetër ja kishte lidhur duart plotësisht. Në zonën e Prefekturës Gjirokastër dhe më konkretisht tek “Fusha e vogël e Sajmolës”, që gjendet mes malit Golik dhe malit Shëndelli, u shkatërruan batalionet “Lupi di Toskani” e “Julia” e italianëve, si dhe forcat greke të batalionit të Kretës e të Kallpaqit. E tillë është lufta, “një art i shkatërrimit”. As italianët dhe as grekët nuk mundën dot t’i varrosin shumicën e të vrarëve. Grekët shumë më pak se italianët, ndërkohë që më tragjikja është se shumica e tyre mbetën në faqet e maleve ku u vranë, dhe humbën viteve. Gianni Granzotto, një ish-ushtar italian, gazetar dhe autor librash, në vitet tetëdhjetë ishte president i ANSA-s në Itali, erdhi më 1984 në Sajmolë dhe në Peshtan, në vendin e betejës. Siç e përshkruan në librin e tij, “Vjosa ime e dashur”, tregon se si buzë rrugës në Peshtan takoi një bari dhe e pyeti: “A ka më të vrarë në Golik, që janë pa varrosur?” -Ka, i ishte përgjigjur me vrazhdësi të natyrshme bariu. Sa herë shkrin dëbora, rrëshqasin poshtë rrungajave. Gazetari i thotë: “Të lutem, mbulojini aty ku janë. Goliku ishte dhe mali i tyre”. Ndjenja njerëzore e respektit për ushtarët që jeta i ka përplasur të vdesë në malet shqiptare, pavarësisht politikave të mbrapshta luftënxitëse që e kanë sjellë aty…”. Dhe në fakt shqiptarët në mënyrë shembullore nuk kanë lejuar që fusha e Sajmolës as punohej dhe as shkelej. Aty ishte e varrosur një e shkuar e dhimbshme, pavarësisht se shqiptarëve u kishte sjellë po aq në mos më shumë dhimbje se asnjë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Europës. Prandaj është koha që Europa t’ju kthejë borxhin shqiptarëve edhe në aspektin politik, ekonomik e diplomatik. Megjithatë rrezultatet e “një luftë sa absurd”, aq edhe të panevoshme, sipas analizave historike, solli një dramë njerëzore mbi tre popuj fqinjë italianët, grekët dhe shqiptarët. Gjirokastra, Korça, Përmeti, Tepelena, Saranda, Delvina dhe krejt Jugu i Shqipërisë, derdhën gjak krejtësisht pa faj. Prefektura e Gjirokastrës gjithë treva e saj përrreth me qytete e fshatra ka paguar shumë shtrenjtë këtë luftë, nga përballja e dy ushtrive. Bombat e aviacionit dhe artilerisë mijëra tonelata zjarr e hekur në kurrizin e shqiptarëve, njerëz të pafajshëm të vrarë, shtëpi fshatra e qytete të djegur, mall e gjë e gjallë e grabitur  dhe e shfarrosur nga lufta, të vrarë akoma nga bombat e ngelura në rreth tetë dekada e gjysmë. Më shumë se gjithçka për këtë luftë flasin varret, të rënët, por dhe shqiptarët që u ndëshkuan padrejtësisht dhe pritën në kurris bombardimet e të dy ushtrive ndërluftuese. Popujt janë e do të ngelen miqësorë, e vërtetuar më së miri veçanërisht në këto tre dekadat e fundit. Sa miqësisht ua kanë hapur dyert bijtë e bijat e atyre “luftëtarëve” të 1940-ës shqiptarëve në Greqi dhe Itali. Miqësia e popujve është më e fuqishme dhe e pakrahasueshme me barbaritë e politikat luftënxitëse të së shkuarës. Planeti ynë mund e duhet të fshijë hijet e së shkuarës, të mjekojë plagët e luftrave, këtij “arti të shkatërrimit”[2] si dhe të shkojë drejt paqes, drejt marrëdhënieve reciproke të zhvillimit ekonomik ballkanik e europian si dhe sigurisë aq të domosdoshme euroatlantike. Ndërkohë që shqiptarët nuk e harrojnë dhe nuk duhet ta harrojnë të shkuarën pasi pa të shkuar nuk ka të ardhme. Kështu pesë djem të vrarë në Fushëbardhë nga bombardimi i aviacionit flet më shumë se gjithcka për një të shkuar komlpekse e luftarake, ku biografitë e bijëve të Fushëbardhës është realitet i së shkurës në historinë tragjike të marrëdhënieve midis shteteve fqinjë, që ka ndodhur në këtë trevë labe. Biografia ka ngelur në këngë vaji që është më shumë vajtim gjëme sa sa këngë, ku rapsodi anonim popullor rendit kronologjinë e ngjarjes në periudhën kur trupat italiane dhe kreke ishin përballë njera tjetrës që vetëm ndërhyrja gjermane në Greqi “ja shpëtoi nderin Italisë”, shtetit të boshtit që po turpërohej. Por nga ana tjetër humbjet aksidetale dhe jo vetëm shqiptare sepse lufta bëhej në truallin shqiptar dhe ngjarja në Fushëbardhë ishte në periudhën e tretë të luftës. Kënga flet më mirë se fjalët: “Pranvera sa kishte hyrë,/Bora ende s’kishte shkrirë,/Mbasditë në mugutirë,/Nxijnë qiellin zinxhirë,/nga avionë që uturijnë,/Fushëbardhë atë ditë,/Se ç’ta prishën bukuritë,/pesë trima si petritë,/avionët se ci goditnë,/Mu tek Bregu i Norre,/sipër mbi Mogilë,/Vjen një re e zezë,/ Fshatin e tronditë,/Na i vranë djemtë,/Në lule të rinisë,/Qaj moj zemre shkretë,/Për gjithë mizoritë,/Qaj Hekuranë (Cama) trim-në,/Me Ceno (Maçi) petrit-në,/Jupe Sejfo (Baho)djalnë,/Pronjon (Nora) zemërmirë,/Fadil e Hairë (Shalari,/Ende i parritur mirë,../ Këto vargje dhe të tjera sjellin emrat e paharruar për ngjarjen dhe që janë edhe vargje që përcjellin trishtimin për bijtë e fshatin që jetën jua preu në mes bomba që ra në marsin e vitit 1941 në Fushëbardhë. Po sjellim një përmbledhje biografike të pesë të të rënëve në Fushëbardhë gjatë luftës italo-greke:

1.Hekuran Osman Cama ishte lindur më datën 20.3.1912 në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ai erdhi në jetë në një familje me ndjenja të thella patriotike që në vijëmësi oxhaku i kësaj familje dhe gjithë vatra familjare ishte e lidhur fort me ndjenjat atdhetare. Hekurani erdhi në jetë në një vit famëmadh kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj. Ai ishte dy vjeç kur kërciste dyfeku në mbrojtje të familjeve fisit të tij dhe të mbarë krahinës e Labërisë, lufta zhvillohej në qafë të Skërficës ku pati edhe shumë të vrarë nga fshati Fushëbardhë, por Hekurani filloi të kuptonte ngjarjet që në vogëli pasi një çetë me 78 luftëtarë nxorri Fushëbardha dhe Zhulati bashkë dhe shkoi në luftën e madhe të Vlorës ku morën pjesë 89 çeta luftarake nga mbarë Labëria si dhe gjithë vendi. Kjo luftë ngeli në kujtesën e Hekuranit sikurse gjithë bashkëmoshatarëve duke u rritur në varfëri mo me idealin e lirisë në zemër. Fëmijërinë e kaloi sikurse gjithë moshatarët e tij me bagëti dhe me bujësi në tokat e Came në Fushëvërri. Në moshën 18 vjeçare në vitin 1930 u mobilizua ushtar, ku kreu shërbimin e detyrueshëm dy vjeçar, kohë që edhe u rrit dhe u poq më shumë, mësoi shumë gjëra dhe u përgatit më shumë për jetën. Në mshën 23 vjeçare u martua dhe më pas u bë edhe me një vajzë. Por re të zeza vinin sërish mbi Shqipëri dhe kur ai ishte tejet i pjekur dhe i rrahur me vaj dhe me uthull si i thonë në Labëri në prillin e vitit 1939 Italia fashiste pushtoi sërish vendin tonë. Një zi pllakosi mbi vendin dhe varfëria u shtua edhe nga çizmja e egër e pushtimit. Por nuk do të mjaftonte pushtimi italian por nga toka shqiptare Italia filloi edhe luftën kundër Greqisë, që në momentet fillestare ne ishim në mbrojtje të së drejtës, kundër Greqisë, por ndeshja midis tyre vijoi gjatë. Grekët luftonin kurrizeve të kodrave dhe maleve dhe shkelnin grabisnin e vrisnin ngado, ndërsa po kështu vepronte edhe Italiani nëpër lugina. Lufta e përgjakshme midis dy palëve ndërluftuese i bëri shqiptarët vigjilentë dhe të përgatitur për të luftuar dy bisha të plagosura dhe të ushtrive pothuaj të uritura kodrave e maleve, ku bombat e municionet janë “mbjellë” në gjithë vijat luftarake të luftës dhe kanë marrë jetë njerëzish në Shqipëri në dekada. Hekuran Cama duke qenë i rritur dhe koshient bënte pjesë në grupet e njësitit të fshatit që e luftonin fashizmin me të gjitha mënyrat dhe që në një ditë mbasdite marsi ku po flisnin me njeri tjetrin për hallet e kohës por edhe për gjëmën e madhe që kishte sjellë pushtimi, mbi kokat e tyre fluturoi një avion zbulimi që fotografonte zonën dhe pas tij në mënyrë krejt të befasishme është gjuajtur mbi pesë bij të Fushëbardhë sku më i madhi prej tyre ishte Hekurani i cili ishte i martuar dhe kishte një vajzë pesë vjeçare. Bomba e aviacionit që goditi më 15 mars 1941 ishte fatale pasi mori jetën në lule të rinisë Hekuran Camës 29 vjeçar, që ishte një ngjarje sa tragjike aq edhe e prekshme për këdo, pasi edhe pjesët e trupit jua mblodhën një nga një nga shkatërrimi që ju kishte bërë bomba e aviacionit që ra pikërisht mu në mes të pesë bijëve të fshatit Fushëbardhë në bregun e Norre mbi Mogilë. Humbjen e Hekuranit dhe bijëve të tjerë fshati dhe mbarë krahina e përjetoi mjaft dhimbshëm dhe kjo ishte edhe arsyeja madhore që pasi nisi lëvizja e madhe çlirimtare Fushëbardha doli masivisht në formacionet partizane pa dallim burra, gra dhe vajza dhe luftoi deri ditën e çlirimit duke i dhënë LANÇ-it 15 dëshmorë të Atdheut, edhe të vëllanë e Hekuranit, Cirok Osman Cama, që ka qenë pesë vite më i vogël se Hekurani. Cirok Osman Cama (30.6.1917 – 15.6.1944), është i shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit Gjirokastër si dhe është njohur sipas legjislacionit zyrtar pranë Komisionit Qenror të statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes me Vendim nr. 791/11, datë 15.8.2020. Hekuran Osman Cama ngelet në kujtesën e brezave si luftëtar antifashist, që kishte marrë pjesë në aksionet kundër fashistëve si dhe priste sinjalin e kushtrimit për liri, por atë që nuk mund ta bënte Hekurani, pasi e preu predha e aviacionit armik e bëri i vëllai i tij që ju përkushtua idealeve për liri edhe për marrjen e hakut të të vëllait.

2.Ceno Bedo Maçi ishte lindur në vitin 1919 në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ai u lind dhe u rrit në një mjedis familjar të dashur, të një familje të nderuar e respektuar në fshat dhe në krahinë. Varfëria dhe robëria e pushtimit e kishte forcuar dhe më shumë unitetin përballë halleve të rënda të kohës dhe ja kishin dalë të mbijetonin në një fshat ku “pula ha stërrall” dhe kur kishin pak tokë dhe pak bagëti. Cenua u rrit sikurse gjithë bashkëmoshatarët dhe që në fëmijëri ishte burrëruar. Të tillë të bënin hallet e kohës. Në fshat nuk e jetonin dot fëmijërinë sepse mbështetja për familjen dhe përballimi i halleve e vuajtjeve ishte pjesë e çdo familjeje dhe ishte ulur këmbëkryq në çdo vatër labe. Pushtimi i vendit e gjeti në moshë 20 vjeçare dhe italia që sulmoi fqinjin tonë na shkaktoi dy herë dëme. Ndërkohë që Cenua ishte pjesë e grupeve guerrile të fshatit dhe krahinës. Fshati dhe krahina këtej dhe matanë Skërficës gjithë rininë e kishte gati për aksione kundër fashizmin. Por jetën ja preu në mes bomba që ra ra atë ditë marsi kur ende dëbora nuk kishte shkrirë dhe që paradite kishte qenë ditë me diell edhe pse rreth e rrotull fshatit kishte dëborë. Gratë e fshatit kishin ndërur çarçafët dhe teshat nëpër gjerdhe dhe tela dhe ende nuk i kishin mbledhur kur një tronditje e fuqishme u dëgjua në Fushëbardhë dhe në fshatrat përreth. Ishte pikërisht koha e rënies së bombës së aviacionit pasi kaluan avionët zbulues. Dukush tha se aviacioni dalloi një grup të armatosur përmbi Mogilë dhe bomba që ra midis tyre i mori jetën edhe birit të vatrës familjare të Bedo Maçit. Vrasja e të birit të tij Ceno Maçi u qa me ligje nga fisi dhe fshati dhe ngeli një gozhdë në zemër për gjithë bashkëfshatarët e tjerë që përcolli në Lëmëth (ish varrezat e vjetra të fshatit) pesë djem ditën e diel më datën 16 mars 1941. Boshëllëku i madh që la Ceno Maçi dhe djemtë e tjerë që u vranë në Fushëbardhë nga predhat e aviacionit fshati i përjetoi shumë gjatë, edhe pse ishin kontigjet i sigurtë i luftës Antifashiste partizane që sapo kishte nisur në fshat dhe në krahinë. Megjithatë Ceno Bedo Maçi ra dhe pjesët e trupit ju mblodhën nga bashkëfshatarët sikurse të pesë djemve që i vrau bombardimi, por ata nuk u harruan kurrë, edhe pse bashkëfshatarët e treguan dhe e tregojnë ngjarjen sipas mënyrës së vet të tregimit dhe të përshkrimit të ngjarjeve historike.

3. Jupe Sejfo Baho u lind në vitin 1919 në Fushëbardhë në një familje të varfër, që jetonte në fukarallëk dhe në njerëzillëk. Nuk e shtrinte kurrë dorën për lëmoshë dhe nuk jepej kurrë edhe pse të varfër ekonomikisht. Bukën e gojës e kërkonin vetëm me punë ngado që të mundnin, në Fushërri, në Vurg, në Delvinë e Sarandë e ndonjëherë edhe më larg në Korfuz apo dhe në emigrim të përkohshëm. Nga ky fis kanë rënë edhe dëshmorë të tjerë të njohur dhe që e kanë shkruar me shkronja të arta emrin në lavdinë e Fushëbardhës, krahinës, Labërisë dhe kombit. Kështu në luftën e qafës së Skërficës ka rënë krahas nëntë dëshmorëve të tjerë edhe Sejdi Dule Baho (1889 -1914) që ka ngelur në altarin e Atdheut, si dëshmor i qafës së Skërficës, si vlerë njerëzore luftarake që gjakun e derdhi për vendin. Ky ishte frymëzim edhe për Jupe Sejfon ose Jupe Bahon. Fisi Baho ka ekzistuar dhe lënë gjurmë në Fushëbardhë dhe Jupja ishte një shpresë për familjen që kishte vetëm motra. Rënia bashkë me djem të tjerë në Bregun e Norre familjes “i prenë krahët”. Edhe pse mbiemri “Baho” nuk ka vijueshmëri sot për sot në Fushëbardhë Bahajt e kanë nderuar e respektuar fshatin me mirësinë e tyre njerëzore, respektin dhe shkueshmërinë, por edhe me gjakun e dy dëshmorëve.

4. Pronjo Duro Nora ishte lindur rreth 30 metra larg shtëpisë së tij në Fushbardhë në vitin 1918. Babai i tij Durua dhe gjyshi i tij, e kishte ngritur shtëpinë për merak në një nga brigjet e Fushëbardhës dhe ku bregorja përbri shtëpisë së tij në rrugën që të çon në Kofole e Kaçullat ndodhej një bregore ku fshati ja kishte vendosur emrin “Bregi i Norre”, që ishte si një zgjetim i kodrës së Mogilës në drejtim të Kaçullatit. Pronjua erdhi në jetë në kohë pushtimi dhe kurPronjua ishte vetëm dy vjeç djalëria e fisit të tij dhe të gjithë fshatit ishin nisur për luftë në Vlorë. Ishin 78 luftëtarë të Zhulatit të Tejëm dhe Zhulatit të këtejmë, Fushëbardhës. Në fakt ishin kthyer me fitoren e 3 shtatorit 1920. Fëmijëria e Pronjos ishte e vështirë sikurse gjithë djemtë e fshatit. Ju fut punës që herët dhe nuk ju ndahej me sedër të madhe punëve të fushës dhe të malit. Meqënëse arsimi në fshat kishte nisur me Nexhip Çarçani, efendiu me shkollën që kishte hapur ai bashkë me dervish Mehmet Golemin, në kushtet e vështira ekonomike edhe pse dëshira ishte e madhe për arsimim mundësitë ishin të pakta. Kështu pas atyre pak klasë që mori ju përkushtu bagëtive dhe më tej kur u rrit e burrërua shumë shpejt i erdhi radha për mobilizim ushtarak dhe në shtator të vitit 1936 shkoi për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe kur u kthye nga ushtria mbretërore e kohës ishte më i pjekur dhe më i burrëruar. Por prilli i vitit 1939 Shqipërinë e gjeti të pushtuar nga fqinjët tanë italianë. Më tej pas një viti nisi lufta italo greke dhe fati i keq i Pronjos ishte se u gjendën atë ditë të patrullimit të aviacionit në Bregun e Norre bashkë me Hekuran Camën, Ceno Maçin, Jupe Bahon dhe Fadil Shalarin. Bombardimi i avionit luftarak ua preu në mes jetën dhe ëndërrat. Por nga fisi Nora ka edhe shumë dëshmorë të tjerë që flet për fisin Nora si një fis luftarak e Atdhetar që në sa e sa luftra i është përgjigjur thirrjes së Atdheut dhe duke dhënë edhe jetën lër liri dhe për çlirim sikurse janë edhe vëllai i tij Baxhul Duro Nora (1919-1946) dëshmori që ra në malin e Bardhë/ Burrel, Latife Veli Nora, (1929 -1945), vajza 16 vjeçare që ra dëshmore në Suhagorë/Bosnjë, Destan Musa Nora, (1895-1950) nuk e mposhti as lufta as bandat, që ra në Piks të Fushëbardhës; ndërsa më në thellësi në kohë më 25 qershor 1914 Halil Vesel Nora ( 1886 -1914), ra dhe ngeli përjetësisht dëshmor i qafës së Skërficës në luftë me andartët grekë. Pra trashëgimia e fisin Nora është e spikatur dhe sinjifikative për fshatin Fushëbardhë, për idealet e vlerat atdhetare.

5. Fadil Hair Shalari ishte biri ende i parritur i Hair Shalarit. Fadili ishte lindur në vitin 1929 (edhe pse datëlindja është e diskutueshme) shumica e treguesve është se ai kishte lindur pikërisht në vitin 1929 dhe ishte më i vogli i djemve që ranë nga bomba e avionit armik. Fadili ishte një djalë i shkathët dhe i burrëruar para kohe. Kishte qef të ishte gjithmonë me më të rritur dhe e ndjente veten të rritur dhe të burrëruar. Nuk përtonte të merrte përsipër çdo lloj pune e detyre pavarësisht moshës. Ai ishte bërë krah familjes në një kohë të tillë që kur erdhi pushtuesit fashistë ishte vetëm një fëmijë dhjetë njëmbëdhjetë vjeçar. Bagëtitë ishin bërë profesioni i tij, por ai mësoi shumë edhe nga djemtë e rritur dhe që kishin përfunduar shërbimin ushtarak. Kështu kishte kryer detyra në funksion të njësitit të fshatit, si korier e lajmëtar i shpejtë për dërgimin në kohë të porosive por dhe të armëve e municionit. Ishte kohë luftë dhe përgatitja ishte e gjithanshme. Ai dhe njësiti kishin siguruar armatim dhe municion për të nesërmen luftarake të vendit. Kishin zbatuar një postulat të përjetshëm të shqiptarëve për kohë luftë: “në mos keni armë gjeni,/ja rrëmbeni pushtues qenit”. Por djali i Hair Shalarit, sikurse thuhej në Fushëbardhë, “nuk mundi të bënte hair”, sepse ja preu jetën në mes bomba që ra nga mincira e avionëve armiq që kishin zaptuar tokën dhe qiellin e Shqipërisë së Jugut. E megjithatë ai nuk u shua kurrë pasi emri i tyre jetonte dhe jeton në kujtesën e fshatit Fushëbardhë, dhe besojmë tani do të jetë edhe në kujtesën e strukturave shtetërore për arsye se është ekzekutuar në fshatin e tij nga armiku pushtues. Propozimi për shpalljen dëshmor të Hekuran Osman Cama 29 vjeçar, Ceno Bedo Maçi 22 vjeçar, Jupe Sejfo Baho 22 vjeçar,  Pronjo Duro Nora 23 vjeçar dhe Fadil Hair Shalari 13-14 vjeçar që ishin që të pestë pjesë e pandarë e njësitit antifashist të Fushëbardhës, në fillimet e luftës çlirimtare është i bazuar në zbatim të aktit legjislativ të nenit 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “a” të ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, ku pika “d” thotë që: “shpallen Dëshmorë të Atdheut “shtetasit shqiptarë të pushkatuar, (ekzekutuar, bombarduar), për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”. Nderim i të rënëve në luftra, për të gjithë ata që derdhën gjakun, të gjithë ata që u ekzekutuan me pushkë, të varur në litar, apo që jetën jua preu në mes bombat e aviacionit armik sikurse është rasti kur pesë bij të Fushëbardhës ranë nga bombardimi i avaiacionit armik në kulmin e luftës italo-greke që po zhvillohej në tokën shqiptare. Bijtë e Fushëbardhë që i preu në mes bomba e aviacionit armik kanë ngelur të pavdekur në këngët e popullit, këngë që është më shumë vaj se sa këngë është trishtuese për pesë djem të vrarë. Dëshmorët bënë historinë me gjakun e jetën e tyre, duke falur jetën me vetëdije atdhetare. Kohën ndryshuan dhe gjaku i të rënëve u vlerësua me ngritjen e shtetit shqiptar, pasi u vlerësuan dhe po vlerësohen edhe dëshmorët. Vlerësimi i të rënëve është mision dhe detyrim sublim për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” për të pestë të rënët nga Fushëbardha: Hekuran Cama, Ceno Maçi, Jupe Baho, Pronjo Nora dhe Fadil Shalari, për të pestë të rënët qëjetojnë në kujtesën mbarë trevës labe. Nderimi për të rënët është nderim për kombin, sepse duke përjetësuar dëshmorët përjetësojmë kombin shqiptar. Disa organe të shtypit ushtarak shqiptar, si Gazeta “Ushtria”, Revista “Mbrojtja”, portale shqiptare (Alb-Spirit) si dhe gazetat “Labëria”, “Rrënjët”, “Veterani”, “Kushtrim Brezash”, revista “Pavdekësia”, i kanë kushtuar vëmendje luftëtarëve të Fushëbardhës dhe të Labërisë. Të rënët në luftën italo-greke mbeten emra të paharrueshëm që ngelen në kujtesën e brezave ngelën në këngët e popullit që janë një arkiv më vete dhe një burim i pashtershëm i të dhënave historike labe. Luftrat dhe të rënët nuk harrohen kurrë, ndërkohë që rivlerësimi dhe plotshmëria ligjore tashmë ekziston mundësia e vendosjes e së drejtës në vend për ata që u përballën me fashizmin në kohët më të rrezikshme që po kalonte Shqipëria.

-&-


[1] Ambasadori italian i akrediduar në Athinë ishte Emanuele Graci. Ai rreth orës 3 të mëngjesit të 28 tetorit 1940, kishte shkuar në shtëpinë e kryeministrit të Greqisë, Janis Metaksa për një komunikim urgjent të ultimatiumit italian, që do të thoshte: “fillm lufte”.

[2] Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi,Revista “Mbrojtja“ Nr.9/2009; “Luftrat më të mëdha të njerëzimit dhe diplomacia“; fq 32-36.

Please follow and like us: