Albspirit

Media/News/Publishing

BOTOHET NË ANGLI ROMANI “MISIONI” I SHKRIMTARIT VANGJUSH SARO

Romani “Misioni”, përkthyer në anglisht nga Vaso Kola, është botuar këto ditë në Mbretërinë e Bashkuar nga Vanguard Press. Libri rrëfen aventurat dhe dështimet e z. Din Bedell, një profesor në pension i cili rreh të drejtojë vëmendjen e qytetarëve dhe autoriteteve në problemet mjedisore dhe çështjet sociale. I shoqëruar nga asistenti i tij i pashkollë, Xha Rema dhe i mbështetur nga një zëdhënës i çuditshëm që nuk shfaqet asnjëherë, misionari vullnetmirë endet poshtë e lart të sensibilizojë njerëzit dhe institucionet për tatëpjetën e jetës dhe të mjedisit. Ai viziton pareshtur shkolla, kopshte, biznese, diskoteka, azile, plazhe; duke agjituar kudo idetë dhe propozimet e tij të pambështetura nga askush. Në këto e sipër, përherë i pathyer, ai bën çmos të shtrojë edhe rrugën e bashkëpunimit me partnerë nga bota… 

Aventurat tragjikomike dhe sjelljet e çuditshme të profesorit, bien ndesh me realitetin. Ai nuk vë dot në lëvizje ndonjë mekanizëm shtetëror; madje nuk arrin të tërheqë as mediat apo edhe vetë qytetarët. Shteti, po se po, qëndron përpara tij i ftohtë – akull. Për më keq, gjatë një tentative për të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” një takim të hapur me autoritetet dhe mediat, policia, papritur, e arreston plakun ëndërrimtar. Për pështjellimet që ka shkaktuar – përfshi një memo për Kryeministrin në rrjetet sociale – Misionari i ngratë përballet me disa akuza. Atij i duhet të “rrëfehet” përpara një hetuesi (fatmirësisht) korrekt, që nuk arrin të kuptojë pse e kanë ndaluar, ndërkohë që “lufta” e tij s’është për t’u prangosur…

Romani mund të blihet ose porositet në një sërë ente, si Bookshop UK, Waterstones, Booktopia, Adlibris, William Dam, Feltrinelli, IMUSIC, WizeBooks, IBS Libri, Mitacosbooks, Amazon, eBay, etj. (Përveçse në vendin ku u botua, Angli, distribuimi i librit mbulohet edhe nga ente që veprojnë në ShBA, Kanada, Itali, Greqi, etj.)

“Misioni” u publikua fillimisht në “Amazon”, nën kujdesin e Eno Muho; më pas, u ribotuanga ERIK Botime në Tiranë. Libri ka pasur vëmendjen e publikut, si dhe të një sërë kritikëve, shkrimtarëve e përkthyesve, si Fatmir Terziu, Vangjush Ziko, Elvi Sidheri, Qazim Muska, Flamur Shabani, Ligor Prifti, Allaman Hoxha, Shefqet Sulmina, etj.

Please follow and like us: