Ylli Pango, kronikë e papërfunduar për familjen dhe dashurinë njerëzore
Çerçiz Loloçi
Shënime për librin e Ylli Pangos “My little ones”, përkthyer në anglisht nga Carrie Hooper, botuar nga Amazon në nëntor 2024 dhe në shqip me titullin “Të vegjëlit e mi”, botimet Onufri 2025.
1.
Sapo është publikuar libri më i fundit i Ylli Pangos, botuar një vit më parë anglisht në Amazon nën titullin “My little ones” dhe në shqip në version më të zgjeruar disa muaj më vonë me titullin “Të vegjlit e mi”, me shënimin ‘Rrëfenja – për fëmijë dhe të rritur’. Në përcjelljen e librit në anglisht, botuesit me pak rreshta japin në mënyrë të sintetizuar se çfarë është ky libër:
“Narrativa rrëfen udhëtimin e autorit përmes momenteve të rëndësishme personale dhe emocionale, duke filluar me një orë anglishteje në Universitetin e Bostonit, ku studentëve nga prejardhje të ndryshme iu kërkua të shkruanin një ese mbi një përvojë të paharrueshme. Një shok klase nga Argjentina fitoi konkursin e eseve me një rrëfim prekës të dëshmisë së lindjes së fëmijës së tij, i cili rezonoi thellë me autorin dhe të tjerët për përshkrimin universal të emocioneve njerëzore.
I frymëzuar nga kjo, autori ndan historinë e tij të të bërit baba në moshën 68 vjeç pas vitesh luftë me infertilitetin. Udhëtimi përfshinte vizita të panumërta mjekësore dhe zhgënjime, duke përfshirë një takim me një mjek indiferent parizien, përpara se më në fund të merrte lajmin e gëzueshëm në Tiranë. Lindja e djalit të tij, Daniel, në Ditën e Shën Valentinit 2020, mes hijes së pandemisë Covid-19, solli dashuri dhe ripërtëritje të thellë në jetën e tij. Teksti reflekton mbi udhëtimin e butë dhe transformues të prindërimit, duke u përqendruar te Danja, një fëmijë i vogël plot pafajësi, kuriozitet dhe potencial. Danja rritet, kurioziteti dhe dëshira e tij e pakufishme për të mësuar shkëlqejnë. Ai përparon me shpejtësi, nga numërimi deri në 100 në arritjen e 1000, duke bërë vazhdimisht pyetje dhe duke eksploruar botën përreth tij. Prindërit meditojnë mbi të ardhmen e tij, duke parashikuar mundësi të pakufizuara – një studiues, një eksplorues ose thjesht një individ me shpirt të lirë. Siguria qëndron në ritmin e shpejtë të rritjes së tij dhe në lidhjen e qëndrueshme që ai ndan me nënën e tij, e cila e sheh atë si kryeveprën e saj përfundimtare. Autori reflekton mbi mrekullinë universale të prindërimit dhe fuqinë transformuese të dashurisë, duke i nxitur të tjerët të përqafojnë gëzimet e rritjes së një fëmije pavarësisht nga mosha ose rrethanat”.
2.
Kuptohet se është një histori familjare, ajo e vetë autorit, lidhja dashurore me një vajzë ukrainase nga Odesa që pas shumë peripecish dhe për gati dhjetë vjet kurorëzohet me lindjen e një fëmije. Kështu kanë qenë pak a shumë dhe librat e Mamin-Sybiryak, Andersen, Rouling, Caroll, Ekzyperi e të tjera me zanafillë familjare, por me kumte të mëdha universale; ato u lexuan masivisht në gjallje të autorëve dhe ende më shumë kur ata nuk jetonin më dhe ishin bërë tekste të detyrueshëm për miliona e miliona lexues. Në një etyd, Pango shkruan “Ai vë kokën e vogël, faqet, buzët mbi faqen e saj dhe ashtu fle pastaj. Bëmë baba të të ngjaj. Unë bëja pothuaj të njëjtën gjë me mamin e Danjës, këtu e 10 vjet më parë, kur u dashuruam dhe shkuam në një hotel në Budva. Ngjisja buzët pas të sajave dhe besoni nuk besoni, ashtu na zinte gjumi për orë të tëra. Sikur të ngjiteshim. Flinin dhe shihnim ëndrra bashkë për orë të tëra, buzëbashkë, duke marrë frymën e njeri-tjetrit. Edhe ëndrrat i shihnim bashkë”. Ndërsa në një kapitull më poshtë, ai shkruan “A e vini re që e gjithë kjo që ngritëm ne të tre – gruaja, unë dhe bebi, që tashmë po u afrohet të tre vjetëve – është një mrekulli? E ngritëm të tre. Po! Edhe bebi ishte pjesë e asaj që u ngrit. Ende pa lindur. Se ishte pjesë e ëndrrës së të dyve. Ekzistonte. Në mendje. Dhe ëndrra është e para. Jo fjala”.
Tri personazhe, burri, bashkëshortja dhe djali i tyre janë në fokusin e pesëdhjetë e gjashtë kapitujve e edyteve duke zbuluar hap pas hapi përjetimet e secilit, në mosha të ndryshme dhe në një periudhë të pazakontë kur pandemia e Covid-19 detyroi miliarda njerëz të mbylleshin brenda katër mureve.
Historitë familjare, qoftë edhe ato në rrethana të jashtëzakonshme, kanë gjithherë kurthin e rënies në vogëlsira, në zgjatje dhe stërzgjatje, por autori i ka shpëtuar mjeshtërisht duke dhënë së pari një manual se si mund të rritësh një fëmijë, si ta edukosh atë qysh në belbëzimet e para, pa i kufizuar lirinë, tekat, gabimet foshnjore që e rritin me minuta dhe me orë.
Libri të emocionon nga fillimi në fund, me gjetje dhe befasi të këndshme, me një lloj ankthi nga kapitulli në kapitull, duke krijuar kështu një përmendore për familjen, për dashurinë e pakushtëzuar si për të nënvizuar se gjërat e mëdha vijnë e konsolidohen nga disa gjëra të brendshme të jetës së përditshme njerëzore.
Në fund të librit autori shkruan: “Ç’do të bëhet me të? Ku ta dish? Mund të bëhet një njeri i zakonshëm si të gjithë ne? Një dijedashës e aq? Një eksplorator i Antarktidës që e kishte aq në qejf kur ishte ende tre-katër vjeç? Një qytetar i lirë a globtrotter, siç patëm ëndërruar dikur ne, të izoluarit nga absurdi. Apo studiues? E përsëri, ku ta dish? Një gjë është e sigurt. Danja po rritet e rritet me shpejtësi. Unë po vazhdoj të rritem bashkë me të dhe për sa kohë të jem gjallë, ky libër do të vazhdojë të shkruhet e të shkruhet”./7 qershor 2025, exlibris.al