Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Vatoci: Mësimet që na lanë plagë!

Na kanë mësuar gabim. Jo sepse nuk na donin, por sepse vetë nuk dinin ndryshe. Nënat tona u rritën në një botë ku gruaja duhej të heshtte, të duronte, të mos kërkonte kurrë më shumë nga sa i jepej. Në vend të lirisë, na trashëguan frikë. Në vend të zërit, na dhanë urdhërin të heshtim. Në vend të vetes, na mësuan të jemi gjithmonë për të tjerët.

Na mësuan të jemi të mira për të gjithë, përveç vetes. Të jemi gra që mbajnë shtëpinë mbi supe, që shërbejnë me buzëqeshje, edhe kur shpirti u vret. Na mësuan të jemi gjithmonë në nënshtrim për hir të burrit, të fëmijëve, të “çfarë do thonë të tjerët”. Çdo vendim duhej të kalonte nëpër filtrin e fisit, të komshinjve, të shoqërisë.

Por ky brez, brezi ynë, nuk e pranon më këtë rol. Nuk e pranon të jetojë si një hije, në pritje që dikush tjetër të thotë nëse jemi të denja apo jo. Nuk pranon që në emër të dashurisë të bëhet shërbëtore, që në emër të paqes të sakrifikojë veten. Kemi kuptuar se durimi që na mësuan nuk ishte virtyt, ishte pranga.

Ne nuk kemi më frikë nga fjala “jo”. Nuk kemi më frikë të zgjedhim veten. Nuk kemi më frikë të jemi të pakëndshme në sy të atyre që nuk na duan të lira. Nuk kemi më nevojë për aprovimin e një bote që ka jetuar mbi kurrizin tonë.

Na vjen keq për nënat tona. Ato bënë më të mirën që dinin. Por ne dimë më shumë tani. Dhe kemi përgjegjësi, jo të përsërisim gabimet, por të thyejmë zinxhirët.

Mjaft duruam. Tani është koha të jetojmë. Të zgjedhim, të refuzojmë, të kërkojmë më shumë. Sepse edhe ne jemi njerëz. Jo shërbëtore. Jo viktima. Jo objekte të thashethemeve.

Femra, ngrini kokën. Jeta nuk është për t’u duruar, është për t’u jetuar.

Please follow and like us: