Fan Noli kthehet në shtëpinë e tij si “Rebeli” që nuk u nënshtrua kurrë, nga autori Ikonomi
Flamur Vezaj
“Mirësevjen dhe faleminderit që e solle Fan Nolin në shtëpinë e tij”. Me këto fjalë të ngrohta dhe simbolike, Hirësia e Tij, Kryepeshkopi Nikodhim, udhëheqës i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston dhe në Anglinë e Re, i drejtohej autorit Ilir Ikonomi, në ambientet historike të Katedrales “Shën Gjergji”, aty ku dikur Fan Noli themeloi jo vetëm një kishë, por një ideal.
Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe reflektim, Ilir Ikonomi solli për herë të parë në Kishën e Nolit vëllimin e dytë të biografisë së titulluar “Fan S. Noli – Rebeli”. Një rikthim i pazakontë: Noli, i lexuar, i kuptuar dhe i vlerësuar, në shtëpinë e tij shpirtërore.
Eventi u organizua nga Biblioteka dhe Qendra Kulturore “Fan S. Noli”, Federata Pan-Shqiptare VATRA në Boston dhe vetë Katedralja “Shën Gjergji”. Aktiviteti u moderua me përkushtim nga znj. Rafaela Prifti, redaktore në gjuhën angleze në gazetën “Dielli” dhe një zë i konsoliduar në diasporën shqiptare.
Në hapje, znj. Prifti nënvizoi rëndësinë historike të figurës së Nolit dhe kompleksitetin e portretit që Ikonomi sjell nëpërmjet dokumenteve të rralla dhe fakteve të panjohura më parë. Ajo përmendi rolin shumëplanësh të Nolit, nga orator i zjarrtë dhe përkthyes mjeshtër, në diplomat e politikan me ndikim.
Në emër të Katedrales “Shën Gjergji”, fjalën e mori z. Dhimitër Demiri, Kryetar Laik i Kishës, i cili theksoi: “Mirë se keni ardhur në kishën tuaj, atë që e ngriti dhe e themeloi Noli. Ne po punojmë çdo ditë që ta mbajmë këtë derë hapur për çdo shqiptar, pa dallim. Ngjyra jonë e vetme është ajo kuq e zi.” Zoti Demiri shtoi se librat e Nolit duhet të lexohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat që vijnë, duke vënë theksin në vlerat shpirtërore dhe atdhetare që ai përçoi.
Kryetari i degës së VATRËS në Boston, z. Mentor Maksutaj, në përshëndetjen e tij falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti autorin Ikonomi dhe Peshkopin Nikodhim si dhe përfaqësuesit e organizatave si “Albanians Fighting Cancer”, “MassBesa”, “Çunat e Bostonit” dhe të tjerë. Në fjalën e tij, plot pasion kombëtar, Maksutaj tha: “Kombi duhet dashur çdo ditë, për kombin duhet punuar çdo ditë, për kombin duhet sakrifikuar çdo ditë.” Ai përkujtoi rolin e Nolit në mbrojtjen e vetëvendosjes së shqiptarëve dhe përpjekjet e tij diplomatike për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920″. Maksutaj e quajti librin “Rebeli” një dritë të re mbi përpjekjet e Nolit, që nuk ngurroi të përballej me pushtetet e kohës për t’i dhënë zë kombit shqiptar.
Në vijim, Hirësia e Tij, Peshkopi Nikodhim, përveç mirënjohjes për punën kërkimore të autorit, theksoi se trashëgimia e Nolit është një thesar që duhet ruajtur dhe përcjellë me përkushtim.
Një ndër momentet më të veçanta të eventit ishte shfaqja e dokumentarit “Rebeli”, përgatitur nga vetë Ilir Ikonomi. Dokumentari, i gjatë vetëm 6 minuta, përmbante fotografi dhe dokumente që u ekspozuan për herë të parë, duke përfshirë edhe një foto të rrallë të Nolit gjatë Konferencës së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Pamjet dhe dokumentet sillnin në jetë një periudhë të artë të aktivitetit të Nolit, në vitet 1920-1924, kur ai shpaloste fuqinë e mendimit dhe diplomacisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Dokumentari tregoi gjithashtu udhëtimin arkivor të autorit në Shqipëri, Austri, Gjermani, si dhe në vetë Arkivin Fan Noli në Katedralen “Shën Gjergji”.
Pas shfaqjes, znj. Prifti moderoi një sesion pyetjesh për autorin, i cili ndau me publikun emocionet dhe përvojën e tij të rrallë. “Ky aktivitet, këtu në Kishën e Nolit, është ndër më të rëndësishmit dhe më emocionalet për mua. Është një nder i veçantë të sjellësh librin në vendin ku ai ecte, fliste, predikonte dhe i jepte zë çështjes shqiptare. Ndjej jehonën e hapave të tij. Jam në një monument historik, që duhet ta ruajmë me fanatizëm” – tha Ikonomi, dukshëm i prekur.
Ai zbuloi se ky vëllim i dytë nuk është shkruar në stilin klasik të historianit, por mbështetet në fakte, dokumente, letra dhe korrespondencë të Nolit, shumë prej të cilave janë siguruar nga shqiptarë që jetuan pranë tij në vitet e fundit në Florida. “Më kanë dërguar letra, foto, dokumente origjinale të cilat i gjeni në libër. Janë të pasura me informacione nga vetë Noli dhe nga arkiva si ajo e gazetës ‘Dielli’, një pasuri kombëtare që ruan të dhëna të jashtëzakonshme për çështjen shqiptare”.
Një detaj i veçantë që autori ndau me publikun ishte fakti se Noli kishte dy idhuj personalë: Skënderbeun dhe Napoleonin. “Ndoshta donte të bëhej si ata, një lider me vizion të madh për kombin. Ishte një njeri tepër ambicioz, por edhe jashtëzakonisht i thjeshtë” – tha Ikonomi.
Ai theksoi gjithashtu rolin themelor që ka pasur VATRA në ruajtjen dhe përhapjen e ideve përparimtare për Shqipërinë, përmes figurave si Noli, Dako, Kirka, Omari, Tromara e të tjerë.
Znj. Neka Doko, drejtuesja e Bibliotekës “Fan S. Noli”, ndau disa dokumente të veçanta të siguruara që në vitin 1978 nga profesori Peter Prifti, të cilat pasqyrojnë rolin e Nolit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Në emër të Qendrës Kulturore dhe Bibliotekës “Fan S. Noli”, foli edhe z. Robert Tochka – bashkëorganizator i eventit, I cili premtoi vazhdimësinë e aktiviteteve të këtij niveli, përfshirë edhe Festivalin e Filmit Shqiptar “Fan Noli”.
Të pranishmit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin librin me autograf nga vetë autori.
Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të organizatave shqiptare, studiues, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Boston.
Mbrëmja u mbyll me mikpritjen tradicionale shqiptare: ushqime dhe ëmbëlsira të përgatitura nga “Broadway Pastry”, me pronar z. Arjan Hysenaj, një tjetër shembull i suksesit shqiptar në diasporë. Eventi u pasqyrua nga “NoliTv” dhe “UlqiniTv”.