Zana Tako: Premtimet…
Premtimet janë si rrënjët, të forta por edhe të dobta…
Të dëgjoja në heshtje duke mbajtur frymën. Fjala jote për mua ishte si ajri, pa të cilin nuk merr dot frymë kur të mungon. I kisha ngulur sytë tek duart e tua. Ishin të buta e të paqta.
Mbështeta duart e mia tek të tuat dhe të nxita me heshtjen time të vazhdoje të flisje. Të shihja të menduar e doja të kuptoja, të hyja brenda mendimit tënd e ta shfletoja ëmbël, si fletët e një libri. Atje do gjeja thesarin, të cilin nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër.
Përse më vështron kështu? – më pyete ëmbël. Por sytë e mi shprehnin atë që nuk e flisja dot. Vështrimet tona u kryqëzuan, e ti, i miri im, vazhdove me qetësinë të cilën e doja aq shumë.
…E kisha një mik të mirë, por nuk e kam më. Bënte vepra të mira, edhe emrin e kishte të mirë. Por brenda shpirtit kishte një çiban që e shponte vazhdimisht. Ia njihja dhimbjen. Më kishte folur sa herë për të. Nuk e shëroi dot. Dhimbja e mori me vete. Në të ikur më la një porosi. I kam dy dynymë tokë, më tha, kujdesu për të, nuk kam kujt t’ia le!
Dëgjoja në heshtje. Mezi prisja të kuptoja ku donte të dilte me ato fjalë.
…E kishte ruajtur në kohë atë copë tokë, por nuk e mbolli kurrë, as nuk e shiti. E la djerrë, e megjithatë, ma la amanet ta ruaja, ta mbroja.
Eh, – psherëtive ngadalë, – si është njeriu, do dhe nuk di se çfarë do!
Dora ime ndjente butësinë e dorës së tij. Ëmbëlsia më kishte mbërthyer. Pranë tij ndihesha e sigurt, e mbrojtur.
…Njeriu e ruan tokën, por nuk e ruan shpirtin. Plaga e shpirtit dhemb, e kjo plagë nuk shërohet me pasuritë e tokës. Njeriu lejon ta godasin, e nuk e di, se goditjet nuk janë për të mirën e tij. Ulëret nga dhimbja, e nuk e kupton, se këtë dhimbje e ka pranuar vetë, me lirinë e tij, me dashjen e tij.
Lumturia nuk të vret, të vret liria e tepruar! Kapërcimi i lirisë shkakton dhimbje, vret, lëndon, shkatërron, por njeriu i shkretë harron, se në këtë botë ka gënjeshtarë e manipulues, që ta hapin gropën e t’i mbyllin sytë të biesh brenda.
Duan e nuk dinë se çfarë duan! Asgjë nuk vlen sa dashuria, sa mençuria dhe besa e saj!
Lavdia e njeriut është e përkohshme. Rritet dhe venitet. Mençuria nuk hidhet si farë që të mbijë në tokën e njeriut, e rrënja e saj nuk rritet e lulëzon në tokën e njeriut!
Veprat e njeriut janë si gurët që bien në fund të detit, humbasin e nuk duken, i fshin koha!
Njeriu nuk e njeh më urtinë, ndaj merret me gjëra të kota, ndaj ndjen dhimbje. Shpirti i tij po plaket, po rrudhet e po ftohet. Mungesa e dashurisë e ka ashpërsuar dhe e ka egërsuar. Egërsia e tij vret, lëndon, shan e mallkon, e të gjitha këto janë gjëma e tij, se harroi të mësojë atë që duhet mësuar e nuk duhet harruar!
Nuk ka më kohë!… vazhdoi i menduar… Tërbimi i njeriut nuk ka më fre… Duhet kapistall i fortë për ta ndalur.
Do i dhembë shumë kur ta tërheq fort, por duhet… duhet, ndryshe nuk do të kishte kuptim, që ka një Zot në këtë krijim!