Arqile Garo: Do bie në dashuri!…
Në një tavolinë po rrinim, hanim, qeshnim dhe po pinim,
qyfyre, gallatë e sharje.
Tek tregonim e lodronim, anekdota po shijonim,
në mes hyri fjala: – ndarje! –
*
Lamë pirunët me patatet, përnjëherë kthyem surratet,
nga ai që e kish thënë…
Plot me lotë i kishte sytë, pa kish shkarë, ish bërë i dytë,
edhe gotën e kish lënë.
*
Ah! – Shpërtheu me ofshamë dhe ne sy më sy u pamë,
ndarja qenka tragjedi!
– Ore miq të adhuruar, mjerë ai q’ e ka provuar,
mbushma gotën që ta pi!
*
Dhe piu duke vajtuar, duke sharë e duke truar,
– bjerna djalë edhe një verë!
Se kjo dashuri lanete ka një ndarje mysybete,
ka maraz, ka dhe qeder.
*
Edhe unë, u hodh një tjetër, që mbahej për burrë i vjetër,
pata ndarje të vështirë.
Lëre, ç’e përmend të shkretën, u bëra për të vrarë veten,
ndaj ja shtrova me të pirë.
*
Kaq u desh dhe kamerierët u sulën, mbanin të tjerët,
qenkëshin të tërë të ndarë.
Sa u përmend historia secili në hall të tija,
lotët çurg, mort i pa parë.
*
– Ore burra, mblidhni veten, pini nga një gotë, të shkretën,
se të botës u bëmë gaz.
Fshini hundët ore trima, lini kuje e psherëtima,
pa lezet është ky avaz.
*
Sa u fola kështu tinës, iu vërsulën tavolinës,
e ja kthyen me dolli.
– Një për kokën e filankës, dy për syçkat e shejtankës,
ata mbush dhe neve pi!
*
Mbushi prapë gotat! – or shokë, ajo vetull, ato flokë,
pije për ndarjen e shkretë.
– Për një çupë nga Labëria, që gjëmonte si stuhia,
për një brune me kimet.
*
– Për një bionde lozonjare, për një nuse përmetare,
një vejushe në Athinë.
Për dy motra nga Kuçova, një korçare nga Drenova,
tre mësuese në Kaninë…
*
– Për një zonjë nga Drashovica, një të re nga Koshovica,
një Dropullite gjithë nur!
Po, të vjen që të pëlcasësh edhe kokën ta përplasësh,
në një gardh a në një mur!
*
Për një çikëz nga Tropoja – ashtu më të lumtë goja,
për Dibranen dritë dhe yll,
për Kuksianen e bekuar, atë kurm të adhuruar,
që e çonjam tej, në pyll…
*
– Për një femër të martuar, për një gjoks të adhuruar,
pi!… për burrin lumënxirë,
– Për dashnoren e filanit, atij trimit të vatanit,
që i haj koka për brirë…
*
Me këto e me të tjera, u ndërrua atmosfera,
krisi kënga labërisht.
Mbani iso ju të ndarët, vajtoni për ne qyqarët,
që po na rrëfejnë me gisht…
*
– Dhe, unë isha më profani, më maloku, më hajvani,
një rezil e një jezit.
Shihi mor idiot të tjerët si gulçojnë në vaj të mjerët,
njëri hidh e tjetri prit!
*
Ka lezet or burrë i dheut, që në kohë të Skënderbeut,
ndarja shkruan histori.
Kuptoje! – nga Menelau, që Helena vetë e ndau,
u bë Troja shkrumb e hi.
*
Ajo frymëzoi Homerin: – ky u ul dhe shkroi për tmerrin,
për Akilin, Odisenë,
që u bënë burra të shquar, legjendarë dhe të lëvduar,
nami i tyre mori dhënë.
*
Ndaj or miq nuk po tërhiqem: – Jam në moshë dhe do përpiqem
të bëhem dhe unë Njeri!
Të mos dukem si malarje, – ta kem të shkretën një ndarje…
– Do bie në dashuri!
Janinë, dhjetor 2013.