Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Fli qetësisht miku im, Leka Bungo

Sot u nda nga jeta regjisori i madh i teatrit dramatik në Shqipëri – Leka Bungo.

Leka Bungo i ka dhënë shumë artit dramatik në Shqipëri, por edhe vetë kulturës shqiptare, për një periudhë të gjatë.

Leka Bungo do të vlerësohet gjithmonë për stilin e tij modern, për mënyrën e krijimit të raportit midis të folurit skenik, skenës, gjuhës shqipe me nivel të lartë dhe, veçanërisht, ai do të vlerësohet vijimisht e gjithmonë si një nga krijuesit e disa teatrove dramatikë në Shqipëri.

Leka Bungo ishte me shumë talent, qe një shekspirian i plotësuar dhe një artist edhe në skenografinë shqiptare.

Leka Bungo e kishte artin dramatik dhe fjalën shqipe natyrë të formimit të tij shpirtëror; dhe, nga kjo, atij në çdo bisedë i rridhte hapur talenti skenik; që ai dinte me mjeshtëri ta përcillte qetësisht me fjalë të zgjedhura skenike, në çdo lloj bisede.

Leka Bungo ishte një mjeshtër i afektit të lartë skenik, edhe në bisedat e thjeshta me miqtë e tij.

Unë nuk do ta harroj kurrë ndihmën që Leka Bungo; me artin e tij magjik të bisedës dhe tregimit, më ka dhënë mua për formimin tim në përdorimin e skenës televizive.

Për ne që e kemi njohur nga afër regjizorin Leka Bungo, kurrë nuk do ta harojmë humorin e tij të veçanta.

Ai ishte një vlerë e madhe në bisedat intelektuale, vlerë e madhe si talent në përdorimin e gjuhës shqipe, një aktor krijues në çdo bisedë tavoline; që unë dhe miqtë e tij bënim me të për orë e orë të tëra.

Fli qetësisht miku im -Ti mjeshtëri i madh i teatrit dramatik shqiptar dhe regjizori shumëdimensional i skenës në Shqipëri – Leka Bungo.

Post scriptum

Leka Bungo lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944. U diplomua për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë për regji. Pas diplomimit punoi si drejtor në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë dhe në vitin 1971, pas krijimit të Teatrit “Bylis” në Fier, u bë drejtor i tij.

Në vitin 1973, vendosi në skenë dramën “Historia e një vajze” të Dushës, por kjo shfaqje rezulton të jetë një ngjarje e trishtuar në jetën e tij, pasi nuk u prit mirë nga organet e shtetit të kohës dhe u kritikua për qëndrime liberale në art. Bungo u dërgua në Patos, i dënuar me punë fizike në kuadër të riedukimit. Më pas punoi në Shtëpinë e Kulturës në Patos dhe në vitet ’80 u kthye në Tiranë, ku u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje që prekin probleme të mprehta sociale të kohës, me satirën si element kryesor.

Në ekranin e filmit u shfaq që në 1966 me “Oshëtime në bregdet” dhe shumë vite më vonë (1990) me filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Në teatër ai luajti në vitin 1980 në dramën “Pabesia”. Pas viteve ’90 realizoi disa emisione televizive të gërshetuara me humor politik, duke satirizuar dukuri politike të një regjimi e klase tashmë të përmbysur, por që vijonin të kishin ndikim të fortë mbi realitetin e ri postkomunist në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt e humbi destinacionin artistik dhe u mbyll në vitin 2001 me rikonstruksionin e hollit të këtij teatri. Leka Bungo ka shkruar gjithashtu skenarin e disa filmave dhe telekomedive si: “Tre njerëz me gunë” (1985), “Mirela” (1988), “Gjuetia e fundit” (1991), “Pas fasadës” (1992), “Çarli Çaplini në Shqipëri”.

Në vitin 1998 ai bashkëthemeloi një stacion televiziv privat, ku punoi si drejtor. Në vitin 2001 u zgjodh anëtar i Bordit Drejtues të RTSH. Është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Fierit”. Pas vitit 2002 emigroi në Bronx, New York, SHBA. Më pas u rikthye në Shqipëri.

Please follow and like us: