THE SCOTSMAN 1939/“PAQJA DUHET TË BAZOHET MBI DREJTËSINË” — INTERVISTA ME MBRETIN ZOG NË LONDËR
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Qershor 2025
“The Scotsman” ka botuar, të martën e 12 shtatorit 1939, në faqen n°8, intervistën e Mbretit Zog dhënë asokohe një gazetari në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Mbreti Zog i Shqipërisë
“Paqja duhet të bazohet mbi drejtësinë”
Mbreti Zog i Shqipërisë, i cili ka mbërritur në Londër, do t’i bashkohen së shpejti gruaja dhe fëmija i tij. Ai i tha dje një gazetari se nuk mund të thoshte nëse qëndrimi i tyre do të ishte i përhershëm. “Por mund të jetë shumë i gjatë”, tha ai.
“Edhe motrat e mia do të vijnë”, shtoi ai. “Kohëzgjatja e qëndrimit tonë varet nga rrethanat”.
I pyetur nëse ishte e mundur t’i përcillte një mesazh popullit britanik në rrethanat e tanishme, Mbreti Zog u përgjigj: “Mund të them vetëm se kjo luftë është një fatkeqësi shumë e madhe për njerëzimin. Ne duhet të luftojmë me guxim. Kur ke një dorë të gangrenizuar, kirurgu e pret”, vazhdoi ai me një gjest të shpejtë.
“Paqja, megjithëse mund të jetë e vështirë për t’u arritur, duhet të bazohet mbi drejtësinë, dhe të gjithë e dimë dhe ndihemi të sigurt se ideali britanik i qeverisjes bazohet në paqe dhe drejtësi. Ju lutem, interpretojini popullit britanik simpatinë time dhe dijeninë se kombi juaj qëndron lart në zemrat e të gjitha kombeve të vogla. Ne kemi arsye të veçanta për admirim sepse shumë nga udhëheqësit tuaj kryesorë kanë bërë kaq shumë për kauzën shqiptare”.