SHUMË PYETJE TË VËSHTIRA PËR TË DJESHMEN, TË SOTMEN DHE TË NESËRMEN E SHQIPËRISË
KOSTA NAKE
Duke qenë në vetvete një studim, do të ishte guxim i tepruar të mëtoja të bëja studim për studimin, prandaj rreshtat në vijim janë më tepër një konspekt kapitull pas kapitulli i çështjeve më të rëndësishme. Nga të paktat gjëra që mund të veçoja, do ishte klasifikimi që i bën autori veprës duke quajtur “sprovë letrare”, sepse e gjitha trajtesa është e zhytur në histori si dhe pezmi që ndjen autori kur konkludon njëlloj si Faik Konica se e keqja e Shqipërisë janë shqiptarët. Shkrimtari Artan Mullaj ka shkruar në shtypin e ditës para disa vitesh për këtë vepër dhe në të më pëlqeu shprehja “krijues planetar” që romancieri Mullaj e përdor për ta karakterizuar dhe vlerësuar Kadarenë. Pullat e postës nganjëherë sjellin dëshmi historike. Flamujt janë simbole të kombeve, ne kemi në flamur një shqiponjë që është intrigues krahasuar me shiritat me ngjyra të disa vendeve me shumë histori e kulturë. Himni është simboli tingullor i një kombi, po ky yni ka një problem në tekst se një strofë e tij nuk këndohet.
“Se Zoti vet’ e tha me gojë
Se kombe shuhen përmbi dhe,
Por Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.”
Pse nuk këndohet? Mund të justifikohet vetëm për një fashë kohore, kur Shqipëria socialiste u kthye në të vetmin vend ateist në botë. Te vargu i dytë fjala është “kombe” apo “kombet”, sepse një shkronjë e vetme në fund e ndryshon kuptimin e mesazhit. Janë bërë konkurse për ta ndryshuar himnin tonë kombëtar, po s’kanë prodhuar produkt.
A do të bëhet Shqipëria? Ka një pengesë nga vetë shqiptarët. Në vitet ’90 p.sh. në Korçë qarkullonte si opinion naiv “më mirë të na marrë Greqia”, ndoshta në Durrës thuhej “më mirë të na marrë Italia”, ndoshta në Shkodër thuhej “më mirë të na marrë Serbia”. Njëlloj si Haxhi Qamili dhe Dervish Biçoku me parrullën “Dum Babën”. A ka mundësi që të krijohen 5 shtete shqiptare në Ballkan?
Një prirje proturke në ditët tona mund të diktohet nga këto ilustrime:
Futja e Shqipërisë në Lidhjen Islamike, një shkolle iu vu emri “Haxhi Qamili”, në mes të Tiranës u vu shtatorja e një oficeri turk; Kasëm Trebeshina shkruajti romanin “Mekami”, ku u vetëshpall turk dhe Skënderbeun e quajti hajdut kuajsh dhe agjent të Italisë; një kryeministër i Shqipërisë shkoi në dasmën e djalit të kryeministrit turk; në një ceremoni kolegji në Shqipëri vajzat kënduan “sulltani im, sulltani im”, nëpër kafene shtrohet pyetja: A ishte vërtet i keq sundimi turk? Vizitat e delegacioneve turke shoqëroheshin me kujdesin që të hiqej ose të mbulohej busti i Skënderbeut.
Duke filluar nga kapitulli IV vëmendja kthehet nga Skënderbeu. Çështje e ndjeshme: Skënderbeu ka një varr, po nuk eshtra në të.
Rivlerësimi i rolit të Skënderbeut ka filluar nga viti 1940 e këtej:
Një shtatore u vu në sheshin Albania të Romës më 1940 në prani të Benito Musolinit, shtatoret e para në Shqipëri u vendosën në Krujë dhe në Tiranë më 1968, shtatorja e Skënderbeut u vendos në Prishtinë dhe në Shkup, por në Maqedoninë e Veriut pati reaksion ndaj saj.
Në kapitullin VI Kadare i klasifikon shqiptarët e fillimshekullit të kaluar në tre lloje:
Ata që nuk e pranuan paktin me turkun duke mbajtur shqiptarinë dhe kryqin,
Ata që e hodhën kryqin për gradat dhe armët,
Ata që e shitën për përfitime vetjake.
Turqia e la Shqipërinë 500 vjet pa shkolla shqipe, duke e bërë të vetmen gjuhë të ndaluar. Ato 500 vjet ishin pushtim apo sundim?
Pas shpalljes së Pavarësisë Shqipëria u ndodh në “trekëndshin e Bermudës”: Turqi, Greqi, Serbi. Në kapitullin VII shpërthen pezmi i autorit ndaj “albanologëve të rinj” dhe dy grupimeve të sotme të polemistëve – strehsat dhe mohsat.
E fillon me Fatos Lubonjën, që, duke bërë opozitarin me të gjithë, thotë edhe gjëra që e dëmtojnë çështjen shqiptare. Duke iu bashkuar grupit që kërkon çmitizimin e Skënderbeut, Lubonja paska zbuluar se nëna e Gjergjit është serbe, zbulim që e rimori edhe Muç Nano. Këtu Kadare i bie kambanës së alarmit: “…e di se ç’krisje e pariparueshme mund të ndodhë në shpirtrat e miliona adoleshentëve, nëse e vërteta që ata dinë për popullin e vet do të shpallet e pavërtetë… e di ç’do të thotë për një komb që ka keqkuptim me vetveten, t’i shuhen befas shenjat, qokat, pikat e orientimit…” (f.78-79)
Kadare i rikthehet edhe një herë figurës së Kasëm Trebeshinës që u trumbetua si disident dhe u fut shpejt në tekstet shkollore promemorja e tij drejtuar Enver Hoxhës. Sadik Bejko dhe Vasfi Baruti hynë në Arkivin e Shtetit dhe botuan përkatësisht librat “Disidentët e rremë” dhe “Nega totum” (asgjë e vërtetë).
Çfar’ zbuloi poeti Sadik Bejko? Kasëmi ka qenë oficer në Ministrinë e Brendshme, ka qenë zëvendës komisar batalioni, domethënë shef i zbulimit të batalionit, nuk ka qenë thjesht oficer zbulimi, po një nga themeluesit e tij, ekzekutoi me plumb pas koke Zaho Kokën.
Çfar’ zbuloi historiani Vasfi Baruti, Doktor i Shkencave? Dashuria e Ramize Gjebresë me Zaho Kokën ishte pretekst përderisa ajo u pushkatua dhe djali u fal, skenarin e asaj vdekjeje e përgatiti Nexhmije Xhunglini për arsye xhelozie, pjesëmarrës në gjykimin e Ramonës ishin Hysni Kapo, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Shefqet Peçi dhe D. Hekali. Dushan Mugosha bezdisej nga prania e Ramonës sepse ajo e kishte nënën nga Kosova.
Kapitulli IX i rikthehet çështjes së miteve dhe çmitizimit të tyre si dhe raportit mes miteve dhe historisë, raporteve mes mendimit dhe gjuhës duke mbajtur në fokus figurën e Skënderbeut. Sudiesit zvicerian Oliver Schmitt i jepet një dokument për një darkë diplomatike në vitin 1454 dhe ai arrin në përfundimin se Skënderbeu nuk luftoi kundër Turqisë për liri, por për hakmarrje.
Në kapitullin XII autori kthehet te mitet e Skënderbeut për kalin dhe për shpatën, pastaj veprat e artit dhe botimet kushtuar atij. Ja miti i shpatës sipas Nolit: “Gjergji, kur lindi, kish në krahun e djathtë një shpatë të shkruar.” (Noli, vepra 4, f.87) “Shpata e tij bënte çudira. Me një të goditur të saj ia preu kokën një demi të egër që shkretonte arat e së motrës… Në rrethimin e Krujës me një goditje të shpatës i coptoi më dysh të vëllanë e Ballaban pashës me të birin…” (po aty f.284) Në tekstet e leximit letrar të shkollës 8-vjeçare ka qenë një pjesë që e mësonim përmendësh: “Në mur, përsipër vatrës, varej një shpatë e kohëve të vjetra që nuk e ngre dot njeriu i sotëm as me dy duar… Turqit e plaçkitën kështjellën, po shpatën nuk e nganë, se asnjë s’qe i zoti ta përdorte…” Vetë Noli e ka bërë çmitizimin e shpatës kur tregon kërkesën e sulltan Muratit drejtuar Skënderbeut për t’ia dhuruar shpatën e tij. Heroi ynë ia dërgoi menjëherë dhe sulltani e pa se nuk ndryshonte nga shpata e tjera, pastaj dëgjoi për shpjegimin e Skënderbeut: “I dërgova shpatën e mirë, po s’mund t’i dërgonja edhe krahun bashkë!” (po aty f.284)
Ja dhe miti i kalit sipas Nolit: “Atje tej dëgjohej hingëllimi i dëshpëruar, i mallëngjyer, i ngjirur, i këputur i një kali. Ishte kali luftëtar i Skënderbeut, që vajtonte të zotin. Mihte dhenë me tërbim, rënkonte si i plagosur për vdekje, drithërohej e ngjethej si nga e ftohta e etheve, çfrynte avull e lëshonte lotë si njeri. Që ku u shtri Skënderbeu në shtrat, u sëmur edhe ay; dhe kur vdiq, u egërsua, s’qaste njeri tjetër që t’i hipte, s’deshte më të hante, s’deshte më të rronte, e u shtri e vdiq pak ditë pas të zotit.” (Po aty, f.197)
Kadare nuk e përmend mitin e trupit, por “albanologët e rinj” zbuluan që Skënderbeu, edhe pse eshtrat e tij nuk u gjetën, ishte më pak se 170 cm i gjatë. Ja sipas Nolit: “I gjatë, i hijshmë, me një trup të derdhur prej statuje, me sy të squar, që nxirrte shkëndija, ishte… një ëngjëll bukurie dhe madhështie mashkullore… Krahë më të bukur burri s’ishin parë gjer ahere.” (Po aty, f.88)
Kam një përgjigje vetjake për shtatin e shkurtër dhe forcën e krahëve të Skënderbeut duke sjellë rastin e Bidos së Sulit nga Devolli që ishte gjallë deri gjysmë shekulli më parë. Herkulit i janë numëruar 12 trimëri, kurse një shoku tim mblodhi dhe publikoi 35 akte force mbinjerëzore të Bidos. Skënderbeu, si Anteu, mund ta ketë patur këtë dhunti nga natyra ose nga Zoti.
Kapitulli XIII dhe i fundit i rikthehet idesë fillestare për fatin e kombit shqiptar. Dy herë Shqipëria është gjendur në kohën e duhur në qendër të historisë: e para, me qëndresën antiosmane të Skënderbeut, e dyta, pas rënies së komunizmit. Me harmoninë fetare ajo dëshmoi qëndresë ndaj shprishjes. Ajo mund të vazhdojë të rrojë sipas përcaktimit të himnit tonë kombëtar, kur, përveç gjakut dhe baltës, duhet të kemi vullnetin për të qenë bashkë.
(Sprova letrare “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” e Ismail Kadaresë, Tiranë, 2011).