Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Retrospektivë, 1991. Më 10 qershor Kongresi i 10-të i PPSh

Retrospektivë, 1991. Me 10 qershor Kongresi i 10-të i PPSh. U mbyll brenda dy ditësh, duke “krijuar” PS. Një ngjarje me rëndësi në historinë tonë politike sepse më shumë sesa një kongres partie ishte kryesisht midis fanatikëve të sistemit të kaluar dhe atyre që kërkonin një ndryshim. Nuk ishte gjyq publik ndaj sistemit komunist, por gjyq publik ndaj Byrosë Politike. Dy drejtuesit kryesorë të saj, Alia e Gjoni drejtuan gjithçka, në seancën e mbyllur shkarkuan të tjerët, por shpëtuan veten.

Thelbi: u ndryshuan emri dhe struktura, por nuk pati debat nëse PS do jetë socialiste, komuniste, socialdemokrate, etj, dhe as mbi programin politik që duhej të ishte. Ishte një përpjekje e suksesshme për të ndryshuar imazhin e partisë në kushtet e sistemit të ri. Kërkesa e KP Tiranë nr.35 shpreh më të miri paradoksin, donin ndryshim, donin Nanon, nuk donin Byronë, por ama donin bustin e Hoxhës në presidium.

Nga aktet finale të Kongresit (vendimi në foto) nuk citohet qershori 1991 si krijim i PS dhe as kongres i parë, – quhet kongresi i 10-të. Struktura quhet e njëjtë, Komitet Qendror, më vonë u bë Komitet Drejtues. Votimi ishte formal, – sipas konsultimeve paraprake me rrethet lista u votua pa asnjë votë kundër apo abstenim. Një ditë më pas ish kryeministri Nano dha dorëheqje nga ministër në qeverinë e Stabilitetit dhe u bë kryetar i opozitës. Ishte emri i dytë që Alia ia ofroi postin, i pari refuzoi.

Për info: në atë kohë ER kërkoi nxjerrjen jashtë ligji të partisë që sot drejton duke e cilësuar të pa reformueshme. Vetëm 7 vjet më vonë ndërroi pjesërisht mendje dhe u bë ministër. Më 2003 ai mori 41 vota ndaj 456 votave të Nanos për kryetar në PS. Pas 2005 mori drejtimin dhe pas 2009 nuk ka pasur më zgjedhje për kryetar në PS. Në total, nga 35 vite tranzicion PS ishte/është në pushtet (deri tani) 21 vite (1991, 1997-2005 dhe prej 2013). Asnjë nga kryesia e parë 1991-1992 nuk është më në politikë.

Please follow and like us: