Albspirit

Media/News/Publishing

Anët e panjohura të Çarls Bukovskit

Një figurë krijuese dhe novatore në letërsinë e “nëndheshme”, Charles Bukowski (1920-1994) njihet gjerësisht për poezinë dhe prozën letrare në të cilën ai thumbon shoqërinë borgjeze teksa lartëson jetët dëshpërake të të alkoolizuarve, prostitutave, shkrimtarëve dekadentë dhe personazheve të tjerë famëzinj në Los Angeles si edhe jashtë tij.

Lindur në vitin 1920 në Andernach, Gjermani, në vitin 1922 Bukowski emigroi në Los Angeles me babanë e tij, një ushtar amerikan, si edhe me nënën e tij gjermane. Adoleshenca e tij qe e veçuar nga bashkëmoshatarët për shkak të akneve të shëmtuara dhe ai u bëri ballë përpjekjeve të babait të tij abuziv dhe të patundur për t’i rrënjosur idealet amerikane të punës dhe patriotizmit. Si përfundoi gjimnazin, Bukowski ndoqi Kolegjin e Los Angeles City nga viti 1939-1941 por e la pa marrë diplomën. Ai filloi të shkruante qindra histori të shkurtra teksa bridhte nga njëri qytet në tjetrin duke bërë punë me pagesa të ulëta – përfshi edhe punën si postier, nëpunës poste, sanitar në Kryqin e Kuq, si edhe punëtor në një thertore. Kur Bukowski ishte 13 vjeç, një nga miqtë e tij e ftoi në qilarin e verërave dhe i shërbeu pijen e parë alkoolike.

“Ishte e magjishme”,- do të shkruante më vonë Bukowski. “Si nuk ma kishte treguar njeri më parë?” Ai ishte shkrimtar romanësh, poezish, tregimesh, dhe skenarë filmash. I dyshuar për shmangie nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm, ai u arrestua nga agjentët e FBI-së në Filadelfia dhe kaloi thuajse një muaj në burg gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Bukowski u martua me një pronare restoranti Linda Lee Beighle nëntë vjet përpara se të vdiste nga leuçemia. Ai kishte një vajzë me emrin Marina. Bukowski thoshte: “Ndonëse unë shkruaj për racën njerëzore, sa më larg u rri, aq më mirë ndihem. Dy milje larg janë bukur, dy mijë milje larg janë mrekulli. Nuk e pëlqej racën njerëzore. Nuk më pëlqejnë kokat e tyre, fytyrat, këmbët, bisedat, modelet e flokëve, automjetet”.

Nëse do ta kishin punësuar, Bukowski do të kish qenë gazetar. Për fat, ai ishte shumë dembel. Kur ndiqte kursin e gazetarisë në LA City College ai tha se “nuk bënte asgjë; shtrihesha në lëndinë dhe nuk shkoja në mësim.” Madje ai aplikoi për gazetar por nuk u punësua. Dhe u gëzua që nuk e punësuan.

Bukowski kishte një mace që quhej Minx. Në poezinë e tij ‘Macet e mia’ ai shkruan: “Ato ankohen, por nuk merakosen kurrë, ato ecin me një dinjitet befasues. Ato flenë kaq thjesht saqë njerëzit nuk mund ta kuptojnë. Kur nuk ndihem në humor, mjafton të vështroj macet dhe ndiej që kuraja ime kthehet sërish”. Ky është një nga ato çastet e rralla ku ne dallojmë anën e butë të Bukowskit, shumë e rrallë…

Please follow and like us: