Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Mungesa e strehimoreve dhe paqëndrueshmëria politike

Kosova sot përballet me një rrezik të madh që shpesh injorohet; mungesa e strehimoreve për popullsinë në rast lufte apo krizash të papritura. Ndërsa tensionet në rajon rriten dhe luftërat janë gjithnjë e më afër, Kosova mbetet pa një sistem të mirëfilltë të sigurisë civile që do të mbronte qytetarët në momentet më kritike. Kjo është një neglizhencë e rrezikshme e institucioneve, një dështim që mund të ketë pasoja të rënda në rast emergjence.

Aktualisht, Kosova ka vetëm gjashtë strehimore publike, prej të cilave vetëm tri janë funksionale. Këto strehimore, të trashëguara nga koha e ish-Jugosllavisë, nuk janë modernizuar dhe nuk plotësojnë nevojat bazë për mbrojtjen e qytetarëve. Në Prishtinë, disa bunkerë ekzistojnë, por shumica janë dhënë në shfrytëzim për organizata rinore dhe kompani publike, duke e lënë popullsinë pa një vend të sigurt në rast rreziku. Në një krizë, këto strehimore mund të lirohen brenda 24 orëve, por kjo nuk është një plan i qëndrueshëm për mbrojtjen e qytetarëve.Ky problem bëhet edhe më i rrezikshëm për shkak të situatës politike aktuale. Kosova po kalon një periudhë paqëndrueshmërie, ku mazhoranca nuk i ka numrat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, e si rrjedhoje , vendi gjendet në një gjendje të paqartë dhe të paorganizuar për t’u përballur me një krizë të papritur.

Në rast lufte, Kosova do të gjendej në një gjendje amorfe, ku vendimet kritike do të vështirësoheshin nga mungesa e një qeverie funksionale. Nuk është e pranueshme që siguria e qytetarëve të jetë e varur nga ngërçi politik.

Vendet evropiane i kushtojnë vëmendje të madhe sigurisë civile dhe kanë ndërtuar sistemin e tyre të strehimoreve për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve. Këto strehimore janë të pajisura me sisteme ajrosjeje, furnizim me ujë, ushqim rezervë dhe pajisje mjekësore, duke siguruar që popullsia të mund të mbijetojë në kushte të vështira. Ndërsa Kosova ka investuar në shumë fusha, neglizhenca ndaj sigurisë civile mbetet një sfidë serioze. Strehimoret ekzistuese në Kosovë nuk kanë as shtretër, as ushqime rezervë, as pajisje mjekësore, duke i bërë ato të papërshtatshme për një krizë të gjatë. Nëse një konflikt shpërthen, popullsia do të mbetet e ekspozuar dhe e pambrojtur.Qeveria e Kosovës duhet të veprojë me urgjencë. Ndërtimi i strehimoreve të reja duhet të bëhet një prioritet kombëtar, duke garantuar që çdo komunë të ketë hapësira të sigurta për mbrojtjen e qytetarëve. Duhet të ketë një plan të qartë për evakuimin e popullsisë dhe mënyrat e reagimit në situata krize. Gjithashtu, duhen organizuar trajnime për qytetarët mbi mënyrën e mbrojtjes dhe sigurisë në raste emergjente. Kosova nuk mund të lejojë që një krizë ta gjejë të papërgatitur.

Mungesa e strehimoreve nuk është vetëm një problem teknik, por një dështim i institucioneve për të garantuar të drejtën themelore të qytetarëve për siguri. Kjo klase politike e papjekur, po e dergon Kosoven drejt nje kolapsi, duke vene ne rrezik shtetin dhe ekzistencen e tij.

Please follow and like us: