Albspirit

Media/News/Publishing

Me këngëtarin dhe valltarin e shquar të Picarit, Shkëlqim Guçe

Sejmen Gjokoli

Nga cikli “Korifejtë”-2

SHKËLQIMI I KËNGËS DHE VALLES LABE

Me këngëtarin dhe valltarin e shquar të Picarit, Shkëlqim Guçe

Është rritur nëpër këngë, në shtëpi por edhe në gjitoni, ku sa herë vinte dikush për darkë kënga do ishte një me bukën.

Jo rrallë, ashtu si fëmijë që ishin, do demonstronin këngët, por edhe imitacionet që kishin mësuar gjatë ditës me shokët të magjepsur pas këngëve apo melodive të instrumenteve të popullore që çobanët i mbanin në stane e kullota.

Mes një ardhe moshatarësh, fëmijë shkolle të gjithë, Shkëlqim Guçe do të shquante mes të gjithëve, edhe për këngë por edhe për imitime e recitime në vargje.

Në shtëpi ishin pesë vëllezër, të gjithë njëri pas tjetrit dhe të gjithë me të njëjtin pasion për këngën, atë këngë që të mëdhenjtë e kishin përcjellë nga brezat e që vazhdonin ta bënin në dasma e ziafete.

Më pas, nëpër skena e festivale nga vëllezërit do ta merrte pas Xhevairi, atij ju dha më shumë edhe për këngë por edhe për valle.

Ishte një kohë kur shkolla e Picarit numëronte afro katërqind nxënës e ku aktivitetet kulturore bënin të gumzhinte fshati e krahina e tërë.

Një gurrë më vehte, si Gurra me ujin kristal që shkonte te rrepet përfund fshatit.

Nga nëna pati mësuar një këngë që akoma e mban mend edhe sot, kur prej atëhere kanë kaluar rreth gjashtë dekada e kur si nxënës shënonte vitin e parë.

U’ çoku do vete,

Lule, moj, lule,

Lart’ e në kurbete,

Lule, moj, lule….

Nëna ka kënduar dhe hedhur valle të mirë me grupin e Picarit, e njohur sidomos si vyrtuoze për të kthyerin tipike graarishte e që Shkëlqimi duket se genin prej saj e ka trashëguar.

Si bijë nga Medari, një tjetër fshat me tradita të forta labërie po edhe derë kënge, Nislie Çeli gjeti në Picar një tjetër gurrë trashëgimie po edhe sheshmejdanin e këngës dhe valles së Kurveleshit të poshtëm, njohur në histori për dyfek e këngë.

Duket se në të dy mjediset familjare është përcjellë e qashtër atmosfera e jetës baritore, e melodive, e këngëve dhe valleve nga ku dasmat sidomos, ktheheshin në rituale që të rrëmbenin të tërin.

Ç’janë ata që shkojnë zallit,

Trimat e Çelo Picarit,

Mos i dil përpara kalit,

Se të merr lulen e ballit…

Janë këto disa nga vargjet e këngës për njërin prej burrave më legjendarë të fshatit e cila si jehonë çfaqej në çdo gur, shteg e udhë të Picarit e Labërisë.

Me këto këngë u mëkua qysh fëmijë edhe Shkëlqim Guçe i cili duket se nuk i ka rezistuar dot kësaj magjie zërash e që prej fëminisë është bërë njësh me to.

Në vitet e shkollës tetëvjeçare, me bashkëmoshatarët e tij, do të ushtrohej si marrës i këngës por edhe si i pari në valle.

Duke u kthyer në ato vite ai kujton se mësuesi i gjuhë – letërsisë të cilin e kishte edhe mësues kujdestar, Hysni Koka, do ishte njeriu që do ti “injektonte” dashurinë për vallen, për vallen që në Labëri njihet si vallja e burrave por që për ta mësuar duhet të ushtrohesh qysh fëmijë.

Vallja e burrave në fshatrat e krahinës së Kardhiqit por edhe në të gjithë Labërinë ka qenë një “institucion” më vehte ku ashtu si dollia, jo të gjithë ja delnin, sidomos ata që i prinin vargut.

Ndërkohë që në Picar, Halil Bilaj, një prej burrave të mëdhenj të këngës së këtij fshati e kësaj krahine për Shkëlqimin mbetej idhulli i interpretimit dhe mjeshtërisë së këngës picariote.

Ishte koha kur Halili me Qebir Karabinën, Asllan Thanën, Qerim Biraçin, Banush Malon e të tjerë e patën bërë kala më vehte këngën vënçe të Picarit.

Veç të tjerash këngët me vargjet e poetit të shquar tragjasjot Hamdi Pulo, Halil Bilaj me shokë i ktheu në gurë të xhevairta në gjerdanin e më të mirave këngë polifonike shqiptare.

Prej kësaj hapësire këngëtore e me ëndrra për artin e trashëgiminë djali i Dalip Guçes do të nisej drejt kryeqytetit, në shkollën e mesme të kulturës, kohë kur ju krijua mundësia të njihte nga afër shumë prej atyre që kishin bërë emër në këngën dhe artin popullor.

Këtu do të bëheshin bashkë edhe me vajzën piluriote Ermioni Muço (Mërkuri) e cila më pas, me grupin legjendar të Pilurit e nën drejtimin e Lefter Çipës, do të bëhej një nga emrat më të mëdhenj të këndimit dhe interpretimit polifonik të Bregdetit e Labërisë.

Për Shkëlqimin dhe Ermionin të cilët vinin nga vende të njohura kënge ishte një rast i artë që së bashku edhe me shoqe dhe shokë të tjerë nga viset jugore të formonin grupin polifonik të shkollës i cili do të merrte pjesë në shumë aktivitete të kryeqytetit nga ku do të zinte një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të tij.

Përveç Ermionit, Shkëlqimi më përmend edhe emrat e Marika Zotos, Eli Bicit, Panajot Diamantit, Roland Shkurtit, Bako Skëndit e Spiro Vitos me të cilët i bashkoi kënga jugore me Iso edhe pse dikush vinte nga Labëria, një tjetër nga Bregu i Detit, dikush nga Zagoria, nga Fterra, Delvina apo Lazarati.

Më pas Shkëlqimi do të diplomohej edhe në të tjera fusha të lidhura me historine, gjeografinë apo arkeologjinë por asnjëra nuk ja veniti dashurinë për këngën dhe vallen tradicionale të vendlindjes e Labërisë.

Përkundrazi puna dhe kontributi në vite në sektorë të ndryshëm të kulturës e artit do ta evidenntonin atë si një prej interpretëve më të shquar që krahina e Kardhiqit dhe Gjirokastra ka nxjerrë në vite.

Grupi i të rriturve me Halil Bilajn me shokë mbasi e ngritën aq shumë në piedestal këngën picariote thuajse pa zhurmë e bujë nisën tërheqien dhe një tjetër grup me vajza e djem të rinj nisën rrugëtimin si përfaqësues të këtij fshati me traditë të madhe këngë në koncerte e skena festivalesh.

Dituri Thana, Dhurim Saraçi, Fazo Isaraj, Trëndafile Gorrica, Idriz Isaraj, Ilirjan Karabina, Xhevair Guçe, Jaçe Peçi e Islam Koko me shokë jo vetëm që u bënë vazhdues të këngës tipologjike picariote por edhe bërthama që i dhanë zë ” Gurrës së Picarit “, një nga formacionet më të hershëm folklorike me karakter jo publik ideuar e udhëhequr nga vet Shkëlqimi.

Shkëlqim Guçe për herë të parë skenën e kalasë së Gjirokastrës do të ngjiste në vitin 1988 dhe prej atëherë nuk do ti mungonte asnjëherë festivalit kombëtar, ndoshta më unikalin në të gjithë Europën e më gjerë.

Ka qenë një pjesëmarrje disa planshe ajo e daljes në Kala për të parën herë.

Si njohës deri në imtësi i jetës baritore, melodive të instrumenteve popullorë, të avzeve e cicërimave të zogjve, të fërfëritjes së gjetheve e çdo gjejë që ka të bëjë me mjediset pastorale ai do të befasonte një kala të tejmbushur me spektatorë e studiues folklori me trillin baritor të përgatitur si të ishin duke luajtur instrumentistët e filarmonisë së Vjenës.

E ndërsa Vlora pesë vite të shkuara, falë përpunimit të etnomuzikologut të madh Haxhi Dalipi, përmes njëmbëdhjetë mjeshtrash në instrumente popullorë me fyej, cula dyjare, xambare, bilbila, zile e këmborë e imitues zogjsh të malit do të sillte një mozik plot kolorite folklorike, Picari pesë vite më pas përmes mjeshtërisë artistike të Shkëlqim Guçes do të na binte në skenën e kalasë një tjetër mrekulli folklorike baritore.

Një uverturë të rrallë të mbushur plot tinguj e avaze të magjishme stanesh e kopesh me këmborë e zile të rënda.

Po në këtë festival Shkëlqimi do të demonstronte për herë të parë në një skenë të tillë edhe talentin dhe mjeshtërinë e të kërcyerit në vallen e burrave të Labërisë.

Organizatorët e festivalit atë kohë përzgjodhën djemtë dhe burrat më të mirë në ushtrimin e kësaj valleje dhe e quajtën vallja e burrave të Kardhiqit e ndërsa në rreshtin e parë si i pari i valles do të ishte Mirte Pula, një nga korifejtë e kësaj valleje në Zhulat e Labëri, në rreshtin e dytë, rreshti i veshur me fustanellën e bardhë labe, do ti besohej Shkëlqim Guçes, picariotit që prej asaj kohe do të mbetej në krye të kësaj vlere të jashtëzakonshme të folklorit lab.

Portreti folklorik i Shkëlqim Guçes është shumë plansh dhe radhitet në të paktët artista popullorë me dhunti e diapazon kaq të gjerë interpretative.

I prerë për këngë, i prerë për valle, i prerë edhe për instrumente e imitacione popullore.

Vetëm këngëtari e valltari i jashtëzakonshëm i Vranishtit Arap Çeloleskaj në të tria këto tipologji kënge shquante njësoj edhe pse me “apapa”-në e tij proverbiale mbetet meteor i valles burrërishte labërishte.

I tillë më çfaqet edhe Shkëlqim Guçe në të gjithë repertorin e tij, një korpus i tërë me këngë e valle të kënduara por edhe të krijuara nga ai vetë.

Një këngëtar e krijues i mjaft vargjeve të këngëve të mrekullueshme epike e lirike.

Mjafton të përmendim vetëm këngët e kënduara në Kalanë e Gjirokastrës për të thënë se kemi të bëjmë me një bartës dhe interpret nga më të shquarit në të gjitha krahinat ku këndohet kënga me Iso.

“Bën beslidhje Kurveleshi”, “Ra një vesë, mbuloi dhenë”, “Dritëro moj Argjiro”, “Kurvelesh katër nishanë”, “Në Trojet e Ilirjanëve”, “Do ta bëjmë Shqipërinë”, janë këngët e kënduara vetëm në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, në sheshmejdanin e pasurisë shpirtërore të kombit.

Një këngëtar me një potencial epik të vokalit e me një ekepresivitet të mahnitshëm interpretativ i cili për nga regjistrat e zërit natyrshëm mund të radhitet me Hysen Rukën e Tomorr Lelon e Cmokthinës, Golik Jaupin e Bënçës, me Aranit Daupin e Tragjasit e Syrja Hodon e Tërbaçit, me Ajet Dukën e Delvinës, me Fatosh Likon, Bajram Hundën e Berdo Berdon e Dukatit, Pelivan Basho, Gjergjia Aliko e Ëngjëllush Kerraj të Eli Zhulati apo Hosho Onjenë në Fushë-Bardhë.

“Ç’janë ata shkëmbenj të bardhë,

Kurvelesh, ç’djem që rrite,

Lapidar maleve ngrite.

Zenel Gjoleka mbi kalë,

Çobo Golëmi dhipllarë,

Besën me Çelo Picarë….” (nga kënga “Kurvelesh, ç’djem që rrite)

Apo:

“Djemt’ e djepit prej stërralli,

Flamurin lidhur te balli,

Djemt e maleve të sertë.

Me jatagan ndez rrufetë… ” (nga kënga “Kurvelesh katër nishanë”)

E më tej:

“Ato Princeshat me derte,

Ler’ mbi heshta, mbi dyfeqe,

Gjiri nënave-eeeeee,

Në truall të ilirianve,

Tundet djepi kapetanve…” (nga kënga “Në trojet e ilirianëve”)

Asnjëra këngë si ngjan tjetërës përveç një shtrati të përbashkët dhe një vokali thellësisht epik të prerë për këngë të serta e trimërore, këngë me erë malesh e jehonë grykash, gurgullimë e pa shterur gurre.

Çdo këngë duket si kushtrim më vehte, si tipologji që më shumë se krahinës së Kardhiqit do ti shkonin asaj të Kurveleshit, në pjesën e poshtme të të cilit gjeografikisht ndodhet edhe vet vendlindja e këngëtarit.

Këngët e Shkëlqim Guçes me shokë i kanë shtuar edhe një gurrë tjetër, një gurrë shpirtërore, ujrave që burojnë nga malet e derdhen përfund zallit të Picarit, është fjala për gurrën e traditës popullore që në këtë fshat duket se në çdo kohë ka qenë e është përcjellë me tepri.

Kënga vënçe e Guçes ruan jo vetëm fizionominë e këngës tradicionale të Picarit në gati gjysmën e dytë të shëkullit të XX por edhe evoluimi që ky këngëtar i ka bërë asaj ruan besnikërisht ashtën e një tipologjie të dallueshme nga realizimet më të mira të këngëve të këtij fshati.

Ndërkohë që ajo vjen më e plotë, më e prerë dhe më me acent të melosit labo-kurveleshas.

“Dilni djem se doli ylli,

Kërkon Gjolekën, Tafili,

Gjolekë mandile ziu,

Treqind trima pas vetiu,

Ç’janë ashtu burrat e dheut,

Si vetëtim e Shëndreut,

Gjak nga gjaku i Skënderbeut…” (nga vallja “Dilni djem se doli ylli”)

Nga vallet më të bukura mes valleve burrërishte të krahinës së Kardhiqit e Labërisë.

Këtu Shkëlqim Guçe na tregon edhe një herë se është jo vetëm një këngëtar shumë i veçantë e i pa ngjashëm me të tjerë në viset ku këndohet labërishtja por edhe një valltar me dhunti të rralla.

Këngëtar me fuqi shprehëse të fjalës por edhe espresiv e dinamik me gjuhën e trupit, me lëvizje të prera e të shdërvjellëta që i japin shkrepëtimë gjurit dhe gjuhës, të asaj që mbetet e para, fjalës.

Këtu s’ka asnjë shenjë evoulimi, këtu vallja vjen siç është kënduar e hedhur në tërë brezat në Krahinën e Kardhiqit dhe Labërisë. Siç është hedhur në Zhulat, Në Kolonjë, në Golëm por edhe në Fushë-Bardhë e gjetkë.

Fat i madh që kjo pasuri e madhe shpirtërore na vjen kaq shumë e ruajtur, kaq vërtetësisht orgjinale, kaq pastërtisht autentike.

Dhe për Shkëlqim Guçen do mjaftonte kjo për të mbetur ndër kontribuesit e mëdhenj e të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore, në misjonin e ruajtjes dhe përcjelljes së kësaj pasurie identitare kombëtare në breza, kjo edhe si amanet nga brezat që shkuan.

Shkëlqim Guçe mbetet gurgullima këngëtore e Gurrës kristalore të Picarit, njeriu virtuoz e plot shkëlqim i këngës e valles burrërore të Kardhiqit, Kurveleshit e Labërisë dhe një gurë i rëndë në themelet e trashëgimisë tonë kombëtare.

Please follow and like us: