Sakip Cami: Poetët dhe kompozitorët e muzikës së lehtë shqiptare
Nderim dhe mirënjohje për kompozitorët dhe poetët e këngës së lehtë shqiptare ndër vite dhe një kritikë për këngët e sotme me tekste bajate e muzikë kompjuterike
Dionis Bubani, Llazar Siliqi, Mark Gurakuqi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu, Lirim Deda, Zhuljana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Hysni Milloshi, Gjok Beci, Arben Duka, Adelina Balashi, Alqi Boshnjaku, Pandi Laço dhe Jorgo Papingji janë autorët e poezive të këngëve fituese ndër festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar para vitit 2000, nga viti 1962 – 1999.
E theksova para viteve 2000 se pas vitit 2000 nuk kemi më poezi e tekste këngësh, por vargëzime boshe pa anjë kuptim, të tipit “Oh Rina, Rina/E bukura ti moj Rina…
Po t’u hedhësh një sy se kush janë autorët e viteve para vitit 2000, ata janë poetët dhe autorët më të mirë të letërsisë shqiptare ndër vite. Mund të thotë dikush se këto tekste kanë qenë të politizuara. Disa prej tyre edhe kanë qenë sepse censura e politikës moniste ka qenë shumë e fortë, por edhe pse kishte censurë, këta autorë kanë ditur të kapin tema të mëdha e të bukura që i ka dashur populli.
Shumë këngë prej tyre këndohen edhe sot pas 50 vjetësh si Për ty Atdhe”, “Këngët e popullit tim”, “Valsi i lumturisë”, “Fëmija e parë”, “Të dua o det”, “Sot jam 20 vjec”, “Dhuratë për ditëlindje”, “Kënga e nënës”, “Vajzat e fshatit tim”, Nënëmoj, do pres gërshetin”, “Këputa një gjethe dafine”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Jon” etj.
E njëjta gjë mund të thuhet për kompozitorët fitues. Ata janë Abdulla Grimci, Tish Daia, Llazar Morcka, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Limoz Dizdari Shpëtim Kushta, Agim Prodani, Kujtim Laro, Avni Mula, Feim Ibrahimi, Agim Krajka, Enver Shëngjergji, Luan Zhegu, Vladimir Kotani, David Tukiqi, Piro Cako, Ardit Gjebrea, Aleksandër Peci, Flamur Shehu, Osman Mula, Valentin Veizi, Shpëtim Saraci, Adrian Hila, Edmond Zhulali. Që të gjithë janë jo vetëm kompozitorë këngësh të lehta, por edhe të shumë veprave simfonike , autorë të poerave, operetave , uverturave etj. Tabani kombëtar i karakterizonte këto krijime.
Këto këngë janë kënduar nga emra të mëdhenj të muzikës si Vace Zela, Tonin Tërshana, Qemal Kërtusha, Gaqo Cako, Sherif Merdani, Luan Zhegu, Ema Qazimi, Liljana Kondakci, Lindita Theodhori, Ermira Babaliu, Aurela Gace, Manjola Mallbani, Frederik Ndoci, Parashqevi Simaku, Anila Bitri, Ardit Gjebrea, Irma Libohova, Nertila Koka etj.
Po sot çfarë vihet re? Këngëtarët vetë bëjnë tekstin, vetë bëjnë muzikën, vetë e këndojnë. Muzika shpesh herë është kompjuterike dhe jo nga veglat muzikore, këndohet me kasetë dhe jo drejtpërdrejt.
Nuk marr përsipër të bëj analizën, por kam mendimin se tendencat për t’u dukur modernë dhe për të fituar shumë e kanë dëmtuar muzikën shqiptare.