Zanë Mali: Andrra që s’u tremb nga topi
Në majë t’shputës s’vogël, n’atë tokë t’pjekun nga gjëma
ku dhe bari frikën e pinte me vesë,
unë lule e imtë me gërsheta shprese
isha veç pesë stinë dhe një plagë ma shumë.
*
Rrinte qielli i varun në telat e zisë
dielli fshihej si fajtor nën oxhakë t’shkrum,
une s’e lashë andrrën me fjetë
e lidha me fjongot e fundit t’kukullës që s’qante më.
*
M’u rrit gjaku me britmën e nënës
me fjalët që s’ishin veç fjalë, por trumbeta
mos ki frikë, bijë, se toka po na dëgjon
E unë i fola tokës si nji nane të dytë.
*
Mbaje shpresën teme, mos e lësho
Kur vinin tenkat e shurdhëta si gjarpërinj hekuri
futej frika n’çorapët e mi t’çarë
por unë qeshja me dhambët e qumështit
se e dija kush andrron s’zhduket.
*
Kam ecë zbathur mbi trungje që digjnin
kam pa kukulla pa kokë n’rrugë t’pluhurosura
por e kam dashtë jetën si buka, si uji
si gjiri i nanës që nuk më la t’harroj emrin tim.
*
Tash jam rritë e fëminia m’rri si unazë n’gisht
më përkujton
se isha e vogël, por s’isha e pafuqishme,
andrra ime ishte flamur i paluem
malli im gjuhë që s’u shu me pushkë.
*
Unë jam ajo vajzë
që luftën s’e deshi, por s’iu përkul
që lirinë e pa në sy pa lot
dhe i tha vetes:
Bëhu ti Kosova që pret të rilindë.