Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Fjala e dr. Jani Vaja në përurimin e konviktit të shkollës “Normalja e Qestoratit”

Qestorat, viti 1873. Fjala e mbajtur nga Dr. Jani Vaja në përurimin e konviktit të shkollës “Normalja e Qestoratit”.

Qestorati është ndër fshatrat e Lunxhërisë me zhvillim historik patriotik, kulturor, arsimor iluminist, që në shek. 19-të, ku, natyra dhe shpirti janë në harmoni të plotë: toka, uji, ajri, njerëzit.

***

Emri i fshatit Qestorat në shek. 19-të u bë i njohur jo vetëm në Jug të Shqipërisë, por dhe në mbarë Shqipërinë…

Ideatori dhe realizuesi i shkollës “Normalja e Qestoratit(1869 – 1891) ishte patrioti, bamirësi i madh i kohës, djali i Qestoratit, Kristaq Zografi. Kristaq Zografi, për dijen e kulturën, dhuroi shuma të mëdha parash për ngritjen e shkollave të mesme në Konstandinopojë, në Universitetet e Mynihut dhe Parisit.

Kristaq Zografi, në vitin 1869, si patriot bamirës dhe me financimet e tij, me shumë përpjekje me Qeverinë osmane, në vendlindjen e tij Qestorat, ngriti Shkollën Normale, më të njohur të epokës në Shqipëri.      

Normalja e Qestoratit kishte si synim formimin e mësuesve dhe mësueseve për arsimin fillor (gjuha greke).

Shënim. Ishte kohë e vështirë për dije, brenda kontekstit historio-gjeografik. Epir!…

  1. Është koha kur kjo zonë, Lunxhëria dhe gjithë Epiri ishin nën sundimin turk. Qeveria osmane e asaj kohe, duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake.

2. Në kontekstin historik mungonte alfabeti shqip standard. Vetëm më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Alfabetiti shqip).

Nxënësit dhe studentët në Normalen e Qestoratitvinin nga krahina të ndryshme: nga Dropulli, Janina, Nikopoja, Paramithia, Vellas, Konica, Berati, Korça, Përmeti, Durrësi, Elbasani etj. Numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në Normale arriti në 259 djem dhe 105 vajza.

Në jetëgjatësinë e Normales së Qestoratit (1869-1891) kanë dalë 400 mësues dhe mësuese.  Një pjesë të nxënësve të kësaj shkolle kanë vazhduar studimet më tej në degë të ndryshme në Universitet në Stamboll e Athinë.

Kristaq Zografi, drejtimin e përgjithshëm të shkollave ia ngarkoi Jani Vajës, mjekut me kulturë të gjerë nga Lekli.

Drejtor i shkollës fillore dhe mësues emërohet Vasil Goudas (Gudha). Drejtore e shkollës femërore emërohet Katerina Konstandinidhi.

Fal pedagogjisë moderne, që zhvillohej në këtë shkollë nën ndikimin e iluminizmit perëndimor, formimit arsimor me kulturë të përgjithshme, emancipuese e përparimtare, ndër mësuesit dhe nxënësit u ndriçua vetëdija kombëtare për gjuhën shqipe.

Ndër ta u shqua Koto Hoxhi (mësues në këtë shkollë). Në vitin 1874 Koto Hoxhi me nxënësit e shkollës vuri në skenë, për herë të parë në gjuhën shqipe, pjesën teatrale “Dasma Lunxhiote”. 

 Nxënësit e kësaj shkolle: Petro Nini Luarasi, vëllezërit Pandeli e Koto Sotiri dhe Jani Minga ndezën dhe përhapën dritën e diturisë në gjuhën shqipe në të gjithë Shqipërinë.

Qestorati në këtë periudhë ishte shndërruar në një qytezë të vogël, me lëvizje dhe me komunikacion të përditshëm. Rrugët dhe sheshet e fshatit gjallëroheshin nga studentët dhe nxënësit e Normales në Qestorat.

***

Vlerat e pathëna të veprës të Dr.Jani Vajës, drejtor i përgjithshëm i shkollave “ Normalja e Qestoratit”

Niko Styllos (me banim në Gjermani), studiues dhe botues i disa librave, hulumtues pasionat i historisë së arvanitasve në Greqi (në gjurmëteAristidh Kolës), pohon se, në shtypshkronjën J. A. Vreto në Stamboll, në vitin 1873, është botuar një libër shkruar nga Jani Vaja, i biri i Thanas Vajës (oficer i famshëm i Ali Pashë Tepelenës).

Niko Styllos, në hulumtimin e tij me vlera të vërteta shkencore, jep një ndihmesë në ditet e sotme  për historianët profesionistë dhe një ndriçim në mjegullnajën shekullore për Normalen e Qestoratit.

Niko Styllos shkruan:        


“Në shtypshkronjën “J. A. Vreto” në Kostandinopojë, në vitin 1873 është botuar edhe një libër, shkruar nga doktor Jani Thanas Vaja. Nga kopjet e shpëtuara të këtij libri me vlera të mëdha shkencore, për mua janë të njohura dy. Një prej tyre gjendet në Bibliotekën e Parlamentit Grek dhe tjetra në bibliotekën “Angjelo N. Papakosta”, e cila prej vitit 1982 është blerë nga Universiteti i Kretës dhe mund të lexohet nga kushdo në rrjetin social në formë elektronike kundrejt pagesës.

Ka gjithsej 74 faqe, format 18 x 12 cm dhe është i ndarë në dy pjesë.

Për pjesën e parë, kemi titullin: “Fjalë drejtuar epirotëve, mbajtur ditën e përurimit të Kestoratio Zoografiu Sisitu ( Normalja Zografi Qestorat.A.G.), gjatë muajit shkurt 1873 nga doktor Jani Τhanas Vaja” dhe, në pjesën e dytë, “Përmbledhja e përzgjedhur e fjalëve latine të përdorura më shumë në shqip”.

Në pjesën e parë, siç lexojmë edhe në titull, kemi fjalën që mbajti doktor Jani Vaja në atë kohë, nga sa informohemi prej shënimeve në faqen katër, drejtor i Institutit të Zografit ( Normalja e Qestoratit. A.G.), në përurimin e konviktit të këtij instituti, në fshatin e Kristaq Zografit, Qestorat, në shkurt të vitit 1873.

Pa dashur të bëj kritikë, thjesht desha të them se, buzëqesha hidhur, kur mbarova së lexuari atë fjalë, sepse m’u kujtua historia e nënës së mikut tim, Dhimitrit, që kthehej plot gaz nga kisha pasi kish dëgjuar predikimin e arkimandritit të ri.

Pyetjes së birit të saj, se ç’të mirë kishte thënë hirësia, ajo i ishte gjegjur me shpoti: “Fliste kaq me shkollë, sa unë nuk kuptova asgjë”.

Këtë besoj do të thoshin edhe pjesa më e madhe e dëgjuesve të fjalës së doktorit, që nuk mund të kuptonin nga sa kish thënë ai, sepse gjuha e tij ishte gjuhë e fjalëve dhe jo gjuha e popullit.

Pjesa e dytë e quajtur në titullin e librit “Përmbledhje e përzgjedhur e fjalëve latine të përdorura më shumë në shqip”, fillon në faqen 43, konkretisht me kapitullin: “Përmbledhje / Fjalë të ndryshme të gjuhës latine – të përdorura më tepër në të folmen e tashme të shqipes ose gjuhës së shqiptarëve, në Epir, Greqi e gjetkë.

U shkruan si program argëtimi nga diletantët epirotas të studimit të gjuhës latine”, të Jani Athanas Vaja, doktor epirotas.

Edhe pse shkrimtari na informon se e bëri atë punë për të dëfryer kulturëdashësit epirotas, të cilët studionin gjuhën latine, duhet të them që për mua, ajo punë është një nga punët më të mira linguistike, të mos them më të arrira që kam lexuar deri më sot, në lidhje me gjuhën shqipe.

Në tri shtylla të kësaj pune, shembuj të së cilës jap më poshtë, shkrimtari në të majtë të tyre ka vënë fjalë dhe shprehje latine, të cilat në kolonën e mesit janë të përkthyera në greqisht dhe në të tretën djathtas, në gjuhën shqipe, që është vetë farefis me latinishten.

Në këtë përmbledhje, e cila përmban gjithsej 1099 fjalë dhe shprehje dhe është shkruar pa renditje alfabetike, teksti shqip është shkruar me dy alfabete të ndryshme, d.m.th. në atë latin e atë grek, përshtatur për shkrimin e gjuhës shqipe.

E tepërt të kaloj këtu në hollësi dhe analizë të alfabeteve të sipërpërmendur, sepse jam ndalur për këtë në librin tim me temë “Përmbledhja e fjalëve latino–greko–shqiptare të Jani Vajës”, i cili besoj të qarkullojë në fund të këtij viti.

Në dorëshkrimin e shpëtuar të kësaj përmbledhjeje, prej së cilës paraqes edhe fotokopjen e faqes së parë, kemi të dhëna se Jani Vaja e ka shkruar atë në vitin 1862, në Athinë.

Për këtë dorëshkrim, profesori Tomorr Osmani, në librin e tij “Udha e shkronjave shqipe”, nga ku ka marrë dhe fotokopjen e faqes së parë të lartpërmendur, na informon përgjithësisht, se ndodhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar. (“Jani Vaja ishte marrë me hartimin e një fjalorthi tregjuhësh: latinisht, greqisht dhe shqip, dorëshkrim që ruhet në Arkivin e Shtetit …” faqe 296).

Me gjithë përpjekjet e mia të vazhdueshme, jo vetëm nuk munda të arrij të marr një fotokopje nga ky dorëshkrim, por nuk munda ta gjej as edhe ku ndodhet. Do t’ia dija për nder të madh dhe, njëkohësisht do të isha borxhli ndaj kujtdo prej lexuesve që do të më informonte për këtë.

Në librin e parapërmendur të Tomorr Osmanit, në këtë shkrim, kemi të dhëna se një prej atyre, që u mor me këtë përmbledhje, profesor Thoma Dimo, shkruan se ajo përmban 470 fjalë. Nëse ky informacion është i saktë, atëherë Jani Vaja, në vitet që pasuan, d.m.th. gjatë periudhës 1862 dhe 1873, ka mbledhur edhe fjalë të tjera.

Për Jani Vajën, të dhënat biografike që kemi janë të pakta. Dimë vetëm që ishte i biri i Thanas Vajës, oficerit të lartë të Ali Pashës së Janinës, që lindi në fshatin Lekli midis Tepelenës dhe Gjirokastrës, studioi Mjekësi dhe ushtroi profesionin e mjekut në Athinë; gjë që e vërteton edhe informacioni që gjejmë në katalogët e “Artdashësve të Abonuar”, në librat e asaj kohe, një prej të cilëve është edhe: “Kaçandonis Epope e Luftëtarëve” i Andoni Jani Antoniadhut, botuar në Athinë më 1873-shin, nga i cili Jani Vaja kishte blerë katër libra”.

Referencat

  1. Niko Styllos: Vlerat e pathëna të veprës së Jani Vajës. shtator 2015.
  2. Andrea Gudha: Shkolla është dije, kudo e në çdo kohë për një shoqëri të kulturuar. Normalja e Qestoratit (1869 – 1891).
  3. Kleanthi Dedi, muzeolog: “Normalja e Qestoratit”, mjegull në histori.
Please follow and like us: