Ismet Hajrullahu: Ibrahim Krasniqi – Simbol i Sakrificës dhe Lirisë
Në historinë më të re të Kosovës, Ibrahim Krasniqi mbetet një simbol i guximit dhe sakrificës. Ai u lind më 10 mars 1962, u rrit dhe u brumos në një familje atdhetare, në fshatin Smallushë të Lipjanit.
Gjatë viteve të rinisë, ai ishte i apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha ai kishte një dashuri të pakushtë për atdheun.
Në vitin 1981, kur demonstratat për lirinë e Kosovës arritën kulmin, Ibrahim Krasniqi ishte në ballë të protestave dhe demonstratave në Lipjan.
Ai, së bashku me shokët, me qëndresën e tyre sfiduan pushtuesin serbo-jugosllav të asaj kohe, me një guxim të pashoq.
Demonstrata e 2 prillit 1981 në Lipjan ishte një moment historik, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre. Ibrahim Krasniqi ishte në ballë të protestës, duke udhëhequr me vendosmëri dhe guxim. Për këtë, ai u arrestua dhe u dënua me 6 vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e Prishtinës, ku qëndroi për disa muaj nën hetime e më pas në burgun e Gjilanit, ku përjetoi tortura të rënda.
Ai, së bashku me shokët e burgosur organizuan një grevë urie për të protestuar kundër trajtimit mizor. Më vonë, ai u dërgua në burgun famëkeq në Pozharevc dhe vuajtjet e tij vetëm sa u shtuan.
Në muajt e fundit të jetës, Ibrahim Krasniqi u transferua në Burgun Qendror të Beogradit. Bashkëvuajtësit e tij, si Ismail Haradinaj, Muhamet Haklaj dhe Sejdi Leka, dëshmuan se ai filloi të kishte simptoma të rënda shëndetësore.
Më 15 qershor 1982, në rrethana ende të paqarta, Ibrahim Krasniqi humbi jetën në burgun e Beogradit.
Ibrahimi u varros nën mbikëqyrjen e sigurimit shtetëror, si në shumë raste të tjera të të rinjve shqiptarë që vriteshin mizorisht, jo vetëm nëpër burgje, por edhe në ushtrinë famëkeqe jugosllave.
Mediat e kohës shkruanin për Ibrahimin se “Diplomën e pjekurisë e zëvendësoi me atë të sakrificës”.
Dëshmori i kombit, Ibrahim Krasniqi mbetet një frymëzim për brezat e rinj dhe një dëshmi e sakrificës për lirinë që ne gëzojmë sot. Ai do te mbetet i paharruar në historinë më të re të Kosovës, si një simbol i rezistencës dhe guximit!
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Të paharruar qofshin dëshmorët e Atdheut!