Albspirit

Media/News/Publishing

Naum Prifti: Barazi për të gjithë

NAUM PRIFTI, PËRKUJTIM NË 2-VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

Skicë

Sa tërheqëse qe kjo ideja se do të rronim të gjithë njëlloj. Dhe kur thoshim “njëlloj”, mendja më shkonte menjëherë te më të pasurit e fshatit e të krahinës. Ideali abstrakt sakaq mishërohej te persona të njohur që kishin nivel  të lartë jetese, që rronin mirë, visheshin mirë, kishin shtëpi të bollshme e të bukura. Sa herë thoshim se i pasuri dhe fukarai do të kishin  një nivel, mendja më shkonte te avokati ynë, zoti Vangjo dhe tek sekretari i gjyqit që vishej me sqimë e mbahej shik.

Disa pikëpyetje më dilnin që atëherë dhe nuk e mendoja si mund të bëhej zotni një shakatar si Çomja. Mendoja se edhe po t’i jepnin rroba të mira e të pastra, ai për dy javë do t’i kishte lerosur dhe shqepur. Po ajo që më mundonte më shumë qe si do t’ia bënin me çobanin e lopëve e të dhenve. Gjithë të tjerët do të rronin si në qytet, si në parajsë, po dhentë e lopët kush do t’i kulloste? Si do të bënte çobani kur të zinte shiu e breshëri?

“Do t’u japin ombrellë”, thoshte im vëlla. “Do t’i krijojnë kushte të mira”. Po ku pyeste shiu me erë për ombrellë? Ta merrte e ta flakte tej pa gajle. Ombrella në malet tona nuk i shërbente për asgjë. “Do t’i japin mushama”, vazhdonte vëllai.

Për çobanin s’më mbushej mendja se do të shpëtonte nga kusuret e motit të keq. Mirëpo sipas teorisë marksiste të pasurit rronin mirë se përvetësonin edhe mundin e fshatarit dhe të punëtorit. Për shtresën e administratës e për gjithë ata që rrogën e merrnin nga qeveria, mendoja se nuk kishin asnjëfarë ideje se shfrytëzonin krahët a djersën tonë. Mundin dhe punën e krahut tonë e merrnin vetëm ata që mbanin argatë e shegertë.

Ne donim të rronim mirë të gjithë. Por ndërsa të pasurit merrnin nga ne, prej kujt do të merrnim ne.

Ideja e ndarjes së padrejtë të pronës ishte në themel të të gjitha luftërave që nga kohët që s’mbahen mend. Dhe kjo luftë nuk dallonte nga të tjerat. Mendonim se do të ngrinim nivelin e jetesës duke ndarë pasurinë, më saktë duke e rekuizuar. Do t’i merrnim Vangjo avokatit e do t’i jepnim Kolës a Kasëmit.

Sa joshëse tingëllonte kjo ide, ç’vizion i mrekullueshëm për të ardhmen. Ky imazh fantastik filloi të qarkullonte që në ditët e luftës pikërisht sepse ishte aq joshës e aq tërheqës… 

Ligjet ekonomike dhe llogaritë i kishin lënë mënjanë, se as i njihnin dhe as u delnin.

Edhe ne,  si s’u kujtuam njëherë të shikonim sa na binte po ta ndanim pak katandinë e Vangjo avokatit dhe të kryesekretarit në njëqindekatër pjesë? S’kishte për të na rënë as nga një cep velenxe, as nga një pëllëmbë qilim. Kush do të merrte lugët, do t’i mbetej hatri se i morën pirunët, apo do t’ia kishte zilinë atij që mori diskun e tepsinë.

Pale të dëgjoje Xhoxhin tonë! “Vetëm sa të mbarojë lufta, thoshte vazhdimisht, se pastaj do të hamë me lugë të florinjtë”. As argjend nuk i pranonim, se i donim flori safi, po se nga do vinin, perëndia e dinte.

As për shtëpitë që digjeshin Xhoxhi s’bëhej merak. “Le t’i djegin të gjitha, thoshte, aq më mirë, se do t’i bëjnë më të bukura pas lufte anglezët”. Bile ai s’thoshte as me ndihmën e tyre, po nënkuptonte sikur do vinin muratorë e karpentierë nga Anglia. Sepse i dinte Xhoxhi aq dorëlëshuar anglezët një zot e di.

Njëherë i kundërshtova.  Por ai aty për aty ma ktheu:

– Jemi aleatë, oj kokë. Ata që tani që jemi në luftë dhe po na ndihmojnë. Kushedi sa kasa me stërlina u kanë hedhur partizanëve…

E po ndoshta ai si partizan i dinte më mirë se ne të tjerët.

Mirëpo, ky Xhoxhi, kur u bë Sekretar i Komitetit Ekzekutiv, ishte ai që na dërgoi fletët e para të tatimeve.

Shkurt fjala, në çdo qeveri e në çdo sistem, fshatarit i bije të punojë dhe të paguajë.

https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid0758Jp6BbthkPvhEFH8KaJWTo4goaqYUsLu7Fx5Rzj3TaZMWjDvL56pC1Jr8P3pwRl&id=100064755940971&_rdr

Please follow and like us: