Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Bota nuk sillet vetiu, botën e rrotullojnë paratë

Bota nuk sillet vetiu, botën e rrotullojnë paratë (Minatori, i Mitrovicës)!
Senad Guraziu – Ars Poetica, Q 2025 – Koment, erotezë rreth politikave

Në vitin 1929, Ajnshtajni i shkruante mikut Chaim Weizmann (më vonë do ishte Presidenti i parë i Izraelit, Weizmann pati qenë vizioni, fryma udhëheqëse sioniste), mes fjalëve tjera, figuronte dhe si vijon:
“Nëse nuk ia dalim të gjejmë rrugën e bashkëpunimit të ndershëm dhe të dakordohemi me arabët, atëherë i bie që s’kemi mësuar asgjë nga sprova jonë dymijëvjeçare dhe do ta meritojmë fatin si “pre” (viktimë) e kësaj historie” (dmth. të mosnxjerrjes së leksioneve nga historia dymijëvjeçare – shën. im).

Personalisht, mendoj se këto janë fjalë të mëdha të Ajnshtajnit janë vërtet të MEDHA, personalisht sa herë bjen puna apo më shkon mendja tek historia hebraike-arabe, sikur çuditem pse “fjalët” e Ajnshtajnit që lidhen me problemet mes arabëve dhe hebrenjve (popullsi e “miksuar”, atëbotë, që jetonin në Palestinë gjatë viteve pas Deklaratës Balfour, 1917) rrallë shfaqen dhe pothuaj njeriu nuk i “sheh askund”. Sipas meje është mjaft e çuditshme, kur dihet se Ajnshtajni si të thuash ishte vetë “ideja” e pacifizmit, ishte intelektual i arsyes, zë humanist, njëri nga zërat më të mëdhenj të shkencës, zë i paqes, i thjeshtësisë, i buzëqeshjes, lirisht sikur bën të thuhet që ndoshta askush më denjësisht dhe më neutralisht se Ajnshtajni nuk e përfaqëson kauzën e historisë hebraike. As atëbotë, në botën dhe në kohën e tij, por as sot e kësaj dite… ndoshta askush s’ishte-s’është më i denjë se zëri i Ajnshtajnit.

Në bashkëkohësinë tonë, injorimi, “shmangia” e paqes ajnshtajniane (si mesazh humanist, si iluminizëm shekullor) është absurd, nga secila anë e mundshme që të shihet – qoftë si shmangie, si anashkalim, si hipokrizi e qëllimshme, si mjerim i paqëllimshëm, si harresë, si gjithçka. Sot kur me mijëra universitete anembanë botës na ofrojnë gjoja dhe “diplomash të politikave”. Sepse ashtu na konvenon, madje dhe politikat pandehim t’i kthejmë në “shkencë” – paçka se, nga ana tjetër ia lejojmë vetes t’i sabotojmë, bie fjala “Nord Streams”, t’i nisim luftrat ukrainase, t’i shkatërrojmë Gazat duke u bërë gazi i botës, duke i rrafshuar e bërë pluhur, ngutazi dhe pothuaj prapa “perdes” globale derisa vëmendja e botës andej kah tragjedia ukrainase, ngutu dhe rrafshoje Gazën, shkaktoji katastrofat humanitare – dhe tashmë universitetet e botës me gjithë “shkencat” e tyre të politikës s’dinë gjë, s’e kanë idenë e avancimit tonë politik.

Anise diplomat e “politikës” na duhen teorikisht, kur duhet konkurruar për postet politike, kuptohet dhe kjo…
E nisim luftën e Ukrainës, i shesim armë Ukrainës për 3 vjet rresht, dhe në fund i themi “dorëzohu”, s’ia vlen, Lili-Putini nuk është as agresor as Liliputan – ore ti Zelenskyy arrogant, vjen në “Shtëpinë… ” tonë  dhe as nuk thua faleminderit, ende s’e ke shprehur as mirënjohjen, t’i kemi dhënë me dhjetra miliarda armatim, sa e sa tankset, sa e sa dronët e avionët, lloj-lloj sistemesh të kushtueshme, lloj-lloj raketash të padëgjuara, do bëhen qindra miliarda “ndihmë ushtarake”, si s’ke turp, ende reziston, ende kërkon raketa, avionë, armë, lufton për atdheun tënd, shtiresh e na shitesh si Hero, Super-hero, por nuk e kupton që ne i “kemi kartat n’dorë”, kartat nuk i ke ti, i kemi ne… me karta të Ukrainës dhe të mbarë Lindjes, mblidh mend, nuk e kupton se duke luftuar për çlirimin e atdheut tënd mund t’i ndezësh fitilat e bombave atomike, mund ta nisësh Luftën e Tretë Botërore…

Ndërsa ne (bota paqësore) s’kemi aspak faj, asnjë grimë faji, e sabotuam Nord Stream… e nisëm luftëm tënde me Rusinë, por qenë pajtuar dhe vetë gjermanët, dhe vetë evropianët (anise BE-ja shtiren sikur s’dinin gjë, u takon ashtu, e dinte Gjermania por jo BE-ja, seps eashtu duhet), e gjithë Evropa dhe sidomos Amerika qenë pajtuar se “monopolizmi” i rusëve me energjitikat e me gazin nuk janë në interes të sferës perëndimore.. andaj ti arroganti Zelenskyy kërko falje, përkulu jo vetëm para Trumpidentit por dhe para Lili-Putinit, falja atdheun tënd Arushmadhes Rusi… thuaji Putinit “spasiba” që pajtohesh me “neutralitetin” e Ukrainës, dmth. as në NATO, as në Tokë as në Ajri, totalisht neutralitet-neutral… 100%, ngujuar pafajësisht mes Lindje-Perëndimit…

Kuptoje “mëkatin” e pafalshëm, absurdin e miliona vrasjeve, janë vrarë madje 1 milion ushtarë rusë për hiçasgjë, për sherr të verbërisë tënde, thirri mendjes, shtrije dorën e paqes, mos u shtir Superman, vizitoje Moskën, ha pilaf me Lili-Putinin, ngreji dollitë, pi vodka me Babadimrin. Edhe ne vetë do e shpallim Gazën si pronë turistike për ta rindërtuar e bërë parajsë, jemi zotuar bashkë me sheikët e Katarit, me ata të Dubait, me krejt Emiratet që i njeh bota jemi njëmendje, do i shkrijmë mendjet dhe forcat tona prej verdhushkash, pa kurrëfarë interesi do ta bëjmë Gazën më të bukur se Dubai… Madje dhe vetëm për idenë, që na pati vajtur mendja, sheikët e Katarit u preken sa s’ka më, mezi i mbajten lotët, të lëkundur në shpirt vendosën me qindra miliona peshqeshe, lloj-lloj dhuratash “royale… imperiale”, dhe avion luksoz madje do na japin për flotën e varfër të “Air Space One”…

Me mijëra universitete anembanë globit i shohin lajmet, e shohin si digjet Ukraina, si bëhet pluhur Gaza por s’dinë gjë, thuase veshët të izoluar me lesh, japin diploma për “shkencat politike”, shtiren universitete universale, mburren se e kanë avancuar “intelektualizmin” e njeriut në kulm (më të ditur s’kemi qenë kurrë gjatë historisë njerëzore, me gjasë s’ka ku më tej… përveç se të “çmendemi nga mençuria dhe nga dijet” politike.

Mirëpo, s’kanë faj universitetet, për fat të keq fajet i kanë vetëm “politikat”, sepse dihet si vërtiten politikat, paratë e miliarderëve amerikanë, ambicjet (sa të shëndosha po aq ndonjëherë dhe të sëmura), lobizmat politiko-ekonomikë të 190 shteteve a vendeve të rruzullit… për fat të keq e neutralizojnë çdo zë universitar, e shurdhojnë komplet akademizmin amerikan, 50 shtete bashkë, universitetet më të avancuara të globit (a të universit, po deshe) por ç’e do, asnjë “zë universitetar”, shurdhohet gjithçka, le t’ketë Harvarda, le t’ketë Oksforda, who cares – pa asnjë lloj rezistence intelektuale, kudo dhe gjithandej njësoj, fitojnë “trumpizmat”, “muskizmat”, “putinizmat”… etj. etj.

Sepse e thjeshtë është, ia themi si justifikim, sepse dihet si vërtiten politikat, sepse “bota nuk sillet vetiu, botën e rrotullojnë paratë” – këndonte dikur, nëse s’gabohem, ai “Minatori” simpatik nga Mitrovica.

Jo vetëm shkencat politike që riciklohen, madje dhe shkencat e fizikës komplet (dmth. me të gjitha nënshkencat, me të gjitha degët e degëzat) sikur e ndiejnë vërtitjen në rreth, diç si “ouroboro” që e kafshon bishtin e vet, thjesht sikur vazhdojnë brenda “inercionit ciklik, sepse s’ka ku më tej”. Rreth i ngjashëm apo njësoj si atëherë kur ende s’e dinim sigurt nëse bota e rrumbullakët apo helbete diç si pllakë e rrafshët. Vërtiteshin anijet kolumbiane, sorrollateshin eksploruesit oqeaneve të pafund, lloj-lloj Magelanash i kërkonin tokat e reja, rutat e Indisë, ndonjëherë i gjenin Amerikat por pandehnin se ishin “Indi”, nuk hiqnin dorë e kërkonin fundin e botës, endeshin e vërdalleshim dhe në fund vinin prapë në “pikën ku ishin nisur” – dhe kështu dmth. u kuptua që s’kishte ku më “tej”, i binte se rutat ishin “rrethore”, u finalizua që bota vërtet “diç si topth i rrumbullakët”.

Askujt me arsyen, me shpirtin e thjeshtë të njeriut, me zemrën e jokorruptuar, me mendjen e shëndetshme, askujt nuk ia kap si është e mundur të “përputhet” tragjedia e pandalshme palestineze me lajmet “papagallistike” tek thuase fluturojnë prapa veshëve tanë, sikur s’na bëjnë përshtypje më, sikur s’i kuptojmë mirëfilli, pas dhjetra vitesh e dekadash na duken si tragjedi-rutina. Zhurma mediatike dhe vërtitja shekullore rreth-e-rrotull kaçubës mediatike “palestineze” do duhej t’i ndizte llambat e ndërgjegjes sonë – 1 shekull eufori mediatike dhe prapë s’lëkundet ndërgjegjia jonë, vallë a nuk është absurd, vallë si është e mundur të ndodh kjo me njeriun e ri, me njeriun supra-modern, me super-njeriun e ditur, të emancipuar politikisht dhe në secilin aspekt!

Ne flasim madje për t’vajtur dhe në Mars, për atë asrye nevojiten aq shumë miliardash “muskizmit” (by the way… meqë ra fjala, edhe Marsi është i rrumbullakët, diç si “rreth”, njësoj si dhe rutat e Kolumbos a të Magelanit, ciklizëm i politikave tekno-shkencologjike të tokës). Bën të hutohemi pas Marsit, pas “muskizmit”, “trumpizmit”… no problemos, por Harresa e “turpit” historik është e pafalshme – injorimi i qasjeve paqësore dhe i zgjidhjes serioze të konflikteve, harresa e historisë së turpshme të fuqive të dikurshme, harresa e pazarllëqeve të tyre me tokat e huaja, me jetët njerëzore dhe të popujve, në sferat e caktuara rajonale ende duke vazhduar me t’njëjtën këngë shekullore, duke i “dizajnuar konfliktet moderne”, duke i ushqyer industritë ushtarake dhe tekno-marrëzirat (në dukje verbërisht por jo, syçeltësi politikash të planifikuara deri në detajet, janë gjoja strategji (i justifikojnë gjoja si interesa kombëtare), nuk janë “verbëri”… por diç njësoj si qëllim-verbëria e dikushme rreth bombave bërthamore, njësoj si vrapi dhe armatimi nuklear i “luftës së ftohtë”) – harresa e “turpit” historik është e pafalshme.

Politikanët sikur qëllimisht e përkrahin hipokrizinë, sikur pandehin se bota duhet t’i harrojë marrëveshjet e stilit Sykes-Picot, traktatet sekrete mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, psh. bota duhet ta harrojë Modus Vivendi-n anglo-francez të v.1918, pazarllëqet me Levantin (me territoret e perandorisë… së dështuar të Osmnalinjëve). Madje dhe vetë Muhamed Ali Pashai, shqiptaro-guvernatori i Egjiptit, sikur i ka ca “faje për tragjedinë e tashme palestineze”. Paqja qoftë me të, jo se na kishte faj, s’jemi duke ia trazuar eshtrat e varrit me asnjë akuzë, por thjesht si ilustrim i ironisë së historisë – teksa perandoria Osmane në agoninë e vet, shqiptaro-guvernatorit atëbotë i pati “pëlqyer” Franca më shumë, interesat e tij përputheshin më mirë me politikat franceze : )

Dhe britanikët sikur e patën humbur balancin e politikave, qenë ndjerë keq, të hutuar do ta shpallnin “Balfourin”… parë kjo më gjerësisht, sepse u duhej mobilizm i përkrahjes për politikat e tyre, për planet dhe për synimet me Levantin, me Lindjen e Mesme etj. Shkurt, tërthorazi, përputhet me të vërtetën historike, sikur dhe vetë shqiptaro-pashai i ka “fajet pakëz” për fatin palestinez të pas-Luftës së Parë Botërore. Sharifi i Mekës (atëbotë ende s’patën fituar Saudët) e pati refuzuar Versajën e 1919-ës, sepse i duhej t’pajtohej që Palestina t’u ipej hebrejve, dhe Siria t’u ipej peshqesh… ku di tashmë kujt, të tjerëve.

Dhe tashmë, pas historisë së “paturpshme”, në kohën tonë moderne politikanët modernë, të kalibrit a la Trump, Natanjah, Putin e këso… pandehin se bota u dashka t’i harrojnë historirat, bota duhet harruar Ajnshtajnat, duhet harruar “klithmat e Ajnshtajnit, pacifizmin ajnshtajnian” sepse PAQJA për askend s’ka kuptim, paqja e botës nuk funksionon me intelektualizmin e Ajnshtajnave por me politikat e politikanëve. Mbaron lufta me Hamasin, nise tjetrën… me Iranin, me Irakun, me Afganistanin, me Libinë, me Sirinë, e madje nesër (pse jo) dhe me Marsin.

Andaj na duhet një botë prore e trazuar, me konflikte të dizajnuara me kujdes, botë që u konvenon interesave të tregtarëve me armatimet, që u konvenon industrialistëve të mëdhenj të armëve (sepse u duhen tregjet ku t’i shesin), na nevojitet politikë që u konvenon industrive dhe prapaskenave të politikave ushtarake, na duhen politikash që u konvenojnë CIA-mendësive, KGB- mendësive (apo si quhen tani), MI5-mendësive, MOSAD-mendësive, që u konvenojnë arkitektëve të konfliktuozitetit modern, mendjeve të errëta, ideatorëve të luftrave dhe profiterëve të luftrave”. Kam frikë, vetëm të tilla forcave të errëta u përshtatet “harresa e mesazhit të Ajnshtajnit”, askujt tjetër.

(tutje, fjalët e Ajnshtajnit – mjaft me keqardhjen time)
“Dikush që, si unë, për shumë vite e ka ushqyer bindjen se njerëzimi i së ardhmes duhet të ndërtohet mbi një bashkësi të ngushtë kombesh, dhe se nacionalizmi agresiv duhet të mposhtet, mund të shoh një të ardhme për Palestinën vetëm në bazë të bashkëpunimit paqësor mes dy popujve që janë në shtëpinë e tyre, në vendin e tyre. Për këtë arsye, do duhej t’kisha pritur që populli i madh arab do të tregonte një vlerësim më të vërtetë të nevojës që hebrenjtë ndiejnë për ta rindërtuar shtëpinë e tyre kombëtare në selinë e lashtë të judaizmit; do duhej t’kisha pritur që me përpjekje dhe mjete të përbashkëta do gjendeshin mënyra për ta bërë të mundur një vendbanim të gjerë hebre në vend. Jam i bindur se përkushtimi i popullit hebre ndaj Palestinës do t’u sjellë dobi gjithë banorëve të vendit, jo vetëm materialisht, por dhe dobi kulturore e kombëtare.

Unë besoj se rilindja arabe në hapësirën e gjerë të territorit, të pushtuar tani nga arabët, vetëm sa do t’përfitojnë nga simpatia hebraike. Do ta mirëprisja krijimin e një mundësie për diskutim absolutisht të lirë dhe të hapur të këtyre mundësive, sepse besoj se dy popujt e mëdhenj semitikë, secili prej tyre në mënyrën e vet ka kontribuar diçka me vlerë të qëndrueshme në qytetërimin e Perëndimit, mund ta kenë një të ardhme të shkëlqyer të përbashkët dhe, në vend që t’përballen me njëri-tjetrin me armiqësi të pafrytshme, me mosbesim të ndërsjellë, ata duhet t’i mbështesin përpjekjet kombëtare dhe kulturore të njëri-tjetrit, dhe duhet të kërkojnë mundësinë e bashkëpunimit të admiruar.

Mendoj se ata që nuk janë të angazhuar aktivisht në politikë duhet të kontribuojnë mbi të gjitha në krijimin e kësaj atmosfere të besimit. I dënoj ngjarjet tragjike të gushtit të kaluar, jo vetëm sepse ato zbuluan natyrën njerëzore, në aspektet më të ulëta, por dhe sepse i kanë larguar dy popujt dhe e kanë bërë  për ta përkohësisht më të vështirë që t’i afrohen njëri-tjetrit. Por të bashkohen, ata duhet patjetër, pavarësisht të gjithave”.

Please follow and like us: